Sot përurohet shtatorja e legjendës Fadil Vokrri

Shtatorja e legjendës së sportit shqiptar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, do të përurohet sot.

Vokrri, njeriu më meritor për pranimin e Kosovës në shtëpitë e futbollit botëror dhe evropian (FIFA dhe UEFA), vdiq tragjikisht në qershor të vitit 2018, vetëm dy vjet pasi e jetësoi ëndrrën e kosovarëve.

Shtatorja e tij u punua vitin e kaluar dhe ishte paraparë të përurohej në fund të tetorit të kaluar, në mandatin e ish-ministres Vlora Dumoshi.

Në përorimin e shtatores do të jenë të pranishëm Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi si dhe personalitete tjera të institucioneve dhe të sportit.

Vetëm ndërtimi i shtatores së Vokrrit kushtoi 49 mijë euro, e cila do të jetë 3 metra e lartë.

Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në fund të ceremonisë, FFK-ja në stadiumin “Fadil Vokrri”, ka organizuar një turne futbolli ku do të marrin pjesë futbollistët veteranë të Llapit, Prishtinës, të Kombëtares së Kosovës dhe Kombëtares së Shqipërisë. / KultPlus.com

Emri i Fadil Vokrrit në stadiumin e Prishtinës nuk ndriçon i plotë (FOTO)

Ka pak ditë që stadiumi i kryeqytetit mori emrin e legjendës së futbollit, “Fadil Vokrri”, shkruan KultPlus.

Vendosja e shkronjave të emrit u prit me entuziazëm nga qytetarët e Prishtinës, edhe më tepër kur ato në mbrëmje u ndezën për t’i dhënë kështu stadiumit një pamje të mrekullueshme.

Ndërsa dje u bë edhe hapja zyrtare e stadiumit ku u mbajt edhe ndeshja Prishtina – Drita.

Por vetëm një ditë pas hapjes zyrtare, emri i Fadil Vokrrit nuk shkëlqen më. Si duket dritat janë dobësuar shpejt dhe tashmë, vetëm disa shkronja ndriçojnë, duke e lënë mangët emrin e futbollistit dhe duke i dhënë një pamje të keqe stadiumit.

Ish-kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Vokrri vdiq më 9 qershor të këtij viti, në moshën 57 vjeçare, pas një sulmi në zemër gjatë orëve të para të mëngjesit. Ai njihet si legjendë e futbollit kosovar. /KultPlus.com