Presidentja Osmani: Sportistët tanë janë ambasadorët më të mirë të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar rolin e jashtëzakonshëm të sportistëve kosovarë në afirmimin ndërkombëtar të vendit.

E para e shtetit ka folur në ceremoninë e organizuar për të shënuar dhjetëvjetorin e anëtarësimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

“Anëtarësimi i Kosovës në KON ishte një afirmim i madh i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sportistët tanë i kanë treguar botës se kush është Kosova. Ata kanë dëshmuar se janë ambasadorët më të mirë dhe më të denjë të Kosovës”, ka theksuar Osmani.

Ajo ka shtuar se përmes sportit, Kosova ka arritur të pozicionohet në mënyrë dinjitoze në hartën globale. “Nuk ka krenari më të madhe se sa kur e kupton që në vende të mëdha sportistët i motivojnë me shembullin e Majlinda Kelmendit”, është shprehur Osmani. 

Gjatë dekadës së fundit, sportistët kosovarë, veçanërisht ata të disiplinës së xhudos, kanë sjellë suksese të jashtëzakonshme për vendin, duke e bërë Kosovën të njohur në arenën ndërkombëtare si një vend me potencial në këtë sport.

39 sportistë nga 13 sporte të ndryshme do të përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Mesdhetare

39 sportistë nga 13 sporte të ndryshme do të përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Mesdhetare Oran 2022, nga data 25 qershor deri më 6 korrik 2022, ndërsa pjesë e ekipit të Kosovës do të jenë edhe 16 trajnerë dhe 3 gjyqtarë, përcjell KultPlus.

Në një ceremoni të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, mbrëmë u bë prezantimi i sportistëve, ndërsa të pranishëm ishin edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani.

Kryeministri Kurti deklaroi se krahas xhudos, pret që sportistët tanë t’i sjellin medalje vendit edhe nga sportet tjera.

Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, u shpreh optimiste se kësaj radhe do të fitohen edhe më shumë medalje. Ajo kishte fituar të artën katër vite më parë në LM Tarragona 2018. Ndërsa trajneri Driton Kuka, theksoi se krahasuar me katër vite më parë, kësaj radhe ka më shumë sportistë pretendentë për të fituar medalje.

Në ceremoni, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi ndau pinat për kryeministri Kurti dhe ministrin Çeku, të cilët bashkërisht ndanë fanellën e Kosovës për xhudisten Krasniqi dhe mundësin Shala.

Kosova do të përfaqësohet për herë të dytë në Lojërat Mesdhetare pas debutimit katër vite më parë në Spanjë. / KultPlus.com

Kurti përcjell për në Algjeri sportistët kosovarë që marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në pritjen e organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, para nisjes së ekipit përfaqësues të Kosovës në Lojërat Mesdhetare Oran 2022, që do të mbahen në Algjeri.

Fillimisht, duke iu uruar sportistëve suksese në këto gara, Kryeministri Kurti tha se përkushtimi në punë i sportistëve është përulës, prandaj edhe rezultatet nuk janë të rastësishme.

“Ato janë produkt i punës tuaj të pandalshme”, u tha ai dhe i falënderoi të gjithë për përpjekjet që po bëjnë çdo ditë për të përfaqësuar dhe ranguar Kosovën më së larti.

Sporti garues, mbërthen në vete patriotizëm, dashuri dhe qëndrueshmëri ndaj vendit, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se përfaqësimi i shtetit në gara sportive ndërkombëtare përveç që reflekton sakrificën e tyre për fitore, mbi të gjitha reflekton dashurinë për Kosovën.

Kryeministri Kurti vlerësoi lart garimin e sportistëve kosovarë, të cilët për herë të dytë po marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare, e ku do të garojnë me sportistë të shteteve nga tri kontinentet, që preken nga Deti Mesdhe.

“Aq sa është krenari dhe e bukur, aq është edhe përgjegjësi. Këtë përgjegjësi të madhe, ju jeni ata që dini më së miri ta kanalizoni dhe shndërroni në forcë pozitive në mënyrë që të arrini kulminacionin e karrierave tuaja në sportet që ju prezantoni”, tha kryeministri./ Gazeta Express / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi ndau shpërblimet shtetërore për sportistët

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka pritur në takim ekipin e xhudos së Kosovës në krye me trajnerin Driton Kuka, me ç’rast ka bërë ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që kanë arritur rezultate kulminante në garat ndërkombëtare.

Trajneri i xhudos, Driton Kuka së bashku me xhudistën Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Laura Fazliu janë fituesit e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare.

Ministrja Dumoshi uroj ekipin e xhudos për sukseset e arritura gjatë këtij viti duke theksuar se si ministre është munduar të punojë që të ofrojë kushte sa më të mira për sportistët që Kosovës po i sjellin suksese në arenën ndërkombëtare.

Gjithashtu ministrja gjatë takimit theksoi se Qendra Kombëtare e Xhudos pritet të përfundohet gjatë vitit të ardhshëm.

“Qendra Kombëtare e Xhudos që ka nisur të ndërtohet është një nga të arriturat, që si ministre e vlerësoj dhe kjo qendër pritet të ndërtohet gjatë vitit të ardhshëm. Kosova mund të merret shembull në rajon se si bashkëpunohet me federata sportive,”- tha ministrja Dumoshi.

Ndërkaq, trajneri Driton Kuka  falënderoj ministrinë për mbështetjen dhe të gjitha institucionet duke e vlerësuar bashkëpunimin me ta.

“Po synojmë që të kemi pesë cikle për në olimpiadë dhe të sjellim tituj sa më shumë dhe për këtë na nevojitet edhe mbështetja”,-tha Kuka. / KultPlus.com