Projektet e organizatave dhe individëve që kanë aplikuar në thirrjen publike të MKRS, do t’i nënshtrohen rivlerësimit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti ka dalur me një njoftim për organizatat dhe individët që kanë aplikuar në thirrjen publike të MKRS për subvencionim në art dhe trashëgimi kulturore, të shpallur në prill 2022:

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke u mbështetur në vlerësimet e njësive organizative dhe në bazë të diskutimeve me përfaqësuesit e komunitetit kulturor, ka identifikuar mangësi sistematike në mënyrën e shpërndarjes së fondeve për projektet kulturore dhe artistike gjatë viteve.

Nisur nga kjo, ne kemi ndërmarrë hapa konkret për të reformuar skemën e shpërndarjes së fondeve, bazuar mbi principet e llogaridhënies dhe transparencës së plotë. Këta hapa janë ndërmarrë në dy drejtime: përmirësimet në rregullimin aktual juridik dhe krijimin e bazës ligjore për transformimin e tërësishëm të këtij procesi, përmes instrumenteve rregullative që jemi duke i zhvilluar.

Procesi i aplikimit online është dizajnuar me qëllimin primar që të sigurohet një proces me transparencë të plotë në shpërndarjen e fondeve. Një vullnet dhe përcaktim primar i yni, por njëkohësisht edhe kërkesë legjitime e pranuar gjatë viteve të fundit nga komuniteti artistik.

Jemi të vetëdijshëm se ndërrimi i formave konvencionale të operimit, me një proces të tillë të rëndësishëm për skenën e pavarur kulturore të vendit, mund të shoqërohet me vështirësi objektive deri në konsolidim të procesit. Vështirësitë janë identifikuar qoftë nga ana e realizimit të tij, si përgjegjësi e MKRS –së apo edhe e gjatë procesit të aplikimit nga ana e komunitetit.

Duke u bazuar në vështirësitë teknike që janë paraqitur në raport me sistemin dixhital të aplikimit, dhe duke synuar arritjen e rezultateve të pranueshme për komunitetin por edhe për politikat publike në fushën e kulturës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka vendosur të bëjë rivlerësimin e të gjitha aplikimeve nga thirrja publike për subvencionim.

Ministria ka mobilizuar të gjitha kapacitetet e nevojshme që rivlerësimi të kryhet brenda një afati të shkurtë. Të gjitha projektet e organizatave dhe individëve që kanë aplikuar në këtë thirrje do t’i nënshtrohen rivlerësimit që si qëllim primar, ka kryesisht eliminimin e shkaqeve e defekteve që janë paraqitur në raportin ndërmjet kërkesave të thirrjes publike dhe kërkesave që ka parashtruar platforma.

Ndërsa për organizatat dhe individët që nuk kanë arritur të aplikojnë në thirrjen e fundit, ju njoftojmë që pas shpalljes së rezultateve të thirrjes paraprake, do të shpallet thirrja e re publike për subvencionim në art dhe trashëgimi kulturore. Në thirrjen e re, të drejtë aplikimi do të kenë edhe organizatat për projekte të cilat afatin e realizimit e kanë brenda harkut kohor të vitit fiskal aktual.

Ne i kemi marr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar aplikim më të qartë e më të kuptueshëm në thirrjen e re publike përmes sistemit dixhital. Duke ju falënderuar për mirëkuptimin, ju sigurojmë që MKRS do të vazhdojë të punojë në rritjen e mbështetjes financiare për skenën e pavarur kulturore. / KultPlus.com