Në rrjetet sociale është shfaqur një video ku shihet Stambolli i përfshirë papritur në errësirë në formën e një reje të errët. Ngjarja që ndodhi më 18 prill tmerroi banorët turq tek të cilët krijoi panik, me disa që komentuan se ky ishte apokalipsi.
Një sqarim erdhi nga Instituti Meteorologjik turk, i cili tha se mbi Stamboll kishte kaluar një re me dendësi të madhe.
Faqja TechnoPixel, e cila merret me fenomene të ngjashme meteorologjike, sugjeron se kjo re e dendur mund të ketë qenë e llojit “Cumulonimbus”. Retë “Cumulonimbus”, shpesh kanë një bazë të errët që arrijnë vetëm disa qindra metra mbi tokë. Ato janë retë e vetme që prodhojnë bubullima dhe vetëtima, dhe gjithashtu çojnë në rrebeshe të mëdha. Ato mund të duken jashtëzakonisht të errëta pasi lejojnë shumë pak ose aspak dritë.
“Sipas informacioneve, reja kishte një dendësi të pabesueshme prej 7 kilometrash. Me fjalë të tjera, distanca prej fundit tokësor të resë në skajin tjetër përballë atmosferës ishte 7 kilometra. Një masë e tillë e dendur arriti lehtësisht ta bllokonte dritën nga dielli”, thuhet në këtë faqe.rtv21/KultPlus.com
E ndërsa e gjithë Turqia po përpiqet të shërojë plagët e mëdha të lëna pas nga tërmetet shkatërrimtare të së hënës së 6 shkurtit, që deri më tani i kanë marrë jetën mbi 45 mijë personave në Turqi e Siri, vëmendja është kthyer nga pasiguria e zonave të tjera të vendit, e veçanërisht metropoleve të mëdha, për të cilat së fundmi është ngritur shqetësimi se mund të jenë “viktimat” e radhës të ndonjë goditjeje tjetër fatale.
Një nga to është pikërisht Stambolli, banorët e të cilit kanë nisur tanimë të interesohen nëse shtëpitë ku ata jetojnë janë të sigurta në rast goditjesh të tilla. Shumë prej tyre kanë lënë banesat dhe kanë nisur të transferohen drejt destinacioneve, që sipas ekspertëve të ndërtimit, janë më të sigurtat për të jetuar.
Ndërsa ekspertët paralajmëruan për një tërmet të mundshëm në Stamboll, fakti që 25 për qind e ndërtesave në metropol ishin të rrezikshme, i shtyu banorët e qytetit të vepronin, duke shtuar ndjeshëm kërkesën për verifikime profesionale për sigurinë e godinave.
Ndërkohë mediat turke kanë bërë një përmbledhje të rajoneve në apo pranë Stambollit e metropoleve të tjera të mëdha turke, ku ndërtimet konsiderohen si të forta e që mund të përballojnë me sukses edhe goditje si ato të 6 shkurtit./a2cnn / KultPlus.com
Arnavutkoy është një ndër lagjet më të bukura të Stambollit. Besohet se emri i kësaj lagjeje është vënë prej ushtarëve shqiptarë, të cilët thuhet se kanë luftuar në krah të sulltan Mehmetit në betejën për çlirimin e Stambollit. Familjet e tyre u vendosën aty pas marrjes së qytetit nga ana e turqve. Arnavutkoy, që në shqip do të thotë Fshat Shqiptar.Sipas portalit turk “Star.com.tr”, kjo lagje ekzistonte edhe para çlirimit të Stambollit. Arnavutkoy është nga lagjet më të bukura dhe më të shtrenjta sepse ka ruajtur arkitekturën e dikurshme. Edhe bizneset e reja që janë hapur, mundohen t’i përshtaten strukturës së vjetër.
Qysh në udhëtimin tim të parë në Stamboll, shumë vite të shkuara, më pati qëlluar që veç shumë nuancave të tjera të trashëgimisë shqiptare në këtë qytet dy-kontinentësh, të më binte në sy një lagje piktoreske, fisnike dhe krejtësisht e mahnitshme si Arnavutköy, thënë copë në shqip “Fshati i shqiptarëve”.
Problemi qëndronte në faktin se thuajse asnjë guidë turistike turke nuk e përmendte praninë shqiptare në këtë lagje karakteristike dhe të kamur, duke u mjaftuar me shpjegime rrethanore që maksimumi pranonin se në këtë zonë dikur patën jetuar “Rumët”, siç turqit quanin tërë të krishterët ortodoksë, duke mos u përmendur shqiptarët askund, veç sigurisht, emrit të lagjes.
