Nuk ka vend në botë që nuk ka një shqiptar, thotë studimi

Profesori i historisë Francesco Perri ka prezantuar një studim në Tiranë në dhjetor të vitit të kaluar, që synim ka të identifikojë dhe lokalizojë të gjithë shqiptarët në botë.

Megjithatë, sipas studimit të kryer nga profesori Perri, shqiptarët janë detyruar të largohen nga vendi i tyre dhe të emigrojnë në periudha të ndryshme historike.

“Krahas shpërnguljeve të para, që nga koha e Skënderbeut, apo edhe më parë, një valë e re largimesh përfshiu popullsinë shqiptare, pas rënies së Perandorisë Osmane, e cila kishte pushtuar Ballkanin”, thuhet në studimin e Perrit.

Ai shton “se në copëtimin e Shqipërisë në vitin 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, u tentua të liheshin shqiptarët jashtë origjinës së tyre. Krahinat e tëra shqiptare iu dhanë fqinjëve të tyre. Mijëra familje shqiptare largohen nga vendi i tyre për të ndërtuar një jetë më të mirë, jashtë persekutimit dhe konflikteve kombëtare, në vende të ndryshme evropiane, por edhe më larg në Amerikë, Kanada dhe Australi”.

“Për më tepër, më shumë se 200 mijë kosovarë u strehuan në Turqi pas një marrëveshjeje mes Jugosllavisë dhe kësaj të fundit ”, thotë Perri.

“Edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore një pjesë e madhe e shqiptarëve, kundërshtarë të regjimit, lanë atdheun e tyre për të jetuar lirisht gjetkë, duke krijuar kështu një diasporë në shumë vende evropiane dhe në SHBA”.

Perri vazhdon të thotë se “Në vitin 1990, ambasadat e huaja u bënë strehë për ata që më pas u larguan me ose pa familjen për në Itali, Gjermani, Austri etj. Këto nisje do të vazhdojnë në vitet 1991-1992, ku eksodi i marsit me anijet shqiptare do të mbetet gjatë në mendjet e evropianëve, si një veprim i paparë më parë. Në atë periudhë u zhvillua një revoltë kundër diktaturës, e cila shpërtheu në eksodet historike të përmasave të mëdha. Më pas, në vitin 1977 ka pasur edhe “ arratisje të çorganizuara”, shkruan profesori.

Perri – i përcaktuar nga trazirat, përfshirë ato të dhunshme. Gjithçka nisi pas rënies së kompanive piramidale, të cilat ndezën kryengritjen popullore.

“Kjo situatë kushtoi dhjetëra jetë njerëzish dhe la pasoja të pallogaritshme në ekonominë shqiptare. Shumë shqiptarë u detyruan të shkonin të punonin jashtë Shqipërisë për të fituar të ardhura. Në atë periudhë destinacionet e tyre ishin kryesisht Italia dhe Greqia”.

Sipas disa të dhënave, sot në mbarë botën janë rreth 15 milionë shqiptarë.

Nga studimi i prof. Perri në veçanti tregon se Shqipëria ka rreth 3 milionë banorë, në Kosovë ka rreth 2 milionë shqiptarë, dhe në Maqedoninë e Veriut rreth 500 mijë shqiptarë.

“Mali i Zi, nga ana tjetër, ka rreth 40 – 50 mijë shqiptarë. Arvanitasit dhe shqiptarët që jetonin në Greqi në vitin 1951 llogariteshin të ishin rreth njëzet mijë”.

“Në Siri janë vendosur edhe shumë shqiptarë, rreth 550 familje. Si dhe në Bullgari, Rumani, Kroaci, Slloveni, Ukrainë, Argjentinë dhe Afrikën e Jugut”.

Megjithatë, destinacioni më i preferuar për shqiptarët është Amerika (SHBA). Duket se janë më shumë se 800 mijë shqiptarë, edhe pse ky numër nuk ka arritur të zyrtarizohet asnjëherë.

Në përfundim të punës së tij interesante, e cila përmban edhe baza statistikore, prof. Perri, për Evropën, shkruan se, në lidhje me praninë e shqiptarëve, situata është si më poshtë:

“Greqia, rreth 500.000, Gjermania, rreth 350.000, përfshirë edhe ata që vijnë nga zonat etnike; në Itali rreth 450 mijë dhe në Zvicër rreth 180 mijë shqiptarë etnikë; në Angli 40 mijë, në Belgjikë, rreth 40 mijë”.

