Ish-komandanti i KFOR-it: Sulmi në Banjskë ishte terrorist, të përfshira në të edhe institucionet e Serbisë

Gjenerali Erhard Buhler, i cili për një vit ishte komandant i KFOR-it, vazhdon të monitorojë situatën në Kosovë, veçanërisht situatën e sigurisë.

Ai ka komentuar sulmin terrorist në manastirin në fshatin Banjskë, i cili u krye para disa muajsh nga një grup i armatosur nga Serbia dhe deklaratën e fundit të ministrit të Brendshëm të Kosovës, rreth asaj se si kanë informacione se rreth dyqind veta nga Serbia janë të armatosur dhe të gatshëm për një lloj sulmi në Kosovë.

“Ajo pjesë e Evropës, jo vetëm Kosova, u destabilizua pas fillimit të luftës ruso-ukrainase. Sulmi në manastirin në fshatin Banjskë ishte padyshim një sulm terrorist. Me sa di dhe mund të gjykoj, nuk është e mundur që ata ta kenë kryer sulmin vetëm. Disa institucione të forcave të sigurisë serbe duhet të kenë qenë të përfshira. Të paktën ata e dinin për sulmin dhe e mbështetën atë. Ndryshe, nuk mund të ushtrohen në terrenin zyrtar të forcave serbe. (…) Në një vend si Serbia, kjo nuk është e mundur pa e ditur nivelet më të larta”, tha Buhler në një intervistë për televizionin publik kroat, HRT, transmeton Klankosova.tv.

Lidhur me kërcënimin e ri, ai tha se nuk ka informacione të tilla që me siguri kanë shërbimet e inteligjencës.

“Kosova është në pozitë shumë të mirë. Në Kosovë ka forca ushtarake me mandat të Këshillit të Sigurimit. Ata shqetësohen për sigurinë e Kosovës. Asnjë vendim nuk duhet të merret, asnjë konsultim për nenin e 5-të, nuk keni nevojë për ndonjë vendim. Paqeruajtësit janë tashmë atje. Janë 6000 ushtarë nga vendet tona: nga Kroacia, Gjermania, ShBA, etj. Nëse e dimë këtë, nuk ka arsye të vazhdojmë me atë retorikë luftarake, nga të dyja palët”, tha ish-komandanti i KFOR-it.

Ai shtoi se nuk është e pranueshme që të përkrahet një grup terrorist dhe as që është e pranueshme që ushtria serbe të dërgojë trupa në kufirin me Kosovën dhe të kërcënojë Kosovën.

“Nuk është e pranueshme as retorika e qeverisë serbe. Por gjithashtu nuk është e nevojshme të flitet vazhdimisht për luftë. Është një pengesë në zhvillimin e të gjithë rajonit. Nuk duhet të ushqejmë një retorikë të tillë që i frikëson njerëzit, veçanërisht në Kosovë, por edhe në vendet përreth Kosovës”, tha Gjenerali gjerman, Erhard Buhler. /Klankosova.tv/KultPlus.com

Nga sulmi tragjik në shkollën e Finlandës, në mesin e të plagosurve edhe një vajzë shqiptare nga Kosova

Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar se në mesin e të plagosurve nga një sulm në një shkollë të Finlandës gjendet edhe një vajzë shqiptare nga Kosova.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm ka njoftuar se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase dhe me familjen e vajzës së plagosur, dhe se në vazhimësi do të njoftoj për të rejat lidhur me këtë ngjarje tragjike.

Më poshtë gjeni komunikatën e plotë të MPJ:

Të nderuar qytetarë,

Në lidhje me ngjarjen tragjike që ndodhi sot në qytetin Vanta/Finlandë, respektivisht shkollën Viertola, ku u vra një person dhe dy të tjerë u plagosën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Stokholm ka arritur që të konfirmojë nga familjarët se në mesin e të plagosurve është edhe një vajzë shqiptare nga Kosova.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase dhe me famijen e vajzës së plagosur dhe ka ofruar ndihmën e saj sipas udhëzimeve të pranuara nga MPJD.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t‘ju mbajë të informuar sapo të pranojë dhe konfirmoj informatat e reja që ndërlidhen me këtë ngjarje tragjike./KultPlus.com

Kryeministri Kurti kujton 26-vjetorin e sulmit kriminal serb mbi familjen Jashari

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar ditën e 22 janarit të vitit 1998, kur njësite të policisë së Serbisë, e kryen aksionin e dytë kriminal mbi familjen e Shaban Jasharit në Prekaz të Poshtëm të Drenicës.

