Ç’është jeta për ty? – e pyeta. -Flluska sapuni, – m’u përgjigj. -Po vdekja? -Shpërblimi i jetës! -Ç’është bota? -Një pikë helm në hapësirë! -Ç’është më e kuptuar në Botë? -Vdekja. -Cila është kafsha më e egër? -Njeriu! -Po më e butë? -Ajo që s’ka lindur! -Cili njeri ju duket më i poshtër? -Ai që ndryshon veten me një emër të huaj dhe ai që punon aq mizorisht sa që nuk kujton as vdekjen! -Ç’është budallallëku? -Të duash një gjë që s’e ke dhe të kujtosh se je ai që s’je! -Po puna më e mençme? -Te gëzosh të tanishmen! -Ç’është më e afërme? -Vdekja! -Po më e largët? -Zemra ime me tënden dhe fillimi e fundi i hiçit. -Çfarë është e pavdekur? -Hapësira! -Çfarë është më e bukur? -Fantazia! -Po më e shëmtuar? -Sëmundja! -Më e hidhur? -Jeta! -Më e ëmbël? -Hiçi! -Ç’gjë është më e madhe? -Libri i Botës! -Po më e rëndë? -Fjala! -Më e pamundur? – Këtu u mendua pak, sikur donte të çlodhej. më shikoi një copë herë në fytyrë si me habi e pastaj duke m’i shtrënguar të dy duart, më tha me butësi: -Edhe në të pyetur duhet mjeshtëri! Çfarë pyetët tani? -Çfarë gjë ju duket tani dhe do t’ju dukej mbas disa mijë vjetëve – sikur të jetonit – si e pamundur? -Të ndryshosh veten dhe formën, dmth jam unë të bëhem ti, dhe jam njeri dhe të bëhem pëllumb! -Kur shpërblehet njeriu? -Kur e kujton veten të lumtur! -Çfarë gjë ju duket më e mërzitur? -Çdo send është më i mërzitur se njeri tjetër! -Çfarë gjë ju duket më e vështirë? -Të jesh njeri! -Po më e lehtë? -Të krijosh krijesë njerëzore! -Cili është ngushëllimi i të pasurit? -Pesha e qeses! -Po i të vobektit? -E ardhmja! -Nuk ju kuptoj, – i thashë për së dyti. -Vdekja! -mu përgjigj serioz -Po ç’përmban jeta e njeriut? -Vetëm dyshime!/ KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kujtoi sot, në 110- vjetorin e lindjes, shkrimtarin Sterjo Spase (1914-1989). Sterjo Spasse është një nga autorët më në zë në letrat shqipe pas viteve `30, prozator me kontribute të spikatura.
Romani “Pse?”, i botuar në vitin 1935, mbahet si romani i parë filozofik i shkruar në Shqipëri, në gjuhën shqipe.
QKLL shkruan se Spasse mbetet një prozator emblematik i atyre viteve, duke u larguar nga tematika e zakonshme romanore e kohës për të shenjuar dhe një tipologji të re të rrëfimit në historinë e prozës, të romanit shqip, duke e shpënë llojin letrar drejt modernizmit.
Sterjo Spasse lindi në Gollomboç dhe u nda nga jeta në Tiranë në vitin 1989. Veprimtaria letrare e shkrimtarit Sterjo Spasse është e shumëllojshme. Shkroi punime pedagogjike, tekste shkollore, u mor me përkthime, shkroi artikuj të ndryshëm, monografi, tregime, romane, etj.
Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare, zë fill që nga vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Kjo ishte një periudhë në të cilën shkrimtari Sterjo Spasse u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit.
Botoi katër përmbledhje tregimesh: “Kurorë rinie” (1934), “Në krahët e një femre” (1934), “Nusja pa duvak” (1944) dhe “Të fala nga fshati” (1958) si dhe dhjetë romane: “Nga jeta në jetë – Pse!?” më 1935 – që mbahet si kryevepra e tij, “Afërdita” (1944), “Ata nuk ishin vetëm” (1952), “Afërdita përsëri në fshat” (1954), “Buzë liqenit” (1965), “Zjarre…” (1972), “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje ja liri” (1978), dhe “Kryengritësit” (1983).
Redaksia e botimeve “Rilindja” i botoi në vitin 1968 një komplet veprash në tetë vëllime, ndërsa herë pas here ka botuar vepra të ndryshme. Më 1980-1985 iu botuan po ashtu në Tiranë botimi integral “Vepra”, me nëntë vëllime. Në vitin 1980 iu përkthye në anglisht romani “Zgjimi”./atsh/KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore-Korçë paraqiti ekspozitën “Veshjet e qytetit” Manastir, në shtëpinë Muze të Sterjo Spasse, në Gollomboç.
Ky aktivitet u realizua në zbatim të projektit SMART4YOU2 projekt i implementuar nën Programin Ndërkufitar Shqipëri – Maqedoni e Veriut, ku DRTK Korçë është partner.
Ekspozita “Veshjet e Qytetit – Manastir”, prezanton objekte nga koleksioni i NI “Instituti dhe Muzeu”- Manastir, të cilat sipas DRTK, datojnë nga fundi i shekullit të 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të.
Ndonëse, numri i mostrave nuk është i madh, megjithatë pasqyron zhvillimin kulturor dhe historik të Manastirit e veçanërisht zhvillimin e veshjeve urbane./ KultPlus.com
Pardje, më 14 nëntor 1972, në orën 20:10’ vdiq në spitalin e Onkologjisë në Tiranë i shumëdashuri i ynë NONDA BULKA, një nga figurat e mëdha të kulturës dhe letërsisë sonë, prijësi i shquar, krahë përkrah me Migjenin, i letërsisë përparimtare të viteve ‘30. Në minutat e fundit të jetës, pranë tij u ndodhën Qefserja, e shoqja, Sterjovica ime, Qiroja dhe e shoqja e të vëllait të Nondës, Gabrielit, vdekur edhe ai dy vjet më parë.
