Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi përshëndeti konferencën shkencore albanologjike ndërkombëtare “Studimet për shqiptarët në Francë”, që u zhvillua sot në Prishtinë.
Në fjalën e tij përshëndetëse akad. Gjinushi, tha se “tashmë u bë traditë që Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës të organizojë konferenca albanologjike duke iu referuar kufirit të gjuhës ose një areali të përafërt, si një mundësi jo vetëm për të evokuar, vlerësuar dhe shqyrtuar në mënyrë kritike arritjet e dijetarëve albanologë, shpesh herë të shfaqur edhe si qendra e shkolla mendimi e metode, por edhe për të verifikuar nivelet e disnivelet që rezultojnë brenda për brenda tyre dhe midis tyre e kërkimeve tona vendëse”.
“Këto konferenca, si ajo për studimet albanistike në arealin e gjermanishtes, të italishtes e të anglishtes, njëherësh janë dhe një rast për të kuptuar se ç’po ndodh me albanologjinë sot, ku po përforcohet e ku po dobësohet; ku mundet që qeveritë e vendeve tona të inkurajojnë interesin për shqipen, për qytetërimin shqiptar, për lashtësinë e popullit; gjithashtu dhe ku e kë duhet të nderojmë për kushtimin jetësor ndaj botës sonë jo aq fitimprurëse në veprimtarinë universitare dhe akademike në pikëpamjen e përfitimit financiar”, tha akademik Skënder Gjinushi.
Sa u takon studimeve për shqiptarët në Francë, që janë objekt i konferencës së sotme, Gjinushi theksoi dy çështje: “e para ka të bëjë me hershmërinë dhe shumanshmërinë e interesimeve frënge për botën shqiptare duke filluar prej Lavardin-it, përkthyesit apo, nëse doni, përshtatësit të Historisë së Skënderbeut në gjuhën frënge; deri tek shekulli i romantizmit, shoqëruar e vijuar me veprat me karakter etnologjik e historiografik; tek shekulli i 20-të, gjatë të cilit mund të flitet për krijimin e një shkolle franceze të studimeve shqiptare, me figura të tilla si Alain Ducellier e Christian Gut, me gjuhëtarët e kadareologët, që tashmë janë një skuadër e vërtetë”.
“Ajo që mund të identifikojë shkollën frënge të studimeve albanistike, ndryshe prej ndonjë tjetre, është se i mungon si rregull qasja kolonialiste apo neokolonialiste. Një ekzotikë bashkëshoqëruese, sidomos deri në mesin e shekullit XX, por edhe gjatë periudhës së mbylljes, është e kuptueshme, sepse shqiptarët ishin e panjohura. Por, me sa i njoh unë këto studime, nuk ka qëndrime metropolitane ndaj një bote provinciale e të prapambetur, dhe kjo shpreh jo vetëm vlera shkencore, por edhe një sjellje empatike ndaj nesh, që duhet vlerësuar”, – tha akad. Gjinushi.
Së dyti, Gjinushi veçoi rëndësinë e shkollës franceze për formimin e dijetarëve shqiptarë dhe për pajisjen e tyre me një metodë të shëndetshme kërkimore.
“Këtu kemi akademikët Rexhep Ismajli e Bahri Beci, që janë produkt i asaj shkolle, në të cilën u formuan edhe Selman Riza e Ibrahim Rugova, për të mbetur vetëm tek brezat e parë. Studiuesit albanologë që u formuan në shkollat franceze u bënë ura ndërkomunikimi dhe ndërkëmbimi dijesh dhe përvojash”, tha ai.
Gjinushi u shpreh se “konferencat albanologjike referuar kufirit të gjuhës nga njëra anë dhe botimi i studimeve të albanologëve të huaj në shqip e shpesh edhe në gjuhën e burimit janë dy nga traditat më ndërplotësuese të veprimtarisë kërkimore e botuese të ASHAK-ut, me një rëndësi të madhe për gjithë studimet shqiptar”.
Akad. Gjinushi theksoi se “dy akademitë tona po shkojnë vetvetiu drejt një kombinimi të suksesshëm të nismave të përbashkëta e të nismave plotësuese. Tashmë jemi në kohën që këtë çështje të mos ua lëmë protokolleve me kufij dyvjeçarë, por të mendojmë për më gjatë.”
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë bëri të ditur se Kuvendi i studimeve albanologjike që do të zhvillohet në Tiranë më 25-28 nëntor do të jetë një rast për të arritur në përfundime të dobishme edhe për këtë problem.
“Po ashtu, përvoja që po krijojmë duke punuar së bashku për disa projekte madhore në albanologji, si Enciklopedia shqiptare, është mësimdhënëse”, tha akademik Gjinushi. / KultPlus.com