Shënohet 75-vjetori i sulmit të parë atomik në botë, Hiroshimë

Të mbijetuarit e bombës së parë atomike janë mbledhur sot për të përkujtuar 75-vjetorin e kësaj ngjarjeje, sulmin në Hiroshimë. Të mbijetuarit i kanë bërë thirrje botës dhe qeverive, që të bëjnë më shumë në ndalimin e armëve nukleare.

Rritja e numrit të rasteve me koronavirus në Japoni bëri që numri i pjesëmarrësve të jetë më i vogël se zakonisht, por porosia e të mbijetuarve të bombës ishte më urgjente se kurrë. Derisa numri i tyre po zvogëlohet, ku tani janë rreth 83, shumica e shteteve në botë ende kanë arsenal nuklear, dhe vetë Japonia refuzon nënshkrimin e traktatit i cili ndalon armët nukleare, shkruan AP.

Të mbijetuarit dhe të afërmit e tyre shënuan përvjetorin e shpërthimit i cili ndodhi në orën 8.15 me një minutë heshtje.

SHBA-ja hodhi bombën e parë atomike në Hiroshima më 6 gusht të vitit 1945, duke shkatërruar qytetin dhe duke vrarë 140,000 njerëz. Pas tre dite SHBA-ja hodhi edhe bombën e dytë në Nagasaki, duke vrarë edhe 70,000 tjerë. Japonia u dorëzua më 15 gusht, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore dhe pothuajse gjysmë shekulli agresioni të Japonisë në Azi.

Por pas shumë dekadave shtetet ende janë duke krijuar bomba atomike dhe kërcënimet nukleare ekzistojnë edhe sot, transmeton KOHA.

Në mes të përkujtimit solemn në parkun paqësor të Hiroshimas, kryeministri i Japonisë Shinzo Abe u konfrontua nga gjashtë anëtarë të grupit të të mbijetuarve.

“A mundeni ju lutem t’i përgjigjeni kërkesës sonë për të nënshkruar Traktatin Ndërkombëtar për Ndalimin e Armëve Nukleare? 75 vjetori është mundësi për të ndryshuar qëndrimin”, tha njëri nga të mbijetuarit, Tomoyuki Mimaki.

Abe insistoi në politikën e Japonisë që të mos nënshkruhet ky traktat, duke thënë se qeveria ka një “qasje tjetër”, edhe pse shtoi se qëllimi përfundimtar është eliminimi i armëve nukleare.

Edhe pse Tokyo zyrtar ka heqë dorë nga posedimi dhe prodhimi i këtyre armëve, Japonia është aleate kryesore e SHBA-së dhe është e mbrojtur nga çadra nukleare e saj. Kjo komplikon situatën për Japoninë që të nënshkruaj traktatin, posaçërisht ngase Koreja e Veriut po vazhdon forcimin e programit të saj nuklear. / KultPlus.com

Fotografia: AP