KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.
Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.
Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.
Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.
KultPlus iu sjell në vazhdim një nga regjisoret kosovare më të sukseshme vitin e kaluar, Blerta Basholli, e cila me filmin “Zgjoi” ka vendosë Kosovën në kryetituj të medieve më prestigjioze. Ka bërë historinë në Sundance Film Festival, ku për herë të parë ky festival i ka ndarë një filmi tre çmimet kryesore, e këto çmime i ka marr pikërisht filmi i Blerta Bashollit, që nëpërmjet filmit “Zgjoi” ajo ka dërguar dhimbjen, forcën dhe kurajon e grave shqiptare.
“Zgjoi” që nuk arriti të futej në pesëshen e filmave të nominuar për kategorinë e filmave në gjuhë të huaj, tashmë ka mbi 20 çmime të festivaleve më prestigjioze, sikurse që ka një rrugëtim të madh në rrjete të ndryshme të kinemave nëpër botë.
Dhe pikërisht Blerta Basholli tash e dy herë i përjetoi ethet e çmimeve Oscars. Për herë të parë ishte në rolin e asistentes së regjisë, për filmin artistik të metrazhit të shkurtë “Shok”, ku ky film me regjisorin Jamie Donoughue kishte arritur të përjetonte edhe emocionin e filmit të nominuar për Oscars.
Dhe për herë të dytë, por tash me një format tjetër, Blerta Basholli qau rrugën e gjatë deri te lista e ngushtë e filmave për çmimin Oscars, në cilësinë e skenaristes, regjisores dhe të një rrëfimi real.
Blerta Basholli është në proces e sipër të filmit të saj të ri, e cila në deklaratat e saj nëpër medie të ndryshme ka potencuar se aktualisht i ka skenarët e gatshëm për pesë filma.
“Dy prej tyre janë në një fazë më të avancuar ndërsa njëri është tashmë në realizim e sipër. Fjala është për një film që tematizon jetën e të rinjve, adoleshentëve të moshës sime në vitet `90 në Kosovë, në kushtet e okupimit. Kam përshtypjen se, ndryshe nga temat e luftës, kjo temë sikur i mungon kinemasë sonë. Mendoj se ka qenë një jetë megjithatë dinamike dhe disi “Underground” dhe ja vlen të bartet në film. Edhe ky film do të jetë në koproduksion me Zvicrën dhe edhe këtu do të luajë një rol Yllka”, kishte deklaruar Blerta Basholli. / KultPlus.com
Filmi kosovar ”Pa Vend” triumfon në Sundance Film Festival.
“Pa Vend” nga Samir Karahoda fiton çmimin e jurisë si filmi më i mirë i shkurtër dokumentarë në edicionin e vitit 2022 të Festivalit të Filmit Sundance.
Juria e filmave të shkurtër përbëhet nga: Penelope Bartlett, Kevin Jerome Everson, dhe Blackhorse Lowe.
Ata deklaruan motivacionin: “Xhiruar dhe montuar me mjeshtëri, me një ndjeshmëri sfilitëse që e bën atë pothuajse të ndihet si film narrativ, ky vëzhgim delikat, i saktë i një komuniteti të vendosur për të pasur sukses dhe të shkëlqejë në sportin e tyre të dashur, pavarësisht mungesës së burimeve, apo edhe një vendi për t’u mbledhur për lojë, flet fuqishëm për qëndrueshmërinë njerëzore.”
Kjo konsiderohet si një sukses tjetër i jashtëzakonshëm në kinematografinë kosovare. / KultPlus.com
Pa Vend nga Samir Karahoda pas Kanës, Torontos dhe Nominimit për Filmin më të mirë të shkurtër Evropian, arrinë të përzgjedhet edhe në festivalin ‘SUNDANCE’, përcjell KultPlus.
Gjithçka filloi nga një përpjekje për të treguar rrëfimin e një grupi entuziastësh që me çdo kusht donin ta mbanin gjallë sportin e pingpongut në Kosovë.
Ky rrëfim i tyre e inspiroi regjisorin Samir Karahoda që ta trajtoj këtë temë nëpërmjet filmit duke i angazhuar protagonistët e njëjtë të rikrijojnë skenat ashtu siç kanë ndodhur në vitet e pasluftës. Protagonistët e entuziazmuar që tregimi i tyre do të rrëfehet e dhanë maksimumin e tyre gjatë produksionit të filmit, që pas përfundimit të xhirimeve arriti ta dërgoj Kosovën në festivalin prestigjioz të Kanës, ku edhe u përzgjedh si kandidat i këtij festivali për Çmimin Vjetor të Akademisë Evropiane të Filmit.
Nesër në Berlin në ceremoninë vjetore të ndarjes së çmimeve filmi ‘PA VEND’ do ta përfaqësoj Kosovën, përsëri si filmi i parë i një regjisori nga Kosova.
Pas premierës botërore filmi e filloj një rrugëtim shumë intenziv nëpër festivale prestigjioze të filmit, duke kulminuar me çmimin kryesor ‘IMDB Pro Short Cuts’ në njërin ndër festivalet më të rëndësishëm në botë ‘Toronto International Film Festival’. Me këtë çmim, ‘Pa vend’ zyrtarisht kualifikohet për kategorinë e filmit të shkurtër për Oscars 2022.
Sot për ekipin e filmit ‘PA VEND’ të Samir Karahodës është përsëri një ditë e veçantë, pasi që filmi është pranuar në programin garues të filmave dokumentar të shkurtër të festivalit më të madh në SHBA, atë të Sundance. Kjo korespondon edhe me 40 vjetorin e themelimit të ‘Sundance Institute’.
Suksesi i filmit është përtej të gjitha pritjeve pasi që ka arritur të përzgjedhet në 3 nga 5 festivalet më të rëndësishme në botë, si dhe ka arritur të fitoj 7 çmime në festivale brenda vetëm 5 muajve. / KultPlus.com
Fituesi i çmimit të trefishtë Sundance filmi ‘Zgjoi’ i regjisores Blerta Basholli është një dramë e fortë e bazuar në historinë e vërtetë të Fahrijes, e cila, si shumë nga gratë e tjera në fshatin e saj patriarkal, ka jetuar me shpresë të zbehur dhe pikëllim në rritje që kur burri i saj u zhduk gjatë luftës në Kosovë, e për këtë histori e cila tashmë ka marrë vëmendjen e botës, është publikuar trileri zyrtar amerikan i tij, shkruan KultPlus.
