Sopranoja Marigona Qerkezi e pandalshme, debuton në Spanjë dhe mbush ballinat e gazetave 

Sopranoja shqiptare Marigona Qerkezi është shfaqur në skena të njohura botërore të operës, përderisa angazhimet e reja po vazhdojnë të jenë të njëpasnjëshme, shkruan KultPlus.

Mbrëmë sopranoja Qerkezi debutoi në “Ópera de Oviedo” me rolin dramatik Elvira nga opera ‘Ernani’ e kompozitorit G.Verdit e cila u vleresua lartë nga kritikët e artit në Spanjë. 

“Jam tejet e lumtur që suksesi i ynë në premierën e mbrëmshme të operas #Ernani në Ópera de Oviedo sot i mbushi ballinat e gazetave spanjole La Nueva España Digital – LNE.es si dhe El Comercio (Diario de Asturias)”, ka shkruar Qerkezi. / KultPlus.com

Fshati i fundosur del nga thellësia e liqenit, nuk ndodhte prej më shumë se 70 vitesh

Thatësira që ka përfshirë Europën ka nxjerrë nga thellësitë e ujit vendbanime të lashta në zona të ndryshme. Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në Spanjë.

Një vendbanim romak ka dalë nga thellësitë e liqenit artificial As Conchas në Galicia, në veriperëndim të Spanjës.

Vendbanimi Aquis Querquennis është zbuluar tërësisht pasi niveli i ujit ka rënë ndjeshëm. Spanja po përballet me thatësirën më të madhe në dekada pas një vere të nxehtë pa reshje.

Vendbanimi i lashtë mendohet të jetë ndërtuar rreth viteve 70 pas Krishtit. Ai u përmbyt në vitin 1948 kur u krijua liqeni, ndërsa asnjëherë në këto vite nuk kishte dalë në sipërfaqe./A2CNN / KultPlus.com

Ishulli që për 6 muaj është i Francës dhe 6 muaj i Spanjës

Një ishull me dy kahje. Ky është “Ishulli i fazanit”, i cili gjendet në tokën kufitare midis Francës dhe Spanjës dhe shkëmbehet mes këtyre dy shteteve çdo gjashtë muaj. Ndonëese shumë shtete kufitare kanë parregullsi, kjo është e vetmja e kësaj natyre.

Përgjatë historisë, ka pasur emërtime të ndryshme për “Ishullin e Fazanit”, por emri që mban aktualisht është vendosur në mënyrë rastësore. “Nuk ka fazanë në Ishullin e fazanëve”, pohoi shkrimtari francez Viktor Hygo kur e vizitoi atë në vitin 1843. Në fakt, në ishull ka vetëm disa shpendë të ngjashëm me fazanët dhe zogj të tjerë shtegtarë.

Ishulli u bë i njohur në vitin 1648, kur iu dha fund luftës 30-vjeçare midis Francës dhe Spanjës dhe u zgjodh si një hapësirë ​​neutrale për të demarkuar territoret e reja kufitare. Në fakt, u zhvilluan 24 samite dhe në vitin 1659 u arrit marrëveshja e paqes në “Traktatin e Pirenejve”.

Vendi nisi të shihej si një metaforë e paqes dhe u vendos që Spanja dhe Franca të kishin kujdestarinë e përbashkët të territorit. Spanja do të mbante kujdestarinë nga 1 shkurti deri më 31 korrik të çdo viti, ndërsa gjashtë muajt e tjerë, Franca.

Çdo 6 muaj, të dyja shtetet përkujdesen për mirëmbajtjen e ishullit, diskutojnë për të drejtat e peshkimit dhe monitorimin e cilësisë së ujit etj. Vizitorët hyjnë në ishull ose në një nga ditët e dorëzimit, kur realizohen aktivitete të shumta, ose gjatë pelegrinazheve të ndryshme./Euronews.al / KultPlus.com

Zjarret në Evropë, u evakuuan mijëra njerëz

Franca ka evakuuar më shumë se 16 mijë njerëz të kërcënuar nga zjarret në jugperëndim, pasi zjarret u përhapën edhe në Spanjë, Kroaci dhe Greqi.

Autoritetet në Gironde të Francës, një rajon i njohur turistik, kanë evakuuar rojet nga kampingjet – turistët u larguan më herët. Zjarret janë përhapur në zonat Teste-de-Buch dhe Landiras.

Në Spanjën jugore, më shumë se 3 mijë e 200 njerëz u larguan nga zjarret në kodrat Mijas, megjithëse më vonë disa mundën të ktheheshin.

Zjarret e Portugalisë janë vënë nën kontroll për momentin.

Më shumë se 1000 vdekje i janë atribuar vapës në Portugali dhe Spanjë ditët e fundit. /Express / KultPlus.com

Rita Ora mori gjithë vëmendjen në tapetin e kuq të ‘ELLE Style Awards’ në Spanjë

Ditën e djeshme yjet botërore shkëlqyen me paraqitjet e tyre në tapetin e kuq të ELLE Style Awards të mbajtur në Sevilje të Spanjës, përcjell KultPlus.