Unë me Zisën dhe Shelin arritëm në spital pas gjysmë ore. Që atë natë, të veshur nga Sterjovica e nga dy infermiere, kufomën e shpumë në shtëpinë e tij. (Sterjovica e qau si të qante vëllain e saj, e ligjëroi si dinte të ligjëronte ajo si një amanet që kishte prej tij. Ilinden Spasse).
Në këto momente të vështira të jetës së tij, bashkë me Zisën, i kemi qëndruar shumë afër Nondës: dy vjet më parë jemi interesuar me Zisën, që të nisej për kura jashtë shtetit. Vajti në Bukuresht e pas dy-tri muajve u kthye i përmirësuar. Mirëpo, nuk vajti gjatë. Pas shtatë muajve u keqësua. Përsëri u nis për në Bukuresht, më 21 prill të këtij viti e ndejti gjer më 4 korrik. Në aeroport, kur zbriti na u duk i përmirësuar e optimist. U gëzua se hyri në apartamentin e ri, që nuk i gëzohej dot. Dhe dy muajt e parë dilte nga shtëpia dhe pothuajse përditë vinte tek ne; bënim muhabet, pinim nga një kafe e nuk i gëzohej dot nipit tim, Arian e mbesave. Kemi bërë për kujtim disa fotografi në oborrin e shtëpisë sime bashkë edhe me Zisa Cikulin e këto janë fotografitë e tij të fundit. Në një fotografi ka dalë vetëm me nipin e Arian në krahë. Në një tjetër me Ilon… Fotografi të dhimbshme janë edhe ato që kemi dalë më 2 janar 1972 në shtëpinë e tij me të e Qefseren, me Zisën e Shelin, me Fatmirin e Besën, me Llazarin e Erietën dhe me mua e Sterjovicën. Një kujtim këto nga poeti dhe fotografi Vasil Koçi.
Dy muajt e fundit i rralloi vizitat në shtëpinë tonë: vinte dy-tri herë në javë. Por, një muaj e gjysmë para vdekjes, nuk luajti nga shtrati. Një ditë, me kurajë të madhe, u ngrit nga krevati dhe bëmë një shëtitje deri në Krujë me iniciativën e Behar Shtyllës. Ishte dhe Zisa. E kaluam shumë mirë. Pastaj, të nesërmen, i kënaqur shumë nga shëtitja, përsëri ra në shtrat. Pas disa ditësh u bë një ceremoni e vogël në zyrat e revistës “Hosteni”, ku iu dorëzua Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit të parë për aktivitetin e tij gazetaresk. Ishim disa shokë. Gjithsej 10 veta: Dashnor Mamaqi, Dhimitër Shuteriqi, Zisa Cikuli, Fatmir Gjata, Petro Marko, Niko Nikolla, Dhionis Bubani, Aleksandër Banushi, Zef Bumçi etj.
Pasi iu dorëzua Urdhri i Presidiumit të Kuvendit Popullor tha: “Me ilaçe dhe me humor do të luftoj demonin, që më ka kapur për grykë”. Dhe demoni ishte kanceri, që e kish kapur nën gjuhë e prej të cilit vdiq në spital, ku u dergj gati një muaj e ca.
Me Zisën i kemi vajtur çdo ditë, herë paradreke, herë pasdreke. E ngrinim pakëz, e mbështetnim në jastëkët dhe ia bënim: “A pimë nga një cigare?”. Dhe kjo “A pimë një cigare?” na ishte bërë zakon, si të thonim: “A pimë një kafe?”. Se kafen e duhanin që i pinte aq shumë, tani i kishte rralluar fort. Kafe nuk piu fare në spital. Kurse nga 60 cigare që pinte në ditë, dy javët e fundit arriti në dy. Njërën nga këto e pinte kur i shkonim me Zisën. I pëlqente t’i flisnim ne e ai vetëm të dëgjonte. I flisnim për politikën e jashtme, për luftën në Vietnam e për piratët e ajrit., veç gjërave të brendshme. Javën e fundit ra shumë dhe rregullën “A pimë nga një cigare?” tre ditët e fundit e lamë. Në këto ditë na zgjaste dorën, deshte të thoshte diçka, por nuk tha asgjë.
Një ditë para vdekjes, qëllova disa çaste vetëm për vetëm. Më foli greqisht t’i afrohem. Iu afrova, por në atë moment hyri kunata e tij, e po greqisht më tha: “Ajo kupton!” – dhe kështu i mbeti fjala përgjysmë. Nuk di çfarë deshte të thoshte. (Përpara disa kohe, ai i kish lënë amanet Sterjos, që Qefserja të martohej patjetër. Mund të ishte kjo edhe një përsëritje e këtij amaneti. Ilinden Spasse)
Varrimi u bë në orën 14:30’ të datës 15. XI. 1972 në varreza e Sharrës. Pjesëmarrja në varrim ishte shumë e madhe. Katër autobusë e më shumë se 20 vetura, përveç shumë njerëzve që nuk erdhën dot nga mungesa e mjeteve të komunikacionit.
Kjo pjesëmarrje e gjerë ishte mirënjohja më e madhe, që i shprehën Nondës si Qytetar i shquar, si Arsimtar i shquar e më fort si Shkrimtar i shquar.
Një grafikë e panjohur më parë ka dalë në dritë gjatë punës për restaurimin e shtëpisë-muze të shkrimtarit Sterjo Sterjo Spasse.