Në mënyrë që të sigurojë familjen e saj në vështirësi, ajo bashkon vejushat e tjera në komunitetin e saj për të filluar një biznes që shet një produkt ushqimor vendas. Së bashku, ata gjejnë shërim dhe ngushëllim në shqyrtimin e një të ardhme pa burrat e tyre – por vullneti i tyre për të filluar të jetojnë në mënyrë të pavarur haset në armiqësi.
Burrat në fshat dënojnë përpjekjet e Fahrijes për të fuqizuar veten dhe gratë përreth saj, duke filluar një grindje që kërcënon sovranitetin e tyre të ri – dhe të ardhmen financiare të familjes së Fahrijes. Në sfondin e trazirave civile të Evropës Lindore dhe misogjinisë së vazhdueshme, Fahrije dhe gratë e fshatit të saj bashkohen në një luftë për të gjetur shpresë përballë një të ardhme të pasigurt.
Fituesi i Çmimit të Publikut, Çmimit të Regjisorit dhe Çmimit të Jurisë së Madhe të Kinemasë Botërore në Sundance, ‘Zgjoi’ është një portret i rëndë, shkatërrues i humbjes dhe udhëtimeve tona përpjetë drejt lirisë. / KultPlus.com
Qysh nga nominimi i filmit “Zgjoi” në festivalin prestigjioz “Sundance Film Festival”, regjisorja Blerta Basholli dhe gjithë ekipi ishin në ethe për premierën dhe kritikën që do t’i jepej filmit, ndërsa çmimet nuk i mendonin fare. Por premiera e filmit në Sundance bëri një kthesë të natyrshme edhe në pritjen e regjisores dhe gjithë ekipit, shkruan KultPlus.mirziamov.ru
Kritikat e mira dhe pritja që publiku i bëri filmit, e kthyen vëmendjen e tyre edhe tek çmimet, por asnjëherë tek tri çmimet kryesore të cilat njëherit do të thyenin rekordin e këtij festivali.
Kjo ndodhi për herë të parë me “Zgjoi”-n e Blerta Bashollit duke sjellë dje në Kosovë një emocion e gëzim të papritur. Këtij lajmi ju gëzua i gjithë vendi por në veçanti ata që qëndrojnë më afër industrisë së filmit.
“Zgjoi” i Blerta Bashollit dje bëri histori!
“Filmi më i mirë”, “Regjisorja më e mirë”, dhe çmimi i vlefshëm i publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA u dedikuan për “Zgjoi”.
Momenti ku Blerta e mori lajmin ishte i ndarë në dy pjesë. Ajo fillimisht u telefonua për të marrë lajmin për çmimin “Regjisorja më e mirë” dhe ky ishte një moment feste në zyrat e Ikonë Studio aty ku Blerta po priste telefonatën. Por lajmin për dy çmimet tjera të cilin e mori tek ditën e nesërme, ajo nuk po e priste fare.
“Kemi qenë në Ikonë Studio sepse lajmin e parë e kemi marrë menjëherë pas premierës se filmit, të dielën ku gjatë gjithë ditën ishim në ethe duke pritur se si po reagon kritika dhe si po e pret publiku. Pasi kritikat ishin shumë të mira dhe kemi marrë një reagim tepër të mirë dhe shumë pyetje nga audienca e filmit, menjëherë pas premierës na kanë telefonuar dhe na kanë dhënë lajmin për çmimin e “Regjisores më të mirë”, atë natë jemi gëzuar e kemi festuar shumë. Ndërsa të nesërmen kemi marrë lajmin për dy çmimet e tjera dhe normal që këto nuk i kemi pritë por që jemi jashtëzakonisht të lumtur”, tregoi kështu Basholli për momentin e marrjes së lajmit të madh.
Lajmin fillimisht ajo e ka ndarë me producentin e filmit Yll Uka, pasi ai ishte i pranishëm gjatë telefonatës që ju bë regjisores.
“Pasi producenti më ka parë duke qajtë e ka kuptuar që po bëhet fjalë për çmim, dhe kështu ai ishte personi i parë me të cilin e kam ndarë lajmin. Ndërsa personi i dytë ka qenë Artan Korenica, bashkëshorti, sepse është njëri nga njerëzit që ka besuar në këtë projekt qysh nga fillimi dhe një prej njerëzve që më ka ndihmu shumë”, u shpreh Basholli.
Por ky lajm duhej me patjetër të ndahej shpejt edhe me zonjën Fahrije Hoti, mbi historinë e secilës është realizuar filmi. Regjisorja e takoi live Fahrijen për të ja komentuar lajmin pasi dëshironte të merrte emocionin drejtpërdrejtë.
“Në momentin kur e kemi marr lajmin zonja Fahrije nuk ka qenë prezente, ndërsa të nesërmen kemi ngrënë mëngjes bashkë dhe i treguar për çmimet, është gëzuar shumë dhe nga emocionet fjalët e parë që i ka thënë kanë qenë: Më paske qit punë me gazetarë””, tregon regjisorja.
“Zgjoi” pritet të ketë një rrugëtim të gjatë nëpër festival, ndërsa për momentin regjisorja ka treguar për KultPlus se janë në pritje të konfirmimit për premierën evropiane, teksa për premierën e filmit në Kosovë si mundësi e sheh fundin e vitit.
Krejt për fund Basholli ka një mesazh për të gjithë kineastët e rinjë.
“Kineastët e rijnë kanë shembuj shumë të mirë, jo në këtë rast vetëm për film timin por edhe shumë filma të tjerë që janë prodhuar në vitet e fundit, kështu që besoj që deri tani veç e kanë marr mesazhin që pavarësisht që jemi Kosovë e nuk ka fonde të mjaftueshme ende për filma në Kosovë, me punë edhe mund, munden me mbërri dhe këtë e kanë dëshmuar secili film që po udhëton nëpër botë e festival të mëdha dhe po kthehen me çmime. Andaj mendoj që është një mesazh i mjaftueshëm që nëse veç e donë këtë punë, me besu dhe me punu vazhdimisht sepse puna secilit i shpërblehet”, përfundon Basholli.
