Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, tanimë e ka konfirmuar mbajtjen e festivalit Sunny Hill në kryeqytetin shqiptar.
“Data e njëjtë, përvojat e bukura të njëjta, lokacion i ndryshëm”, ka shkruar ai në njoftimin e “Sunny Hill” që e ka shpërndarë në rrjetin social Instagram.
Edhe zyrtarisht, “Synny Hill Festival” konfirmon që për edicionin e sivjetmë do të zhvendoset në Tiranë.
Nëpërmjet një njoftimi të shkurtër, organizatorët bëjnë me dije se festivali nuk do të mbahet në Kosovë për shkak të vonesave nga institucionet në Kosovë që lidhen me lejet për lokacionin e caktuar.
Organizatorët bëjnë me dije se ata që tashmë i kanë blerë biletat, nëse nuk kanë mundësi të marrin pjesë gjatë ditëve të festivalit në Tiranë, do t’u kthehen paratë.
Në njoftimin e publikuar thuhet:
Datat e njëjta, përvojat e njëjta, lokacioni i ndryshëm
Këtë gusht (për shkak të vonesave nga institucionet për të lëshuar lejet e nevojshme për lokacionin), ne detyrohemi të zhvendosemi në Tiranë.
Duam t’ju informojmë të gjithë ata që tashmë kanë bileta, se ato vlejnë për Sunny Hill Festival 2022 – Edicioni në Tiranë, ndërkaq ata që e kanë të pamundur të marrin pjesë në Tiranë, kanë mundësinë që t’i marrin paratë e tyre. (Datat për tërheqje të parave hapen nga 1 gushti deri me 15 gusht). Më shumë detaje dhe instruksione do të jepen ditëve në vazhdim.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pasi festivali Sunny Hill nuk do të mbahet në Prishtinë.
Nëpërmjet llogarisë së tij në rrjetin social Facebook, Rama tha se vendimi për anulimin e këtij festivali në kryeqytetin e Kosovës, është shkaktuar nga “zvarritjet e Qeverisë”. Sipas tij, kjo do t’i “shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm”.
Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e tij të plotë:
Të nderuar qytetarë të Prishtinës, Me keqardhje të madhe mora lajmin se Festivali prestigjioz, Sunny Hill, sivjet, nuk do të mbahet në Prishtinë. Një vendim i tillë, i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm. Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën. Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asambleistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit. Ne presim që Qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t’i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës, dinjitetshëm, ashtu siç e meriton secili qytetar i kryeqytetit. / KultPlus.com
“Datat e njëjta, e njëjta përvojë e bukur, vendndodhje tjetër!”, ka njoftuar festivali “Sunny Hill” nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, përcjellë KultPlus.
Këtë gusht (për shkak të vonesave të autoriteteve në pajisjen me licencat e nevojshme për vendndodhjen), festivali është detyruar që të transferohet drejt Tiranës.
“Duam të njoftojmë të gjithë biletardët tanë se biletat e tyre janë të vlefshme për Sunny Hill Festival 2022 – Tirana Edicioni, ndërsa ata që nuk kanë mundësi të ndjekin Festivalin në Tiranë, do të mund të rimbursojnë biletat. (Dritarja e rimbursimit do të hapet nga data 1 korrik deri më 15 korrik”, thuhet tutje në postim.
Më shumë detaje dhe udhëzime do të jepen në ditët e ardhshme. / KultPlus.com
Festivali “Sunny Hill”, që ishte planifikuar të mbahet në Prishtinë, ka dështuar. Kjo ka ndodhur pasi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk i ka kthyer përgjigje definitive organizatorëve.
Themeluesi Dukagjin Lipa i ka njoftuar krerët e shtetit rreth Festivalit “Sunny Hill”, më konkretisht për vendimin e tërheqjes së festivalit nga Prishtina. Ai nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se kërkesa e festivalit është politizuar dhe janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore dhe kompentencat e MAPL mbi Komunën e Prishtinës.
Më poshtë KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:
Të dashur miq,
Kjo është letra të cilën e kam shkruar me veshtirësi të madhe e me shumë zemër të rëndë por dërgesa e së njejtës ka qenë e paevitueshme.