Kryeministri Kurti ka thënë se policia e Serbisë kishte planifikuar çdo gjë për këtë sulm, përveç faktit që familja Jashari nuk dorëzohej para asgjëje.

Më poshtë është shkrimi i plotë i Kryeministrit Kurti për Familjen Jashari:

Atë ditë të enjte, rreth orës 05:25 të mëngjesit, policë të njësiteve speciale të Serbisë që ishin stacionuar në fabrikën e municionit në Prekaz, nisën një aksion të rrufeshëm mbi shtëpitë e Shaban Jasharit. Duke dashur t’i zinin në befasi, synonin t’i arrestonin apo edhe t’i vrisnin dy djemtë e Shabanit: Hamzën dhe Ademin, por pa e kursyer askënd. Kishte gjashtë muaj që policia e vëzhgonin edhe me kamera 24 orë shtëpinë dhe familjen e Shaban Jasharit, prej nga pothuajse gjithçka ishte planifikuar në shërbim të këtij aksioni.

Kishin menduar t’i shfrytëzonin ditët e muajit të Ramazanit kur agjërohet, për çka kishin sulmuar pak minuta pas syfyrit, kur pas këtij vakti të ngrënies njerëzit janë në gjumë. Në mesnatë e kishin ndërprerë energjinë elektrike dhe linjat telefonike. Kishin mobilizuar njësite speciale të policisë të trajnuara për aksione speciale dhe të armatosura me armë kalibrash të rëndë. Por nuk e kishin planifikuar vetëm një gjë: që Shaban Jashari me familjen e tij nuk dorëzohej, sepse ishte i armatosur edhe me armë zjarri edhe me armët e idealeve të lirisë, të guximit për të luftuar dhe për të jetuar në liri sipas traditave shqiptare.

Aksioni filloi me tri predha të hedhura nga distanca: një në dyer të oborrit, një në ahur dhe një në oborr. Pastaj një seri predhash dhe rafale plumbash u shtien në drejtim të shtëpive të Shaban Jasharit, duke ndriçuar në errësirën e atij mëngjesi të hershëm dhe të ftohtë të janarit, në fshatin e terrur pa rrymë elektrike. Ademi nuk ishte aty, kishte qëlluar te daja i tij Osman Geci në Llaushë. Nën dritën e zjarrit të stufës në odë, Shabani me tre nipat e tij, Fitimin (17), Kushtrimin (13) dhe Besimin (16), i mbushën armët dhe nisën të rezistojnë.

“Derisa i kanë thyer dyert e kanë shtirë prej së largu, kam pritur dhe nuk kam reaguar, por kur e pashë se janë kah ma rrënojnë shtëpinë dhe kah m’i vrasin të gjithë anëtarët e familjes, atëherë kam nisur të shtie. Gjithkush do ta mbronte pragun e vet. Tjetër shtëpi nuk kam, e kam vetëm këtë, prandaj pragun e shtëpisë do ta mbrojë.” Kështu i tha po atë ditë Shaban Jashari gazetarëve Hamide Latifi dhe Sabit Istogu.

Në anën tjetër të oborrit, nga dritaret e thyera prej sulmeve, Hamza luftoi me automatik dhe duke hedhur disa bomba dore në drejtim të policëve që kishin hyrë në oborr. Nëna Zahide me gratë dhe fëmijët, po mbroheshin brenda në shtëpi, siç rrëfeu më pas ajo vet: “Ishim duke u bërë gati të flejmë pas syfyrit, kur përnjëherë oborri u zdritë edhe nisën krismat. U mblodhëm me fëmijët dhe gratë dhe u strehuam në një dhomë. Dy mbesa më janë plagosur, por shpëtuam nga vdekja.” Atë ditë, plumbat e policëve serbë i qëlluan duke i plagosur Selvete Hamëz Jasharin (20) në shpinë dhe Iliriana Rifat Jasharin (25) në dorë.