‘Zgjoi’ është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.
Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj.
Me producent Yll Ukën, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë Valon Bajgorën, Agon Ukën, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n, “Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Ikonë Studio dhe Industria Film, me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK. / KultPlus.com
Kryelajmi i djeshëm, shpërblimimi i trefishtë në Sundance Film Festival për filmin “Zgjoi” të Blerta Bashollit, nuk u trajtua fare. As nuk u trajtua nga institucionet, as nga b-analistët e përnatshëm televiziv, as nga gazetarët, as nga kandidatët për deputet, as nga liderët politikë, madje edhe pse është kohë fushate.
Lajmi, u trajtua nga e gjithë bota. Një lajm jo i rëndomtë që vie nga Kosova, sepse ishte lajm i mirë. Por, ja që ne nuk rrojmë në botë. Ne jetojmë të veçuar brenda botës sonë primitive.
Aq sa u trajtua lajmi për një arritje të jashtëzakonshme, aq rëndësi ka arti dhe kultura në këtë vend të pazakontë. Ky është një vend i turpshëm, me liderë të turpshëm, që marrin vendime të turpshme.
Në këtë vend, më shumë rëndësi ka mendimi primitiv i një hajni të ardhshëm institucional, se krijimi i një artisti.
Sa turp. Madje edhe për një vend primitiv, si ky, në të cilin ne rrojmë vetëm fizikisht./ KultPlus.com
Fahrije Hoti, jeta e së cilës është shndërruar në film artistik të metrazhit të gjatë dhe pikërisht ky film është vlerësuar me tre çmimet kryesore të festivalit prestigjioz “Sundance Film Festival”, ka emocionuar këtë grua nga Krusha e Madhe, e cila përgjatë luftës ka humbur bashkëshortin dhe e ka lënë me dy fëmijë, shkruan KultPlus.
Lajmin për tre çmimet e fituara e ka marë nga regjisorja e këtij filmi Blerta Basholli, e vetë Fahrija shprehet të jetë e lumtur që nëpërmjet historisë së saj, bota të kuptojë për vuajtjet e popullit shqiptar që i ka përjetuar nga regjimi serb.
“Nuk e kam pritë këtë sukses, Blerta Basholli më njoftoi me mëngjes, po e kam pas agjendën aq të ngjeshur sa nuk kam pas kohë as me festu”, thotë Hoti për KultPlus e cila udhëheqë tash e sa vite biznesin e saj në Krushë të Madhe, e cila tashmë është e njohur për prodhimin e ajvarit.
Se nëse ia ka shëruar pak plagët e vuajtjeve ky sukses i filmit, Fahrija thotë se është e lumtur se filmi “Zgjoi”, ka dokumentuar jetën e vështirë të grave të Kosovës që kanë qenë viktima të luftës, ka dokumentuar humbjen e bashkëshortëve, paragjykimet ndaj këtyre grave si dhe përballjen me varfërinë.
“Gratë e Kosovës kanë përjetuar luftën e luftës”, ka thënën Fahrije Hoti e cila është falënderuese për regjisoren Blerta Balloshin, por edhe për aktoren Yllka Gashin e cila ka bartë rolin e Fahrijes në këtë film.
Fahrije Hoti thotë më tej se ky sukses i këtij filmi është edhe sukses për Kosovën, pasi që vuajtjet e këtij vendi po marrin një dimension tjetër, dhe do të shihet nëpër kinema të ndryshme të botës.
Ajo mezi po pret të pijë kafen e mëngjesit me 23 punëtoret e saj, që të ndaj këto momente të gëzimit, ku jeta e këtyre grave paraqitet në këtë film, e për fëmijët e saj, Fahrija thotë se janë të lumtur se historia e jetës së nënës së tyre tashmë është kaq i famshëm.
Në këtë film ka luajtur edhe vjehrri i Fahrije Hotit, tashmë i ndjerë, dhe Fahrija shpreh keqardhjen që nuk arriti ta shijoj këtë sukses, e që sipas saj, ka bërë shumë për këtë film.
Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit ka bërë historinë me vlerësimin që i është bërë në Sundance Film Festival, ku rolin kryesor e ka bartë Yllka Gashi, sikurse që ka luajtur edhe një kastë e gjërë e aktoreve të njohura kosovare./ KultPlus.com
Filmi artistik nga Kosova, ‘Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli bëri historinë sot duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA, përcjellë KultPlus.
Ky lajm ka bërë të lumtur të gjithë shqiptarët e në veçanti ata që qëndrojnë më afër filmit.
Aktori i njohur Shkumbin Istrefi lumturinë e tij për këtë sukses e ka shprehur me fjalë të mëdha.
Ai është shprehur se kinematografia e Kosovës është duke përparuar më hapa të mëdhenj dhe këtë e dëshmoi përfundimisht filmi “Zgjoi”.
“Kjo eshte arritur me perkushtim tejet te madh, profesionalizem dhe art, perkunder mbeshtetjes simbolike financiare qe projektet kinematografike marrin nga shteti. “Topi” eshte te shteti, i cili duhet ta shumefishoje perkrahjen financiare. Kemi cka tregojme dhe dijme ta tregojme ne menyren qe bota e pranon dhe e vlerëson”, ka shkruar Istrefi.
Ai tutje tregon që ky lajm e ka gëzuar tej mase në këtë kohë debatesh të kota duke shtuar tutje se buxheti vjetor i mbështetjes për kinematografi që i ndahet Qendrës Kinematografike të Kosovës nuk kalon 700.000 Euro, prej të cilave rreth 600.000 Euro i ndahen projekteve. Që i bie mesatarisht nga 120.000 Euro për 3 projekte të metrazhit të gjatë dhe të tjerat për kategori të tjera. Kjo sipas Istrefit është shumë shumë pak. Tepër pak!