E pranishme në këtë mbrëmjë, e që mori vëmendje të madhe, ishte këngëtarje shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora.

”Ylli i muzikës pop dukej tejet tërheqëse në një fustan të zi plot shkëlqim. Këngëtarja e lindur në Prishtinë, e cila mori emrin e lindjes nga frymëzimi që familjarët morën nga Rita Hayëorth, balancoi me mjeshtëri drejtpeshimin e saj në një palë taka të zeza në tapetin e kuq”, ka shkruar DailyMail, përcjell tutje KultPlus.

Këngëtarja shqiptare shquhet për paraqitjet e saj ekstravagante dhe tërheqëse në evente të tilla, duke qenë kështu një Ikonë e Stilit. / KultPlus.com

Johnny Depp, fitues i çmimit “Donostia”

Aktori dhe producenti amerikan, Johnny Depp mori çmimin e nderit “Donostia” në Festivalin e 69-të Ndërkombëtar të Filmit të mbajtur këtë vit në San Sebastian të Spanjës.

Depp është shfaqur në publik për herë të parë që kur u ngrit një padi mes tij dhe ish-bashkëshortes, Amber Heard, mbi akuzat për abuzim.

Duke folur në një konferencë për media që mbajti para ceremonisë së ndarjes së çmimeve, Depp tha se po kalonte një periudhë “shumë komplekse”.

“Kur dikush është i padrejtë me ju ose me dikë që e doni dhe besoni, ngrihuni, mos u qëndroni aty sepse ata kanë nevojë për ju”, tha Depp.

Menaxhmenti i Festivalit të Filmit në San Sebastian, i cili u kritikua për çmimin e Depp në kohën e akuzave kundër tij, deklaroi se aktori amerikan nuk u arrestua apo u dënua për dhunë ndaj grave.

Çmimi “Donostia” iu dha Depp (58 vjeç) si një nga aktorët më të talentuar dhe të gjithanshëm në kinemanë bashkëkohore.

Çmimi synon të nderojë arritjet jetësore të filmit.

Festivali i Filmit në San Sebastian do të përfundojë më 25 shtator. / KultPlus.com

Spanja hap qendrën e parë për përkujtimin e viktimave të terrorizmit

Spanja sapo ka përuruar qendrën e parë kombëtare për përkujtimin e viktimave të terrorizmit, në Vitoria.

Vendi i përzgjedhur ka një vlerë të lartë simbolike, duke pasur parasysh se është rajoni më i prekur nga ETA, një organizatë e armatosur indipendentiste, përgjegjëse për vdekjet e të paktën 850 personave.

Sidoqoftë, hapësira e re u krijua për t’u bërë homazhe edhe për viktimat e grupeve të tjera terroriste, si për shembull personat që vdiqën në sulmin xhihadist në 2004 në stacionin Atocha në Madrid.

Të pranishëm në përurim ishin Mbreti dhe Mbretëresha e Spanjës, Felipe VI dhe Letizia, kryeministri Pedro Sanchez dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.

“Kujtesa është thelbësore për të ruajtur të vërtetën, dinjitetin dhe drejtësinë”, tha Felipe VI në një fjalim të marrë nga media iberike.

Hapja e një qendre për kujtesën e viktimave të terrorizmit parashikohet nga një ligj i miratuar në 2011.

U deshën dhjetë vjet për ta përuruar atë./ atsh/ KultPlus.com

Mësim në plazh për nxënësit në Spanjë

Një shkollë në rajonin Murcia të Spanjës transferoi bankat e shkollës në bregdet, në një përpjekje për të kombinuar ajrin e pastër me një mënyrë të re mësimdhënieje.

Pavarësisht se mësimi zhvillohet në mjedis të jashtëm, mësuesi dhe nxënësit respektojnë distancimin fizik dhe mbajnë veshur maskat mbrojtëse.

“Është e sigurt, fëmijët po argëtohen shumë. Ata nuk harrojnë atë që mësojnë këtu”, thotë mësuesi i anglishtes Juan Francisco Martinez.

Zhvillimi i mësimeve në plazh janë pjesë e një projekti më të gjerë të njohur si “Ajri i Pastër”, i cili synon të krijojë cilësi më të mirë të ajrit për fëmijët gjatë pandemisë Covid-19.

Tetë klasa marrin pjesë në mësimet njëzet minutëshe. Fëmijët në shkollë janë nga 3 deri në 12 vjeç.

Asnjë rast i koronavirusit nuk është raportuar deri më tani.

“Më pëlqen shumë të shkoj në plazh! Preferoj të jem në plazh sepse ndihem më i relaksuar dhe komod”, thotë 9-vjeçari Antonio Fernandez.