Gjithçka ndodhi brenda gjysmë ore, deri në ora 06:00 kur policët nisën të tërhiqeshin me të plagosur mes tyre dhe duke lënë pas në oborrin e shtëpive të Shaban Jasharit predhahedhës dhe municione. Në tërheqeje e sipër, policia shtiu dhe e vrau Hysen Manxhollin, një 55 vjeçar nga fshati Mikushnicë, e i cili po shkonte në punë në fabrikën e tjegullave në Skënderaj. Dy ditë më pas, më 24 janar, Hysenin e varrosën në Mikushnicë 20.000 njerëz. Autoritetet shtetërore të Serbisë heshtën për vrasjen dhe plagosjet, duke e aktivizuar propagandën për “terroristët shqiptarë” që e kishin sulmuar policinë dhe që pastaj kinse ishin tërhequr në shtëpinë e Shaban Jasharit prej ku kishin rezistuar.

Që nga paradita e 22 janarit, mijëra njerëz i shkuan për vizitë Shaban Jasharit në shtëpinë e tij, duke e ngushëlluar për mbesat e plagosura dhe dëmet materiale, si dhe duke e mbështetur për rezistencën. Dhjetëra reportazhe gazetash dhe kronika televizive u realizuan në ditët në vijim duke e dëshmuar të vërtetën e atyre ngjarjeve. Ky aksion i policisë së Serbisë ndaj familjes së Shaban Jasharit, erdhi plot 6 vite pas aksionit të 30 dhjetorit të vitit 1991. Ndërsa vetëm një muaj e gjysmë më pas, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, mijëra policë dhe ushtarë të Serbisë e kryen aksionin e tretë dhe më fatalin në Prekaz, duke i vrarë 20 anëtarë të familjes së Shaban Jasharit nga 59 sa u vranë gjithsej ato ditë në Prekaz. Pas kësaj, lufta e Kosovës u bë një gjendje e pakthyeshme pas sikur edhe rezistenca e armatosur deri në çlirimin e Kosovës.

Sot bëhen 26 vite nga aksioni i policisë serbe në Prekaz dhe rezistenca e familjes së Shaban Jasharit. I kujtojmë këto ngjarje sot dhe në çdo përvjetor, sepse janë kapituj historie në rrugën e gjatë të shqiptarëve për t’u çliruar nga Serbia dhe për të jetuar të lirë në Kosovë!/KultPlus.com

“Këtu ka luftë, njerëzit po vriten, madje dhe fëmijët, askush s’po bën asgjë”, kështu raportoi BBC për sulmin ndaj familjes Jashari

Më 5, 6 dhe 7 mars shënohet 25-vjetori i sulmit të dytë të forcave të Serbisë ndaj familjes Jashari në Prekaz. 

Në sulmin ndaj familjes Jashari ranë 59 anëtarë të kësaj familjeje, duke u bërë shembulli më unik i sakrificës për liri që bota nuk e kishte parë deri atëherë.

Kulla e Jasharajve ishte rrethuar dhe sulmuar me të gjitha armët që kishte ushtria serbe.

Aty ra edhe komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari.

Kjo ngjarje mori jehonë të madhe edhe në mediat e rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë edhe BBC-në.

BBC raportonte se komandanti legjendar Adem Jashari u vra më 7 mars 1998, pas një sulmi brutal dhe një masakre nga forcat serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz.

BBC, më 7 mars 1998, raportoi për vrasjen e Adem Jasharit, duke thënë se brenga ndërkombëtare po shtohet në lidhje me luftimet e ashpra në Kosovë, ku forcat ushtarake dhe policore serbe po luftojnë kundër “separatistëve shqiptarë”.

Autoritetet serbe thonë të kenë goditur zemrën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kanë vrarë liderin e saj, Adem Jasharin, shkruan BBC në shkrimin e 7 marsit të vitit ‘98.

Por, gazetari i BBC-së, Paul Wood, në një raport ekskluziv nga Kosova, ka parë për së afërmi shtëpitë e pjesëtarëve të dyshuar të UÇK-së, duke u djegur apo duke u rrënuar nga automjetet ushtarake.

Ishte edhe ndëshkim, por edhe paralajmërim për pjesën tjetër të fshatit.

