Vargjet e para të shkruara spanjishten mesjetare për Gjergj Kastriotin

                           

Nga faqet më të nënvlerësuara dhe të shpërfillura të jehonës dhe ndikimit të veprës e bëmave jetësore dhe luftarake të Gjergj Kastriotit, është padyshim prania e figurës së kryetrimit të Arbërisë në letërsinë më të spikatur spanjolle të Shekullit të saj të Artë (Siglo de Oro).

Bëhet fjalë për shekullin kur do të lëvronin në letrat spanjolle përfaqësuesit më të shquar të kësaj letërsie, të kësaj gjuhe dhe kulture të mrekullueshme që edhe sot  ushtron ndikim tepër të fuqishëm në letërsinë botërore, përmes stërnipave të këtyre poetëve dhe krijuesve të pavdekshëm, nga Spanja në Amerikën Latine dhe Qëndrore.

Pati qenë pikërisht koha e Miguel de Cervanes Saavedra, Francisco de Quevedo, Lope de Vega, Luis de Góngora y Argote, e plot të tjerëve syresh, kolosë të letrave spanjolle që do të sendërtonin periudhën më të shndritshme të letërsisë së shkruar dhe të frymëzuar në gjuhën spanjolle, e sakaq, në një epokë kaq të frytshme letrare, personazhi i huaj absolutisht më i kënduar, më i lëvduar dhe më grishës për shkrimtarët, poetët e dramaturgët spanjollë të kësaj kohe, pati qenë Gjergj Kastrioti arbëror.

Tashmë është përcaktuar me saktësi se letrari që më tepër do të lëvronte në gjurmët dhe bëmat e Skënderbeut në Spanjë, pati qenë Luis Vélez de Guevara (Écija, 1 gusht 1579 – Madrid, 10 nëntor 1644), dramaturg dhe shkrimtar i njohur i periudhës në fjalë, pjesë e rrymës letrare të mbiquajtur si “Conceptismo”, të ndërlidhur ngushtësisht me veprën letrare të Francisco de Quevedo, armikut të përbetuar (jo vetëm në letërsi), të Luis de Góngora y Argote, që është edhe protagonisti i këtij hulumtimi letrar dhe historik kushtuar vendit të Gjergj Kastriotit në letërsinë e Shekullit të Artë të Letrave Spanjolle.

Luis Vélez de Guevara do të jetë krijuesi i një sërë komedish kushtuar Gjergj Kastriotit, e para ndër të cilat, me titullin “El Jenizaro de Albania”, në shqip “Jeniçeri i Arbërisë”, është datuar tanimë me saktësi nga studiuesit spanjollë mes viteve 1608-1610, dhe deri vonë cilësohej si krijimi i parë i mirëfilltë kushtuar Skënderbeut në letërsinë mesjetare spanjolle.

Thënë kjo, duke mënjanuar ndërkaq bindshëm ndonjë hamendësim të cekët dhe pa asnjë themel apo fakt të vërtetuar historik, se gjasme edhe i madhi Lope de Vega paskësh shkruar diçka në këtë këndvështrim; pretendim tejet periferik, që është hedhur poshtë pa asnjë hapësirë diskutimi nga studiuesit e specializuar spanjollë të letërsisë prej kohësh.

Përveç komedisë së mësipërme, Luis Vélez de Guevara do të shkruajë, rreth njëzet vite më vonë, në vitin 1628, një tjetër vepër kushtuar Skënderbeut, kësaj radhe të titulluar “El Príncipe Esclavo” (Princi Skllav), me dy pjesë dhe paskëtaj krijimin tjetër me sërish protagonist kryetrimin arbëror, me titullin kuptimplotë “El príncipe Escanderbey y El gran Jorge Castrioto” (Princi Skënderbej dhe Gjergj Kastrioti i Madhërishëm).

Të gjitha këto vepra të Luis Vélez de Guevara janë doemos të ndërlidhura e të ndërvarura njëra ndaj tjetrës, por gjithashtu përbëjnë një zinxhir krijimtarie që ngjizet dhe i kushtohet Gjergj Kastriotit, duke u ndikuar, frymëzuar dhe pasuruar çdo krijim letrar i këtij autori mbështetur në figurën e Skënderbeut, nga krijimet e tij të mëparshme në këtë këndvështrim, por ndërkohë krijimi fillestar, pikërisht “El Jenizaro de Albania”, nga studiuesit spanjollë të letërsisë është përcaktuar tashmë pa asnjë hije dyshimi, se është frymëzuar kryekëput, dhe ka ndjekur besnikërisht gjurmët e krijimit mirëfilli të parë letrar që i kushtohet Gjergj Kastriotit në spanjisht dhe në letërsinë spanjolle, në përgjithësi, të shkruar nga Luis de Góngora y Argote.