Megjithatë, duke iu referuar arbëreshëve në Itali, ai rithekson se ata e kanë origjinën që në kohën e pushtimeve të para osmane, para dhe pas periudhës së Skënderbeut dhe se numri i tyre llogaritet rreth 110 mijë.

“Një numër më i vogël i shqiptarëve gjendet pothuajse në të gjitha vendet evropiane, por tani nuk ka asnjë cep të botës ku nuk gjejmë shqiptarë”.

Rinia Europiane dhe shqetësimet e saj, studimi: Brezi i krizës

Lufta në Ukrainë, kriza e klimës, Corona, – si është gjendja e të rinjve sot në Europë? Një studim i zgjeruar hedh dritë mbi rininë europiane dhe shqetësimet e saj.

Pushime verore në Glivice, Poloni. Aleksandra Piasecka, Lena Kubisa dhe Kinga Zuvala kanë shkuar në Detin Balltik për pushime, në Gdansk. Një plan, që tre shoqet e kishin përgatitur prej një viti, pra para luftës në Ukrainë, e cila ka ndryshuar edhe jetën e tyre. “Herë pas here mendoj për luftën, dhe më kap një si atakë paniku, sepse është shumë afër. Kam ndjesinë, se kjo frikë nuk do të zhduket, për sa kohë vazhdon lufta”, thotë Kinga. Ndërsa në familjen e Lenës jeton edhe një familje ukrainase, në apartamentin e gjyshes që për fat ishte bosh. “Sigurisht është një ndryshim i madh. Por natyrisht për këtë familje ndryshimi është edhe më i madh.” Aleksandra, Kinga dhe Lena janë rreth 18 vjeç dhe vitin e ardhshëm mbarojnë maturën. Ato nuk janë që vetmet që e vrasin mendjen për të ardhmen në kohë lufte.

Më shumë se 60% e europianëve në moshë të re e perceptojnë luftën në Ukrainë si një kthesë epokash. Këtë e tregon një studim përfaqësues “Europa e Re” e Fondacionit TUI. Instituti i informacionit, YouGov ka pyetur për këtë në prill 2022 më shumë 6200 të rinj nga mosha 16-26 vjeç në Gjermani, Britaninë e Madhe, Francë, Spanjë, Itali, Greqi dhe Poloni.

Sidomos në Gjermani, Greqi  dhe Poloni të rinjtë e vlerësojnë fillimin e luftës në Ukrainë si një kërcënim personal. Dhe të rinjtë tregojnë po ashtu një solidaritet të madh, si familja e Lenës. 68% e të rinjve janë të gatshëm të ndihmojnë refugjatët. “Më parë, para luftës, më të moshuarit thonin, ju të rinjtë e keni kaq të lehtë, por tani kam ndjesinë, se kanë më shumë empati për ne, që ne duhet të mësojmë në këto kushte të vështira, me kaq shumë faktorë stresi.”

Lufta e Ukrainës nuk është kriza e vetme që preokupon rininë. Kërcënimi më i madh për të rinjtë mbetet ndryshimi i klimës.

Ndryshimi i klimës tema kryesore

“Ndryshimi i klimës është diçka që na cënon të gjithë ne njerëzve. Prandaj shpresoj që të gjithë të zgjohen dhe të fillojnë të bëjnë vërtet diçka më shumë.” Javier Fabra Rodriguez është 25 vjeç dhe ka mbaruar masterin në histori, ai banon në qytetin spanjoll Kadiz. Veten ai e përshkruan si një njeri optimist, dhe më parë mendon se është europian, pastaj spanjoll. Por nëse ulet në një bar me miqtë e tij, gjëra e parë që kthehet në temë është frika, se nuk gjejnë dot punë. E gjithnjë e më shpesh ata flasin edhe për krizën e klimës. “Ne gjithmonë më parë ia kemi dhënë fajin sipërmarrjeve të mëdha që nuk kujdesen për klimën, apo se qeveria duhet të bëjë më shumë. Por një ditë ishim të gjithë të një mendimi, se vetë ne duhet të bëjmë më shumë, për shembull të mos hamë më mish, të riciklojmë, dhe të mos përdorim kaq shumë automjetet.”