10-vjeçari Luth gjithashtu ndan këtë mendim: “Kjo është shumë e mirë sepse jam me miqtë e mi, jam në plazh, e dua plazhin, në verë gjithmonë vij këtu për të notuar çdo ditë dhe e dua rërën.”

Përveç lëndëve teorike, nxënësit bëjnë ushtrime gjimnastikore si edhe mësojnë nga vendasit traditën e peshkimit./ KultPlus.com

Deputetja katalonase: Drejtori i TV shtetëror të Spanjës duhet të dëshmojë para Kongresit pse e fyu Kosovën

Televizioni shtetëror spanjoll ia shkroi emrin Kosovës me shkronja të vogla gjatë transmetimit direkt, por himni i Kosovës u lejua të transmetohej në atë televizion.

Deputetja katalonase, Miriam Nogueras ka reaguar në Twitter duke thënë se partia “Junts per Catalunya” (shqip. Së bashku për Kataloninë) po e organizon një peticion për drejtorin e televizionit publik që të dëshmojë para kongresit rreth këtij rasti.

Ajo gjithashtu tha se i pëlqeu apo jo qeverisë spanjolle, Kosova është e lirë dhe shtet i pavarur dhe duhet të trajtohet si e tillë.

“Duke pasur parasysh mbulimin e njëanshëm të lajmeve të ndeshjes së mbrëmjes, “Junts per Catalunya” po regjistron një peticion duke thirrur kryetarin e TV Publik Spanjoll për të dëshmuar përpara Kongresit. Pavarësisht nëse e pëlqen apo jo qeveria spanjolle, Kosova është një vend i lirë dhe i pavarur dhe duhet të trajtohet si i tillë” – tha Nogueras.

Në ndeshjen e mbrëmshme, Kosova u mposht nga Spanja me rezultat 3:1, por treguan një paraqitje dinjitoze. /Gazeta Express/ KultPlus.com

https://twitter.com/miriamnoguerasM/status/1377368569592180736?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1377368569592180736%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Fdeputetja-katalonase-drejtori-i-tv-shteteror-te-spanjes-duhet-te-deshmoje-para-kongresit-pse-e-fyu-kosoven%2F

Agim Ademi: Nëse nuk intonohet himni i Kosovës, kthehemi në Kosovë

Nesër, me fillim prej orës 20:45, Kosova do të luajë kundër Spanjës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Qatar 2022”.

Një nga çështjet që u komentua më së shumti ishte nëse Spanja do ta lejojë intonimin e himnit të Kosovës dhe flamurin në këtë ndeshje, pasi që ky shtet nuk e njeh pavarësinë e vendit tonë.

Për këtë çështje ka folur kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një lidhje nga Spanja.

Ai deklaroi se nëse nuk do të shfaqet flamuri dhe nuk do të intonohet himni i Kosovës gjatë ndeshjes, Kombëtarja e Kosovës do ta lëshojë fushën dhe do të kthehet prapa.

“Ne i përshëndesim gazetarët tanë dhe referët dhe ikim për Kosovë. Në asnjë mënyrë nuk do të luhet loja. Por, nuk do të ndodhë ajo, sepse protokolli është në përpikmëri”.

Megjithatë, kreu i FFK-së është i bindur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe ndeshja do të zhvillohet sipas të gjitha protokolleve të përcaktuara nga FIFA dhe UEFA.

“Unë nuk kam dyshuar asnjëherë në Qeverinë e UEFA-s dhe FIFA-s dhe në rregullat dhe protokollet e UEFA-s dhe FIFA-s të cilat sigurisht që po vërtetohen edhe sot – me himn, me flamur dhe me gjithçka sipas protokolleve të FIFA-s”, ka thënë Ademi në Klan Kosovë.

“E dimë që Spanja është një shtet jashtëzakonisht i fortë dhe i lashtë dhe e ka një histori me shqiptarët. Ju e dini që këtu janë varrezat e Asim Vokshit dhe Xhemajl Kadës që kanë dhënë jetën e tyre për çlirimin e popullit spanjoll. Pastaj te historia e re e Kosovës dhe të krijuarit e Kosovës shtet është një burrështetas pikërisht i Spanjës i cili ka dhënë urdhër për bombardimin e NATO-s në favor të Kosovës. Ai është Javier Solana. Po ashtu edhe ushtarët spanjollë janë pjesë e NATO-s dhe KFOR-it që edhe sot janë pjesë në Kosovë”.