Për ta plotësuar kornizën e krijimeve letrare që kanë protagonist dhe fymëzim Skënderbeun në letërsinë mesjetare spanjolle të Shekullit të Artë, një tjetër dramaturg, shkrimtar dhe klerik i njohur i kohës në fjalë, i quajtur Juan Pérez de Montalbán (Madrid, 1602-1638), do të shkruajë një  “auto sacramental” (vepër teatrale me sfond fetar, ose dramë liturgjike, me strukturë alegorike dhe përgjithësisht me një akt të vetëm), të titulluar “Escanderbech”, sërish kushtuar Gjergj Kastriotit, dhe qartësisht të frymëzuar nga vepra e Luis Vélez de Guevara “El Príncipe Esclavo”.

“Escanderbech” do të botohej në vitin 1632, por sipas studiuesve spanjollë të letërsisë, me gjasë kjo vepër ishte shkruar diku në vitin 1629, domethënë një vit mbas “Princit Skllav” të Vélez de Guevara, duke u frymëzuar kështu tërthorazi edhe nga vargjet e romancës fillestare të shkruara nga Luis de Góngora y Argote.

Do theksuar sakaq fakti, se edhe “El Jenizaro de Albania”, do të kish mbetur një krijim tërësisht i harruar dhe mbuluar nga pluhuri i rëndë i kohës, po të mos ishte zbuluar rastësisht në vitin 1886 në një fond të pakataloguar të Biblioteca Nacional (Bibliotekës Kombëtare) të Spanjës.

Veprat që i kushtohen Skënderbeut vijojnë edhe më tutje, gjer në “Los hijos del dolor y Albania tiranizada” (Bijtë e Dhimbjes dhe Arbëria e Shtypur), me autor Francisco de Leyva y Ramírez de Arellano (Malaga, 1630-1676), krijimi që i përket gjysmës së dytë të shekullit XVII, gjithashtu i shenjuar nga trashëgimia e patjetërsueshme e vargjeve të Luis de Góngora y Argote kushtuar kryetrimit të Arbërisë.

Kjo poemë është shkruar nga Luis de Góngora y Argote, dhe qe botuar si fillim në përmbledhjen “Ramillete de flores. Quinta parte de Flor de Romances recopilados por Pedro de Flores”, në vitin 1593 në Lisbonë, dhe është krijuar nga poeti i madh spanjoll në vitin 1586, dy vite përpara se të përkthehej për herë të parë në spanjisht nga portugalishtja, nga Ochoa de Salde në vitin 1588, “Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis” e Marin Barletit.

E pikërisht me këtë poemë, këtë romancë në vargje ku himnizohet Gjergj Kastrioti si një hero epik dhe vigan i mirëfilltë, në dashuri dhe fushën e betejës, do të nisë vazhda e gjatë e poemave, komedive, dramave dhe vënieve të shumta në skenë të veprave që i kushtohen figurës së Skënderbeut në Shekullin e Artë të letërsisë mesjetare spanjolle.

Fakti me rëndësi kyçe dhe vlerë madhore që del në pah ndërkaq, është se tanimë mund të pohohet me bindje të plotë se vepra e parë për Gjergj Kastriotin e shkruar në spanjisht, daton 22 vite më herët nga viti 1608, kur mendohej se ishte data më e hershme, përmes “El Jenizaro de Albania” të Luis Vélez de Guevara, meqënëse “Criábase el Albanès”, poema e Luis de Góngora y Argote, i takon vitit 1586, ndërsa dritën e botimit do ta shikonte në vitin 1593.

Krenaria për këtë zbulim shtohet gjithsesi pamasë, kur kemi parasysh autorin e kësaj poeme, njërin nga dy poetët më të mëdhenj të historisë së letërsisë spanjolle, krahas armikut të tij të pandashëm në jetë, Francisco de Quevedo, pikërisht Luis de Góngora y Argote, atin e rrymës letrare “Culteranismo”, të cilit ndonëse poezitë iu luftuan përherë në jetë, pas vdekjes arriti pavdekshmërinë letrare.