Vërtet ndryshimi i klimës është ai që do t’i bënte shumë të rinj europianë të ndryshojnë stilin e jetesës. Më shumë se 60% e të rinjve janë të gatshëm të kufizojnë standardin e jetesës. 69% shohin një përgjegjësi të madhe individuale në luftë kundër ndryshimit të klimës. Një shumicë, 58% pret nga shteti më shumë tatime, rregulla dhe kufizime. Gati çdo i dyti i ri i intervistuar është i mendimit, se vendet e BE duhet të kenë më shumë prioritet ndryshimin e klimës se pavarësinë energjitike.

Roli i BE

“Europa është për mua vendi ku mund të shpalos personalitetin tim dhe të përmbush ëndrrat e mira. E që të kem të drejta ka rëndësi sidomos me sfondin tim”, thotë Daniela Cappuccio, që banon në veri të Italisë. Ajo është gjysmëkolumbiane dhe e ka kuptuar se sa të drejta dhe liri i ofron pasaporta europiane. 25 vjeçarja sapo ka mbaruar studimet e juridikut, punon dhe përgatitet për provimet e licensës si avokate. Prej vitesh ajo angazhohet, që t’iu shpjegojë të rinjve institucionet e BE në shkolla.

Për shumicën e të rinjve, 69% që u pyetën në studimin e TUI, BE është para së gjithash një bashkim ekonomik, dhe një hapësirë me kufij të hapur, ku mund të punosh dhe jetosh e lirë. 62% janë të mendimit, se Europa është edhe një aleancë për sigurimin e paqes. Në Spanjë dhe Italia ka shumë të rinj që duan një integrim më të madh të vendeve anëtare në BE. Ne presim nga BE që të zgjidhë problemet e mëdha, thotë Daniela, “por në të njëjtën kohë, nuk duam të dorëzojmë kompetencat kombëtare.”

Brezi i kompromisit

Në mënyrën e zgjidhjes së sfidave të rinjtë në Europë janë pragmatikë. 71% janë të mendimit se duhen bërë kompromise për të pasur sukses në mbrojtjen e klimës. 66% i kuptojnë masat e sotme si sigurim të lirisë së ardhshme. Masat politike si dërgimi i armëve në Ukrainë apo sanksionet ekonomike gjejnë një mbështetje të madhe. “Rezultatet e studimit tregojnë një brez që është realist në analizë dhe konstruktiv dhe pragmatik, kur vjen puna për formësimin e së ardhmes”, thotë Thomas Ellerbeck, kreu i bordit të fondacionit TUI mbi rezultatet e studimit.

Gjatë pandemisë shumë të rinj dhanë shenja të depresionit. Më shumë se tre nga pesë të pyetur në studim thanë, se pandemia ka rrezikuar shëndetin e tyre psikologjik. Krizat aktuale kanë ndikuar në ndjenjën e optimizmit të rinisë. Sipas studimit ai ka arritur një pikë të re të rënies. Kausar Vahaazzidi, një 16 vjeçare nga Hamburgu, e cila rrëfen, se gjatë pandemisë njihte shumë vetë që kishin probleme me depresionin, sot angazhohet tek grupi rinor i Partisë Socialdemokrate për çështjet e refugjatëve, arsimit dhe klimës. “Ne të rinjtë nuk kemi dikë aty që thotë, ja si ndjehen të rinjtë. Më shumë kam ndjesinë se në politikë bëhen më shumë supozime, dhe se si duhet të ndjehen të rinjtë, vendimet merren pa ne.”

BE duket se e ka kuptuar se ka një problem me angazhimin e rinisë dhe e ka shpallur vitin 2022 si Vitin Europian të Rinisë./DW / KultPlus.com

Studimi i Univrsitetit të Xhorxhias: Po u besojmë më shumë kompjuterëve, sesa njerëzve

A ju ndodh shpesh të kërkoni makinën llogaritëse, madje edhe për llogaritjet më të thjeshta matematikore? Këto kohë ka shumë shqetësime se teknologjia, siç është inteligjenca artificiale, është shumë e zgjuar për të mirën e vet.

Pavarësisht nga frika se sa ndërhyrëse po bëhen algoritme e saj, një studim i ri zbulon se njerëzit janë në fakt më të gatshëm t’i besojnë më shumë një kompjuteri sesa shokut të tyre. Studiuesit në Universitetin e Xhorxhias në SHBA, thonë se kjo është veçanërisht e vërtetë kur njerëzit i shohin detyrat si shumë sfiduese për t’i kryer vetë.

