Studentë nga Kosova përfitojnë nga marrëveshjet e MKRS-së në fushën e trashëgimisë kulturore

Studentë të Kosovës do të vazhdojnë studimet pasdiplomike në fushën e trashëgimisë kulturore në Angli e Francë, si rezultat i marrëveshjeve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Këshillin Britanik dhe Ambasadën e Francës. Me këtë rast, ministri Kujtim Gashi, i priti në një takim kandidatët të cilët priten të jenë kuadro në fushat përkatëse të trashëgimisë.

Arta Arifi, Atdhe Prelvukaj e Enes Lekiqi, janë studentët fitues të cilëtkanë fituar bursë për vazhdimin e studimeve pasdiplomike në Angli, pas përfundimit të fazave të konkursit, në kuadër të marrëveshjes së MKRS-së me Këshillin Britanik, ndërkaq, Marigona Ademi e Endrit Smajli, fitues të bursave për vazhdim të studimeve në fushën e trashëgimisë në Francë, në kuadër të marrëveshjes mes Ambasadës së Francës, Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe École Normale Supérieure në Paris.

Ministri Gashi u shpreh i kënaqur që në fushën ku mungojnë kuadrot, siç është fusha e trashëgimisë në përgjithësi, këta studentë kanë përzgjedhur pikërisht t’i vazhdojnë studimet e tyre, duke e konsideruar edhe një pasuri për vendin tonë. Ai i uroi për suksese studentët në fjalë, duke i porositur që dijen dhe përvojën e fituar ta sjellin në Kosovë, dhe ta vënë në shërbim dhe në të mirë të vendit tonë, duke e dëshmuar me fakte shkencore autoktoninë dhe lashtësinë e popullit tonë në këto treva.

“Ndjehem i lumtur që jeni treguar të gatshëm që të vazhdoni avancimin tuaj profesional dhe të ndiqni studimet pasdiplomike në këtë fushë deficitare siç është trashëgimia kulturore. Ju do të jeni një shpresë dhe do të plotësoni mungesat në këtë fushë”, tha para studentëve ministri Gashi.

Gashi po ashtu falënderoi edhe Këshillin Britanik dhe Ambasadën e Francës për mbështetjen duke u shprehur se ata kanë qenë dhe do të mbesin partnerë të rëndësishëm të ministrisë.

“Shteti i Britanisë së Madhe dhe ai i Francës janë dy shtete mike të Kosovës, dhe mbështetja e tyre në progresin e Kosovës është i pamohueshëm dhe i pakursyer dhe se populli i Kosovës i është mirënjohës dhe falënderues. Edhe në fushat që ka në përgjegjësi ministria, këto dy shtete kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë në aspekte të ndryshme”, tha ministri.

Ndërkaq, studentët falënderuan ministrinë për përkrahjen dhe përzgjedhjen duke theksuar se ata do të angazhohen maksimalisht që të sigurojnë dijen dhe përvojën e duhur dhe atë ta sjellin dhe ta aplikojnë në Kosovë, në shërbim të fushës së trashëgimisë kulturore. Studentët u shprehën se përmes bashkëpunimit që MKRS-ja ka ndërtuar me partnerët e saj, ka mundësuar që ëndrra e tyre të realizohet.

Kujtojmë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka themeluar fondin e bursave për trashëgimi, kulturore, për të subvencionuar trajnimin dhe shkollimin e kuadrave deficitare, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale e shkencore të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Marrëveshjet e nënshkruara me partnerë dhe projekti në fjalë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen./ KultPlus.com