“Shpesh producentet, regjisoret e skenaristet mbesin pa u paguar, dhe aktoret me pagesat simbolike sepse honoraret e veta i japin per te mbuluar shpenzimet e filmit. Nje film i metrazhit te gjate i merr mesatarisht 3 vjet kohe per t’u perfunduar. Eshte pune e madhe, e mundimshme dhe me shume shpenzime vetanake te prodhohet nje film. Ndersa kultures dhe shtetit i sjell me shume promovim se kushedi sa aktivitete politike e diplomatike.
Ne filmin “Zgjoi”, Krusha me tregimin e saj eshte degjuar boterisht dhe ne formen me te mire.
Faleminderit Blerta Basholli dhe ekipi i filmit dhe suksese me tutje. Shpresoj qe te shijoni me se miri kete sukses.
Ne anen tjeter 2.1 milion vidhen dhe kushedi a kthehen. Dhe nuk behet nami”, përfundon Istrefi. / KultPlus.com
Filmi artistik nga Kosova, ‘Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli bëri historinë sot duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA, përcjellë KultPlus.
Ky lajm ka bërë të lumtur të gjithë shqiptarët e në veçanti ata që qëndrojnë më afër filmit.
E lumtur dhe krenare për këtë arritje të filmit shqiptar është shprehur edhe ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.
“Jo një, as dy, por tri çmime të fituara në festivalin e filmit “Sundance”! Urime regjisores Blerta Basholli dhe krejt ekipit të filmit “Zgjoi”. Një falënderim të madh edhe për Fahrije Hotin dhe gratë e Krushës- jeni motiv i forcës dhe kurajos së gruas shqiptare! Diplomacia kulturore e Kosovës frymon kur atë e bëjnë artistët tanë thjesht duke shpërfaqur talentin e tyre dhe duke shndërruar dashurinë që kanë për artin në kryevepra! Krenare sa më s’ka!”, ka shkruar Jahjaga. / KultPlus.com
Rrjeti social me emrin “Hive” është trendi më i ri në internet. Platforma teknologjike, që ngjan me Instagramin, ka shpërthyer të mërkurën, pak pasi filmi shqiptar “Zgjoi” – në anglisht “Hive” – mori tre çmime të rëndësishme në festivalin prestigjioz “Sundance Film”.
Aplikacioni s’është i ri. Ai funksionon nga viti 2019, por në llogaritë e tij në rrjetet tjera sociale “shpërthimin” e përjetoi pasi filmi shqiptar shijoi triumfet historike. Të mërkurën, rrjeti social njoftoi në Twitter se i shtoi 130 mijë përdorues për vetëm pak orë. Krejt kjo ndodhi pasi filmi shqiptar “Zgjoi” – anglisht “Hive” – fitoi Çmimin e Jurisë, atë të Regjisë më të mirë dhe të Audiencës.
“Hive” përngjan me Instagramin. Aty njerëzit mund të ndjekin njëri-tjetrin dhe të ndjekin përmbajtjet bazuar në interesat e tyre. Mund të zgjidhen edhe këngët për profilin e tyre.
Sipas “Life&Style”, “Hive” ishte krijuar dhe menaxhohet nga një grua, me emrin Kassandra.
“‘Hive’ është një vend ku të gjithë janë të mirëpritur, andaj duam të kemi njerëz nga të gjitha komunitetet – nga personat e thjeshtë deri në blogerë për ushqim, udhëtim, bukuri, vetura etj. Pavarësisht interesave tuaj ju duhet t’i përmbaheni rregullave të ‘Hivet’”, ka thënë Kassandra në përshkrimin e këtij rrjeti social. / KultPlus.com
Filmi artistik nga Kosova, ‘Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli bëri historinë sot duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA, përcjellë KultPlus.
“Të shpërblehem nga festivali im i preferuar, ka rëndësi të papërshkrueshme për mua. Dua t’i ndaj këto çmime me të gjithë ekipën, aktorët dhe posaçërisht me Fahrije Hotin të cilën e mbaj në zemër që nga momenti i parë që e kam takuar, dhe e cila është shembull për të gjithë ne” u shpreh Blerta përmes një video mesazhi me rastin pranimit të çmimit Regjisorja më e mirë, gjatë ceremonisë së ndarjes çmimeve.
“Kemi punuar shumë dhe gjatë që ta sjellim këtë film para jush, publikut, dhe jemi shumë të nderuar që na shpërblyet”; “Duam t’ia dedikojmë këtë çmim vendit tonë të dashur dhe të bukur, Kosovës.” u shpreh Yll Uka, producenti i filmit me rastin e pranimit të çmimit të Publikut dhe çmimit Filmi më i mirë (Grand Jury Prize).
‘Zgjoi’ është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetësën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.
Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj; me producent Yll Ukën, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë Valon Bajgorën, Agon Ukën, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n.
“Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Ikonë Studio dhe Industria Film, me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK. / KultPlus.com
Festivali i filmit si një ndër ngjarjet më të mëdha kulturore në botë, “Sundance” këtë vit është duke u organizuar virtualisht, shkruan KultPlus.
E nisur të enjten dhe me vazhdimësi deri më 3 shkurt, “Sundance” në këtë edicion nuk do t’i ketë të pranishme turmat e njerëzve.
Pavarësisht kësaj, filmat, paneli i diskutimeve dhe ngjarje të tjera virtuale do ta bëjnë më të lehtë qasjen për artdashësit e saj.
“Sundance” këtë vit në agjendën e saj ka mbi 70 shfaqje, të cilat transmetohen gjatë gjithë javës.
Disa filma tashmë po komentohen shumë dhe janë debutimi i regjisorit të Robin Wright, “Land”, thrilleri psikologjik “Knocking” dhe projekti i fundit i Zoe Lister-Jones, “How It Ends”.
Forma e vetme për t’i ndjekur veprat artistike është nëpërmjet biletave, të cilat janë shitur. / KultPlus.com
Filmi debutues i regjisores dhe skenaristes Blerta Basholli “Zgjoi” (Hive) është përzgjedhë në konkurencë zyrtare kryesore në festivalin e njohur ‘Sundance Film Festival’ që do të mbahet në janar të vitit 2021 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
‘Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrijen (interpretuar nga Yllka Gashi) e cila në kërkim të burrit të sajë të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetësën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë, pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj sajë. Në rrugëtimin për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me vetëveten.
