Agnes Denes, 90 vjeçarja nga Budapesti është artistja e mjedisit që beson se një vepër arti duhet të rritet si një bimë, nga poshtë. Andaj, edhe pse ajo nuk ishte prezente sot, ajo përmes dy kuratoreve të edicionit të tretë të Autostradës Biennale, ‘What if a journey…’, si: Ovul O.Durmusoglu dhe Joanna ëarsza, ka dërguar një mesazh se ajo ende po pret që këto lule të rriten akoma e në ndërkohë të portretizojnë një gjest që sheh kah realiteti por të lejon të ëndërrosh, shkruan KultPlus.
“Është një gjest për të parë realitetin dhe për të qenë akoma në gjendje të ëndërrosh”, thënie e artistes feministe Agnes Denes, e cila në Prishtinë ka sjell projektin e saj të titulluar “Fushat e Lulediellit 2021”. Disa muaj më parë, ka filluar mbjellja e farave të lulediellit në mënyrë që të rriten dhe të krijojnë një fushë mahnitëse luledielli, e cila tani ishte pothuajse e gatshme për hapjen e edicionit të tretë të Autostrada Biennale.
Do të duhet ende kohë që këto fara të lulëzojnë, ndërsa Prishtina kësisoj do të mbajë mbi supe një vepër arti që nuk është menduar asnjëherë më parë, një vepër që të lë pa frymë e njëkohësisht do të lulëzojë brenda secilit njeri, e që është vendosur tek Platoja e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
“Në manifesten e saj të vitit 1969, Agnes Denes potencoi se dëshironte ta braktiste studion e saj të punës dhe të hynte në botën e shqetësimeve globale, ‘për të komunikuar të pakomunikueshmen, për të vizualizuar të padukshmen, për të mos pranuar kufizimet të cilat shoqëria i ka pranuar’. Përgjatë jetës e karrierës së saj, ajo ka imagjinuar dhe iniciuar eksperimente vizionare mjedisore të bashkëjetesës përmes artit. Ne jemi shumë të nderuar që një artiste me forcë të madhe artistike si Denes ka pranuar ftesën tonë modeste dhe ka propozuar një vepër të re artistike ku luledielli intervenon në jetën e përditshme në qendër të Prishtinës dhe Prizrenit – me fjalët e vetë artistes – një gjest ky që sheh kah realiteti por të lejon të ëndërrosh”, tregojnë kuratoret e edicionit të tretë të Autostrada Biennale, Ovul O. Durmusoglu dhe Joanna Warsza.
Edicioni i tretë i Autostrada Biennale zyrtarisht filloi rrugëtimin e tij në Kosovë.
Fillimisht, kjo ngjarje nisi me fjalimin e Leutrim Fishekqiut nga Autostrada Biennale, i cili ka folur rreth kësaj hapje që është puna e re e artistes Agnes Denes.
“Dje ishte diçka më shumë sesa hapja e Biennales, dhe besoj se të gjithë dakordohen me mua. Sot është një hapje tjetër e ‘Fushat e lulediellit’, nga Agnes Denes. Së bashku me kuratroret Ovul O.Durmusoglu dhe Joanna Warsza, do të zhvillojmë një bisedë për ‘Sunflower Fields 2021’, puna e re e Agnes Denes”, thotë Fishekqiu.
Ndërsa, Tatiana Tarago nga Manifesta, në emër të të gjithë ekipit të Manifestës, është shprehur se po ndjehet shumë krenare që kanë arritur të mbështesin këtë projekt.
“Ndoshta të gjithë ju keni qenë dje aty por në kuadër të Manifestës, unë dëshiroja të thoja se po ndjehemi shumë krenarë që kemi mbështetur projektin e Autostradës Biennale dhe vërtetuar se sa e rëndësishme është puna e tyre. Uroj artistët dhe ekipet për punën e tyre, ndërsa shpresojmë se do të bashkëpunojmë tutje”, thotë Tarago.
Kuratoret e edicionit të tretë të Autostradës Biennale, ‘What if a journey…’,: Ovul O.Durmusoglu dhe Joanna Warsza, nisën diskutimin dhe prezantimin e punës së artistes Agnes Denes, e cila ka përzgjedhur pikërisht Prishtinën si destinacioni që ka nevojë për këto lule.