Ministrja e Kulturës së Sqhipërisë Elva Margariti bën me dije se në muret e katit të parë të ndërtesës ka dalë në dritë një grafikë, që mendohet se tregon pamjen e saj në vitin 1913, kur u ndërtua.
Më poshtë mund të lexoni statusin e saj:
Të papritura të bukura po dalin gjatë punës për restaurimin e shtëpisë-muze të Sterjo Spasses.
Në muret e katit të parë të ndërtesës ka dalë në dritë një grafikë, që mendohet se tregon pamjen e saj në vitin 1913, kur u ndërtua.
Disa ditë më parë, si një projekt ndërkufitar, me mbështetjen e Bashkimit Europian nisi puna restauruese.
Në ceremoninë përuruese morën pjesë përfaqësues nga pushteti vendor e qendror nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, por dhe nga BE, si një dëshmi e frymës së bashkëjetesës dhe bashkëpunimit!/ KultPlus.com
Shtëpia e shkrimtarit Sterjo Spasse në Gollomboç të Bashkisë së Pustecit, së shpejti do të kthehet në muze. Investimi është financuar nga Bashkimi Evropian me vlerë 200 mijë euro, në kuadër të projekteve ndërkufitare.
Drejtori i trashëgimisë kulturore ne qarkun e Korçës, Gjergji Kokim shprehet se muzealizimi i shtëpisë së Sterjo Spasses do të jetë një vlerë e shtuar për fshatin Gollomboç, por edhe për të gjithë bashkinë e Pustecit.
Koki tregon se objekti ku dikur ka banuar shkrimtari Sterjo Spasse sot është në një gjendje të degraduar.
Projekti do të ketë një kohëzgjatje prej dy vjetësh. Me përfundimin e rikonstruksionit shtëpia e shkrimtarit do të pajiset edhe me objekte të cilat janë përdorur prej tij apo edhe me dorëshkrime dhe dokumente. /Vizion Plus/ KultPlus.com
Rëndësia dhe vendi që zë një shkrimtar në historinë e letërsisë, varen dhe përcaktohen nga kontributi kryesor që ai ka dhënë në zhvillimin e saj. Sterjo Spasse është një nga ata krijues, emri dhe vepra e të cilit janë të lidhura në radhë të parë me historinë dhe fatin e romanit shqiptar, duke punuar për afro 50 vjet në këtë fushë shumë të rëndësishme të letërsisë. Sterjo Spasse përfaqëson një nga krijuesit dhe anëtarët e saj kryesor. Ai është jo vetëm vazhdues i denjë i romancierëve tanë pioniere të traditës, por ndër të paktët shqiptarë që e lëruan këtë gjini në mes dy luftërave, por ç’është më e rëndësishme, me krijimtarinë e pas çlirimit, ai inauguroi romanin tonë të realizimit socialist, krijoi në këtë fushë një varg veprash në vlera të shquara ideo-artistike. Figura e tij bëhet e plotë, po të kemi parasysh edhe kontributin që ka dhënë si tregimtar, publicist, studiues e përkthyes. Rruga krijuese e Sterjo Spasses për të arritur në kufijtë e veprave të tij më të mira, ecja nuk ka qenë e lehtë. Ai ka bërë një rrugë të gjatë dhe jo pak zigzage në periudhën e para çlirimit, ka kapërcyer me sukses kontradiktat dhe botëkuptimin të trashëguar nga e kaluara dhe me kushtet e reja social-historikë përqafoi pa hezitim metodën e realizimit socialist.
Metoda e re krijuese i hapi Spasses si të gjithë shkrimtarëve të brezit të vetë horizonte të pakufishme ideoartistike dhe u bë kushti themelor në krijimin e veprave të tij më të mira. S. Spasse erdhi në letërsi nga gjiri i letërsisë të shtypur e të skamur, duke jetuar me hallet e saj dhe duke i mbajtur gjithmonë të gjalla lidhjet shpirtërore me të, ai pasqyroi në krijimtarinë e tij në radhë të parë jetën dhe aspiratat e klasës së vetë. Fshati dhe fshatarësia shqiptare, rruga e luftës për liri e për tokë, shndërrimet e mëdha që kanë ndodhur në jetën e saj, kanë gjetur në veprat e S. Spasse një shprehje të gjerë e të fuqishme, që e bëjnë ata një nga këngëtarët më me zë të fshatit. S. Spasse lindi në Gllomboç, një fshat buzë liqenit të Prespës më 14 gusht 1914, biri i një familjeje të varfër fshatare, ai provoi qysh i vogël shtypjen e shfrytëzimin,, përbuzjen dhe punën e rëndë. Në fshat ndoqi mësimet e para dhe pastaj në Korçë kreu shkollën plotore, duke punuar ndërkaq për të nxjerrë bukën e gojës, herë në vendlindje nëpër tokat e Bejlerëve, herë në qytet si shërbëtorë. Më vonë me ndihmën e mësuesve patriot, ai mundi të ndjek shkollën normale të Elbasanit. Në këtë vatër me tradita, normalisti i ri, u aktivizua në jetën kulturale artistike të rinisë shkollore. Bëhet një nga redaktorët e revistës pedagogjike letrare “Normalisti”, bashkëpunon me shtypin e kohës, hedh hapat e para në fushën e letërsisë. Të kësaj kohe janë disa tregime të botuar në gazetat “Shqipëria e re”, “Zëri i Korçës”, “Monografia”, “Prespa e Vogël” etj. Në 1932 kryen normalen edhe punon si mësues fshati në krahinën e Gjirokastrës e të Korçës. Duke jetuar e punuar në mes fshatrave, mësuesi i ri njihet më thellë me hallet e aspiratat e tyre, mbruhet me ndjenjën e pakënaqësisë, rreh të kërkojë shtigje për të dalë nga gjendja e rëndë e kohës, por duke mos pasur një botëkuptim të qartë e të qëndrueshëm bie në dëshpërim.
