Dalin në shitje biletat për Sunny Hill Festival 2025  

Biletat e para të Sunny Hill Festival 2025 tashmë janë në shitje. Believers janë lloji më i lirë i biletave të festivalit Sunny Hill i cili këtë vit mbahet prej 1 deri më 3 gusht. 

Prishtinë, 7 prill 2025 – Edicioni i ri i Sunny Hill Festival po vjen. Sunny Hill Festival tashmë i ka lëshuar në shitje biletat e para dhe më të lira për edicionin e ri të festivalit më të madh në rajon. 

“Bileta për dhjetëra artistë ndërkombëtar në tre skena dhe tre ditë rresh eksperiencë e papërsëritshme në Prishtinë momentalisht fillon prej 95 euro. Kjo është mundësia më e mirë për të qenë pjesë e një eksperience të paharrueshme – me muzikën, energjinë dhe atmosferën unike që vetëm Sunny Hill Festival mund të sjellë. Të gjitha llojet tjera të biletave pas grupit të parë të biletave Believers do të jenë me çmime tjera” thuhet në njoftimin e Sunny Hill Festival.

Sipas Shoqatës Evropiane të Festivaleve, Sunny Hill Festival për të dytin vit me radhë, është nominuar si njëri ndër Top 10 festivalet më të mira në Evropë në kategorinë e vet dhe një ndër 25 festivalet më të mira që nuk duhet humbur gjatë vitit. 

Ekipi organizues po punon me përkushtim për ta bërë këtë edicion të veçantë. Të rejat më të fundit po ndahen me komunitetin më besnik të festivalit përmes kanalit zyrtar në Instagram, ndërsa mijëra njerëz tashmë kanë siguruar biletat e tyre “Believers”.  

“Kjo është koha kur ne ia kushtojmë gjithë energjinë dhe përkushtimin tonë më të madh atyre që kanë qenë gjithmonë me ne – pjesëmarrësve më lojal të festivalit” kanë deklaruar organizatorët.  

Numri i biletave të kategorisë “Believers” pritet të shiten shumë shpejt pasi që kërkesa për to është shumë e madhe dhe numri i tyre i kufizuar.

Biletat mund të blihen në këtë link: https://ticketing.festtix.co.uk/events/sunny-hill-festival-2025  / KultPlus.com

Dua Lipa pasi përfundoi ‘Sunny Hill’: Ndjenjë e madhe krenarie, s’mund t’i ndal emocionet

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, përmes një albumi fotografik ka publikuar pamje  fantastike nga edicioni i katërt i festivalit “Sunny Hill”, duke thënë se ndjehet krenare.

“Kam aq shumë për të postuar nga këto 4 ditët e fundit në Sunny Hill Festival sa nuk di as nga t’ia filloj. Unë kam mbetur me një ndjenjë kaq të madhe krenarie pas kësaj fundjave të gjatë sa nuk mund t’i ndal emocionet”, ka thënë këngëtarja Lipa.

Dua Lipa përmes një postimi në rrjetin social facebook ka publikuar çaste të ndryshme nga netët e festivalit “ Sunny Hill”, duke i shijuar momentet me familjen dhe shoqërinë e saj.

“Nuk mund ta shpreh sa duhet gëzimin që ndjej për faktin që ky festival është bërë ai qe është sot, falë 5 viteve të fundit, duke e parë atë të rritet dhe të bëhet diçka më shumë nga sa mund të kishim ëndërruar ndonjëherë. Faleminderit të gjithëve që erdhët për t’u bashkuar me ne, të gjithë artistët dhe ekipet e tyre. Ne jemi shumë mirënjohës. Ju dua shumë”, ka shkruar këngëtarja e njohur më tej./ KultPlus.com

‘Zoti e ruajt Dua Lipën’, AFP: Sunny Hill lehtësisht mund të ngatërrohet me Glastonbury

Mes një lumi xhinsesh të shkurtra, selfieve, temash dhe basi të fuqishëm, ambienti mund të ngatërrohet lehtësisht me “Coachella” ose “Glastonbury”.

Kështu e nis shkrimin e saj agjencia franceze e lajmeve AFP, të cilin më poshtë, Klankosova.tv e sjell të plotë.

Por festivali “Sunny Hill” në Prishtinë po ndihmon ta kthejë Kosovën në një destinacion të preferuar gjatë sezonit të festivaleve verore të Evropës, falë kryesisht themelueses së tij: Dua Lipa.

Për vite me radhë, Kosova ishte e lidhur me luftën e saj të përgjakshme kundër Serbisë, e cila vuri përballë kryengritësit shqiptarë etnikë kundër forcave serbe në fund të viteve 1990, duke lënë mijëra të vdekur dhe duke shkaktuar një krizë refugjatësh.

Por ardhja e Lipës në skenën ndërkombëtare të popit ka ndihmuar në shfaqjen e anën tjetër të Kosovës — të rinj, të talentuar dhe plot ambicie.

