Vikena Kamenica dhe Stavros Salabasopolus, sonte me koncert dedikuar muzikës tradicionale greke dhe shqiptare

“Urat e muzikës tradicionale”, një koncert i dedikuar këngës dhe muzikës tradicionale greke dhe shqiptare vjen mbrëmjen e sotme për publikun. Koncerti në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë do të jetë nën interpretimin e dy artistëve të njohur, mezzo sopranos Vikena Kamenica dhe tenorit grek Stavros Salabasopoulos. Në koncert janë kompozimet më të njohura të autorëve shqiptarë dhe grekë, por nuk do të mungojnë dhe duetet mes dy artistëve.

Dy artistët mezzo sopranoja Vikena Kamenica dhe tenori grek Stavros Salabosolopulos do të performojnë këngë solo dhe në duete, si në gjuhën shqipe ashtu edhe në atë greke. Koncerti do të sjellë emrat e njohur të kompozitorëve grekë, si Theodorakis, Hajidakis, etj, dhe të muzikës shqiptare, veprat muzikore e këngët shkruar nga Prenk Jakova, Avni Mula dhe Rexho Mulliqi, ekzekutuar nga Orkestra e TOB nën drejtimin e dirigjentit grek Eleftherios Kalkanis.

Një ditë para koncertit që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme drejtoresha e TOB Zana Çela u shpreh se arti dhe kultura gjithmonë kanë gjetur të përbashkëta në trashëgiminë kulturore dhe artistike të dy popujve tanë.

“Përgjatë historisë arti dhe kultura kanë qenë kryesore për të realizuar gjithë misionin e zbulimit dhe rizbulimit të vlerave të fqinjësisë së mirë. Arti dhe kultura kanë gjetur gjithmonë të përbashkëta në trashëgiminë kulturore dhe artistike të dy popujve tanë, ashtu si kanë identifikuar dhe identitetin kulturor”, tha mes të tjerave drejtoresha Çela në fjalën e saj. Koncerti është organizuar nga Teatri i Operës dhe Baletit në bashkëpunim me Ambasadën Greke në Tiranë dhe biletat për koncertin e datës 15 janë shitur të gjitha.

“Janë shitur të gjithë biletat për koncertin në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse. Ju mirëpresim, me të njëjtin koncert në datë 16 mars në teatrin “Petro Marko” në Vlorë”, shkruhet në faqen e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Mezzo sopranoja e njohur Vikena Kamenica vlerëson shumë interpretimin në këtë koncert, që do të jetë në dy mbrëmje për publikun, në Tiranë dhe në qytetin Vlorës.

“Mbi të gjitha është kënaqësi e madhe ky bashkëpunim me dirigjentin dhe tenorin. Është shumë interesante përzgjedhja tenorit, sepse pothuajse është i të njëjtit stil këngëtari. Ne jemi këngëtarë, që bëjmë dhe formën klasike dhe atë të moderuar. Programi i zgjedhur është ky derbi dhe për artin, sepse janë dy kulturat tonë në një ballafaqim dhe gërshetim shumë të bukur. Janë autorë të njohur shqiptarë si Prenk Jakova, apo kënga “Moj e bukura Arbëri” nga Avni Mula”, u shpreh Kamenica për këtë koncert.

Por një ditë para zhvillimit të koncertit në Tiranë ajo theksoi se është një program që ka një ngjizje të bukur mes poezisë dhe muzikës.

“Ndjehem e kënaqur që janë shitur biletat për koncertin e parë, dhe presim se si do jetë në Vlorë. Program i gërshetuar bukur dhe i sjellë me dashuri, materiale ku ka një ngjizje të bukur të poezisë me muzikën, dhe mbi të gjitha kur flasim për ato bulëza që kanë krijuar artin shqiptar dhe atë grek. Materiale të bukura që i bashkëngjitet repertorit klasik, dhe them se do të jetë nga koncertet më të veçanta, jo vetëm të këtyre viteve, por të shumë viteve, pse jo të hapi rrugë të bashkëpunimit”, vijoi më tej mezzo sopranoja Vikena Kamenica, shkruan SotNews.

Artistja u shpreh se në koncert janë autorë të së njëjtës periudhë, që kanë shkruar muzikë greke dhe shqiptare. “E njëjta periudhë kur janë shkruar veprat është zgjedhur si pjesë repertori. Janë vendosur në program vepra të të njëjtëve kompozitorë, të të njëjtit”, tha Kamenica./ KultPlus.com