Regjisorja dhe skenaristja Blerta Basholli në lidhje me pjesëmarrjen në Sundance u shpreh jashtëzakonisht e lumtur, e në veçanti për temën që shtjellon ky film, për gratë e suksesshme të Krushës së Madhe: “Një falenderim i veçantë është për zonjën Fahrije Hoti, e cila ndau me ne tregimin e saj, tregim i cili ishte inspirimi i vërtetë për mua si grua e shpresoj të jetë edhe për shumë gra e vajza të tjera”. Regjisorja Basholli falenderoi edhe të gjithë ekipin e filmit për të cilin u shpreh se: “ ishte një kombinim perfekt i një grupi filmbërësish nga shumë vende të ndryshme që kontribuan jashtë mase në të gjitha fazat e realizimit të filmit”.
“Jam shumë i lumtur që pas një pune gati 5 vjeçare do të sjellim para publikut një rrëfim shumë të rëndësish për ne, dua të falenderoj të gjithë ekipin dhe regjisoren Basholli e në veçanti zonjën Fahrije që na besoi tregimin e sajë që ta realizojmë në film”. – u shpreh producenti kryesor i filmit Yll Uka.
Rolin kryesor e luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera paraqiten Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, bashkëproducent Valon Bajgora, Agon Uka, Britta Rindelaub, Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Paskal Semini.
“Zgjoi“ është një bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicër), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK./ KultPlus.com
Të bësh një karrierë si krijuese filmi kërkon vendosmëri, qëndrueshmëri dhe vizion të përpiktë. Mund të jetë një rrugë e vështirë për të udhëtuar, por dashuria dhe përkushtimi për punën është ura lidhëse për të arritur sukses.
Regjisorja Blerta Basholli, duke ndjekur dëshirën për të bërë filma, ajo gjithashtu punoi punë të ndryshme duke përfshirë: asistente administrative, menaxhim të projekteve humanitare, marketing etj. Por ka një moment kur tek njeriu ndezët dashuri për një profesion të caktuar të cilit pastaj i vihet pas. Por kjo dashuri padyshim që kondensohet dalëngadalë, e një rol kyç në këtë pikë e ka edhe familja. Kështu ndodhi edhe me Blertën. Shikimi i shumë filmave bashkë me babin dhe pasioni i tij për fotografinë dhe pikturën, ka ndikuar te Blerta, ku syrin për kompozicion dhe dashurinë për fotografinë e ka marrë nga i ati. Përderisa të qenit një grua e fortë ka ardhur nga mbështetja e pakursyer e nënës.
Një përgatitje e tillë qysh nga fëmijëria, sigurisht do ta sillte Blertën në një vajzë që i përkushtohet shkollës e punës.
Blerta Basholli ka studiuar në Fakultetin e Arteve, dega Regji Filmi, Universiteti i Prishtinës, kurse Studimet Master i ka përfunduar në Tisch School of the Arts, në New York University, drejtimi Film dhe Televizion si bursiste e “Dean’s Fellowship”. Momentalisht është kandidate për doktoraturë në Fakultetin e Arteve në Shkup, në universitetin “Ss. Cyril and Methodius”.
Pas disa filmave të shkurtër e dokumentarëve, Basholli vendosi të sfidojë veten me një film të gjatë.
“Zgjoi” është filmi debutues i regjisores që qysh në fillim dha dritën e gjelbër që kjo regjisore do t’i shkelë kufijtë.
Përzgjedhja e filmit në konkurrencë zyrtare në festivalin prestigjioz ‘Sundance Film Festival’, i fali asaj një ndjesi tejet të mirë.
“Kemi bërë një punë shumë të madhe, me shumë dashuri e përkushtim, andaj hyrja në “Sundance” është një shpërblim shumë i mirë për punën tonë”, thotë Basholli për KultPlus.
‘Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrijen (interpretuar nga Yllka Gashi) e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës së fundit në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë, pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me vetveten.
Të kthyerit në film një histori si kjo e Fahrijes, Blertës i erdhi si ide pasi ka dëgjuar një storje televizive rreth kësaj gruaje.
“Ideja ka lindur pasi kam dëgjuar një storje televizive rreth një gruaje (Fahrije Hoti), e cila përkundër nevojës për mbijetese dhe mbështetjes qe iu ofron edhe grave te tjera te veja, të cilat ndodhen në të njëjtën situatë me Fahrijen, iniciativa e saj për të punuar nuk shihet me sy të mirë nga rrethi patriarkal ku ajo jeton”, tregon regjisorja rreth përmbajtjes së filmit.
“Zgjoi” do të jetë filmi që botës do t’i shpalosë një tregim nga Kosova, në mesin e shumë tregimeve të tjera që bota duhet t’i dëgjojë nga ky vend. Ky sukses padyshim që regjisoren e bën shumë krenare.
“Kemi shumë tregime interesante dhe shumë gjëra për të treguar. Fakti se një tregim nga Kosova do të shihet e dëgjohet nga një publik i gjerë më bën shumë krenare e aq më tepër për shkak të temës të cilën e trajton.”
Përkundër sfidave dhe vështirësive që ka Fahrija gjatë procesit, në thelb filmi përmban një tregim inkurajues dhe shpresëdhënës. Sipas regjisores, secila vajzë, grua, por edhe burrë që do ta shoh filmin mund të motivohet nga një sukses i tillë.
Të qenit vetë skenariste dhe regjisore e filmit, për Bashollin ishte një përgjegjësi e dyfishtë. Por, ajo beson se falë këtij angazhimi është rritur e zhvilluar edhe si person, por edhe si profesioniste.
“Skenari është proces i rritjes dhe me ka ndihmuar shumë që të kuptoj edhe më thellësisht temën edhe karakterin. Sa ka qenë e vështirë aq mendoj se edhe më ka ndihmuar për të depërtuar pak më brenda karakterit.”
Pjesëmarrja në ‘Sunndance’ është shenja e parë që ky projekt filmik është shumë premtues, por regjisorja rrugëtimin e filmit shpreson ta pasuroj edhe me shumë çmime.
