Spiuni sovjetik që mbajti në pushtet Enver Hoxhën

Në vitet 1949-1953, me ndihmën e drejtpërdrejtë të informacioneve të sakta të siguruara nga NKVD-ja, Shërbimi Sekret i Josif Stalinit, komunistët shqiptarë arritën tu bënin ballë përpjekjeve anglo-amerikane për ti rrëzuar nga pushteti.

Në qendër të gjithë kësaj historie të pabesueshme dështimi, të dy superfuqive ushtarake, ekonomike e politike të Botës, do të vendosej një spiun i dyfishtë me emrin Harold Adrian Russell, njohur si Kim Filbi, i cili u akuzua se u dha sovjetikëve informacione të sakta për vendin dhe orarin e zbarkimeve të grupeve të desantëve në territorin shqiptar.

Për pasojë, shumica e të rekrutuarve për këto misione, u ekzekutuan sapo kaluan në brendësi të kufirit shqiptar, një pjesë u kapën robër, u dërguan gjyqeve dhe u pushkatuan, ndërsa një pjesë u përdorën për të organizuar një radiolojë kundërspiunazhi, që shkatërroi të gjitha mundësitë që operacioneve tu mbetej sadopak vlerë.

Me kalimin e dekadave historigrafia do të binte dakord për pjesën e dështimit të operacioneve, porse e vërteta e peshës së Kim Filbit në shkatërrimin e investimit të përbashkët të britanikëve dhe amerikanëve do të mbetej në terma, edhe hipotetikë, edhe të diskutueshëm.

Edhe pse në vitin 1963 Kim Filbi u arratis në Bashkimin Sovjetik, ku u trajtua si hero, edhe pse pak vite më vonë, më 1968 në Londër u publikua libri i tij me kujtime “Lufta ime e heshtur”, në asnjë rast, dhe në asnjë rresht të shkruar, ai nuk pohoi se u kishte kaluar sovjetikëve informacione për operacionet në Shqipëri.

Por si është e vërteta?

Ishte loja e një njeriu të vetëm që hodhi në erë planet e britanikëve dhe amerikanëve, apo faktorët ishin më të shumtë dhe më të rëndësishëm?

Pikërisht një informacion shterues për këtë temë do të sjellë dokumentari i fundit i gazetarit Ferdinand Dervishi, në televizionin ABC./ KultPlus.com