Statuja “Nënë Shqipëri” zë vend pranë “Dëshmorëve të Kombit” në Tiranë

Pas ekspozimit të 100 portreteve të “Heronjve të Popullit” në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në nderim të 75-vjetorit të Luftës Antifashiste në Shqipëri Tiranës i është shtuar një tjetër dekor.

Imazhi i monumentit “Nënë Shqipëri” është shfaqur mbrëmjen e së dielës para Korpusit të Universitetit të Tiranës, pjesë e përgatitjeve të organizimeve të 75-vjetorit të çlirimit nga pushtuesit nazifashistë nga ana e Bashkisë së Tiranës.

“Nëntori i Dëshmorëve! U vendos stilizimi i Nënë Shqipëri pranë korpusit universitar në Tiranë,” shprehet kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Këtë vit Shqipëria kremton 75-vjetorin e çlirimit nga pushtuesit nazifashistë. Kjo ngjarje, më e rëndësishmja e historisë së vendit, do të përkujtohet sipas një kalendari historik. Kremtimet do të kulmojnë në datën 29 Nëntor ku do të përkujtohet dhe nderohet sakrifica e dëshmorëve dhe veteranëve të vendit./atsh / KultPlus.com