Studioja arkitekturore spanjolle ‘Selgascano Architects’, fituese e konkursit ndërkombëtar për Rozafën e re

Studioja arkitekturore “Selgascano Architects” nga Madridi është shpallur fituese e konkursit ndërkombëtar për Rozafën e re.

Pesë skuadra me prestigj në arkitekturë paraqitën përpara jurisë projektidetë për Rozafën e re, e cila do ta ripërtërijë e zgjerojë hotelin kryesor të qytetit, me një kapacitet të ri për Shkodrën që rilind dita-ditës dhe fiton përmasën e re të një destinacioni të Shqipërisë Turistike

Anëtari i jurisë, arkitekti Camillo Rebelo vlerësoi projektet e prezantuara nga studiot arkitekturore.

Për projektin fitues, Rebelo u shpreh se, “jemi shumë të tërhequr nga atmosfera e projektit. Ndjejmë se ka shumë ndikim dhe është entuziasmues. Këto fjongo kanë potencialin të përkufizojnë një shkallë të re urbane dhe mjaft humane. Është e ngurtë dhe e qartë në të njëjtën kohë. Ndjejmë që ka një elasticitet në të gjithë logjikën. Thjesht na pëlqen ky koncept si ikonë, kështu që ju fitoni”.

Përfaqësuesit e studios “Selgascano Architects” nga Madridi treguan se për të ndërtuar projektin e Rozafës së re kishin punuar me tre pamje, Liqenin e Shkodrës, Alpet e Shqipërisë si dhe lumenjtë Buna e Drin.

“Punuam po ashtu me 4 madhësi për ta bërë më të lehtë e më njerëzore këtë kullë“, shprehen ata.

Ata shprehen se kulla është e organizuar në tre blloqe, poshtë pjesa tregtare, apartamentet, dhë më pas hoteli që do të jetë në pjesën e  sipërme.

Ata siguruan se do të ruhet dhe do të shtohet gjelbërimi në t gjithë zonën.

5 studio të mirënjohura europiane paraqitën sot në një konkurs ndërkombëtar të mbajtur në Shkodër, projektidetë për Rozafën e re.

Studiot pjesëmarrëse ishin Benedetta Tagliabue – EMBT Architects nga Barcelona; Kuehn Malvezzi Architects nga Berlini; Selgascano Architects nga Madridi; Baukuh Architects nga Milano dhe Piero Lissoni & Partners nga Milano.

Në prezantim ishin të pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama si dhe kreu i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci./atsh/ KultPlus.com