Por ndërkohë, gjërat janë ndryshe.
Arnavutköy njihet si një lagje që ngërthen në vetvete mjaft më shumë seç shpërfaqet në emrin e saj. Aty puqen tërë ngjyrimet e paqta të Stambollit. Një lagje ku gjithkush dëshiron të jetojë dhe të shëtisë, një zonë ku spikat arkitektura tradicionale e bregut të Bosforit.
Kjo ndërthurje hareje dhe elegance përbën edhe vetë fytyrën e lagjes. Vilat hijerënda të periudhës osmane, shtëpitë madhështore të zyrtarëve osmanë dhe vendbanimet e elitës së Stambollit në shekuj.
Një lagje gjelbëruar, me brigje të mahnitshme dhe plot vreshta, Arnavutköy dikur pati qenë vendbanimi i shumë ndër Vojvodët e Moldavisë (Moldavia është qeverisur nga shqiptarët për shumë kohë, qysh nga periudha e Vojvodës me origjinë shqiptare Vasile Lupu mes viteve 1634-1653 dhe rreth viteve 1820 burimet e kohës tregojnë për 90 tregtarë nga Arnavutköy që jetonin tokat e Vllahisë dhe që ishin me origjinë shqiptare).
Prirja për të qenë një lagje moderne dhe kozmopolite nuk ndryshon as në ditët e sotme, sepse Arnavutköy vijon të shquhet për peizazhet mbresëlënëse, me rrugë të shtruara me pllakëza guri dhe vilat e bardha buzë Bosforit.
Emri i kësaj lagje gjithaq ka rëndësinë e vet të pamohueshme.
Ndonëse të dhënat janë të ndryshme, një syresh tejet e njohur vjen nga koha e Sulltan Mehmet Fatihut, i cili pasi pushtoi Konstadinopojën, më tutje, me shumë mundime arrin të pushtojë edhe Arbërinë vite pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. Si politikë ngulitje popullsish, ai e quan këtë lagje si Arnavutköy për shkak të origjinës së banorëve nga Arbëria që pati sjellë për ta ripopulluar këtë zonë pas shkretimeve të luftës dhe pushtimit të Konstandinopojës.
Të tjera burime ia taksin emrin e lagjes jeniçerëve në shumicë me origjinë shqiptare që ishin të ngarkuar me mbrojtjen e sulltanit, të cilit do të themelonin këtë vendbanim të mrekullueshëm.
Ndërsa sipas një tjetër gojëdhëne, emri i lagjes i detyrohet punonjësve specialistë të sjellë nga Shqipëria për të shtruar rruginat karakteristike të lagjes gjatë periudhës së Sulltanit Abdylmexhid. E jo rastësisht, kjo gjë të kujton “Arnavut Kaldırımı” që nuk është gjë tjetër veç “kalldrëmit”, fjalës turke që kemi trashëguar edhe neve në gjuhën shqipe, duke harruar që vetë turqit, këtë mënyrë shtrimi të rrugëve, e bashkëngjisin me fjalën “Shqiptar”.
Emri i parë i këtij vendbanimi sakaq mendohet të ketë qenë Hestia, më tutje Promotu për shkak të konsullit romak Promotus dhe Anaplous.
Pas pushtimit të Konstandinopojës nga osmanët, në lagje, krahas shumë shqiptarëve dhe të krishterëve të tjerë (përfshirë argjendarët armenë), do të kishte edhe një prani hebreje.
Në Stambollin e sotëm, Arnavutköy përbën një nga pjesët e vetme të brigjeve të Bosforit që kanë mbetur të paprekura, ku ndihet akoma burimor shpirti i kësaj lagje tradicionale, karakteristikat njësore arkitekturore tërësisht të pandryshuara.
Godinat e drunjta buzë Bosforit, ndërthuren njëra me tjetrën të ndara nga rrugina të ngushta.
Nëpër lagjen që ende ka mbetur e paprekur nga zhurmat dhe smogu i qytetit, dëgjohen veç zërat gazmorë të fëmijëve dhe shpotitë e shitësve nëpër dyqane.
Rruginat e ngushta e të thepisura të lagjes gëlojnë nga vizitorët dhe vijojnë të jenë dekori i preferuar i Bosforit për fotografi të paharrueshme.
Arkitektura e veçantë e shtëpive dhe vilave të lagjes e mbështetur në stilin Art Nouveau të viteve 30 të shekullit të shkuar, i jep Arnavutköy një hijeshi të natyrshme dhe një harmoni të rrallë që përthithet në çdo kënd të kësaj lagje.
