“Studimet për shqiptarët në Francë”, konferenca shkencore ndërkombëtare e organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) në Prishtinë, më 29-30 tetor, prezantoi evoluimin përgjatë shekujve që studimet shqiptare kanë pasur në botën frankofone.
Në mesin e 40 studiuesve dhe kërkuesve shkencorë nga Kosova, Shqipëria, Franca dhe nga vende të tjera frankofone, Akademia e Studimeve Albanologjike u përfaqësua me kërkuesit e saj shkencorë në disa fusha.
Prof. asoc. dr. Evalda Paci ligjëroi për “Kontributet kërkimore të studiuesve francezë mbi çështje të latinitetit në viset shqiptare; prof. dr. Aurel Plasari mbi “Udhëtarët frëngj në Arbëri dhe koncepti i “historisë së gjallë”; prof. dr. Tomor Plangarica për “Kontributet e studiuesve francezë në kërkimin shkencor albanologjik e mësimdhënien e shqipes në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Lindore në Paris”.
Kontaktet e regjistruara të botës shqiptare me botën frënge datojnë qysh në kohën e Robert Guiscard-it në shek.XI, vazhdojnë me Anzhuinët dhe Karlin I në shek.XV.
Personalitete të letrave frënge si P. Lavardin, P. Ronsard, M. Montaigne, A. De Lamartine që kishin shfaqur admirim për Gjergj Kastriot-Skënderbeun, frymëzuan shkrimtarë, studiues e historianë që do të merreshin me botën shqiptare. Përkthimi i “Historisë së Skënderbeut” të Marin Barletit ishte një pikë referimi për njohjen që zgjerohet me epokën e Ali Tepelenës, intensifikohet gjatë romantizmit dhe përgjatë shek.XX.
Vëmendja e opinionit francez, sidomos e qarqeve intelektuale e shkencore, për Kosovën dhe shqiptarët, u zgjua pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, dhe kulmoi në vitet ’90.
Sot, studimet për shqiptarët, gjuhën, kulturën dhe për tërësinë e botës shqiptare, pretendohet se kanë hyrë në një fazë të re cilësore e sasiore.
Kjo konferencë është vazhdimësi e konferencave ndërkombëtare: Studimet Albanistike në Amerikë, Studimet Albanistike në vendet ku flitet gjermanisht dhe Studimet Albanistike në Itali. / KultPlus.com