“Duke i marrë parasysh këto unë asnjëherë nuk kam dyshuar. Unë i falënderoj shumë Federatën e Spanjës që na ka pritur jashtëzakonisht mirë me protokoll dhe jashtë protokollit në mënyrën më të mirë shoqërore. Ju ka ardhur keq për detajet, sepse ka qenë më shumë mediale sesa politike. Besoj që e keni vërtetuar këtë sepse është deklaruar edhe Ministrja e Jashtme, madje nga federata na kanë kërkuar edhe falje. Nuk ka qenë e nevojshme për mua. Ne kemi qenë në kontakt gjatë gjithë kohës. Ju e dini që kanë qenë edhe dy zyrtarë të UEFA-s pas deklarimeve të mia se nuk do të luajmë pa himn dhe flamur dhe më kanë garantuar edhe nga Federata e Spanjës se gjithçka do të shkojë sipas protokollit. Dhe ja kjo po ndodh”./KultPlus.com

Gazeta spanjolle: Kosova, fëmijët e luftës të cilët vijojnë t’i thyejnë barrierat

Gazeta spanjolle “Diario Sport” ia ka kushtuar Kosovës një shkrim të veçantë për rrugëtimin e saj të vështirë në futbollin ndërkombëtar, në prag të një ndeshjeje kualifikuese për Kupën e Botës kundër Spanjës nesër në mbrëmje.

Kosova do të përballet me Spanjën, njërin prej kundërshtarëve më të mëdhenj të pavarësisë së saj, për herë të parë të mërkurën në Sevillë në ndeshjen e xhiros së tretë të Grupit B Kualifikues për Botërorin Katari 2022, raporton Gazeta Express, përcjellë KultPlus.

Në fakt, shorti për kualifikime për Botërorin e hodhi Kosovën në një grup me tri shtete që s’e njohin pavarësinë e saj, Greqinë dhe Gjeorgjinë, përveç Spanjës. E vetmja në Grupin B që e njeh Kosovës është Suedia.

Duke e rrëfyer tregimin e vështirë të Kosovës për luftën me Serbinë më 1998, deri te pavarësimi më 2008 e deri te pranimi i Kombëtares në UEFA e FIFA më 2016, Sport iu tregoi spanjollëve sesi lojtarët e Kosovës kanë kaluar shumë barriera deri më sot.

Sport e përmendi faktin që shumë prej lojtarëve që do të paraqiten nesër kundër Spanjës ishin detyruar të iknin nga Kosova në vitet 1990, shkaku i terrorit serb, dhe tani janë kthyer për ta çuar përpara atdheun e vet.

Gazeta me bazë në Katalonjë shkroi: “Njëzet vjet  pasi përjetuan luftë të rëndë, fëmijët e Kosovës të cilët u detyruan të iknin nga Kosova për të filluar një jetë të re në Suedi, Gjermani, Norvegji, Zvicër apo shumë vende të tjera në Evropë, u kthyen në rrënjët e tyre falë ekipit kombëtar, i cili pas shumë përpjekjeve për një kohë të gjatë tani mund të garojë si njëri prej ekipeve më të mira. Një ekip që ka kohë që tejkalon pengesa dhe i cili do të tentojë t’i vështirësojë gjërat Spanjës të mërkurën në orën 20:45”.

Edhe takimi me Spanjën ishte barrierë jo e vogël, pasi që prej se shorti i hodhi këto dy ekipe në një grup, polemikat nuk janë ndalur.

Federata e Futbollit e Spanjës i ishte referuar Kosovës si territor fillimisht dhe mediat atje kishin tendencë për të mos e trajtuar Kosovën si shtet, pas pikërisht gazeta e përditshme spanjolle “AS” kishte refuzuar t’ia shkruante emrin shtetit më të ri evropian në tabelën e Grupit B në uebsajtin e vet.

Spanja s’e njeh Kosovën kryesisht për shkak të Katalonjës, rajonit të vet verilindor, e cila kishte votuar unanimisht në një referendum në vitin 2017 për t’u pavarësuar nga Spanja.

Sidoqoftë, Spanja është tërhequr nga qëndrimi e saj dhe do t’i ofrojë Kosovës pritje si çdo kombëtareje tjetër të mërkurën në Sevillë. Federata spanjolle ka këmbëngulur, megjithatë, se pritja që do t’ia bëjë Kombëtares së Kosovës me himn kombëtar dhe flamur, nuk përfaqëson qëndrimin e shtetit spanjoll.

Verdhekaltrit mbërritën në Sevillë të hënën pasdite dhe sot do ta kryejnë një seancë stërvitore në stadiumin “La Cartuja”.

Grupit B i prin Suedia me gjashtë pikë, e ndjekur nga Spanja me katër pas dy ndeshjeve. Greqia është e treta me një pikë pas një ndeshjeje.

Kosova është pa pikë pas humbjes në ndeshjen hapëse kundër Suedisë, ndërsa Gjeorgjia është e fundit pa pikë pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para. /GazetaExpress/ KultPlus.com

Qyteti me më së shumti zona të mbrojtura në botë

Për shumicën e turistëve në Spanjë, Barcelona dhe Sevilja janë destinacionet kryesore për t’u vizituar, duke mënjanuar shpesh Kordobën, një nga qytetet me më shumë zona të mbrojtura nga UNESCO.