Pasqyrë e kësaj gjendje shpirtërore të inteligjencës shqiptare të kohës është romani “Pse?!”, janë tregimet që botoi në fillim të viteve 30 në përmbledhjet “Kurorë rinie” dhe “Në krahët e një femre”. Me gjallërimin e jetës shoqërore në qytetin e Korçës dhe sidomos me aktivizimin e lëvizjes punëtore dhe përhapjen e ideve komuniste, S. Spasse afrohet dhe bashkëpunon me shtypin demokratik e përparimtar, si me revistat “Rilindja” dhe “Bota e Re”. Edhe pse më vonë shkrimtari i ri shërben si mësues në qytet ai nuk ndalet nga fshati, mban lidhje të gjithanshme me bashkëfshatar dhe vendlindjen. Tek ai lë përshtypje të thella revolta e goricarve kundër dhunës së bejlerëve dhe qeveritarëve. Pikërisht në këtë kohë ai njihet me militantin komunist Ali Kelmendi, i cili përmes bisedave përçon tek shkrimtari idetë revolucionare të kohës, që do t’i shërbejnë si bazë mbi një orientim më të shëndoshë të krijimtarisë së tij. Në ndikimin e këtyre ideve, ai do të çlirohet nga nihilizmi i shprehur në romanin “Pse” dhe do të bënte përpjekje për një qëndrim më të thellë kritik ndaj realitetit, duke vënë në qendër të veprës probleme sociale të fshatit shqiptar. Më vonë, nga fundi i viteve 30, i shtyrë nga idetë revolucionare të kohës, do të nis të shkruaj, kapitujt e parë e romanit “Beu”, që u bë pikënisje e romanit të ardhshëm “Ata nuk ishin vetëm. Luftën nacional çlirimtare, shkrimtari e simpatizoi dhe 3 muajt e fundit të pushtimit, jetoi me partizanët e Divizionit I-S.
Në malësitë e Tiranës ku mundi të njihej siç shkruan dhe vetë “Me madhërinë e epopesë së luftës nacional çlirimtare.” Po në këtë kohë, ai merr pjesë në kongresin e arsimtarëve antifashist që u mblodh në Korçë dhe zgjidhet anëtar i Këshillit të përgjithshëm. Menjëherë pas çlirimit, S. Spasse vihet në radhët e luftës për ngritjen e kulturës së re, punon me mish e me shpirt për zbatimin e reformës arsimore, si autor tekstesh e programesh, si mësues dhe edukator shembullor i brezit të ri. Me çlirimin e atdheut nis një periudhë e re në jetën e shkrimtarit, periudha më e rëndësishme në krijimtarinë e tij. Kjo është epoka e partisë, kur Sterjo Spasse duke përvetësuar botëkuptimin marksist Leninist e duke u vënë i tëri në shërbim të kauzës së socializmit krijon veprat të Shqipërisë Socialiste. Më 1947 shkruan romanin “Ata nuk ishin vetëm “, romani ynë i parë i letërsisë së re, që u botua më 1952. Me këtë vepër të rëndësishme,hapet vargu i romaneve që do të dalin pastaj si “ Afërdita përsëri në fshat (1956-1967) “Buzë liqenit (1961-1965) “Zjarre”(1979) “Zgjimi” (1974) “Pishtarët (1975),vëllimeve me tregime “Të fala nga fshati” (1958 “Sokoleshat” (1966) pa përmendur përshkrimet e reportazhet, antologjitë e tekstet shkollore të letërsisë, studimet e përkthimet. Sterjo Spasse është një nga shkrimtarët e parë të laureuar, me çmimin e Republikës. Ai është zgjedhur në organet drejtuese të lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, dhe njihet si aktivitet i shquar shoqëror. Disa nga veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.
Krijimtaria e gjerë dhe e pasur e Sterjo Spasses përfshin një kohë të gjatë, plot gjysmë shekulli, po të kemi parasysh që ai nis te debutojë në letërsi nga fundi i viteve 20. Në pranga të çlirimit, ai ishte një shkrimtar i njohur, që kish botuar dy romane e disa vëllimeve me tregime. Këto dhe një varg shkrimesh të tjera me karakter të ndryshëm përbëjnë gjithë bilancin e punës së tij letrare të paraçlirimit.Kjo është periudha e parë e krijimtarisë së tij, që po të krahasojmë, me veprën e begatë që krijoi në vitet e pushtetit popullor, mund ta quajmë vetëm një hyrje të denjë në letërsi të shkrimtarit. Themi kështu, sepse veprimtaria letrare e pasçlirimit është jo vetëm më e pasur, po vlerat e saj ideo-artistike e kapërcejnë shumë herë atë çka krijoi në periudhën e parë.Por megjithatë figura e Sterjo Spasses si shkrimtar nuk mund te kuptohet e aq me tepër te studiohet, pa njohur dhe vlerësuar drejtë trashëgiminë letrare të paraçlirimit.Vepra e tij e kësaj periudhe paraqitet në vija te përgjithshme pozitive, me thelb të shëndoshë, e përshkruar në tërësi nga fryma demokratike, me prirje realiste e me nota kritike.
