Dështon fluturimi testues i SpaceX, shkatërrohet anija kozmike Starship 7

Testi i fundit i raketës Starship 7 të kompanisë SpaceX u shpërbë disa minuta pas nisjes nga Teksasi, ndërsa mbetjet ranë përsëri në Tokë mbi ishujt Turks dhe Kaikos në Oqeanin Atlantik.

Kompania SpaceX bëri të ditur se humbi komunikimin 8 minuta e gjysmë nga fillimi i fluturimit pa ekuipazh.

“Ne humbëm të gjitha komunikimet me anijen kozmike, kjo në thelb na tregon se kishim një anomali me shkallën e sipërme”, tha zëdhënësi i SpaceX, Dan Huot, i cili konfirmoi disa minuta më vonë se anija ishte e humbur.

“Suksesi është i pasigurt, por argëtimi është i garantuar!” u shpreh në Shefi Ekzekutiv i SpaceX, Elon Musk.

Huot më vonë tha se shpërthimi dukej se rezultoi nga një “rrjedhje oksigjeni/karburanti”, duke shtuar se kompania do të ndërmerrte hapa korrigjues. Kompania raportoi se motorët e anijes kozmike dukej se po mbylleshin një nga një.

“Starship përjetoi një çmontim të shpejtë të paplanifikuar gjatë djegies së tij në ngjitje. Ekipet do të vazhdojnë të shqyrtojnë të dhënat nga testi i sotëm i fluturimit për të kuptuar më mirë shkakun rrënjësor”, tha kompania në X, duke shtuar:

“Me një test si ky, suksesi vjen nga ajo që mësojmë dhe fluturimi i sotëm do të na ndihmojë të përmirësojmë besueshmërinë e Starship”.

– Sukses për konkurrentin Blue Origin

Anija kozmike kishte për qëllim të fluturonte mbi Gjirin e Meksikës nga Teksasi, duke bërë pothuajse një rrotullim të plotë global, të ngjashëm me fluturimet e mëparshme provë. Anija kozmike mbante 10 satelitë-mostra për të stimuluar dërgimin e tyre, duke shënuar fluturimin e parë të anijes së modelit të ri.

Pavarësisht dështimit të anijes kozmike, Super Heavy Booster, pjesa e parë dhe e ripërdorshme e raketës Starship, e ndërtuar për të siguruar shtytje të fuqishme, u kthye me sukses në pikën e saj të nisjes siç ishte planifikuar, duke bërë që ekipet e kontrollit tokësor të brohorasin me eksitim.

Administrata Federale Amerikane e Aviacionit raportoi se fluturimet në aeroportet në Miami dhe Fort Lauderdale-Hollywood të Floridas u vonuan deri në një orë për shkak të një “anomalie të lëshimit të raketës”.

Para nisjes së SpaceX, raketa masive New Glenn e kompanisë Blue Origin bëri fluturimin e saj të parë orbital, një moment historik i rëndësishëm në garën komerciale të hapësirës dhe një fitore për shefin ekzekutiv të Amazon-it, Jeff Bezos, i cili është pronar i Blue Origin.

Teksa SpaceX ka dominuar prej kohësh lëshimet orbitale me raketën e saj Falcon 9, duke siguruar kontrata nga agjencia hapësinore amerikane NASA, Pentagoni dhe kompanitë private, Blue Origin më parë ishte kufizuar në fluturimet suborbitale me raketën e saj më të vogël New Shepard.

Musk e uroi Bezos-in për debutimin e suksesshëm orbital./ atsh/ KultPlus.com