Kjo masterklasë do të jetë falas për shtetasit e vendeve të Ballkanit (jo anëtarë të BE-së), ndërsa për studentët ndërkombëtarë tarifa do të jetë 100 euro, ku përfshihet ushqimi dhe akomodimi.
Masterklasa do të mbahet në Universitetin e Prishtinës, 12-22 korrik 2022.
Energjia e brendshme shpirtërore e cila portretizohej në interpretimin e pianistit Stephan Moller, shpalosi spektrin e një dëshpërimi dhe krize të thellë përmes së cilës pianisti gjeti një gjuhë me publikun duke i folur shpirtërisht secilit prej tyre për karakterizimin sharmant të kontrastit të veprave të Beethovenit, ku ndjenjat më të thella të cilat janë fshehur brenda qenies njerëzore u plasaritën në lojën e duarve që ngjanin në kthetrat e një tigri, të cilat furishëm rrjedhnin në melodi e tinguj, shkruan KultPlus.
Mbizotërimi i ngjyrës së kuqe nga tapeti i shtruar në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare, dritat e ngrohta të vendosura në skaje të sallës dhe reflektorët me ngjyrë të vjollcë po krijonin një atmosferë që pa marrë parasysh se mbetet e njëjta çdo herë, mos durimi i të pranishmëve për të dëgjuar talentin e pianistit Stephan Moller, ishte prezent dhe dallohej në fytyrat e secilit. Pas një pritje të shkurtër, publiku në ulëset e tyre priti pianistin austriak me duartrokitje të cilat intensitetin e tyre e shtonin pas çdo përfundimi të veprës së interpretuar nga ai.
Hapjen e natës së mbrëmshme të festivalit Chopin Piano Fest, e nisi drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha dhe drejtoresha artistike Lejla Pula, të cilat janë shprehur se ndjehen mjaft të lumtura që pavarësisht se kjo është hera e dytë që pianisti prek skenën e Prishtinës, ai mezi ka pritur për të performuar përsëri.
Ndërsa, është bërë e ditur se për nder të 250 vjetorit të lindjes së Ludwig van Beethoven, kjo mbrëmje sjell interpretimin e disa sonatave më të njohura të Beethovenit nga pianisti austriak dhe njëkohësisht vjen si pjesë e projektit të tij ‘32 sonata të Beethoven në 32 qytete të ndryshme’.
Pas këtyre informacioneve dhe urimeve për një natë të këndshme, heshtja absolute që tashmë është bërë pjesë kyçe e të pranishmëve, zuri vendin e saj në një pakufizim përjetësie që përcolli këtë natë së bashku me ndërrimin e ngjyrës së qiellit nga e kaltër e hapur në atë të mbyllur që vërehej nga dritarja rrethore e vendosur në mesin e objektit.
Në skenë, me një qëndrim të pakrahasueshëm, hedhje të hapave precize, kostum të denjë që portretizonte instrumentin bardh e zi si dhe pozita e tij e përuljes falënderuese dhe e uljes në karrigen e posaçme, veçse ishte fakti i parë që dëshmoi për një njeri që ka lindur për të performuar në piano. Moller nisi interpretimin e tij me veprën ‘Sonate G-Dur, op.31 Nr.1’, një fillim ky që nisi me melodi lozonjare dhe të lehta e humoristike por që aspak nuk po e parashikonte fundin e këtij koncerti.
Ndërveprimi i vazhdueshëm me pianon e vinte në pah lojën mjeshtërore të Moller, me ç’rast pozita e tij herë i afrohej afër instrumentit në një përqafim të afërt ku pothuajse i rrethonte komplet çelësat e pianos e herë tjetër shpina e tij shndërrohej në një vijë vertikale që largohej plotësisht nga çelësat për të sjellë melodi të cilat karakterizoheshin nga kthjelltësia e pastër që ato posedonin. Në ndërkohë, shprehjet e tij të fytyrës ishin kryevepra e cila shpaloste ndjeshmërinë artistike të Moller, për të cilin, përhumbja totale nën botën e tingujve diversive, ishte shndërruar në një vepër arti duke bërë që shikimi i tij as për një sekondë të vetëm të mos kthehej nga audienca por të futej thellë në ekstazën hyjnore që e kishte kapluar atë përgjatë gjithë natës.