Kordoba, pjesë e Andaluzisë, që nga viti 2018, është qyteti i parë në botë që ka katër site të vlerësuara nga UNESCO, duke kaluar Romën dhe Parisin. Të përcaktuara nga një Komitet i Trashëgimisë Botërore, që përfshin përfaqësues të qeverive nga vende të ndryshme, këto site paraqesin, një vlerë të jashtëzakonshme universale dhe përmbushin një nga 10 kriteret, siç janë përfaqësimi i një tradite apo civilizimi kulturor ekzistent ose të zhdukur.

Ndër këto site, është edhe lagjja piktoreske historike, në zemër të Kordobës, ku guidat turistike, zakonisht këshillojnë që të vizitohet edhe për restorantet me gatime mjaft të mira, me produkte të zonës, si supa e ftohtë me domate dhe vaj ulliri. Zakonisht në këto zona, vaktet e darkës konsumohen vonë dhe më pas ndiqen nga një ritual shumë i dashur për spanjollët, konsumimi i një gote vere.

Më pas, vizita vazhdon në dy vendet e tjera të Trashëgimisë Botërore UNESCO, lagjja historike dhe Xhamia-Katedrale. Xhamia-Katedrale, e mbrojtur që nga viti 1984, u ndërtua midis vitit 784 dhe 786 si një xhami, por u shndërrua si katedrale në shekullin e 13-të, kur të krishterët erdhën në qytet. Struktura e shtrirë, me përmasa rreth 250 000 metra katrorë, është një ndërthurje e mrekullueshme e arkitekturës me mbishkrime dhe motive arabe. Atraksioneve të mbrojtura nga UNESCO iu shtohet një sinagogë e shekullit të 14-të, Alcazar; një kështjellë që daton që nga kohërat e pushtimit arab, dhe një numër i madh kishash, kryesisht të shekullit XIII dhe XIV.

Pjesë e UNESCO-s, janë dhe festivalet Patios, njohur si festivali që kremton ardhjen e pranverës, e ndaj njihet për shtëpitë e mbushura me lule, gjatë kësaj periudhe. Karafilat, trëndafilat dhe barbarozat janë më të zakonshme, por çdo oborr është i zbukuruar në mënyrë unike.

Këto janë pak nga gjërat që ofron një qytet historik si ai i Kordobës, ku ndërthuret kultura orientale e trashëguar nga pushtimi arab, me atë perëndimor vendas, çka e bën padyshim një destinacion përrallor për t’u vizituar, në çdo kohë./ KultPlus.com

Tradita shqiptare pjesë e projektit për ruajtjen e trashëgimisë në Spanjë

Shqipëria është përfshirë në projektin “STITCH” në Spanjë, “Ruajtja dhe Mësimi i Trashëgimisë Kulturore Tekstile Jomateriale”.

Ky projekt kombinon përpjekjet dhe burimet e entiteteve dhe institucioneve nga Italia, Hungaria dhe Shqipëria, të koordinuara nga “Centro Superior de Diseño Make Creativo”, me qendër në Zaragoza të Spanjës.

Për dokumentimin dhe punën e zhvillimit të projektit, ekipi i punës Make Creativo do të ketë bashkëpunimin e Këshillit të Qytetit Ansó (Huesca), Muzeut të Kostumeve Ansotano, Shoqatës Kulturore ‘A Cadiera’ dhe Muzeut të Zaragoza.

Projekti është fitues për financim nga Komisioni Europian në kuadër të programit Erasmus + dhe do të zhvillojë aktivitete trajnuese për projektues dhe studentë të dizajnit, punëtori me artizanë dhe prodhimin e video dokumentarë, një katalog në internet dhe një skanim 3D i kostumeve tradicionale nga katër vende evropiane.

Projekti synon t’i përgjigjet mbrojtjes dhe promovimit shoqëror dhe arsimor të trashëgimisë evropiane të tekstilit, posaçërisht kostumit tradicional, me praktika inovative në epokën dixhitale.

Subjektet që janë pjesë e këtij konsorciumi janë, përveç Make Creativo, Universiteti i Artit dhe Projektimit Moholy-Nagy (Hungari), Universiteti i Tiranës (Shqipëri) dhe Museo del Tessuto di Prato (Itali), një nga muzetë më prestigjozë në Evropë për historinë e modës dhe tekstileve, duke mishëruar një traditë industriale prej më shumë se 800 vjetësh.

Projekti STITCH do të dokumentojë kostume tradicionale hungareze dhe shqiptare, përveç Ansotano. Studimi do të trajtojë gjithçka që lidhet me trashëgiminë e prekshme dhe jomateriale të veshjeve. /dp/ KultPlus.com

Shqipëri-Spanjë, nisin bashkëpunimet për trashëgimi kulturore dhe teknologji

Ministria e Kulturës në Shqipëri ka mbajtur një takim me Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Elva Margariti është takuar me Marcos Alonso Alonso, të cilën ranë në konkludimin se e ardhmja e këtyre dy vendeve qëndron në Bashkimin Europian.