“Është e mrekullueshme që të jemi së bashku këtu sot e që jemi së bashku me lulet e diellit, që po lulëzojnë. Sot dëshirojmë që të flasim rreth bashkëpunimit me Agnes Denes, që është një feministe legjendare, ajo që kundërshtoi vërtet mënyrën e shkrimit të historisë së artit të tokës, e cila po shikonte drejt tokës dhe fuqisë së saj rigjeneruese në mënyrë që arti të rritet”, thotë Durmusoglu.
Sipas saj, Agnes Denes ka qenë shumë e vetëdijshme për krizën e klimës dhe kur ato kanë ardhur për herë të parë në Prizren dhe Prishtinë, ka qenë me të vërtetë e qartë se toka vetë duhet të theksohet.
“Ne gjithmonë harrojmë me kë bashkëjetojmë dhe gjithashtu priremi të harrojmë se në cilën tokë po ecim dhe si mund të bisedojmë më tej me atë tokë dhe si mund t’i dëgjojmë nevojat e tokës”, ka thënë Durmusoglu
Ndërsa, kuratorja tjetër e edicionit të tretë të Autostradës Biennale, Joanna Warsza, ka përcjellë edhe mesazhin e artistes Agnes Denes.
“Ajo nuk është e pranishme sepse donte të priste derisa të rriteshin luledielli më shumë dhe ajo na ka dërguar përshëndetjet e saj më të mira, disa filma të shkurtër që paraqesin trashëgiminë e saj, punën e saj të mëparshme dhe idenë se si janë menduar fushat e lulediellit në një video 1 minutësh”, thotë Warsza.
Pas shfaqjes së videos 1 minutëshe, është shfaqur edhe një pjesë e dytë rreth realizmit të ‘Wheatfield’, një punë e mëparshme e Denes që ka dëshmuar një rezistencë feministe të artistes ndaj mënyrës se si trajtohet mjedisi.
Kurse, prezantimi i ‘Sunflower Fileds – 2021’, u shfaq përmes një videoje që ishte regjistuar nga dita kur edhe fillimisht janë mbjell këto lule në datën: 22.04.2021.
Tutje, kuratoret Ovul O.Durmusoglu dhe Joanna Warsza, kanë folur edhe rreth mesazhit që projekti i artistes përçon tek publiku dhe qytetarët e Prishtinës.
“Që një fushë me luledielli të rritet, duhet të ketë një komunitet përreth saj, të ushqehet, të kujdeset për fushën e lulediellit dhe në dikur të mbledhen ato fara që janë në rritje. Andaj, gjithmonë ka të bëjë me punën, gjestin e thjeshtë nga komuniteti në mënyrë që puna të mund të realizohet vetë”, thotë Durmusoglu.
“Luledielli është bimë shumë e shkëlqyer që ruan pjellorinë e dheut për një kohë më të gjatë. Kur shikuam historinë e lulediellit, zbuluam se ato janë bimë autoktone që vijnë nga Amerika Latine dhe më pas ato morën rrugën për në Evropë, kryesisht në Rusi. Fakt interesant është se lulet ishin të pranishme në periudhën Jugosllave, duke shtuar tutje simbolikën e këtij projekti”, thotë Warsza.
“A mund të jetë një lule në të vërtetë një gjest që adreson pjesë të komplikuara të historisë”, thekson ajo.
Pastaj, bashkëthemeluesja e Autostradës Biennale, Vatra Abrashi, është shprehur se po ndjehet tejet e lumtur që ajo merr pjesë në këtë proces e që së bashku me qytetarët, ajo do të kujdeset për rritjen e këtyre luleve tejet të veçanta për të.
“Kur kemi filluar bashkërisht mbjelljen e lulediellit së bashku me komunitetin dhe studentë të degëve të ndryshme, ata ishin shumë të lumtur që po marrin pjesë në një proces, të cilën ata vetë kanë për të përcjell. Shumë të rinj e studentë kanë vendosur edhe emra në farat dhe lulet e tyre”, thotë Abrashi.
Sipas saj, për ta ka qenë një kënaqësi shumë e madhe që studentët do të përkujdesen për lulet duke i ujitur ato, megjithëse në hapësira publike.
“Ne si organizatorë jemi munduar që të marrim masa se si mundemi në një farë forme me mbrojt atë, mirëpo asnjëherë duke mos dalur nga koncepti i artistes Agnes Denes duke krijuar rrethoja. Prandaj, për neve ka qenë një kënaqësi shumë e madhe që të jemi në bashkëpunim me kuratoret e artisten”, ka thënë Abrashi.
Kështu krejt në fund, u prezantua fusha e lulediellit me nga një gotë verë e bisedë mes miqsh e artdashës. / KultPlus.com