Performanca energjike nga ‘P.I.N.T’, AJ Tracey dhe Skepta arriti në perfeksionim në “Sunny Hill”

Era Berisha

Mbrëmë festivali “Sunny Hill” ka mirëpritur natën e tretë me radhë me një numër të madh të artistëve të cilët kanë ndezur audiencën si asnjëherë më parë. Kjo u dëshmua edhe atëherë kur publiku kishte zënë vendin afër skenës në një numër të madh, për të qenë sa më afër atyre që i kanë në zemër. Artistët e njohur kombëtarë e ndërkombëtarë pushtuan mbrëmë skenën kryesore me këngë që publiku i këndonte njëzëri me ta, shkruan KultPlus.

Edhe kësaj here, fundi i publikut nuk shihej aspak dhe kjo veçse e bënte këtë natë aq më të magjishme. Por, ishte zëri i gjithsecilit që jehonte dukshëm kur artistët në skenë ndalonin për t’i lënë hapësirë të pranishmëve që të këndonin këngët e tyre, dhe kjo vazhdoi për gjatë gjithë natës.

Duke nisur qysh nga artistët si: Lluni & Semi, Kamal, Ledri & Lumi B, Mc Kresha & Lyrical Son, AJ Tracey si dhe kryesuesin për këtë mbrëmje, Skepta, këngët e tyre më të njohura erdhën në një mënyrë krejtësisht të veçantë. Energjia e tyre dukej sikur nuk kishte fund, ndërsa dashuria e tyre për Kosovën shprehej nëpërmjet fjalëve që gjenin vend nëpër mesin e këngëve.

Të emocionuar për të qenë mbi skenën e “Sunny Hill” dhe për të mbështetur kauzën e Dua Lipës, secili artist pati diçka për të thënë. Duke nisur qysh nga Ledri Vula që ka përmendur problemin me çështjen e vizave e deri tek Skepta i cili ka thënë se asnjëherë më parë nuk ka dëgjuar për Kosovën por që ka premtuar se do të kthehet përsëri dhe atë do ta bëjë më shumë kënaqësi.

Me këngët si: “Papi Chulo”, “No Security”, “Lunatic”, “Madness”, “It ain’t safe”, “Kiss and tell”, “Stay far away”, “Praise the world”, “Pure water”, “No security”, Skepta ka ngritur në këmbë publikun që të njëjtit kanë kënduar e kërcyer në vazhdimësi deri në orët e para të mëngjesit. Ndërsa, ishte skena e ndriçuar me reflektorë të ndryshëm ajo që i ka dhënë një tjetër hijeshi secilës këngë të interpretuar. Me drita të llojllojshme që shponin ajrin në vijëza të holla dhe audion në një nivel perfekt, nata e tretë e “Sunny Hill” kulmoi deri në fund me zërin e publikut që për asnjë sekondë nuk u ndal.

Përveç Skeptës, në skenën e “Sunny Hill Festival” u ngjitën edhe artistët shqiptarë të cilët njashtu kanë qenë një me publikun. Nga kënga në këngë, audienca filloi të shpeshtohej akoma më shumë teksa atmosfera bëhej akoma edhe më aktive.

“Du me pi”, “Tërmet”, “Narcos Albania”, “Menime”, “JBMTQR”, “Private”, “Amsterdam”, “Hotel Mahalla”, “Semafori”, “Lej Flleshat”, “Pasite”, “Era”, “Luv luv”, “Filmi i fundit”, “Hip Hop”, “Çele Çadren”, ishin vetëm disa nga këngët shqipe që u interpretuan mahnitshëm. Duartrokitjet dhe brohoritjet e vazhdueshme në publik dëshmuan për talentin e çdo artisti që mbrëmë ka qenë mbi skenë.