“Trashëgimia kulturore, digjitalizimi dhe komunikimi përmes gjuhës teknologjike janë disa nga fushat, ku interest tona puqen dhe do të na drejtojnë në projekte të përbashkëta”, ka shkruar Margariti në facebook.

Tutje ministrja ka theksuar se janë dakorduar që e ardhmja duhet të nis nga të rinjtë, në mënyrë që të ndjehen europianë. / KultPlus.com

Dy instrumentistë shqiptarë në ditët e pandemisë japin koncert në Spanjë

Dy instrumentistë shqiptarë mbrëmjen e kaluar ishin protagonistë të një koncerti të organizuar në Sanntiago de Compostela (Spanjë).

Violinisti Florian Vlashi dhe Maniola Camuset – Trebicka kishin përzgjedhur Sonatë nga M. del Adalid si dhe një sërë veprash nga J. De Monasterio, E Osterbeger dhe E. Granados. Violinisti shqiptar ia kushtoi koncertin të atit regjisor, përkthyes dhe shkrimtar Gjergj Vlashi, i cili ndërroi jetë tre javë më parë në Durrës.

Numri i kufizuar i shikuesve në sallë për shkak të protokollit të pandemisë, nuk i pengoi artistët që të interpretojnë një koncert të dytë në të njëjtën mbrëmje, duke iu përgjigjur kërkesave të publikut.

Mes shikuesve nuk mungoi ambasadori i Shqipërisë në Spanjë, Gazmend Barbullushi.

Pianistja Manjola Camuse Trebicka prej vitesh e zhvillon karrierën e saj artistike në Paris. Violinisti Florian Vlashi që nga viti 1992 është instrumentist në Orkestrën Simfonike të Galicisë (Spanjë), si dhe organizon në Durrës “Bienalen Netët e Muzikës Klasike”./atsh/ KultPlus.com

Muzikantët shqiptarë me koncert recital në universitetin e njohur në Spanjë

Pianistja e njohur shqiptare e cila prej vitesh jeton në Paris, Francë Maniola Camuset-Trebicka dhe violinisti i njohur shqiptar në Spanjë Florian Vlashi me datë 28 tetor 2020 do të interpretojnë në një koncert recital në sallën e Universitetit “Santiago de Compostello”, Spanjë.

Florian Vlashi është violinist, kompozitor dhe drejtues i njohur i muzikës klasike. Aktivitetin artistik dhe profesional e zhvillon në Spanjë ku është bërë i njohur për themelimin dhe drejtimin e Grupit Instrumental “Shekulli XX”.

Maniola Camuset Trebicka ka një aktivitet shumë të pasur pedagogjik e koncertual dhe e vlerësuar nga kritika. Ajo është nderuar me medaljen e “Kalorësit të Palmës Akademike” nga shteti francez.

Të dy muzikantët shqiptarë Maniola Trebicka dhe Florian Vlashi prej vitesh kanë ndërtuar karrierën e tyre të suksesshme në Francë dhe Spanjë duke prekur skena të shumta ndërkombëtare.

Eventi do të organizohet duke respektuar masat e vendosura anti-covid dhe biletat mund të rezervohen ccdo ditë nga ora 09:00 deri në orën 14:00. / KultPlus.com

Një botim i rrallë i veprës së fundit të Shakespeare është gjetur në bibliotekën Royal Scots në Spanjë

“Two Noble Kinsmen” i shkruar nga Shakespeare dhe John Fletcher është gjetur nga një hulumtues që po kërkonte për punën e ekonomistit Adam Smith.

Ky botim i vitit 1634 mund të jetë një prej librave më të vjetër që përmban veprën e autorit.

“Two Noble Kinsmen” ishte përfshirë në një volum me drama të ndryshme angleze, të printuara nga 1630 deri në 1635.

Dr John Stone, nga Universiteti i Barcelonës tha se e ka gjetur mes librave të vjetër në librarinë Royal Sots College (RSC) që tani gjindet në Salamanca.

“Miqësia kthehet në rivalitet në këtë studim për dehjen nga dashuria”, kështu ka përshkruar Royal Shakespeare Company këtë dramë.

Mendohet të jetë shkruar rreth viteve 1613 -14 nga Sheakspeare dhe John Fletcher, një nga dramaturgët e Bard’s theatre The King’s Men./ KultPlus.com

Transformimi i mrekullueshëm pas 50 vjetësh i dunave në Spanjë

Një nga atraksionet më të famshme turistike në Spanjë ka pësuar një transformim të mrekullueshëm.

Dunat e Maspalomas në Gran Canaria janë të njohura në të gjithë botën për malet e tyre me rërë, të cilat tërheqin qindra mijëra turistë çdo vit.

Ambientalistët jo vetëm që kanë mbetur të habitur, por gjithashtu edhe të kënaqur pasi ky transformim nuk ishte parë prej 50 vjetësh dhe e gjitha kjo ka ardhur si pasojë e masave anti covid dhe mbylljes totale prej javësh.