Ndërkaq, në ujrat përballë Arnavutköy ndodhet edhe pika më e thellë në krejt Bosforin, që arrin në njëqind metra thellësi në Akıntiburnu, ku gjithashtu rrjedh një rrymë aq e fortë saqë dikur për t’u kthyer varkat dhe anijet, nevojitej të tërhiqeshin me litarë nga bregu.
Ndër godinat më historike të Arnavutköy hasim ndërtesën e Robert College, institucioni arsimor më i hershëm amerikan jashtë SHBA (themeluar në vitin 1863), kishën ortodokse Taksiyarhis që daton qysh nga periudha bizantine dhe ngrihet pranë një burimi me ujë të bekuar shërues dhe xhaminë Tevkifiye.
Ky ishte një përshkrim i shkurtër i kësaj lagje kaq të rëndësishme për Stambollin, por gjithaq edhe për trashëgiminë shqiptare për të cilën dimë kaq pak, veçanërisht për Fshatin Shqiptar, siç përkthehet në shqip Arnavutköy, kjo lagje në venat e të cilës rrjedh historikisht gjak i pastër shqiptar.
Vizitojeni, nëse ju bie udha në Stamboll./ KultPlus.com
Kur viziton Stambollin mbushesh me krenari shqiptare. Në ato xhami të bukura që sundojnë kryeqendrën e Turqisë nuk ke si të mos ndiesh dorën e arkitektëve shqiptarë. Të atyre njerzve të ditur që jo vetëm udhëhoqën Perandorinë Osmane por i dhanë dhe frutin e diturisë së tyre arkitekturës së këtij qyteti ndër më të bukurit në botë. Vepra e këtyre shqiptarëve të mëdhenj të frymëzon. Edhe pse dilema që ata s’bënë asgjë për Shqipërinë mbetet një dilemë tronditëse. Por i tillë ishte fati i shqiptarit ndër shekuj. Truri dhe krenaria e tij gjithnjë emigruan jashtë kufijve të atdheut amë për të dhënë kontribut në vende të tjera.
Por le të mbetemi tek vepra e këtyre arkitektëve që mbetet e mahnitshme për të na brejtur disi krenaria shqiptare. Ndër arkitektët më të njohur të perandorisë osmane është ai që hyri në histori si Arkitekt Sinani
Mimar Sinani lindi në vitin 1490 dhe vdiq në vitin 1588.
Sipas të dhënave që jep për të Sami Frashëri thuhet se ai lindi në Qesarat, në fshatin Sinanaj të rrethit të Tepelenës, ku kaloi fëmijërinë e tij dhe iu nënshtrua ligjeve të Devshirmesë. Do të rekrutohet fillimisht si jeniçer dhe do të bëjë karrierë ushtarake.
Jeta e tij ishte me të vërtet e çuditshme. Do ta fillonte dizajnin në moshën 50 vjeçare. Ai la trashëgimi 364 vepra artistike dhe të gjithë artistët e Rilindjes italiane mësuan nga ai. Gjeramënt nuk sulmuan Stambollin gjatë luftës së Dytë Botërore nga frika e shkatërrimit të artit të tij të bukur.
Ndër veprat që i kanë rezistuar kohës dhe që njihen të projektuara e të ndërtuara nga dora e tij janë 400 vepra mbrojtëse ushtarake, 84 xhami të mëdha, 58 xhami të vogla, 7 spitale, 22 mauzoleume, 17 streha për të varfër, 5 rrjete ujësjellësash dhe shumë vepra të tjera publike.
Po vepra e tij më e mahnitshme është xhamia “Sulejmanie” të cilën e ndërtoi për shtatë vjet, dhe ia kushtoi sulltan Sulejmanit.
Edhe nxënësi i tij, arkitekt Kasemi do të hynte në historinë e arkitektëve të mëdhenj të Turqisë. I lindur në fshatin Grëmsh të krahinës së Tomoricës ai do e kalojë rininë e parë në Berat dhe më pas i ati do e dërgojë në Stamboll për studime profesionale. Do bëhej asistent pranë arkitekt Sinanit dhe Sedefqar Mehmet Elbasanit. Ndërtoi xhaminë e re të Stambollit dhe la dhe shumë vepra të tjera. Në historinë e arkitekturës së Stambollit do të hynte dhe një shqiptar tjetër nga Elbasani, Sedfqar Mehmet Agai. Pasi kreu studimet në Rumeli dhe Lindje të Mesme në vitet 1597-1598 ai ishte drejtor i krojeve të Stambollit, ku shërbeu 8 vjet. Më 1606 u bë kryearkitekt, ndërtoi dhe zbukuroi mjaft faltore dhe pallate. Kryvepra e tij është Xhamia Blu. /KultPlus.com