Të gjitha këto e radhisin Sterjo Spassen në mes shkrimtarëve përparimtarë të kohës, në krahun e asaj letërsie që u vu në shërbim të interesave të popullit dhe u bë zëdhënëse dhe pasqyruese e jetës së tij. Biografia e Sterjo Spassses si shkrimtar nis nga fundi i viteve 20 e sidomos nga fillimi i viteve 30, në një nga fazat më të errëta e më të rënda të historisë se popullit tonë. Është koha kur kish triumfuar reaksioni feudo-borgjez dhe regjimi zogist kish marrë masa për t’i vënë fre çdo përparimi shoqëror. Shtypja e shfrytëzimi i popullit, papunësia e plagët e panumërta shoqërore, traktatet skllavëruese me Italinë fashiste, politika antikombëtare e “dyerve të hapura” po në të njëjtën kohë revolta e pakënaqësia e masave, grevat e demonstratat, përhapja e ideve komuniste dhe organizimi i lëvizjes punëtore –ja tabloja e përgjithshme e shoqërisë shqiptare të kohës.
Një luftë e ashpër ideologjike u zhvillua gjatë këtyre viteve. Forcat përparimtare, u ndeshën në forma të ndryshme me ideologjinë zyrtare, me teoritë fashiste e idealiste, me kozmopolitizmin e klerikalizmin, të përfaqësuar nga reparti i zi i letrarëve katolikë, me përpjekjet djallëzore për të krijuar teori pseudoshqiptare. Intelektualët përparimtarë të frymëzuar nga ide demokratike, të ndikuar nga lëvizja punëtore, u angazhuan në këtë luftë, luftuan me guxim kundër ideologjisë sunduese dhe u përpoqën të përhapin të vërtetën. Tribunë e ideve përparimtare e revolucionare u bënë organet “Bota e Re” “ABC” “Rilindja”,etj. Një kontribut të çmuar në këtë luftë, me rëndësi historike e dha dhe letërsia përparimtare, e cila duke ecur në rrugën e rilindësve, e duke e lidhur me kohën e saj, trajtoi një problematikë të gjerë shoqërore, pasqyroi mjerimin dhe revoltën e popullit, iu kundërvu letërsisë borgjeze klerikale. Kjo e fundit, që përfaqësonte interesat e klasave sunduese është një letërsi jashtë kohës dhe larg interesave kombëtare, ajo himnizonte patriarkalizmin,poetizonte e realizonte jetën e vogël e boshe të feudo-borgjezisë, përhapte izma te letërsisë dekadente, përpiqej të mashtronte e të rekrutonte antishqiptare e antipopullore.Në vitet 30,letërsisë sonë përparimtarë i erdhën forca të reja krijuese.
Hyri në letërsi plejada e letrarëve të rinj, me në krye Migjenin, që u bë shprehëse e ideve revolucionare. Ajo luftoi të lidhet me jetën e popullit të zbatojë në krijimtarinë artistike principet e pasqyrimit realist. Vepra e Sterjo Spasses është pjesë përbërëse e këtyre përpjekjeve që u bënë aso kohe. Letërsia jonë përparimtare e paraqiti realitetin feudo-borgjez në forma të ndryshme, duke u munduar të kap thelbin e fenomeneve sociale. Natyrisht, ky qe një proces i vështirë e i ndërlikuar, po të kemi parasysh detyrat e mëdha që i duhesh të përballonte, faktin që pjesa më e madhe e letrarëve qenë të rinj (pasi shkrimtarë të njohur si A.Z.Cajupi vdisnin në mërgim ose N.Mjeda e F.Noli pothuajse qenë tërhequr nga letërsia), që vetë letërsia përparimtare ishte në kërkim të rrugëve e drejtimeve letrare. Mjaft nga autorët e saj të talentuar nuk kishin botëkuptim të qartë ose ishin në formim e sipër të botëkuptimit shkencor, në një kohë kur dhe vetë lëvizja revolucionare kish kufizimet dhe dobësitë e veta.
Duke qenë në konflikt me realitetin shoqëror, duke e kritikuar ose mohuar atë, ato ishin në kërkim të idealit që do të mishëronte ëndrrat e shpresat e tyre e aspiratat për një jetë më të mirë. Nga kjo pikëpamje, në rrethet e intelektualëve në përgjithësi dhe ato letrare në veçanti kishte paqartësi dhe pështjellime ideore. Pakënaqësia dhe revolta ndaj realitetit të padrejtë shprehej herë në formën e një romantike pesimiste, që kalonte deri në nihilizëm, herë të një ideali utopik, që nuk gjente zbatim në realitetin social historik, herë një qëndrimi kritik ndaj gjendjes ekzistuese. Duke mos pasur një botëkuptim të formuar, aq më tepër një botëkuptim materialist, mjaft nga shkrimtarët shpesh nuk ishin në gjendje të gjykonin drejt mbi jetën dhe shoqërinë, të vlerësonin saktë fenomenet e problemet e mëdha të kohës, të gjenin rrugën e vërtetë të shpëtimit. Prej këtyre vinin pastaj kontradiktat e lëkundjet, dëshpërimi e utopizmi. Pjellë e kësaj atmosfere, e kësaj gjendjeje plot kontraste, me drita e me hije paraqitet dhe krijimtaria e Sterjo Spasses në këtë kohë.
