Studentë nga 41 shtete të ndryshme vizitojnë Muzeun e Masakrës së Krushës së Madhe dhe Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit

Muzeu i Masakrës së Krushës së Madhe dhe Shtëpia Muze e Ukshin Hotit sot janë vizituar nga Rektori i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, si dhe profesorë e studentë të programit të Shkollës Verore Ndërkombëtare 2024.

Sipas një njoftimi thuhet se pjesë e kësaj vizite ishin studentë nga 41 vende të ndryshme të botës, ku nga afër kanë parë dëshmi origjinale dhe janë njoftuar mbi nga masakrën e 25- 27 marsit 1999, nga e cila në Krushë të Madhe mbetën të vrarë 243 persona.

“Kënaqësi e jona të kemi vizitë nga Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren me programin e Shkollës Verore Ndërkombëtare 2024. Të pranishëm ishin Rektori Mentor Alishani, profesorë dhe studentë nga 4 kontinente prej 41 shteteve të ndryshme. Ju faleminderit!”, thuhet në njoftim.

Muzeu i krimeve të luftës në Krushë të Madhe është inauguruar me rastin e 25 vjetorit të masakrës. Ky muze ka përjetësuar dëshmi mbi atë që ka ndodhur në luftën e vitit 1999, duke shënuar një hap të rëndësishëm në aspektin e memorizimit në kujtesën kolektive./ KultPlus.com

Studentë të arkitekturës “zbulojnë” ndërtesat historike të Shkodrës

Një grup studentësh të Arkitekturës i janë bashkuar nismës së bashkëpunimit midis Drejtorise Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Universitetit Polis e Bashkisë Shkodër, me në fokus rilevimin e godinave që janë klasifikuar si pjesë e trashëgimisë historike e Shkodrës.

Grupi i studentëve zhvilloi rikonicionin dhe njohjen paraprake me 20 pasuri kulturore të integruara në Qendrën Historike si dhe bënë një përcaktim paraprak të dimensioneve dhe gabariteve teknike të tyre, që do pasohen në një fazë të dytë nga hartimi i projekteve të restaurimit.

Në terren u trajtua përdorimi i fotogrametrisë, programeve “Meshroom” dhe “Cloudcompare” dhe i instrumentave specifike si nivelues lazer apo meter lazer, si pjesë e rëndësishme e procesit teknik.

Organizatorët e këtij aktiviteti falënderuan për bashkëpunimin e mbështetjen të gjithë pronarët e pasurive kulturore, të cilët mikpritën me durim e kujdes grupin e arkitektëve të ardhshëm./atsh/KultPlus.com