Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 24 vjetorin e masakrës së 116 martirëve në Studime të Vushtrrisë, ka thënë se kjo masakër ishte e organizuar paraprakisht nga mekanizmat e politikë të regjimit serb, prandaj edhe duhet thënë prerazi se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, dhe se paqe të qëndrueshme në Kosovë mund të ketë vetëm kur autorët e krimeve të dalin para drejtësisë.
Presidentja Osmani po ashtu tha se plagët e mizorisë së serbëve të kryera në Studime kanë mbetur të skalitura në kujtesën kolektive, e të cilat e tregojnë çmimin e lartë të lirisë.
“Prandaj, sot si asnjëherë më parë duhet ta themi qartë dhe prerazi se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe se paqja e qëndrueshme e afatgjate është e mundshme vetëm kur autorët të dalin para drejtësisë dhe kur të zbardhet fati i mbi 1600 të zhdukurve me dhunë e kur të gjithë ata që kryen këto krime monstruoze të paguajnë për krimet që i kryen.”, ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani, gjithashtu ka thënë se fshati Studime është simbol i mbijetesës, krenarisë dhe simbol i ringritjes së kombit.
‘’Studimja është simbol i barbarisë së krimeve serbe, i policëve që ndanin fëmijët nga prehrit e nënave e që masakronin gratë shtatzëna, por Studimja është po ashtu simbol i mbijetesës, simbol i krenarisë për ata që ranë për këtë tokë, është simbol i ringritjes sonë si komb.’’, ka thënë Osmani.
Në fshatin Studime, ka ndodhur një nga masakrat më të mëdha të vendit, ku pë dy orë u vranë 116 martirë, në mesin e të cilëve pati edhe fëmijë dhe gra shtatzëna/KultPlus.com