Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu ka bërë të ditur se institucionet e shtetit të Kosovës ditëve të fundit janë përballur me sulme kibernetike, të cilat kanë ardhur nga jashtë vendit, por për momentin gjendja është stabile – shërbimi i internetit si dhe shërbimet tjera online dhe ueb faqet janë funksionale.
Në një postim në Facebook, Kryeziu ka thënë se sulmi kibernetik nuk ka depërtuar brenda infrastrukturës se rrjetit kompjuterik shtetëror pasi që është bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë.
“Është identifikuar që sulmi kibernetik ka ardhur nga jashtë Kosovës dhe si target ka pasur IP-në në të cilën kanë qenë të publikuar disa ueb faqe të Institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
Ekipi i sektorit të sigurisë kibernetike në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm kanë identifikuar se problemi me shërbimin e internetit është si pasojë e sulmit kibernetik.
Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, përkatësisht ekipi i sigurisë kibernetike, ka ndërmarrë veprime konkrete me qëllim të tejkalimit të këtij sulmi kibernetik dhe kthimit në funksion të shërbimit të internetit.
Për momentin, gjendja është stabile – shërbimi i internetit si dhe shërbimet tjera online dhe ueb faqet janë funksionale dhe të qasshme, ka thënë Kryeziu.
Ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI do të vazhdojë me monitorimin e sigurisë së shërbimeve dhe sistemeve qeveritare dhe do të ndërmarrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e funksionimit dhe sigurinë e tyre, ka shtuar ai.
Dy ditët e fundi ka pasur probleme të kohë pas kohe me shërbimin e internetit në Institucionet e Republikës së Kosovës./ KultPlus.com