Historia e Hasan Kadukut, stomatologut të parë në Shqipëri

Historia e Hasan Kadukut është shembulli i atyre njerëzve të cilët vendosën që të ndjekin pasionin e tyre në jetë dhe t’ja dalin të lënë gjurmë. Nga një çirak pranë dyqanit të dajës së tij ai arrin të hedhë bazat e para të stomatologjisë në Shqipëri.

Madje aq i njohur ishte në kohën e tij sa At Gjergj Fishta do ta përshkruante kaq bukur punën e tij. “Asnjëherë nuk jam përkulur, as prej shkaut e as prej ukut, por rri e bëhem pulë te karrigia e Kadukut”.

Hasan Kaduku u lind në vitin 1865 në Shkodër. Që në moshë të re shkon në Stamboll për të vazhduar shkollën, ku vendoset pranë dajës së tij Fetah Lini, ku fillon dhe punë. Atje njihet me dijetarë të kohës, nga të cilët merrte edhe mësime mistike, si dhe filloi mësimin përmendësh të Kur’anit. Sipas kronikanit Hamdi Bushati, mësuesit e tij kishin vënë re se kishte disa probleme me dhëmbët e parë të cilët i kishin rënë dhe bënin që të mos i shqiptonte qartë shkronjat arabe me “texhvid”, të cilët duan një vokalitet shumë të pastër. Nga dashuria që kishte për Kur’anin, ai vendos fillimisht që paralel me mësimin e Kur’anit, të rregullojë edhe dhëmbët, ku u njoh edhe me profesionin e dentistit, të cilin e dashuroi menjëherë. Kështu ai i lutet dentistit të tij, që ta merrte në punë, por dentisti i thotë se nuk ka nevojë.

Hafiz Hasani i thotë se, “ti nuk ke nevojë për mua, por unë kam nevojë për ty dhe jam gati të të paguaj rrogë, vetëm të rri pranë teje dhe të mësoj profesionin”, e kështu ndodhi. Më vonë fillon praktikën edhe pranë dentistit të famshëm Halid Shenazi Bej dhe më pas dhe te profesor Dionizi me kombësi armene. Pasi siguron lejen e ushtrimit të profesionit, ai kthehet në vendlindjen e tij, në Shkodër.

Kështu ai për një kohë të shkurtër rreth tre vjeçare bëhet Hoxhë dhe dentist.

Hafiz Hasani sapo u kthye nga Stambolli në Shkodër, fillon ushtrimin e këtij zanati, duke hapur një klinikë portative, duke shkuar në shtëpitë e atyre që kishin nevojë, siç shkonin edhe mjekët e tjerë. Por nga dëshira e madhe për profesionalizëm të plotë sapo u hap Fakulteti i Stomatologjisë në Universitetin e Stambollit (1907), pasi punoi disa vjet si dentist diletant, në një moshë kur tashmë ishte familjar dhe me fëmijë, shkon përsëri në Stamboll, ku nga tre vjet studimi, që kishte fakulteti, ai i kryen studimet për dy vjet, favor ky që iu bëhej atyre që kishin njohuri praktike disa vjeçare. Hafiz Hasani arrin të bëhet një nga studentët më të përparuar të fakultetit, pavarësisht moshës së tij afërsisht 40 vjeçare. Madje familjarët e tij tregojnë se edhe letrat që i vinin nga familja nuk i hapte deri në fundjavë, për të mos u shkëputur nga mësimet. Ai diplomohet më 1908 dhe kthehet në vendlindje si i pari mjek stomatolog, apo siç njihej ndryshe “mjek dhëmbësh” me diplomë universiteti, jo vetëm në Shkodër, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Ai njihte gjithashtu shumë mirë arabishten, osmanishten dhe frëngjishten.

Hafiz Hasan Kaduku mbahet si njeriu që vuri bazat e shërbimit stomatologjik modern në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër.

Kronikani Hamdi Bushati tregon se Hafiz Hasan Kaduku e ushtroi profesionin si dentist në disa qytete të Shqipërisë dhe në Mal të Zi. Kronikat e asaj kohe tregojnë që Hasan Kaduku, me zotësinë e një dentisti të talentuar, tërhoqi vëmendjen e të gjithë bashkëqytetarëve të tij, duke krijuar një klientelë të gjerë edhe jashtë kufijve të vendit, si p.sh. në Mal të Zi. Të gjithë konsujt e huajt që ishin të akredituar në Shkodër, si dhe personalitete të viseve të tjera të vendit, kishin si dentist (apo siç quhej atëherë mjek dhëmbësh) të tyre Hafiz Hasan Kadukun. Shkodra në fillim të shekullit XX, duke qenë një prej pikave më perëndimore të Perandorisë Osmane, kishte pesë konsullata të huaja, personeli i të cilëve bëheshin shpeshherë pacientë të Hafiz Hasanit. / KultPlus.com