Ndërkaq, sonte duke filluar nga ora 18:00 në skenë do të ngjitën artistët si: Adrian, Rrrron, Bookie, Caboo, Vertigeux, Art Haliti, Jimpong, Labi Ramaj, Romeo Blanco, Burak Yeter dhe Regard. Kurse, Diplo është artisti që do kryesojë natën e katërt dhe njëkohësisht të fundit të “Sunny Hill Festival”. / KultPlus.com

Në qiellin e Parkut Gërmia mbrëmë munguan yjet, kishin zbritur në skenën e ‘Sunny Hill’

Era Berisha

Mbrëmë, festivali më i madh në vend, “Sunny Hill” ka futur rrënjët në qytetin e Prishtinës. Më shumë se 25 mijë pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës kanë pushtuar ambientin në Parkun Gërmia. E krejt kjo për të dëgjuar, shikuar e admiruar secilin artist që ka shkelur skenën me një qëllim të vetëm, e ajo është rrëmbimi i zemrave të gjithsecilit në publik, shkruan KultPlus.

Nuk është dashur shumë kohë që mesdita të jetë koha kur publiku të krijojë radhë të gjata për të hyrë brenda. E as për të zënë vendin e tyre aty mu afër skenës, në një pozicion të favorshëm për të qenë sa më afër këngëtarëve të tyre të preferuar. Një rrugë e gjatë dhe e ngushtë është shndërruar mbrëmë në një “oqean” që e kanë parë veç artistët mbi skenë, e kjo si pasojë e një tubimi që fundi nuk i shihej aspak.

Ylli i botës, Dua Lipa, ishte artistja që ka kryesuar natën e parë të festivalit. Me një veshje elegante, sharmi i saj u dallua qysh kur këmba e saj preki skenën. Ndërsa, brohoritjet lakoheshin në vazhdimësi pa ndalë, ajo nisi interpretimin me këngën “Physical”, një performancë që i la pa fjalë të gjithë. E njashtu ishin edhe gjithë interpretimet e tjera që kanë dalë përtej imagjinatës të çdo kujt.

Duke nisur qysh nga skena që këtë vit është në një avancim të shtuar, reflektorët që posaçëm kanë ndërruar formë e ngjyrë sipas agjendës, koreografia e suksesshme e Lipës në përputhje me valltarët e tjerë si dhe prezenca e saj skenike, ka bërë që pritshmëritë e audiencës të tejkalohen krejt lehtazi.

Nga kënga në këngë e nga çasti në çast, performanca e saj magjike ka krijuar një atmosferë që ka ndezur shpirtrat e pranishëm. Kjo dallohej më së miri edhe atëherë kur ndërveprimet e Lipës me publikun mirëkuptoheshin në sekondë.

“Është një ëndërr shumë e madhe për mua për të qenë këtu sonte e për tu munduar që të krijoj një festival kështu me familjen time, me shokët e mi dhe krejt këta njerëz që janë këtu në skenë me mua. Faleminderit shumë që e bëtë këtë natë kaq speciale për mua. Faleminderit edhe gjithë atyre që kanë ardhur në Prishtinën e bukur, për të përjetuar artin, muzikën, kulturën, kreativitetin, energjinë. Kjo do të thotë bota për mua”, ka thënë Lipa pak para se kënga “Be the one” të gjente fillimin.

Në këtë natë nuk kanë munguar as disa nga hitet më të njohura të Lipës, përfshirë këtu edhe disa nga këngët e albumit të saj të fundit “Future Nostalgia”, album ky që mbrëmë ka shfaqur sensualitetin, bukurinë dhe veçantinë e Lipës. Ajo kokë e këmbë ka dhënë shpirtin e saj, ndërsa publiku ia kthyer me të njëjtën mënyrë.

Nata e parë e “Sunny Hill” ka sjellë edhe artistë të tjerë që publiku shqiptar, dhe jo vetëm, i do aq shumë. Ishin: Galoski, Sahati, Art Lokaj&Eros, Jimpong&Friends, Sancet, grupi kosovar “SYTË”, Kida, Yll Limani si dhe Elvana Gjata.

Secili nga këta artistë ka krijuar mbrëmë një atmosferë që jehoi përtej Parku Gërmia. Zërat e tyre diversiv, stili i tyre aq unik si dhe ngrohtësia që përçuan ata në publik është thjesht “jashtë” kësaj bote. Në qoftë se shikoje lart atëherë do të vërehej dukshëm mungesa e prezencës së yjeve, kjo për shkak se “yjet” e vërtetë kishin zbritur mbrëmë mbi skenë.