Pas pritjeve, tentimeve, lutjeve e kërkesave, pas votimeve unanime dhe atyre të plotfuqishme prap e gjetem veten peng i politikbërjës në kurriz të festivalit dhe të rinjëve të Kosovës.
Vendimi ishte i vështire por i domosdoshëm.
Presim ditë më të mira e rikthim sa më të shpejtë në Prishtinë.
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu, I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Të nderuar ministra Krasniqi dhe Çeku, E nderuara ministre Gërvalla-Schwarz, I nderuari Kryetar i Prishtinës, zt. Përparim Rama,
Me anë të këtij njoftimi, me keqardhje dhe dëshpërim të madh, ju lajmërojmë se për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin, nga ana e MAPL, edicioni i këtij viti i festivalit Sunny Hill nuk do të mund të mbahet në Prishtinë.
Edhe pse jemi duke hyrë në vitin e tretë të pritjes për përgjigje përfundimtare dhe finalizim të procesit për përcaktimin dhe dhënien e një hapësirë në shfrytëzim për masovizim të platformës së festivalit, për të krijuar një ekosistem të gjerë përfitues për interesat strategjike të shtetit tonë në mbarë botën, gjithë kjo kohë ka qenë e pamjaftueshme për institucionet relevante për marrjen e një vendimi përfundimtar, i cili do t’ia lejonte festivalit Sunny Hill përgatitjet e domosdoshme për mbajtjen e një edicioni dinjitoz në Prishtinë.
Në vend të përkrahjes, kërkesa e festivalit është politizuar, janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore dhe kompentencat e MAPL mbi Komunën e Prishtinës, është injoruar vendimi i shumicës së Kuvendit Komunal, është ushtruar ndikim i paralajmëruar direkt mbi MAPL nga ana e asambleistëve të opozitës komunale, dhe për pasojë ne edhe sot, pas gjithë kësaj kohe, nuk e kemi një vendim final i cili do të na mundësonte mbajtjen e festivalit në Prishtinë.
Sa për sqarim, kërkesa identike, në fund të mandatit të kaluar komunal ishte votuar PRO unanimisht nga të gjithë asambleistët pa dallim partiak, por tani është rikthyer për plotësim, meqë ish-Kryetari Ahmeti nuk e kishte përgatitur dokumentacionin në formën e duhur.
Tani, kërkesa e njëjtë, edhe pse tërësisht e plotësuar sipas ligjit dhe konform kritereve të MAPL, u shndërrua në betejë politike mes partive në Kuvend Komunal, në kurriz të festivalit dhe dobisë që i njëjti e krijon për imazhin e shtetit dhe vlerave që ne si shoqëri i përfaqësojmë, përfshi edhe efektin direkt dhe zingjiror që festivali e krijon për ekonominë e kryeqytetit por edhe jehonën pozitive në mbarë botën, e cila në këtë periudhë është esenciale për vendin tonë.
Nevoja për fitore të vogla politike nga ana e asamblistëve komunal, fatkeqësisht mbeti mbi interesin e shtetit dhe mundësinë për rritjen e një platforme të rëndësishme të diplomacisë kulturore dhe turizmit kulturor.
Në letrën dërguar tek MAPL, Sunny Hill Festival ka treguar se nuk ka nevojë për pronë publike për 99 vjet.
Ne nuk kemi nevojë për tokën e shtetit, por Prishtina ka nevojë për hapësirë e cila i plotëson kushtet e kërkuara nga performues të rangut botëror dhe Festivali ka nevojë për shtëpi të përhershme në qytetin e tij.
Meqë Prishtina nuk e ka një hapësire të tillë, ne kemi shprehur gatishmërinë që hapësirën e ndarë nga Komuna e Prishtinës, (tokë djerrinë dhe e pa përdorshme sot) të kthejmë në një PARK PUBLIK, të qasshëm për të gjithë qytetarët, para dhe pas përdorimit për nevojat e festivalit dhe nën mbikqyrjen e organizatës Sunny Hill.