Dunat e mbrojtura spanjolle të vizituara nga qindra mijëra turistë dhe nudistë, siç thuhet në shkrimin që e transmeton oranews, janë kthyer tashmë në një gjendje “fillestare”, rërë e pashkelur dhe mbulimi i vizatimeve që bëheshin nga turistët.

Pushuesit dhe vizitorët ndër vite kanë cenuar mjedisin e mbrojtur duke vizatuar figura, simbole të ndryshme si dhe lënia e fletëpalosjeve në rërë, disa prej të cilave mund të shiheshin nga hapësira.

Ambientalistët paralajmëruan një vit më parë se nëse vizitorët nuk do të ndërgjegjësohen kjo bukuri natyrore do të humbasë.

Dunat e rërës kanë një shkallë të lartë mbrojtjeje dhe konsiderohen një nga ekosistemet më ikonike të Gran Canaria, që mbulojnë rreth 1.000 hektarë.

Me krijimin e valëve të reja, rëra është zhvendosur duke rimbushur zona të tjera në një kohë rekord. / KultPlus.com

Placido Domingo pendohet dhe anulon koncertet

Këngëtari i njohur lirik, Placido Domingo njoftoi sot nëpërmjet një deklarate se nuk do të performonte më në Teatrin Mbretëror të Madridit dhe se do të tërhiqej nga të gjitha rolet në opera, pas pranimit të akuzave kundër tij për ngacmim seksual.

“Nuk jam sjellur kurrë në mënyrë agresive me dikë”, u shpreh ai, i penduar që ndjesa e tij kishte dhënë një përshtypje të gabuar.

Prej kohësh mohues i akuzave për ngacmim seksual, këngëtari i famshëm i operas, Placido Domingo u kërkoi falje të martën 20 grave në SHBA, të cilat e kishin akuzuar.

“Dua që ato të dinë se më vjen sinqerisht keq për dhimbjen që u kam shkaktuar. Unë pranoj përgjegjësinë e plotë për veprimet e mia”, tha këngëtari 79-vjeçar, në Los Anxheles.

Pasi iu desh të hiqte dorë nga karriera e tij në SHBA, Placido Domingo mori një goditje edhe nga vendi i tij i lindjes, Spanja, që për herë të parë anuloi dje pjesëmarrjen e tij në një shfaqje, pas pranimit prej tij të akuzave për ngacmim seksual.

“Kur ai tha se ajo që ka ndodhur, ka ndodhur me të vërtetë, në lidhje me fakte serioze që kanë prekur shumë gra, ne vendosëm se nuk ishte më e nevojshme prania e tij”, deklaroi ministri spanjoll i Kulturës, José Manuel Rodríguez Uribes./ atsh / KultPlus.com

Në Spanjë vendoset pema më e shtrenjtë e Krishtlindjeve – 14 milionë euro

Në Marbella (Spanjë) është vendosur pema më e shtrenjtë dhe më ekstravagante e Krishtlindjes në botë. Ajo kushton plot 14 milionë euro dhe është krijuar nga stilisti britanik Debbie Wingham.

Diamante, kristale Swarovski, shumë ar dhe bizhuteri të tjera të çmuara, e bëjnë me të vërtetë të jashtëzakonshme. Vlera e saj shkon rreth 11,9 milionë paund, pak më pak se 14 milionë euro.

Dekori i pemës së veçantë është krijuar duke ricikluar shumë stoli të markave më të njohura botërore si “Bvlgari”, “Chanel”, por ka edhe referenca për zbukurimet më tradicionale të Krishtlindjeve, siç janë engjëjt dhe motive nga baleti “Arrëthyesi”.

Me një vlerë të përafërt, kjo pemë e vendosur në hollin e Kempinski Hotel Bahia në Marbella, Andaluzi (Spanjë), së shpejti mund t’i rrëmbejë titullin e pemës më të shtrenjtë të Krishtlindjes në botë që mbahet nga ajo e vendosur në vitin 2010 në Emirates Palace të Abu Dabit. / KultPlus.com

Shqiptarja Eleni Foureira performon në finalen e Spanjës për Eurosong (VIDEO)

Këngëtarja me origjinë shqiptare Eleni Foureira e cila prej vitesh zhvillon karrierën në Greqi, në festivalin e fundit të muzikës Eurovision përfaqësoi Qipron, ku dhe foli për origjinën e saj shqiptare. Po në këtë festival ajo ishte shumë afër fitores, ku mori vendin e dytë, shkruan KultPlus.

Suksesi i saj ka vazhduar edhe pas kësaj gare me pjesëmarrje të ndryshme, interpretime të mrekullueshme e lansime të këngëve të reja shumë të suksesshme.

Ndërsa tashmë është publikuar edhe video e performancës se Elenit në finalen e Spanjës për në Eurosong.