Ndërkaq, sonte duke filluar nga ora 14:00 në skenë do të ngjitën artistët si: Jimpong&Friends, Edon, Yon Idy, “ZWADA”, La Fazani, Emir Taha, Onat, Cozman, Ghetto Geasy, Azet & Zuna, Dhurata Dora, Mahmood dhe J Balvin është këngëtari që do kryesojë natën e dytë të “Sunny Hill Festival”. / KultPlus.com

Nga dita e parë deri në të katërtën, “SunnyHill” publikon formacionin e përditshëm

Një nga festivalet më të mëdha në Evropë, Sunny Hill, do të mbahet këtë vit, shkruan KultPlus.

Festivali pritet të filloj nga data 4 gusht e këtij viti, deri më 7 gusht dhe do të mbahet në parkun e Gërmisë në Prishtinë.

Në faqen zyrtare të festivalit është publikuar tashmë edhe formacioni i tyre i përditshëm për katër ditë rresht të performuesve në këtë festival.

“Formacioni ynë ditor është më në fund këtu. Nga dita 1 deri në ditën 4, ne do të jemi atje duke festuar me artistë novator”, thuhet në postimin e tyre. / KultPlus.com

Këngëtari Ledri Vula pjesë e festivalit ‘SunnyHill’

Emra të njohur të industrisë së muzikës botërore do të mblidhen së bashku për të performuar në Festivalin “SunnyHill”, shkruan KultPlus.

Skepta, AJ Tracey, Diplo dhe Elvana Gjata, Burak Yeter, Mahmood, Regard, Kida, Ghetto Geasy, Onat, Cozman, Kamal dhe Romeo Blanco janë konfirmuar deri më tani si artistët pjesëmarrës në këtë festival, i cili do të mbahet më 4, 5, 6 dhe 7 gusht në Prishtinë.

Ndërkaq së fundi, përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetin social Instagram, SunnyHill ka konfirmuar se Ledri Vula është artisti i radhës që do të jetë pjesë e këtij festivali.

SunnyHill ka njoftuar gjithashtu se do të ketë edhe aristë të tjerë, emrat e të cilëve do t’i mësojmë më vonë./ KultPlus.com

Për shkak të zvarritjeve të Qeverisë, dështon Festivali Sunny Hill

Festivali më i madh që u organizua disa herë në Kosovë, “Sunny Hill”, sivjet nuk do të mbahet në Kosovë. Organizatorët janë tërhequr.

Gazeta Express merr vesh se ky vendim erdhi si pasojë e zvarritjes së procedurave nga ana e Qeverisë për ta bërë të mundur mbajtjen e festivalit. Organizatorët i kanë njoftuar krerët e shtetit dhe ministrat se nuk do ta mbajnë festivalin në Prishtinë.

Komuna e Prishtinës ishte pajtuar që t’ia japë “Sunny Hill Festival” 17 hektarë tokë në shfrytëzim për 99 vjet në mënyrë që ta mbajë këtë ngjarje në Kosovë.

Por procedurat më tej janë zvarritur në Qeveri, gjë që ka bërë që organizatorët e kësaj ngjarjeje të tërhiqen përfundimisht.

Organizatorët ndjehen të dëshpëruar me vonesat e shumta të shkaktuara nga mungesa e një përgjigjeje nga Ekzekutivi.

Ky festival ishte paraparë të mbahej nga 4 deri më 7 gusht. / KultPlus.com

Action Bronson realizon në Kosovë episode të emisionit të tij të gatimit

Reperi shqiptaro-amerikan Action Bronson nesër arrin në Prishtinë për t’iu bashkuar emrave më të mëdhenj të muzikës botërore të momentit, Dua Lipa dhe Martin Garrix në Sunny Hill Festival, që do të mbahet me 10/11 dhe 12 gusht.

Emisioni Express Summer në KTV, mëson se përveç performancës në parkun e Gërmisë, reperi me origjinë shqiptare, Arian Asllani gjithashtu do të realizojë disa episode të emisionit “The Untitled Action Bronson Show”, një emision i cili njihet për talentin e tij në gatim.

Mësohet se një nga qytetet ku do të realizohet emisioni do të jetë qyteti i Prizrenit. Kjo është edhe arsyeja e ardhjes së Bronsonit, disa ditë para festivalit Synny Hill./KultPlus.com