Serbët thonë se po e luftojnë terrorizmin, por Paul Wood thotë se nuk ka nevojë për operacione ushtarake të kësaj shkalle.

Shumë familje po ikin nga shtëpitë e tyre, po i kalojnë netët nëpër male, ndërsa partia kryesore politike shqiptare ka akuzuar serbët se kanë ndërmarrë një fushatë të re të spastrimit etnik.

“Duhet të ikim”, thotë një fshatare. “Këtu ka luftë. Njerëzit po vriten, madje dhe fëmijët. Dhe askush s’po bën asgjë”.

Ndërkaq më vonë, korrespodenti i BBC-së, Allan Little, më 12 mars të vitit 2000, pati shkruar se si marsin e vitit 1998, forcat serbe ishin futur në Prekaz dhe me tanke e automjete tjera të armatosura, rrafshuan shtëpinë e familjes Jashari. Beogradi, siç citon BBC, Adem Jesharin e quante “terrorist famëkeq”.

“Ishte një aksion normal policor kundër një krimineli të njohur”, citon BBC gjeneralin serb Nebojsha Pavkoviq. “Ishte i suksesshëm. Detajet tjera s’më kujtohen”.

Por, BBC thotë se detajet që Pavkoviq kishte vendosur të mos i kujtonte ishin brengosëse.

Pesëdhjetepesë anëtarë të familjes Jashari janë vrarë. Sipas BBC-së, “në Serbinë Millosheviqiane, natyrisht se ky është krejt një aksion normal policor”.

Por, sipas fjalëve të një gazetari të spikatur shqiptar, ishte gjithashtu një “favor i pamëshirshëm ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Masakra e Prekazit ishte një thirrje e mprehtë për ata mijëra burra shqiptarë që i ishin bashkëngjitur radhëve të një grupi të vogël e nën hije të luftëtarëve të njohur si UÇK.

Por, më qenësore ishte se Prekazi do të ndryshonte edhe opinionin publik ndërkombëtar.

“Sapo t’i marrim fotografitë e Prekazit, do t’i vendosim në internet”, citon BBC, Veton Surroin, një botues gazete.

Ndërkaq, BBC në vitin 2015, kishte realizuar edhe një dokumentar për familjen Jashari.

Filmimi, i cili zgjat katër minuta ka protagoniste Besartën, e cila është e mbijetuara e vetme e familjes së Adem Jasharit, që ishte vetëm 10 vjeçe atë kohë. Ajo flet për ditën e tmerrit, kur humbi familjen, shkruan ndër tjerash BBC. / Express / KultPlus.com

Të shtënat në Oslo, Policia: Sulmi në Norvegji po trajtohet si terrorizëm islamik

Një 42-vjeçar është arrestuar dhe akuzuar për vrasje, tentativë vrasjeje dhe akte terroriste pas të shtënave në qendër të kryeqytetit të Norvegjisë, Oslo, transmeton KultPlus.

Dy persona u vranë dhe 21 u plagosën në sulmin në një lagje herët të shtunën.

Policia tha se e konsideron sulmin një akt të terrorizmit ekstrem islamik.

Viktimat u qëlluan brenda dhe jashtë Londrës Pub, një vend i njohur LGBTQ+, dhe pranë klubit të xhazit Herr Nilsen dhe një pijetore tjetër.

Parada vjetore e krenarisë së homoseksualëve në Oslo do të mbahej të shtunën dhe u anulua zyrtarisht me këshillën e policisë.

Por pavarësisht kësaj, qindra njerëz marshuan pranë vendit të ngjarjes më vonë gjatë ditës, duke bërtitur: “Ne jemi këtu, ne jemi të çuditshëm, ne nuk do të zhdukemi!”

Kryeministri i Norvegjisë Jonas Gahr Stoere e quajti atë një “sulm të tmerrshëm dhe thellësisht tronditës ndaj njerëzve të pafajshëm”.

“Të gjithë homoseksualëve që tani kanë frikë dhe janë në zi, u them se jemi të gjithë me ju”, tha ai në Facebook.

Mbreti Harald, monarku i Norvegjisë, tha se ai dhe familja e tij ishin “të tmerruar” nga dhuna.