Ajo ka kaluar nëpër një rrugë jot ë sheshtë, me zigzage e kontradikta, e prehur pjesërisht nga pesimizmi dhe nihilizmi, por pavarësisht nga këto, thelbi shoqëror i veprës së tij ka qenë pozitiv, ai është në konflikt dhe në opozitë me realitetin social. Në krye ai ishte në kërkim të vetvetes, të temave, kërkon një ideal shoqëror, po me gjithë pohimin e talentit, ai vërtitet në rrethin e ngushtë të temave të vogla, evokon një frymë sentimentale – romantizante, duke qenë larg pasqyrimit të fenomeneve kryesore të jetës. Këto duken në krijimet e fazës së hershme, në dy përmbledhjet e para me tregime. Më vonë, shkrimtari i ri lidhet me realitetin bashkëkohor, përqafon ide nga mendimi përparimtar i kohës, prek disa nga plagët shoqërore, mban qëndrim kritik ndaj dukurive negative, përpiqet të përvetësojë principet e pasqyrimit realist të jetës. Dëshmi për këtë janë tregimet e fejtonet më të mira të periudhës së paraçlirimit dhe romanet “Afërdita” dhe “Pse?!”.
Në veprat e veta të paraçlirimit Sterjo Spasse do të jepte herë në mënyrë të qartë e të drejtpërdrejtë, herë në mënyrë alegorike e të mjegullt pamje të realitetit feudo-borgjez, gjendjen e fshatit shqiptar, varfërinë e pakënaqësinë e bashkëfshatarëve të tij, shqetësimet dhe hallakatjet e inteligjencës, ato forma pasivë që mori protesta e saj; ai do të pasqyronte kërkimet për rrugëdalje nga jeta e padrejtë dhe plot amulli. Të gjitha këto do t’i gjejmë në prozën e gjatë, në romanet e Spasses, por dhe në prozën e shkurtër të tij.
Proza e shkurtër e Spasses përbëhet nga skica, fejtone, proza alegorike dhe tregime. Pjesën më të mirë ai e botoi në përmbledhjet “Kurorë rinije” (1934) dhe “Në krahët e një femre” (1934) e sidomos në vëllimin “Nusja pa duvak” (1944), kurse të tjerat gjenden të shpërndara në shtypin e kohës.
Proza e shkurtër na jep faqe me vlerë dhe aspekte interesante nga krijimtaria e shkrimtarit tonë.
Në përgjithësi me prozën e viteve 30 do të vëmë re të lëvrohen llojet e saj të shkurtra. Kjo ndodhi, jo vetëm nga fakti që proza artistike tek ne ishte e re dhe autorët kishin një përvojë të pamjaftueshme në këtë gjini, por edhe sepse proza e shkurtër u përgjigjej flakë për flakë synimeve që vinte përpara letërsia përparimtare për t’u lidhur me problemet aktuale dhe jetën bashkëkohore. Letrarët me këto lloj shkrimesh jepnin kontributin e tyre në zgjidhjen e çështjeve të ditës, në demaskimin e stigmatizimin e fenomeneve negative përçonin tek lexuesit idetë e reja, i jepnin fjalës një ngarkesë të caktuar ideo-emocionale. Këto i vinin në ndihmë forcave progresiste të kohës dhe përbënin atë lloj letërsie që Gorki e quante “letërsia e jonë militante”.
Proza e shkurtër njohu disa forma dhe lloje, nga skica e vizatimi, portreti dhe proza alegorike deri te pamfleti, fejtoni dhe tregimi. Këto zakonisht kanë në themel ndodhi të jetës, figura njerëzish të thjeshtë, u bëhet jehonë ideve demokratike, pakënaqësisë së popullit, pikëzohen çaste me karakter politik, filozofik, meditative e lirik. Proza të këtij lloji lëruan Migjeni e N.Bulka, Q.Stafa e A.Varfi. Një kontribut në këtë fushë dha dhe Sterjo Spasse me fejtonet ose prozat alegorike dhe tregimet. Në një varg fejtonesh, ai përmes gjuhës së Ezopit, herë me anë personazhesh të çmendur, të figurës së “mbinjeriut” apo përbindëshit, herë në trajtë monologu ose dialogu imagjinar shtron në mënyrë të tërthortë problem politike e shoqërore të kohës, ironizon e satirizon aspekte të botëkuptimit e të moralit zyrtar. Kështu, në fejtonin “Bota u çthur!” nëpërmjet pohimeve të “një të çmenduri” shpallen mendime të guximshme. Heroi alegorik bëhet zëdhënës i pakënaqësisë dhe aspiratave, ndonëse të paqarta të inteligjencës përparimtare. Ai thirret i dëshpëruar: “Të rrosh, po, pot ë rrosh, si me forcë mbinjerëzore, gjersa të krijohet një jetë e re me njerëz të rinj! Pra, jeto, jeto dhe puno për idealin e caktuar!”
Shkrimtari konstaton me hidhërim të thellë se shoqëria e kohës i merr nëpër këmbë e i tall derisa i çmend njerëzit me vlerë. Dhe kjo ndodh, sipas arsyetimit të tij, sepse kudo sundojnë të liqtë, të cilët me ndihmën e fesë shtypin popullin dhe prishin çdo gjë të mirë (“Nga ditari i një të çmenduri”).
Në pamfletin “Skandal, jo aspak!” ku shtjellohet një episod prekës marrë nga jeta bashkëkohore, i çirret maska të ashtuquajturit moral të klasave sunduese, jepet të kuptohet se gjithë korrupsioni është pjellë e rendit në fuqi.
Autori në ndonjë prej pamfleteve si te “Nga shënimet e një Dhiogjeni të ri” arrin të kritikojë ashpër,me adresë të qartë sociale. Ai shkruan: “Të mos merremi me gjëra të kota, të mos shtrembërojmë të vërtetën, … të vëmë gishtin në plagë… A nuk është më mirë dhe shumë e arsyeshme në vend të: “si je”, t’i themi gazetarit: “A gënjen shumë? Fajdexhiut: A rrëmben shumë faiz? Nëpunësit: A merr shumë ryshfet? Katundarit: A ke shumë halle?”