Edhe kësaj radhe ajo shkëlqen teksa performon këngët e saj “Fuego” dhe “Tomame” me një energji të zjarrtë, ndërsa pritja e publikut duket të ketë qenë e mahnitshme.

Këngëtarja 31-vjeçare ka lindur në Fier, ndërkohë që në vitin 1997, prindërit e saj emigruan drejt Greqisë, ku ajo u rrit dhe zhvilloi karrierën e saj. /KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=cHrhOZHlEGM

Shembet skena e festivalit në Spanjë, mbi 250 të plagosur

Më shumë se 250 persona janë lënduar, 5 prej të cilëve në gjendje kritike, pasi një seksion i një skene të drunjtë u shemb në një festival lokal sportivo-muzikor në Spanjë.

Platforma e ngritur buzë detit ishte tejmbushur me njerëz, që po ndiqnin një koncert të muzikës “rap”, O Marisquino, në qytetin veriperëndimor të Vigos, në rajonin Galicia.

Policia konfirmoi se deri më tani nuk ka asnjë jetë të humbur.

Dëshmitarë nga vendngjarja treguan momentet e panikut që kapluan të pranishmit, shumë prej të cilëve adoleshentë, të cilët ia mbathën në kërkim të një vendi të sigurtë për jetën e tyre. Disa prej tyre ranë në det.

Mjete personale, si telefonat celularë apo çantat e dorës, mbetën të shpërndara në vendin e ngjarjes.

Disa ekipe emergjencash shkuan në ndihmë të të plagosurve, madje u dërguan edhe palombarë për t’u futur në det dhe për të parë se mos ndonjëri kishte ngecur i bllokuar nën strukturën e shembur.

Sipas raportimeve, incidenti ndodhi vetëm pak përpara mesnatës së të dielës dhe të hënës, teksa turma po dëgjonte repistin nga Majorka, Rels B.

Ndërkohë, ministri rajonal i Shëndetësisë tha për një radio lokale se të plagosurit në incident ishin plot 266 vetë. Kryebashkiaku i qytetit, Abel Caballero tha se do të hapej një hetim për të mësuar shkaqet e incidentit.

Ende nuk dihet me saktësi nëse platforma u shemb për shkak të numrit të lartë të njerëzve mbi të, apo sepse struktura në vetvete ishte ngritur pa parametra sigurie, ndërkohë që nuk përjashtohet edhe ndikimi i faktorëve të tjerë./ vizore.al

Flamuri i Kosovës në “Tarragona 2018” u hoq me ndërhyrjen e Qeverisë së Spanjës

Flamuri i Kosovës nuk figuron në sajtin zyrtar të Lojërave Olimpike Mesdhetare “Tarragona 2018” që po mbahet në Spanjë.

Në fillim flamuri i Kosovës ishte prezent në sajt aty ku përfshihen ekipet pjesëmarrëse, megjithatë ai është larguar një ditë pasi xhudistet Nora Gjakova e Distria Krasniqi kishin rrëmbyer medaljet e arta.

Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani për Koha.net ka thënë se flamuri është tërhequr me ndërhyrje të Qeverisë së Spanjës, gjë që sipas tij ka marrë edhe mbështetjen nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare – ICMG, si dhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar – IOC.

“Ka ndërhyrë Qeveria e Spanjës dhe deri në një masë kanë gjetur mbështetjen në ICMG dhe KON. Tash për tash kaq mund të them. Tjerat i sqarojmë me kumtesë ose konferencë për shtyp”, ka thënë Hasani për Koha.net.

Për këtë çështje Koha.net ka provuar të kontaktojë edhe me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, por që deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e tij. Që të dy, Gashi e Hasani aktualisht gjinden në “Tarragona” si pjesë e delegacionit të Kosovës që po merr pjesë për herë të parë në këto lojëra.
Tani për tani Kosova në sajt është e paraqitur me inicialet “KOS”.

Spanja vazhdon të mos e njohë Pavarësinë e Kosovës, dhe në fillim nuk kishte dashur as të pranonte sportistët kosovarë, por pas presionit ndërkombëtar ishte zmbrapsur. Megjithatë, Spanja po vazhdon ta trajtojë si jo të barabartë Kosovën.

Kujtojmë gjithashtu se Kosova është e pranuar në ICMG dhe KON me të drejta të plota. / KultPlus.com

Eugent Bushpepa i magjishëm mbrëmë në Spanjë (VIDEO)

Mbrëmë në Madrid u mbajt ESCPre Party – një tjetër aheng që i paraprinë Eurovizionit të këtij viti.

21 këngëtarë që këtë vit do të këndojnë në Eurovizion mbrëmë u ngjiten në La Riviera në Spanjë, për të promovuar edhe njëherë këngën e tyre pjesëmarrëse.

Kjo është performanca e mrekullueshme e Shqipërisë të cilën e përfaqëson këngëtari Eugent Bushpepa./ KultPlus.com