E harruar nën pluhurin e depos, piktura 400-vjeçare që mund të vlejë miliona dollarë

Një pikturë 400-vjeçare, e cila sipas ekspertëve mund të vlejë miliona dollarë, është zbuluar në një depo të braktisur në Australi.

Vepra e artit e quajtur “Still Life” (Jetë e Qetë), u mbajt për shumë vite në muzeun “Akademia Woodford” në Uellsin e Ri Jugor, por përgjatë viteve kishte mbetur gjithnjë në hije.

Piktura e vlefshme i përket Epokës së Artë holandeze, e realizuar në shekullin e 17-të, dhe u zbulua mes një koleksioni prej 60 000 pikturash, pjesë e veprave të muzeut të cilat iu dhuruan Fondit Kombëtar të Australisë.

Piktura tregon një tavolinë të mbuluar përgjysmë nga një shtrojë e bardhë e zhubrosur, një kek i filluar, arra, bukë dhe enë qelqi.

Piktura “Still Life” para se të restaurohej/ Fondi Kombëtar i Australisë
Vepra i atribuohet Gerrit Willemsz Heda, djali i piktorit të famshëm holandez të shekullit të 17-të, Willem Claesz. Heda, njihet si një nga mjeshtrit e mëdhenj të epokës së artë holandeze, por megjithatë ekspertët janë ende duke e hetuar origjinën e saktë të “Still Life”.

Nënshkrimi i Hedës mbi pikturë, është shumë i ngjashëm me atë të babait të tij dhe ndaj dyshimet janë, se kjo vepër e rrallë, mund të jetë edhe një bashkëpunim babë e bir.

Sipas ekspertëve, vlera e veprës së artit është ende në diskutim, por ekspertët besojnë se mund të vlejë miliona dollarë.

Zëdhënësja e kompanisë që ka marrë përsipër restaurimin dhe kujdesin për pikturën, ka pohuar për publikun se zakonisht veprat e Hedës vlerësohen nga 2,9 deri në 3,7 milionë dollarë.

Momenti kur gjatë procesit të pastrimit, mbi vepër u gjet nënshkrimi i artistit
“Të gjeja një pikturë autentike të shekullit të 17-të në depon time në National Trust më la pa frymë”, është shprehur për mediat menaxherja e koleksioneve të National Trust, Rebecca Pinchin.

Piktura do të shfaqet për herë të parë për publikun, në Festivalin Australian të Trashëgimisë 2022, në Woodford Academy, më 14 maj. / KultPlus.com