“Street Party” i parë në Prishtinë me muzikë, art e inovacion

Rruga “Fehmi Agani” në kryeqytet, së cilës shumëkush i referohet “Te kafet e vogla”, për dhjetë orë do të mbyllet për vetura.

Por mundësi kalimi do të kenë të gjithë qytetarët. Për herë të parë, këtë të diel, do të organizohet “Street Party” (Ndeja në rrugë) në Prishtinë. Me muzikë, art dhe inovacion do të shënohet edicioni i parë i kësaj ngjarjeje që organizon “Next Level”.

Për pjesëmarrje në këtë ngjarje konkursi është i hapur deri të enjten, ku të gjitha veprat artistike dhe inovative do të përzgjidhen për të qenë pjesë e ngjarjes. Me këtë rast do të jetë një galeri e hapur ku studentët do të mundë të shesin dhe ekspozojnë punën e tyre. “Street Party”, po ashtu, do të ketë artistë të artit të rrugës të cilët me ngjyra do ta pushtojnë hapësirën ku mbahet ngjarja.

Në një njoftim nga “Next Level” thuhet se për idetë dhe aktivitetet artistike do të përkujdeset Donat Rashica, ndërsa për argëtimin e të pranishmëve me muzikë do të jenë disa DJ nga vendi dhe bota. Në mesin e tyre është D Master, Bannz. Dagz, PM, Gesundheit, Funk OFF, MiM dhe mysafirja speciale nga Japonia, “Hito”. /KultPlus.com