Më poshtë do të gjeni vargjet e kësaj poezie dhe fotot e dy faqeve nga botimi origjinal i vitit 1593 që kam arritur t’i gjej në kërkimet e mia:

Luis de Góngora y Argote (1561 – 1627)

“CRIÁBASE EL ALBANÉS / QE RRITUR ARBËRORI”

Viti 1586

“Qe rritur Arbërori

Në oborrin mbretëror të Muratit,

Jo si ndonjë rob i çmuar

I lënë peng prej të atit,

Por siç do të ishte rritur me pekule

Sulltani më i shquar,

I mikluar nga Udhëheqësi i Madh,

Tepër i dashur për gjindjen,

Riosh me parime të epërme

Dhe mendime të thella,

E shpresa të lidhura

Me gjakun e tij fisnik,

Prijës madhështor në kohë luftërash,

Oborrtar i dalluar në paqe,

Shqytë për ushtarët e vet,

Shëmbëlltyrë e sypatremburit.

Porsa ia kish dalë mbanë atëherë

Ta mposhtte, dhe t’i fitonte

Hungarezit dy flamuj,

Ndërsa Sufiut edhe katër të tjerë syresh.

Por, ç’vlerë paskësh vallë

Të ngadhënjesh ndaj prijësve të pamposhtur

Duke u vënë gjoksin

Mijëra rreziqeve për vdekje,

Nëse sakaq një çilimi i verbër e mposht,

Krejt i çarmatosur.

Duke i ngulur në zemër

Dy heshta tejshpuese?

Tejshpuese këto heshta,

Që nuk janë gjë tjetër, veç syve të ëmbël

Të dy turkeshave më të hijshme

Të gjithë Lindjes;

Nuk ka gurë të çmuar aq të kaltër

Sa të krahasohen dot me sytë e tyre,

Të përkora skajshmërisht

Dhe me hiret krejt të rralla.

Nuk e mbronte dot as parzmorja

Prej diamantesh të veckël,

Ngaqë zjarr’ i dashurisë

Është rrezja përvëluese,

Që edhe hekurin e paepur

E bjerr dhe zhbën tërësisht:

Nuk ndalet prej hekurit Dashuria,

Që pagabueshëm përherë,

Di ta bëjë shpirtin të hekurt,

Dhe çehren kuptimplotë.

Tejet i pafat ishte ai në kohë paqeje,

Njëlloj siç ishte ngadhënjimtar në kohë lufte,

I dorëzuar në paqe ndaj hireve femërore,

Ndërsa në luftë ngaherë një Mars krenar ishte;

Fort mirë ia njihte vlerat atij Dashuria,

Saqë për ta lidhur përfundimisht

(për t’ia hedhur vargonjtë, Dashuria,

Atij që kish mposhtur Marsin hyjni),

Si vërejti se nuk mjaftonte një vargua,

U rrek ta lidhte me dy syresh”.

Në origjinal në spanjishten mesjetare:

           “Crïábase el Albanés

            en la corte de Amurates,

            no como prendas captivas

            en rehenes de su padre,

            sino como se crïara

            el mayor de los sultanes,

            del Gran Señor, regalado,

            querido de los bajaes,

            mancebo de altos principios

            y de pensamientos graves,

            de esperanzas vinculadas

            con su generosa sangre,

            gran capitán en las guerras,

            gran cortesano en las paces,

            de los soldados escudo,

            espejo de los galanes.

            Recién venido era entonces

            de vencer, y de ganalles

            al Húngaro dos banderas,

            y al Sofí cuatro estandartes.

            Mas ¿qué aprovecha domar

            invencibles capitanes

            y contraponer el pecho

            a mil peligros mortales,

            si un niño ciego lo vence,

            no más armado que en carnes,

            y en el corazón le deja

            dos arpones penetrantes?

            Dos penetrantes arpones,

            que son los ojos süaves

            de las dos más bellas turcas

            que tiene todo el Levante;

            que no hay turquesas tan finas

            que a sus ojos se comparen,

            discretas en todo extremo

            y de gracias singulares.

            No lo defendió el escudo,

            hecho de finos diamantes,

            porque el amoroso fuego

            es al rayo semejante,

            que el duro hierro en sus manos

            lo disminuye y deshace:

            no para en el hierro Amor,

            que, sin errar tiro, sabe

            poner en el alma el hierro,

            y en la cara las señales.

            Fue tan desdichado en paz,

            cuanto, en la guerra, triunfante,

            rendido, en paz, de mujeres,

            siendo en guerra un fiero Marte;

            bien conoció su valor

            Amor, pues para enlazalle

            (por tener sujeto, Amor,

            al que sujetó al dios Marte),

            un lazo vio que era poco,

            y quiso con dos vendalle”.

Hulumtuar në arkivat spanjolle dhe portugeze, dhe përkthyer në gjuhën shqipe nga spanjishtja nga  ELVI SIDHERI./KultPlus.com