Gishtërinjtë së bashku me vështrimin e tij po i qëndronin besnik çelësave bardh e zi kurse tingujt dhe meloditë që po përhapeshin në atmosferë, hynin në copëzën më të ndjeshme të shpirtit, aty ku edhe vështrimi më introvert nuk do mund të depërtonte. Ndikimi dramatik vinte rrjedhshëm nga sonatat e pianos që luanin mes vete në një ndërlidhje komplekse mjaft të pasur. Orientimet e lëvizjeve stoike të trupit të tij, ndonëse dukeshin precize e të vrazhda, ato i jepnin një frymë të mprehtë pasurore që nuk mungoi as për një moment të vetëm.
Moller, përgjatë dy orë interpretimi të veprave të njohura nga kompozitori Ludwig van Beethoven, shfaqi një posedim unik të interpretimit ku e tërë qenia e tij njerëzore dhe shpirtërore u rrëmbye vrullshëm nga lëvizjet e papritura e të paparashikuara për publikun. Kurse, lëvizjet e vogla të fytyrës së tij në dy anë, lëvizja e vetullave në një tkurrje përqendrimi dhe lëvizjet e tij trupore që dukeshin të dalura jashtë kontrollit, pasqyronin një univers të tërë ku publiku ishte bërë një me heshtjen dhe Moller ishte shndërruar në një pikturë lëvizëse që po admirohej për ngjyrat e ndezura e të thella muzikore të cilat ai i dhuronte me aq pasion.
Interpretimi në një nivel të madhështisë artistike dallohej edhe atëherë kur ai mbyllte sytë dhe shpirti i tij dilte jashtë guaskës me një adrenalinë dhe energji që vazhdimisht grabiste rrahjet e zemrave të audiencës duke i drejtuar ata drejt një fundi që do të lë një prekje pothuajse të mistershme në kujtesën tonë. Andaj, vepra e fundit e titulluar ‘Sonata op.57, f-mol, ‘Appassionata’, dhuroi një gërshetim të dëshpërimit, hidhërimit dhe dhimbjes, që Moller e solli në një nivel që ngjasonte tërësisht me ndjenjat që vetë Beethoven kishte ndjerë kur ka krijuar këtë kompozim.
Kështu, krejt në fund, pas dy orë interpretimi, fokusi i syve të njeriut sa vinte e zvogëlohej në një errësirë ku drita e vetme do të ishte Moller, pianisti që po i dedikonte melodi qenies njerëzore me një pasion që flakërohej nën zjarrin e tingujve të pashoq duke krijuar një përshtypje se meloditë vinin nga cicërima zogjsh të dashuruar marrëzisht pas muzikës.
Pas kësaj elegance të mahnitshme performimi dhe ndjenjave të pashpjegueshme, të pranishmit për 5 minuta interpretuan një ndërlidhje të duartrokitjeve dhe brohoritjeve që u shndërruan në një frymë që solli buzëqeshjen e shumëpritur të pianistit. Fytyra e tij jo vetëm që vezullonte nga pikët e djersës që po i binin, por buzëqeshja e tij vazhdonte të gjallërohej tutje sa herë që ai kthehej për ta falënderuar publikun për duartrokitjet e pa ndalura.
Për të folur më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe atij interpretimi magjik, për KultPlus foli vetë pianisti, Stephan Moller, i cili numëron herën e dytë të performimit në Prishtinë.
‘’Ishte një mbrëmje e mrekullueshme, në njërën anë jam pak i mërzitur që mbaroi por në anën tjetër është një ngritje e mentalitetit dhe vërtet do të doja të filloja përsëri të luaj. Unë nuk jam i lodhur fare sepse muzika jep energji dhe nuk merr, e sidomos rrahjet muzikore dinamike”, thotë Moller.
Sipas tij, të gjitha sonatat e Beethoven janë të bukura dhe në fakt janë si fëmijët e tij dhe nuk mund t’i veçonte, por ajo që ai specifikoi ishte sonata e 31 që ka shumë aspekte të perfeksionit dhe prandaj ai edhe e ndjen atë më së shumti kur e luan.
“Më ka marrë kohë pak që të vija këtu, por unë u ndjeva si në shtëpi dhe shpresoj se nuk do të jetë hera e fundit sepse ishte shumë interesante që të ndjeja rezonancën e publikut që ishte shumë më e fortë në pjesën e dytë sepse pjesët e karakterit të errët u pëlqyen më shumë sesa ato të karakterit të lehtë dhe humoristike në pjesën e parë. Prandaj, ishte shumë e mirë që performova në këtë rend”, përfundon Moller duke na lënë me shpresë që shpejt do të përjetojmë një tjetër performancë nga ai.
Chopin Piano Fest gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 14 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e tretë e këtij festivali, vjen më datë 10 qershor ku do të interpretojë pianisti hungarez Gergely Kovács në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com