Ai tha se “ne duhet të qëndrojmë së bashku” për të mbrojtur “lirinë, diversitetin dhe respektin për njëri-tjetrin”.

Ministrja e Drejtësisë e Norvegjisë Emilie Enger Mehl tha se incidenti kishte tronditur vendin.

“Norvegjia është një komunitet besimi ku të gjithë duhet të ndihen të sigurt jashtë një të shtunë natën,” e citoi NRK të thoshte ajo. /KultPlus.com

Sulmi 78 ditor kundër serbëve

Fillimi i bombardimeve të NATO-s kundër bazave të forcave serbe në luftën e Kosovës, do të niste më 24 mars të 21 viteve më parë. Ndërhyrja e NATO-s, si atëherë edhe sot has në reagime kontradiktore.          

Ish – kancelari gjerman Gerhard Schröder pohon se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë nuk ka pasur për bazë mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB, sepse Rusia ka qenë kundër ndërhyrjes. Por Schröder dhe kabineti i tij qeveritar vendosën që Gjermania për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore të bëhet pjesë e një ndërhyrjeje ushtarake jashtë vendit. Ndërhyrja në Kosovë e forcave perëndimore u quajt në atë kohë si “ndërhyrje humanitare” dhe kishte për qëllim shpëtimin e shqiptarëve nga represioni i forcave serbe.

Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish – Jugosllavi, ka konstatuar më vonë në vendimet për dënimin e ish-krerëve të Serbisë dhe ish-Jugosllavisë se forcat serbe kanë bërë përpjekje për spastrim etnik në Kosovë, përmes vrasjeve dhe dëbimeve masive të shqiptarëve.

Debati për ndërhyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë është riaktualizuar në Gjermani dhe qarqet perëndimore pas krahasimeve të presidentit të Rusisë Vlladimir Putin mes Krimesë dhe Kosovës. Shumica e analistëve gjermanë janë të mendimit se këto ndërhyrje nuk mund të krahasohen dhe se mes tyre s’ka asnjë ngjashmëri veç faktit, se për to s’ka pasur mandat nga Këshilli i Sigurimit. Në dallim nga Kosova dhe shqiptarët, në Ukrahinë nuk ka pasur dëbime dhe dhunë masive ndaj rusëve. Ukraina në dallim nga Jugosllavia e dikurshme nuk ndodhet në proces shpërbërjeje. Nga ana tjetër ndërhyrja në luftën e Kosovës nuk kishte synim aneksimin e saj nga një vend tjetër as nga SHBA-ja, as nga Gjermania apo ndonjë vend tjetër. Ndërsa ndërhyrja ruse në Krime ka për qëllim shkëputjen e këtij territori nga Ukraina si shtet sovran dhe bashkimin e tij me Rusinë.

Bilanci i sulmeve

Mediat kujtojnë edhe bilancin e sulmeve të NATO-s, të cilat kanë zgjatur 78 ditë. Bombardimet filluan pas aksioneve të shumta të forcave serbe, djegieve dhe dëbimeve masive në vitin 1998 dhe pas dështimit të Konferencës së Rambujesë për një marrëveshje paqësore me Beogradin. Pasi dështuan edhe përpjekjet e fundit të ndërmjetësuesit të atëhershëm amerikan Richard Holbrooke, bombardimet filluan më 24 mars 1999 në orën 20:00. Sulmet ndaj forcave serbe u ndërprenë më 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, me të cilën presidenti i atëhershëm i Republikës Socialiste të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, pranoi t’i tërheqë trupat nga Kosova.

Nga bombardimet janë vrarë, sipas vlerësimeve serbe, rreth 1.200 – 2.500 ushtarë dhe civilë serbë. Janë shkatërruar në masë infrastruktura dhe objektet e ekonomisë serbe. Por janë goditur edhe ura, godina të mediave dhe objekte të tjera civile, si dhe kolona të civilëve, që në atë kohë u cilësuan si “dëme kolaterale”.

Serbia ka vlerësuar se dëmet e sulmeve të NATO-s kanë qenë rreth 29,6 miliardë euro. Humbjet nga ana e shqiptarëve të Kosovës kanë qenë shumë të mëdha. Varësisht prej vlerësimeve thuhet se kanë humbur jetën rreth 15 vetë. Me mijëra njerëz edhe më tej llogariten si të zhdukur. Ndërkohë që forcat serbe kishin dëbuar me dhunë nga Kosova më shumë se 860.000 kosovarë.