Egoizmi, cinizmi, makutëria për t’u pasuruar, këto janë diviza e familjes borgjeze (“Allilluia, allilluia, allilluia”).
Në disa pamflete të tjera, autori dënon hipokrizinë shoqërore (“Dy të vdekur”), kozmopolitizmin e atyre intelektualëve, që pa i njohur vlerat e bukuritë e atdheut, ngrenë në qiell vendet e huaja. Nëpërmjet një alegorie realiste në disa proza të shkurtra si “ Zëri i zemrës së trëndafilit”, “Ankimi i lumit” etj., zbulon gjendjen e mjeruar të popullit dhe tiraninë e sundimtarëve.
Edhe pse e mbivlerëson ndonjëherë rolin e artistit, ai kërkon prej tij, që në çastet e vështira që kalon kombi t’i shërbejë popullit besnikërisht (“Pellgu”, “Ajka e botës”).
Një kapitull të rëndësishëm në krijimtarinë e paraçlirimit të Sterjo Spasses përbëjnë tregimet. Ndryshe nga romanet, ku ai rreh të japë tablo të gjera të jetës, në tregimet zakonisht ai shtjellon ndodhi të ndryshme, vizaton ambiente, përpiqet të depërtojë në botën e brendshme të njerëzve.
Emëruesi i përbashkët i tematikës së tregimeve të Sterjo Spasses është jeta e rëndë e popullit, hallet e shumta trazuar me gazet e pakta, plagët sociale që i kanë hapur klasat sunduese të shoqërisë shqiptare të kohës. Duke qenë vetë një intelektual i thjeshtë i ardhur nga gjiri i fshatarësisë së varfër, autori do t’i kushtojë vëmendje të veçantë jetës plot vuajtje të fshatarëve dhe shqetësimeve e përpjekjeve të inteligjencës përparimtare.
Kredua e mendimeve të shëndosha, që përshkojnë tregimet e tij më të mira, na zbulohet në figurën e profitit në tregimin omonim, ku ai ngrihet kundër padrejtësive të shoqërisë dhe merr në mbrojtje njerëzit që vuajnë e shtypen. Mjaft kuptimplotë në këtë vështrim na duket tregimi “Babai”, një nga krijimet më realiste të Sterjo Spasses pas luftës. Ngjarja është fare e thjeshtë: Një fshatar shkon përmes borës e furtunës në qytet me gomarin ngarkuar për të shitur dru e për t’i blerë bukë familjes së uritur. Sa dhimbje e vërtetësi ka ky tregim! Ai të kujton vetë jetën e autorit që kur ishte fëmijë shkonte nga fshati në Korçë të shiste dru. Po kaq i ndjerë e realist është dhe tregimi “Malësori i vogël”, i cili edhe ky nga elementët e autobiografikë që ka, na bën të mendojmë për fëmininë e vështirë të shkrimtarit. Marku, një malësor i vogël e i varfër lufton çdo ditë me urinë dhe vështirësitë e natyrës për të shkuar në shkollë.
Një vend të veçantë në veprat e Sterjo Spasses zë figura e mësuesit të fshatit. Ai do të shkruajë dy romane, kushtuar kryesisht punës e përpjekjeve fisnike të mësuesve, po tregime me këtë temë ai do të trajtojë gjithnjë. Mjaft interes paraqet tregimi “Mësuesi” ku vihen në kontrast sakrificat dhe jeta plot mundime e një mësuesi fshati me trajtimin e keq që i bëhet nga qeveritarët anadollakë.
Spasse do të pasqyrojë disa nga plagët shoqërore të fshatit shqiptar, sidomos kurbetin, pasojat e rënda dhe dramat e jetës e moralit patriarkal, zakonet e këqija etj. Heronjtë e personazhet e tregimeve me këtë tematikë janë njerëz të thjeshtë, zakonisht fshatarë e fshatare, që bien viktimë e kushteve të rënda sociale, e moralit patriarkal, e atmosferës mbytëse të shoqërisë së kohës. Me këtë temë autori do të shkruajë tregimet e para si “Dashuri pa fat”, “A do ta shof?” apo tregimet e mëvonshme “I mërguemi” etj. Një pjesë e mirë e tyre do t’i kushtohen problemeve martesore të fshatit patriarkal, ku do të dënohet poligamia, martesa me para, martesa e të miturve. Duke e njohur mirë këtë temë, ai do të trajtojë me frymë të theksuar realiste me nota kritike dhe këto janë tregimet më të realizuar nga ana artistike. Këtu hyjnë “Nusja”, “Shemra”, “Te korijëza” e sidomos “Nusja pa duvak” që na duket më i mirë në mes tyre. Në këtë tregim goditet e stigmatizohet një nga zakonet barbare, anadollake, i sjellë në Shqipëri nga pushtuesit turq e që është krejt i huaj për natyrën e karakterin e popullit tonë. Në të na përshkruhet martesa e Ahmetit që merr për grua Zenepen, gruan e xhaxhait të vdekur. Ky zakon vepron në shtëpinë e Ymer Agait, një feudali të vogël fshati dhe kjo gjë nga autori nuk është bërë pa qëllim. Tregimi zbulon para lexuesit dramën e thellë që kalojnë heronjtë njerëzore, të përfaqësuar nga agai dhe hoxha i fshatit. Me vërtetësi bindëse, duke hapur thelbin social të problemit, me detaje të goditura, duke iu përmbajtur rrethanave të ambientit e të kohës, autori ka krijuar karaktere plot jetë që veprojnë të gjallë para lexuesit.