Megjithatë, nuk janë vetëm “detyrat e vështira” për të cilat njerëzit i drejtohen për ndihmë kompjuterëve. Nga zgjedhja e këngës së radhës për të dëgjuar, tek gjetja e pantallonave më të përshtatshme, algoritmet po marrin gjithnjë e më shumë peshë në vendimet e përditshme në jetën e njerëzve, pavarësisht nëse ata e kuptojnë apo jo.

“Algoritmet janë në gjendje të bëjnë një numër të madh detyrash, dhe numri i detyrave që ato janë në gjendje të bëjnë, është duke u zgjeruar praktikisht çdo ditë”- thotë Erik Bogert, doktorant në Kolegjin Terri të Departamentit të Biznesit të Sistemeve të Informacionit të Menaxhimit, në një botim të universitetit.

“Duket sikur ka një paragjykim drejt mbështetjes më të madhe tek algoritmet, kur një detyrë bëhet më e vështirë, dhe ai efekt është më i fortë se sa paragjykimi ndaj mbështetjes tek këshillat e njerëzve të tjerë”-shton ai.

Studiuesit vlerësuan përgjigjet e 1.500 individëve të ngarkuar me numërimin e njerëzve në një seri fotografish. Gjithashtu, ekipi u dha pjesëmarrësve sugjerime se si ta bënin këtë, nga njerëz të tjerë apo me algoritme kompjuterike.

Ndërsa turma në fotografi bëhej gjithnjë e më e madhe dhe më e vështirë për t’u numëruar, vullnetarët kishin më shumë gjasa të ktheheshin tek sugjerimet e kompjuterit, sesa të ndiqnin intuitën e tyre. Bashkë-autori i studimit, Aron Shekter, thotë se detyrat e numërimit janë një mënyrë e përsosur për të matur besimin tek kompjuterët.

Ndërsa numri i njerëzve rritet pas çdo fotoje që kalon, detyra bëhet më e vështirë për t’u kryer nga njerëzit. Ekipi i studiuesve shton se këto detyra janë gjithashtu lloji i problemeve që njerëzit presin të zgjidhen nga kompjuterët.

“Kjo është një detyrë, për të cilin njerëzit e perceptojnë se një kompjuter do të ishte më i aftë për ta zgjidhur, edhe pse mund të jetë më shumë subjekt i paragjykimit, sesa numërimi i objekteve”- shpjegon Shekter. Por vetëm për shkak se një program kompjuterik është thjesht një grumbull të dhënash, kjo nuk do të thotë që nuk ekzistojnë paragjykimet.

Shekter vëren se algoritmat e njohjes së fytyrës dhe të punësimit, janë kritikuar së fundmi për shkak të paragjykimeve kulturore të përfshira në programet e tyre. Dhe ato mund të çojnë në pasaktësi kur përputhin fytyrat me identitetet, ose kur verifikojnë kandidatët e kualifikuar për një vend pune.

Ky studim, është pjesë e një studimi më të madh të Shekter mbi bashkëpunimin njeri-makinë, të financuar nga ushtria amerikane. ”Synimi përfundimtar, është të shohim grupe njerëzish dhe makinerish që marrin vendime të ndryshme, dhe të gjejmë mënyrën se si mund t’i bëjmë ata ta besojnë njëri-tjetrin, dhe se si kjo e ndryshon sjelljen e tyre”- përfundon Shekter. /bota.al/ KultPlus.com

Të kesh një motër ju bën më të lumtur

Hulumtimet nga Universiteti De Montfont dhe Universiteti Ulster pretendojnë se të paturit e një motre ju bën më të lumtur dhe më optimistë.

Gjatë këtij Studimi janë intervistuar rreth 571 të rinj të moshave 17 deri në 25 vjeç për jetën e tyre dhe zbuloi se ata që u rritën me motra kishin më shumë mundësi të ishin të lumtur.

Plotësimi i pyetësorëve psikologjik të përdorur u bë për të vlerësuar një sërë çështjesh, duke përfshirë shëndetin mendor dhe një pikëpamje pozitive.

Në fund rezultoi se motrat inkurajojnë vëllezërit e motrat e tyre të jenë më të hapur dhe komunikues për ndjenjat e tyre, gjë që promovon shëndet të mirë mendor./ KultPlus.com