Prishtina po bëhet me Strategji të Kulturës

Drejtoresha e kulturës në Komunën e Prishtinës, Arta Balaj ka njoftuar sot se Prishtina po bëhet me Strategji të Kulturës, përcjell KultPlus.

Sipas Balaj, një ekip profesional ndërkombëtarë dhe vendor, personalitete dhe kontribuues të kulturës dhe turizmit, do të punojnë për të sjellë një strategji gjithëpërfshirëse të artit dhe kulturës, ndryshimeve pozitive dhe inovative në Prishtinë.

Eksperti kryesor i hartimit të Strategjisë për Kulturë është Philip Kern, i cili ka njohuri të thella në fushën e kulturës dhe zhvillimit strategjik. Ai është një ekspert ndërkombëtar i tregut të muzikës dhe industrive të tjera kreative, është Drejtor Ekzekutiv dhe themelues i organizatës KEA European Affairs, e cila ofron kërkime, këshillim dhe konsulencë në fushën e politikave kulturore dhe kreative në nivel evropian. Ka hartuar dokumente strategjike për kulturë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës.

“Si Drejtori e Kulturës jemi të përkushtuar që të hartohet një dokument strategjik për kulturë dhe arritjen e objektivave që duhet të përfshihen në të si, promovimi i diversitetit kulturor dhe gjithëpërfshirës, nxitjen e kreativitetit dhe inovacionit, rritjen e infrastrukturës kulturore, nxitjen e ekonomisë kulturore, promovimin e turizmit kulturor dhe angazhimin e komunitetit”, thotë Balaj. / KultPlus.com