ADMOVERE mban tryezën ‘Strategjitë e Arsimit të Lartë në Kosovë’

Sot u mbajt tryeza ‘Strategjitë e Arsimit të Lartë në Kosovë’ nga ADMOVERE, me mbështetje financiare nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Tryeza u moderua nga eksperti i arsimit, prof. Xhavit Rexhaj, kurse qëllimi i saj ishte që të merren rekomandime nga rektorët, prorektorët, dekanët dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që në fokus kanë arsimin e lartë, si dhe të shihet se çka mund të bëhet më mirë në hartimin e planeve të ardhshme strategjike të arsimit të lartë në Kosovë.

Duke qenë se performanca e institucioneve të arsimit të lartë në veçanti dhe gjendja e arsimit në Kosovë në përgjithësi, jo rrallë herë është konsideruar e pakënaqshme nga masa e gjerë, shoqëria civile, perceptimet e studentëve dhe vet institucioneve relevante, është e rëndësishme që të analizohen strategjitë e arsimit të lartë për të parë se sa ka koordinim mes tyre, nivelin e redundancës dhe përsëritjes së objektivave.

Drejtoresha e organizatës, Aulona Memeti, foli për rëndësinë e një planifikimi të mirëfillt në mes ZKM-së, MASHT-it dhe Universiteteve Publike: “meqenëse aktualisht është duke u përpiluar Plani i ri Strategjik i Arsimit në Kosovë (PSAK) duhet të shtrojmë pyetjen se a ka ardhur koha për një planifikim të mirëfillt, dhe nëse po, çka nënkupton kjo?”

Kurse Nuhi Sadiku, hulumtues dhe bashkëautor i raportit me po të njëjtin titull, i cili do të publikohet së shpejti, tha se gjatë përpilimit të strategjive duhet të kihet më shumë konsideratë për një qasje nga poshtë lartë, meqë në fund fare janë njësitë akademike ato të cilat duhet t’i zbatojnë ato.

Zëvendësministri i Arsimit, z. Dukagjin Pupovci, në fjalën e tij sqaroi procesin e hartimit të PSAK-ut të ri dhe shtoi që rekomandimet e nxjerra në tryeza të tilla janë të nevojshme për t’u inkorporuar në PSAK-un e ri. Kurse Adnan Ahmeti nga Zyra për Planifikim Strategjik potencoi nevojën e planifikimit strategjik të bazuar në evidencë dhe të dhëna. Ndërsa Rron Gjinovci nga ORCA gjatë diskutimit tha se një nga problemet kryesore është mungesa e të menduarit strategjik, e kjo manifestohet edhe në hartimin e planeve strategjike.

Të pranishëm të tjerë në tryezë ishin Mimoza Ibrani dhe Kurtesh Sherifi, përfaqësues nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës; Dekanët Isak Shabani nga FIEK, dhe Dashamir Burxulli nga Fakulteti Filozofik; nga Agjencia e Kosovës për Akreditim; dhe përfaqësues të organizatave që në fokus kanë arsimin e lartë si KEC, ORCA, CPC, FIT, e me radhë. / KultPlus.com