“Fillimi është shumë i mirë, tani të shohim. Kur futesh me një festival si “Sundance” rrugëtimi i mirë është i sigurtë. Shpresojmë që filmi të vlerësohet edhe me çmime sepse ashtu do të ketë vërtetë rrugëtimin e suksesshëm.”
Të nisësh një karrierë është me të vërtetë e vështirë, por vazhdimi duket sikur është një tjetër sfidë më vete. Regjisorja beson që me dashuri do t’i kaloj të gjitha. Ndërsa përkushtimin e sheh si çelës të suksesit në secilin profesion.
Përderisa gjatë jetës marrim mësime që në momente të caktuara kanë efekte pozitive, një mësim të tillë regjisorja e ka zbatuar gjatë krijimit të filmit. Këmbëngulësia dhe puna përzistente ishin cilësi që i ndihmuan gjatë procesit të punës. Sipas Bashollit duhet të insistojmë dhe të punojmë shumë deri sa të arrihet rezultati i kënaqshëm në çdo fazë të procesit.
Teksa biseduam për kriteret që e bëjnë një film të shkëlqyer, Basholli si vlerë kyçe e sheh ndjesinë që të ofron një film.
“Për mua ndjesia që të krijon ai film, nëse bota e krijuar aty brenda është e besueshme dhe të merr me vete pa bërë asnjë pyetje atëherë filmi është i mirë. Pastaj natyrisht skenari është kryesori, aktorët, kamera e shumë elemente.”
Gjatë jetës, Blerta është frymëzuar nga shumë filma dhe regjisorë, qoftë edhe shqiptarë, por ajo përmend një ndër filmat që ka pasur më së shumti ndikim te ajo.
“Ka shumë filma dhe shume regjisorë e regjisore edhe nga Kosova edhe nga Bota që më frymëzojnë. E kam shumë të vështirë t’i listoj me të vërtetë. Një prej filmave që ende e përmend është “Dancer in the Dark” nga Lars von Trier, por ka shumë shumë filma që më frymëzojnë. Tregimi, qasja e regjisorit e më së shumti aktrimi janë ato elemente që më tërheqin edhe te ky film, por edhe tek shumë filma të tjerë.”
Krejt për fund, Basholli e cila vitin 2020 e përmbylli me një sukses të jashtëzakonshëm, shpreson që viti i ardhshëm t’i shtrojë filmit “Zgjoi” një rrugë edhe më të gjatë e të suksesshme, përderisa premton që do të vazhdoj të punoj intenzivisht. / KultPlus.com
Si 15 vjeçar ai u largua nga Kosova drejt Gjermanisë, atje ku sot ka zënë një pozicion të lakmueshëm në skenën e kinematografisë. Regjisori dhe skenaristi Visar Morina, ka spikatur qysh me filmin e tij të parë “Babai”. Por, ky ishte vetëm hapi i parë i cili i siguroi një rrugë të gjatë e të suksesshme. Filmi “Exil” është dëshmia më e mirë kur duam të flasim për suksesin e tij. Fitues i shumë çmimeve, Morina, po e nderon vendin e tij me paraqitje në festivale prestigjioze si Sundance Film Festival dhe Berlinale. Filmat e tij frymojnë edhe shqip, në thelb ata kanë rrëfime shqiptare, por ka edhe diçka që Visari ka treguar për KultPlus. Në filmin e tij të fundit flitet edhe shqip, e tingulli i gjuhës shqipe do të ketë rast të dëgjohet edhe para publikut gjigant në dy prej festivaleve më me zë në botë. Për krejt këtë sukses të menjëhershëm, sfidat, bashkëpunimin me aktorë të njohur botërorë, për rolin e tij të dyfishtë në filma, skenarist – regjisor dhe pikëpamjet e tij për kinematografinë e Kosovës do të keni rast t’i lexoni në këtë intervistë ekskluzive për KultPlus.
KultPlus: Një projekt filmik me një përrallë shqiptare në një ndër festivalet më prestigjioze të botës, sikurse që është Sundance Film Festival, çfarë ndjesie të ka dhënë përzgjedhja e filmit “Exil” në këtë festival kaq të madh?
Visar Morina: Në fakt gjatë punës, nuk e kam menduar që premierën do ta kem në Sundance. E shoh më shumë si film evropian, edhe mënyra se si është bërë filmi, por edhe nga tema që e trajton. Isha ende në editim kur e mora lajmin për Sundance dhe më është dashtë disa ditë të kuptoj. Por normalisht që gëzohem. Ka vite që jam duke punuar në këtë film dhe për filma si ky, pjesëmarrja në këtë festival është shumë e rëndësishme sepse në këtë garë internacionale ku do të shfaqet “Exil”, janë vetëm 12 filma.
KultPlus: Xhaferi është personazhi kryesor i filmit, i cili flet për ballafaqimin e tij në një vend të huaj, të zbulojmë më shumë, a flet Xhaferi shqip në këtë film, apo në gjuhë të huaj?
Visar Morina: Gjuha është kryesisht gjermane, por kam disa skena ku flitet shqip. Njëra nga skenat e mia më të preferuara është në gjuhën shqipe. Xhaferi takohet me një burrë shqiptar (Astrit Kabashi) dhe flasin për qaj të rusit dhe për kojshit në Kosovë që kanë pi shumë qaj dhe e llogarisin kohën që e kanë humbur duke pirë qaj. Në kontekstin në të cilin ndodh kjo skenë e krijon një absurditet dhe tension të mirë.
KultPlus: Ndërkohë, rolin e Xhaferit e luan aktori kroat Mišel Matičević, pse vendosët që rolin e një shqiptari ta luaj një aktor kroat?
Visar Morina: Me shumë qejf do ta kisha marr një aktor shqiptar. Përveç që ka qenë e domosdoshme që ai person me qenë aktor i mirë dhe me u përshtatë si tip në atë rol, ka qenë edhe gjuha gjermane e domosdoshme. Xhaferi e ka një pozitë të mirë në një firmë shumë të madhe. Është e rëndësishme që ai të flas shumë mirë gjermanisht, që të mohohet dyshimi që problemet që i ka personazhi në film vijnë si pasojë e gjuhës. Edhe një herë, me shumë qejf e kisha marr një aktor shqiptar, por në fund nuk kishte zgjidhje tjetër.
