Suada Qorraj
Historia e ballafaqimit të dy shokëve të fëmijërisë, që ndryshonin shumë nga njëri tjetri, natën e mbrëmshme kishte marrë jetë në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Stirkoff, një idealist që përfaqësonte rezistencën intelektuale, përballë mikut të tij, një detektivi që përfaqësonte rezistencën fizike, shkruan KultPlus.
Gjithçka dukej se filloi si lojë, me hyrjen më të pazakontë, ku dhe vetë regjisori i shfaqjes, Shpëtim Selmani, ishte prezent në skenë gjatë sekondave të parë kur dhe kishte filluar loja e aktorëve. Gjuha e drejtpërdrejtë, përkonte pikërisht mbi bazën në të cilën ishte ngritur shfaqja ‘Stirkoff’ që përmbante artikujt e Charles Bukowski, njëri ndër shkrimtarët më me influencë në letërsinë underground kudo në botë, të cilat në kohën e atëhershme ai i kishte botuar në gazetën Open City.
Me një publik të madh në numër, reagimet e së cilit ishin po aq të paparashikuara, njëlloj si vetë shfaqja, por në fund me një duartrokitje disa minutëshe, si një shpërfaqje për kënaqësinë dhe emocionet e përjetuara për sa kohë ‘Stirkoff’ i mbante sa të qeshur, po aq dhe nën ethe.
Në një prononcim për KultPlus regjisori i kësaj shfaqje Shpëtim Selmani tha se kishte zgjedhur pikërisht artikujt e Bukowksit si bazë të shfaqjes së tij pikërisht për faktin se ai dallohet për një gjuhë të drejtpërdrejtë, të ashpër e direkte.
“Mendoj që Bukowski dallohet për veçoritë e tij të drejtpërdrejta, për një gjuhë më të ashpër pak më direkte dhe e konsideroj që në Kosovë duhet të kemi njëfarë njohurie mbi rezistencën dhe të përballemi me pushtetin pa ndërruar formë”, pohoi ai.
Për aktorin Blend Sadiku i cili në shfaqje luante rolin e detektivit, nuk ka qenë dhe aq e vështirë të përshtatet me rolin, sepse për të ishte mjaft e lehtë të shfaqte forcën fizike dhe një detektiv, ardhja në pushtet e së cilit kishte ndodhur më gllabërime të ndryshme.
Ndërkaq për aktorin Gentrit Shala, bashkëpunimi me regjisorin ka qenë mjaft i lehtë për faktin se ai ka qenë aty gjithë kohës për të ju ndihmuar dhe për t’ju shpjeguar në detaje se si duhet të silleshin.
Tutje ai ka shtuar se është çdo herë një ndjenjë e papërshkrueshme të shfaqësh premierën përballë një publiku të madh në numër, ngase të bënë që të japësh maksimumin nga vetja.
“Kur vie koha e premierës dhe ti sheh një sallë të mbushur me njerëz, atëherë ti bënë të pamundurën për të dhënë maksimumin, me qëllimin e vetëm që publiku të arrijë kënaqësinë më të madhe”, ka pohuar ai.
‘Stirkoff’, ndonëse filloi në një formë komike që bëri publikun të shpërthej në gaz që në sekondat e parë, pati një përfundim tragjik, të pritshëm, por dhe të habitshëm njëkohësisht, sepse shtangu publiku për disa sekonda, para duartrokitjes së madhe. / KultPlus.com