Më 12 qershor u futën në Kosovë trupat ndërkombëtare. Në fillim kishte rreth 37.200 ushtarë nga 36 vende – 30.000 nga vendet e NATO-s. Ndërkohë numri i ushtarëve të huaj në Kosovë është zvogëluar në rreth 5.000. /KultPlus.com

Të famshmit nderojnë viktimat e sulmuar në kishën e Teksasit

Të famshmit kanë përdorur mediet sociale për të dënuar të shtënat e tmerrshme në një kishë në Sutherland Springs të Teksasit, që la të vdekur 26 persona, duke përfshirë tetë anëtarë të së njëjtës familje dhe 20 të lënduar, shkruan Hello, përcjellë KultPlus.

Sipas njoftimeve, një i armatosur i vetëm me emrin Devin Patrick Kelley, 26 vjeçar, filloi të shtënat brenda Kishës së Parë Baptiste dhe u vra pas pak.

Këngëtarja Britney Spears ka shkruar në Twitter: “Më është thyer zemra nga informacionet që po vijnë nga Teksasi. Lutjet e mia shkojnë për komunitetin e Sutherland Springs”.

Kurse Mark Ruffalo ka shkruar : “Dashuri për njerëzit e dashur, familjet dhe shokët e atyre që humbën në të shtënat e Sutherland Springs. Ne jemi të gjithë së bashku”, ndërsa Lady Gaga shtoi: “Lutem për #SanAntonio dhe të gjitha familjet që po vuajnë humbjen e të dashurve të tyre. Do të lutem edhe për #GunControl”.

Këngëtarja Edge of Glory ishte i vetmi i famshëm që kërkoi që ligjet e armëve të ndryshonin pas kësaj ngjarje tragjike, me autorin Stephen King duke shkruar në Twitter: “Edhe sa njerëz duhet të vdesin para se të miratojmë ligje të duhura të kontrollit të armëve, mjaft më me lutje, ka ardhur koha të fillohet me ligjvënien ‘. Sarah Silverman shtoi: “S’kam fjalë, më është thyer zemra për Sutherland Springs, TX dhe për Amerikën e vitit 2017. Ju lutem, të bëhemi të gjithë së bashku, kur një avion rrëzohet, udhëtimi ajror bëhet në mënyrë eksponenciale më i sigurt për shkak të mësimeve të nxjerra, … asgjë”.

Megjithatë, Donald Trump ka thënë se incidenti nuk ishte të bënte me “gjendjen e armëve”, por kishte të bënte me shëndetin mendor. Duke folur në një konferencë shtypi, ai tha: “Ne kemi shumë probleme lidhur me shëndetin mendor në vendin tonë, ashtu siç kanë edhe vendet e tjera, por kjo nuk lidhet me gjendjen e armëve. Ky është një problem i shëndetit mendor në nivelin më të lartë. Është një ngjarje shumë e trishtueshme”, ka thënë Trump./ KultPlus.com

Sulmi

Poem kosovar – kënga e tretë e shkruar nga Mitrush Kuteli.

Ta shemba shkjah kufirin
që ngrite ti
në vendin tim e përmbi varr
të babës tim.
Ta shemba,
ta dogja,
me zjarrin e shpirtit,
të vuajtjes
dhe të urrejtjes.
Me zemërim,
me vrull të madh,
e bubullimë
që s’ka mbarim
Se vjete ti më çave,
më ndave,
më vrave,
armik – lugat,
armik -xhelat!
Ti bëre azape:- s’u tremba.
Ti ngrite kufire me gjemba,
fortesa ti ngrite:
t’i shemba!
Tani!
Tani!
Atje ku ti
o Mal i Zi
ngrite kufi
që ndanin,
e çanin
vëllazëri:
Hej!
Sot,
shkon
e valon,
parmenda!
T’i bëra të gjitha rrëmujë
dhe ty
gjyrma t’u çduk
si në ujë.
Ta shemba armik kufinë
–derë burgu–
dhe është tani
si ish!
–si do të jetë–
përjetë:
Lëndinë!