KultPlus: Përpos aktorëve shqiptarë, është edhe aktorja e njohur Sanrda Hüller, çka e tërhoqi Sanrda Hüller të jetë pjesë e filmit “Exil”?
Visar Morina: Sandra është yll i madh në Gjermani, dhe shumë e respektuar. Një gazetë e madhe në Gjermani e ka bërë një intervistë me të dhe titulli i intervistës ishte “Mbretëresha e Aktrimit”, mu duk shumë përshkrim i duhur. Por Sandra Hüller dhe Rainer Bock kanë qenë të vetmit që i kam dashtë prej fillimi dhe të dyve ju kam shkruar një letër ku kam sqaruar pse dhe për çka po i dua. Sandres i ka pëlqyer skenari shumë dhe besoj që kjo ka qenë arsyeja kryesore për të pse është në këtë projekt.
KultPlus: Pjesë e filmit janë edhe aktorët shqiptar si: Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj dhe Ameli Kabashi, nga ana profesionale, si qëndronin aktorët shqiptarë përballë atyre botërorë?
Visar Morina: Kur fillon puna, aktorët nuk ndahen në këto llogari, secili e ka rolin dhe rreshtat e vetë. Me Sandra-n në fillim ka qenë pak problem, sepse aktorët tjerë stresoheshin kur luanin me të, është aq e mirë dhe e saktë në punë sa që të komplekson në fillim. Por pas një kohe nuk ka dallim a po punon me një fëmijë, me një të njohur apo me një person që nuk e njeh askush. Besoj se kam pas shumë fat me aktorë. Loja e tyre do të jetë gjëja më e mirë në film.
KultPlus: Shenjat se ky projekt është mjaftë premtues i morët shumë herët, pasi që ky skenar u shpërblye me çmimin prestigjioz “Golden Lola”, ku u sfidove me skenaristët dhe shkrimtarët më të njohur në Gjermani, si dhe në Euroimages, e ndjeje një sukses të tillë?
Visar Morina: “Lola” për skenar më të mirë, ka qenë një befasi për mua. Për atë çmim nuk mund të aplikosh, duhesh të jesh i propozuar nga dikush. Pastaj është dashur ta dorëzoj skenarin vetëm me titull, pa asnjë informatë rreth autorit dhe produksionit. Qëllim ka qenë që juria ta lexojë vetëm skenarin, pa ditur se kush është autori. Pas leximit janë nominuar tri skenarë. Një nga skenarët konkurrent është vlerësuar dhe veçuar shumë nga juria, edhe kur ministrja e kulturës doli ta ndaj çmimin foli për atë skenar, dhe isha i bindur që ai skenar do të fitoi dhe mbeta i habitur kur e shpalli skenarin “EXIL” si fitues. Skenarin e kam shkruar shumë shpejt dhe për asnjë çmim deri më tani nuk jam gëzuar më shumë.
KultPlus: Kur ke shkruar skenarin “Exil”, e ke bazuar në ndonjë ngjarje të vërtetë, apo është imagjinare?
Visar Morina: Zakonisht për mua është shumë e rëndësishme të kem në projekt diçka që më tërheq personalisht. Nëse nuk ekziston kjo lidhje, projekti nuk ka kuptim për mua. Në këtë rast tregimi është fiktiv, por ka shumë gjëra që i njoh ose nga jeta ime ose nga jeta e njerëzve që i kam përreth. Por shpesh ka shumë detaje të vogla, një rresht, një imazh ose një situatë. Këto detaje zakonisht transformohen në diçka tjetër. Filmi e përshkruan jetën e një të huaji në Gjermani dhe normalisht në këtë rast kam ndodhi personale në të cilat jam bazuar. Por prapë jeta e Xhaferit nuk ka të bëjë me jetën time.
KultPlus: Por tashti, pranimi i filmit në “Sundance Film Festival” dhe në festivalin tjetër poashtu prestigjioz “Berlinale” po dëshmon se ky film është ndërtuar në nivel të lartë dhe po flet në gjuhën e botës, dhe qysh në fillim është një matje tjetër se filmi i fundit po e kalon filmin paraprak “Babai”, që padyshim është një sukses i madh për një regjisor të ri, çfarë janë pritjet për rrugëtimin e këtij filmi?
Visar Morina: Fillimi i projektit ka qenë i tillë. Buxheti për filmin e dytë ka qenë shumë më i madh. Zakonisht filmat e dytë në Gjermani bëhen me shumë më pak buxhet, ka edhe raste tjera por nuk janë të shpeshta. Pastaj casting është bukur i njohur këtu, firma prodhuese gjermane e filmit është bukur e madhe dhe shumë e suksesshme. D.m.th., kërkesat për këtë projekt kanë qenë shumë më të mëdha qysh nga fillimi. Nëse filmi do ta kishte premierën në një festival të vogël, do të kisha shumë telashe me projektet e radhës. E çka do të ndodh me filmin pas Sundance dhe Berlinale nuk e di. Normalisht që suksesi i këtij filmi vendos shumë edhe për kushtet që do t’i kem në projektin tjetër.
KultPlus: Edhe “Babai” edhe “Exil” kanë për bazë rrëfime shqiptare, edhe përkundër faktit se si i vogël jeni larguar nga Kosova, rrëfimet e popullit tënd po vazhdojnë të kenë prioritet, pse?
