Nesër live në “Air Albania”, Ermal Meta: Premtoj se do jetë koncerti më i bukur i jetës sime (VIDEO)

Këngëtari i famshëm me origjinë shqiptare, Ermal Meta në konferencën për shtyp një ditë para koncertit të tij në stadiumin “Air Albania” premtoi se nesër do mbajë koncertin më të mirë të jetës së tij.

“Është një nder shumë i madh për mua, hera e 3 që bëj koncert këtu dhe sa herë vij më duket si hera e parë sikur nuk kam bërë kurrë një koncert, po dridhem sot imagjinoni nesër. Nesër do mundohem të bëj koncertin më të mirë në jetën time. Është hera e parë që bëj koncert në një stadium dhe të gjitha energjitë do i shkrij mbi skenë”, tha ai.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njoftoi disa detaje sa i përket zhvillimit të koncertit nesër më 17 shtator.

“Ne do të hapim dyert e stadiumit duke qenë se do respektojmë edhe masat antikovid, edhe distancat, sigurisht edhe protokollin e sigurisë nga Federata. Do t’i hapim dyert që në orën 17:00 që të kemi mundësi të fillojmë me koncertin në orën 19:00 dhe të japim mesazhin që jo vetëm që Tirana është hapur por që në duam ta shijojmë jashtëzakonisht këtë raport special që ne kemi me Italinë dhe në 30-vjetorin e eksodit dhe këtij raporti ku ndoshta fabulën më të bukur por ndoshta dhe më unike e ka Ermali të kemi mundësi të prodhojmë një histori suksesi”, sqaroi Veliaj.

Më tej ai tha se, “do jetë hera e parë që ne bëjmë një koncert në stadiumin e ri, ndoshta dhe për të provuar atë multi funksionalitetin. Ky është një vend ku luhet futboll, po ky është një vend edhe ku kodohet edhe ne kemi qendrën TUMO, po këtu është një vend dhe ku bëhet muzikë dhe ne kemi disa medias dhe disa radio, po këtu ka edhe kompani të huaja. Ndërkohë që duam që të ketë edhe muzike edhe jetë kulturore për qytetin”.

Ndërsa ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci tha se ndihet i lumtur për organizimin e këtij koncerti, që tregon më së miri edhe marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë.

“Në këto 30 vite, Shqipëria ka ndryshuar vërtet fytyrë, ka bërë hapa gjigante përpëra. Në këtë rrugëtim, Italia ka qenë përherë përkrah Shqipërisë. Jemi vende të veçanta, jemi vende mike, të lidhur nga historia, gjeografia, kultura, ekonomia, shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Italisë, janë të parët në renditjen e këtyre klasifikimeve”, nënvizoi ambasadori. / atsh / KultPlus.com

Ermal Meta zbulon detajet e koncertit në Tiranë: Kanë prenotuar bileta nga Italia, Rusia, Bullgaria e Turqia

Këngëtari me origjinë shqiptare, Ermal Meta zbuloi disa detaje në lidhje me koncertin që do të mbajë më 17 shtator në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Meta tregon se hapjen e koncertit do e bëjë këngëtarja Elhaida Dani.

“Do të vij në datën 15, tani jam ende në Itali. Mezi pres. Jam shumë i emocionuar, zakonisht nuk ndjej këtë lloj emocioni, jam mësuar, kam bërë shumë koncerte. Por në Shqipëri emocioni është i veçantë. Kanë prenotuar për në koncert nga Italia, Rusia, Bullgaria, Turqia. Jam shumë i lumtur për këtë. Do të jetë një artiste, Elhaida Dani, që hap koncertin”, sqaroi Ermal Meta gjatë një interviste televizive.

Ermal Meta, i cili jeton dhe ushtron veprimtarinë e tij artistike në Itali, rikthehet pas tri vitesh në turin e tij të ri muzikor në Tiranë, ku dhe do të mbajë një koncert në stadiumin Air Albania.

Ky do jetë koncerti i parë që organizohet në stadiumin e ri në kryeqytet.

Biletat janë pa pagesë. Respektohen të gjitha rregulloret antikovid, dhe do të mbahet në 30 % të kapacitetit. Organizohet nga ambasada italiane në bashkëpunim me bashkinë Tiranë dhe FSHF. / KultPlus.com