Me më shumë se 87 milionë ndjekës në Instagram dhe më shumë se 25 milionë albume të shitura, këngëtarja e lindur në Britani e me origjinë nga Kosova është një nga yjet më të mëdhenj të popit në botë.

Krahas një programi të pafund turnesh, roleve në film dhe organizimit të një podkasti të njohur, Lipa mbetet një nga promovuesit më të zëshëm të të gjitha gjërave në Kosovë.

I nisur në vitin 2018 me babanë e saj, festivali “Sunny Hill” që ajo krijoi ka sjellë disa nga emrat më të mëdhenj për të performuar në këtë cep të vogël të Ballkanit.

Pasditen e vonë të së enjtes, ndërsa notat e para jehonin nga skena kryesore, një turmë e re kaloi nëpër hyrje të festivalit, gjithnjë mirënjohës ndaj Lipës që solli një tjetër listë të mbushur me yje në kryeqytetin Prishtinë.

“Jam shumë e lumtur që ajo po promovon vendin tonë me këta artistë shumë të mëdhenj dhe po i sjell në vendin tonë”, tha Rita Ramadani, 19 vjeçe.

Për edicionin e tij të pestë, “Sunny Hill” krenohet me një listë interpretuesish që rivalizojnë festivalet më të njohura.

Kryesuesit e këtij viti përfshijnë sensacionin britanik të repit Stormzy dhe mbretin e arobeat, Burna Boy.

Bebe Rexha — e cila është gjithashtu me origjinë etnike shqiptare — elektrizoi turmën teksa këndoi hitin e saj global “Me, Myself and I”, ndërsa fliste shqip me publikun mes këngëve.

Flamujt e Shqipërisë dhe të Kosovës ishin të vendosur në skena dhe u shpërndanë nëpër publik gjatë shfaqjeve, ku pjesëmarrësit e festivalit rregullisht mbajnë dy duar të kryqëzuara në shenjën e shqiponjës shqiptare lart.

Në fund të fundit, ky është një festival në Kosovë.

“Jemi të gjithë shumë të lumtur që kjo po ndodh tani dhe njerëzit nga e gjithë bota kanë dëgjuar për Kosovën dhe për ‘Sunny Hill’. Falë Dua Lipës”, tha pjesëmarrësja e festivalit Nita Krasniqii.

E ndërsa festivali tërheq mijëra vendas, dashamirës të muzikës nga jashtë po bëjnë rrugën e tyre për në Prishtinë.

“Ne jemi këtu sepse ka muzikë të mrekullueshme”, tha Michael Maguire, i cili udhëtoi për në festival nga Brukseli me miqtë.

“Kosova është një vend i mrekullueshëm, plot me të rinj dhe shumë të gjallë”.

Por organizimi i një koncerti në Kosovë nuk ka qenë gjithmonë i lehtë.

“Në vitet e para ishte më e vështirë të ftoheshin artistë pasi menaxherët e tyre kërkonin në internet informacione për Kosovën dhe shihnin se mund të ishte e rrezikshme”, tha babai i Lipës dhe bashkëthemeluesi i festivalit, Dukagjin Lipa për mediat lokale.

“Tani nuk e kemi atë problem se kemi ndërtuar një emër”!

Sipas organizatorëve, rreth 45 për qind e biletave të festivalit këtë vit janë shitur jashtë vendit.

Me çmim 200 euro një biletë — që është gati gjysma e pagës mesatare mujore në Kosovë — pak të rinj vendas janë në gjendje të përballojnë hyrjen në festivalin katër-ditor.

Për të ndihmuar në kontrollin e kostove, qeveria komunale e Prishtinës ofroi tokën, sigurinë, transportin dhe grumbullimin e mbeturinave falas.

“Është mrekulli që ndodh në Prishtinë”, tha për AFP kryebashkiaku Përparim Rama.

“Na ofron mundësinë fantastike për të shfaqur njerëzit tanë, kulturën tonë, trashëgiminë tonë”.

Edhe pse Lipa nuk është planifikuar zyrtarisht të performojë këtë vit pasi ajo e menaxhon festivalin nga anash dhe ndjek performancat nga seksioni VIP, vëmendja mbetet e fiksuar tek ajo.

“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës themi Zoti e ruajt Amerikën”, ka bërtitur reperi Mozzik për publikun gjatë setit të tij.

“Unë them ‘Zoti e ruajt Dua Lipën’”. 

Sunny Hill cakton datat e mbajtjes së festivalit

Sunny Hill Festival ka njoftuar se festivali në kryeqytet do të mbahet më 25 – 28 korrik, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi në facebook, nga faqja zyrtare e festivalit.

“RUANI DATAT!

25 – 28 korrik i përket Sunny Hill Festival 2024. Mezi po presim që ju të shihni se çfarë do të ofrojmë!”, thuhet në njoftim.

“Sunny Hill Festival”, organizohet nga këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa dhe konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike në trevat shqiptare.

Festivali përgjatë viteve ka sjell në vend yje nga e gjithë bota./ KultPlus.com