Visar Morina: Nuk kam qenë edhe aq i vogël kur kam ikë nga Kosova. Kam qenë 15 vjeçar. Ajo kohë ka qenë shumë e veçantë, jo vetëm për faktin që ishte fëmijëria ime por edhe për arsye politike. Në dhjetor 1994 kemi dal nga Kosova. Fëmijëria ime, si te çdo njeri, ka shumë ndikim, dhe siç thash edhe më herët për mua si krijues është shumë e rëndësishme që të kem një lidhje personale me atë çka e prezantoi në një film. Por nuk është e domosdoshme që të jetë 1 me 1. Shpesh është ndjenja më e rëndësishme se sa ngjarja. Por më duhet të ceki që “Exil” e trajton jetën e një të huaji në Gjermani, dhe që ai “i huaji” ndodh të jetë shqiptar. Fakti që është i huaj është më i rëndësishëm se sa fakti që është shqiptar. Besoj që struktura dhe statusi social i një ekzistence vendos më shumë për një individ se sa kombësia. Pra në këtë rast ka qenë edhe e mundur që roli kryesor të jetë edhe i një vendi tjetër. Por prapë se prapë jam shumë i lidhur me Kosovën. Përveç që më duket shumë inspiruese me shumë gjëra, është një copë e identitetit tim dhe me shumë qejf do të vija prapë në Kosovë për të bërë film.
KultPlus: Mendoni se kemi edhe shumë brum për skenarë të shumtë, duke u bazuar në historinë, mënyrën e jetës dhe veçantinë e popullit shqiptar?
Visar Morina: Besoj që çdo njeri dhe çdo popull – edhe pse nuk e di çka do me thanë me qenë një popull – e ka një veçanti. Në kohën kur unë kam jetuar në Kosovë, shqiptarët kanë përjetuar gjëra të tmerrshme, por prapë më ndodhë që tash flas me njerëz nga Kosova dhe e shoh që fëmijëria ime dallon nga fëmijëria e tyre. Një person që është rrit në Prishtinë në të njëjtën kohë si unë, e ka një përshkrim krejt tjetër, se sa unë që jam rrit në fshat.
KultPlus: Zakonisht, në shumë filma, për skenarist kanë një person tjetër e për regji një tjetër, e shumë shpesh fajin e suksesin e hedhin te njëri tjetri, ju keni përballë unin tuaj, si funksiononi në këto dy pozita?
Visar Morina: Gjatë periudhës sa shkruaj e adhuroj xhirimin dhe editimin. E gjatë editimit e adhuroj shkrimin. Shkrimi është fazë e mirë, sepse je plot shpresa. Xhirimi shpesh herë di të jetë shumë i rëndë, shumë i varur nga koha, ekipi, kushtet, moti… Besoj, do të isha regjisor më i mirë nëse skenari nuk është i imi. Nëse nuk e kanë bagazhin e shkrimit, besoj do të jem më i qartë në regji. Dhe me qejf do të bëja një skenar të huaj.
KultPlus: Do të bëje një kombinim me dikë tjetër, qoftë në rolin e skenaristit, apo të regjisorit?
Visar Morina: Nuk mund ta paramendoj që të shkruaj skenar për dikë tjetër. Edhe pse për momentin po shkruaj dhe jam si koskenarist i një regjisori gjerman. Por kjo ishte e qartë prej fillimit. Ai e kishte idenë dhe më ftoj ti bashkëngjitëm. Në këto rrethana, po. Por që të shkruaj një skenar krejt vetë dhe të ia dorëzoj dikujt tjetër, kjo vështirë që do të bëhej. Gjatë shkrimit e paramendoj filmin shumë dhe do të isha shumë i dëshpëruar nëse i shoh skenat ndryshe. Do të ishte si dhunë.
KultPlus: Ju keni studiuar për film në Akademinë e Arteve në Gjermani, dhe suksesi i juaj në botën e kinematografisë veç sa ka filluar, por si i shihni përpjekjet e regjisorëve të Kosovës dhe të Shqipërisë për të prekur majat e festivaleve prestigjioze?
Visar Morina: Por kjo ka ndodh me disa filma nga Kosova. Nuk është më e jashtëzakonshme që një film kosovar të marr pjesë në një festival të kategorisë A. Dhe në fakt filmat më interesant në botë qysh që disa vite nuk vijnë nga vendet e zhvilluar. Shumë filma të jashtëzakonshëm vijnë nga e ashtuquajtur bota, e tretë ose e dytë. Kështu që fakti që kam studiuar në Gjermani nuk thotë shumë. Kosova është shumë, shumë interesante. Vetëm një udhëtim me kombi prej Prishtinës në Drenas mund të del një film shumë interesant. Ose diskotekat kosovare, lezet i madh për film…
KultPlus: Do të veçoje ndonjë film të Kosovës apo Shqipërisë?
Visar Morina: Për skenën në Shqipëri nuk kam njohuri, ose shumë pak. Për Kosovë më shumë. Dhe prej nga 2010 jam rregullisht në kontakt me disa filmbërës nga Kosova dhe më duket një zhvillim i jashtëzakonshëm çka ka ndodh në këto vite. Më duket një zhvillim shumë i mirë. Ndërkohë është krijuar një lloj industrie e vogël. Jo vetëm sa i përket regjisorëve por edhe sa i përket stafit përreth dhe pa asnjë telashe do të xhiroja një film komplet me staf kosovar. Diçka që para disa viteve nuk kisha mundur ta paramendoj. Por prej filmave që i kam pa nga Kosova, mendoj që “Kthimi” nga Blerta është për mua filmi më i mirë. Dhe në përgjithësi e vlerësoj dhe adhuroj punën e Blertës shumë dhe shpresoj që ajo së shpejti të na sjell një projekt të ri. “Zana” akoma nuk e kam parë, por skenarin e kam lexuar dhe po pres me shumë gëzim që ta shohë atë film.
KultPlus: Jeni duke shijuar suksesin e filmit “Exil”, por shumë po besoj se keni në kokë ndonjë projekt të ri, nëse po, mund të na tregosh më shumë?
Visar Morina: Jam në shkrim të dy projekteve por akoma është shumë herët të konkretizohet diçka.
KultPlus: Dhe për fund, filmat shumë herë bazohen edhe në letërsi, keni të piketuar ndonjë shkrimtar shqiptar që do të donit që romanin e tij/saj të shndërronit në film?
Visar Morina: Letërsia që më pëlqen nuk mund ta paramendoj si film. Më duket më shumë si dhunë ndaj veprës. Çka mund ta marr me mend është që ta marr një pjesë ose një situatë nga një roman dhe të krijoj diçka të re, por jo si adoptim. Por momentalisht nuk jam duke bërë asgjë në atë drejtim, as nuk e kam ndërmend. / KultPlus.com