E kemi thënë dhe më lart se profili kryesor i Sterjo Spasses si shkrimtar, është ai i romancierit. Në vitin 1935 ai do të botojë romanin e tij të parë “Pse?!” me të cilin do të manifestohen disa nga cilësitë e talentit të vet në këtë gjini të vështirë. Vepra natyrisht, për mjaft arsye është komplekse, me vlera të pabarabarta, kontradiktore, por edhe pse e tillë, si çdo të argumentojmë më poshtë, ajo i takon letërsisë realiste të viteve 30 sepse siç e karakterizon Dh.S.Shuteriqi, megjithëse përfundonte në pesimizëm e nihilizëm është një akuzë kundër shoqërisë, që i bënte njerëzit të humbnin ëndrrat dhe shpresat më të bukura të tyre”.
Romani “Pse?!” trajton një temë shoqërore dhe përfshin në fokusin e vet disa nga problemit dhe shqetësimet që iu desh të përballojë opinioni shqiptar e sidomos inteligjencën përparimtare në vitet ’30. Trajtimi dhe zgjidhja e çështjeve dhe konflikteve shoqërore në përmasat e një romani nuk ishte gjë e lehtë, po të marrim parasysh faktin që censura qëndronte si shpata e Demokleut dhe presioni i ideologjisë feudo-borgjeze ishte i përditshëm.
Vështirësitë shtoheshin akoma më tepër po të kujtojmë se autori i ri ishte i papërgatitur e ideologjikisht dhe personaliteti i tij qe në formim e sipër.
Veç këtyre, romani u shkrua dy vjetët e para të viteve ’30, kur lëvizja demokratike e revolucionare në Shqipëri nuk kishte marrë ato forma, siç morri më vonë me aktivizimin e grupeve komuniste. Drejtimi realist kritik në letërsi ishte ende i dobët. Duhej edhe pak kohë që të afirmohej brezi letrar i viteve ’30 me Migjenin në krye. Akoma s’ kishte filluar të botohej revista “Bota e Re” që grumbulloi rreth vetes forcat letrare përparimtare dhe botoi disa artikuj me karakter programatik mbi artin realist. Të gjitha këto tregojnë se kjo ishte një fazë tranzitore-përgatitore për lëvizjen dhe letërsinë përparimtare. Pasqyrë e pjesshme e kësaj gjendje është edhe romani “Pse”?!.
Merita kryesore e autorit qëndron në radhë të parë që u përpoq të trajtonte një temë shoqërore e për më tepër t’i vendoste ngjarjet në kohën e tij. Këto ai i bëri sidomos ndonëse në mënyrë konfuze duke u munduar t’i shoqërojë me ide pozitive dhe të godasë e të demaskojë disa anë të realitetit feudo-borgjez. Por prapë nuk arriti ta shprehë qartë dhe në një plan social qëndresën ndaj rendit në fuqi, nuk i dha konfliktit të heroit me shoqërinë dhe dramave të veta një zgjidhje të drejtë dhe reale. Veprën dhe heroin e karakterizoi pesimizmi e nihilizmi, formë kjo e një rezistence pasive, e një pjese të inteligjencës mikroborgjeze.
Në vitin 1935 – shkruan vetë autori – kur isha akoma i ri botova romanin tim të parë “Pse?!”. Në të unë u përpoqa të pasqyroj atë kaos që kish pushtuar një pjesë të rinisë intelektuale, që kish humbur shpresën dhe besimin në një të ardhme më të mirë: Heroit tim kryesor jeta i dukej aq e errët sa që kjo e çoi në urrejtje ndaj gjithë njerëzimit. Ai nuk vuri re disa anë pozitive të jetës dhe arrin deri në nihilizëm duke mos u përpjekur të fillojë luftën kundër rrethit feudo-borgjez, i cili e çoi atë deri në një fund tragjik.
Subjekti i romanit është fare i thjeshtë: Gjon Zaveri, një i ri me prejardhje fshatare, i zgjuar e simpatik pasi mbaron shkollën, kthehet në fshatin e lindjes. Traditat patriarkale e kanë fejuar sipas zakonit me Afërditën dhe ai pas lëkundjesh e hezitimesh, pranon të martohet dhe pastaj nga dëshpërimi vret veten. Gjon Zaveri le prapa një ditar, dhe ky përbën gjithë romanin. Në ditar, ku vendin kryesor e zenë meditimet e filozofimet e shumë më pak veprimi heroi jep mendime mbi probleme shoqërore të kohës dhe dështon rreth temave të përjetshme që kanë të bëjnë me jetën, dashurinë dhe vdekjen. Tipari i përgjithshëm që karakterizon mendimet e Gjon Zaverit është mohimi, mohimi i çdo gjëje, mohimi i zakoneve e normave patriarkale, i realitetit bashkëkohor deri i vetë jetës. Ai është konfuz dhe nuk ka asnjë ideal pozitiv, revolta e tij është anarkiste pa asnjë drejtim. Në disa nga mendimet e Gjon Zaverit gjëja më e shëndoshë është kritika, disa herë e ashpër që ai i drejton shoqërinë, fenomenet negative në jetën shqiptare të atëhershme, koncepteve patriarkale e disa herë feudo-borgjeze.
Përqafimi i shpejtë dhe pa lëkundje i metodës së realizmit socialist, drejtimi gjithnjë i shëndoshë dhe ngritja në një shkallë të lartë ideo-artistike e krijimtarisë së shkrimtarit tonë duhet kërkuar edhe në këtë të kaluar letrare pozitive. Veprat më të mira të pasçlirimit dëshmojnë se sa përpara ka ecur autori i “Pse-së?!” dhe i “Afërditës” në rrugën e formimit të tij ideo-artistik dhe të pjekurisë artistike.