Sunny Hill sjell disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore në Prishtinë, krijon publicitet masiv për vendin tonë në tërë botën (vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar vetëm nga edicioni i fundit është llogaritur në vlerën prej 23 milionë eurove si dobi direkte për imazhin e shtetit), ka sjell deri në 10 (dhjetë) milionë euro për ekonominë e kryeqytetit, si dhe promovon vlerat më të mira të kulturës, muzikës dhe rinisë tonë nëpër botë. Për më shumë, me dhjetëra mijëra njerëz ose mbi 50 për qind të pjesëmarrësve në Sunny Hill Festival në çdo edicion kanë ardhur nga jashtë Kosovës, nga më shumë se 40 vende të ndryshme të botës.
Në çdo edicion të Sunny Hill Festival, të rinjtë tanë bashkë me moshatarët e tyre nga vende të ndryshme të botës vijnë në Prishtinë për të parë artistët e tyre të preferuar duke performuar në skenën më të madhe të muzikës në vendin tonë.
Efekti social, kulturor dhe ekonomik i festivalit është i pamohueshëm. Aq më shumë kur dihet madhësia e diasporës tonë nëpër botë dhe nevoja që ne si shtet dhe shoqëri kemi t’i krijojmë rinisë tonë jashtë vendit arsye shtesë për ta vizituar vendlindjen e tyre në baza të rregullta vjetore.
Ne kujdesemi që në çdo edicion, Sunny Hill të bëhet lajm pozitiv në mediat më relevante të botës (përfshirë shumë shtete të cilat ende nuk e kanë njohur shtetësinë e saj), dhe që nga edicioni i tij i parë festivali ynë është bërë sinonim i përpjekjeve perëndimore të Kosovës dhe demografisë së saj të re, si vlerë shumë domethënëse me të cilën përfaqësohemi ndërkombëtarisht.
Me Sunny Hill Festival, në Prishtinë krijohet një moment i ri kulturor, ku shteti më i ri në Evropë sjell emrat më të njohur të muzikës së kohës sonë, në kryeqytetin më të izoluar në Evropë.
Prishtina ishte nikoqire e disa prej emrave më të mëdhenj botëror të muzikës, duke përfshirë Miley Cyrus, Dua Lipa, Calvin Harris, Martin Garrix, Action Bronson, dhe dhjetëra artistë të huaj e vendorë të cilët bëhen bashkë, krijojnë sinergji dhe e bëjnë të mundur që Kosova të bëhet trend ditor global në dhjetëra shtete të ndryshme të botës.
Shteti ynë, Prishtina si kryeqytet dhe rinia e Kosovës, deri më tani janë shfaqur mbi 500 milionë herë gjithsejt në kanale digjitale, tek audiencat ndërkombëtare përmes Sunny Hill. Vetëm në edicionin e kaluar, janë publikuar mbi 557 artikuj pozitiv në mediat ndërkombëtare, përfshi edhe televizionet e ndryshme nacionale amerikane, të cilat shikohen nga qindra miliona njerëz në ditë në gjithë botën.
Në anën tjetër, në aspektin ekonomik bizneset e vogla dhe të mesme vendore prezantohen para një audience masive e cila ka kërkesë të jashtëzakonshme për konsumin e produkteve të tyre, dhe eksperiencë të re të konsumit vendor. Hotelet dhe bujtinat private plotësojnë 100 për qind të kapacitetit të tyre të dhomave dhe shërbimeve tjera të ofruara ndaj mysafirëve të cilët vijnë në Prishtinë dhe qytetet tjera përreth.
Meqenëse muzika i kapërcen krejt kufijtë, ne synojmë që vazhdimisht të ftojmë muzicientë dhe interpretues të njohur botërorë në Prishtinë, për të përmirësuar shkëmbimet dhe rrjetet ndërkulturore me artistët lokal. Aktivitetet kulturore të Kosovës rriten me festivalin, pasi artistët vendas shkëmbejnë kontakte me muzikantë e producentë të famshëm botëror, dhe krijojnë mundësi të reja bashkëpunimi dhe depërtimi në skenat e mëdha të muzikës botërore.
Angazhimi i grupeve të pakicave si dhe i njerëzve me prejardhje të ndryshme sociale dhe kulturore do të ndihmojë në krijimin e një mjedisi të larmishëm dhe gjithëpërfshirës. Në Sunny Hill Festival promovohen vlerat demokratike, duke qenë se vetë karakteri i festivalit po forcon demokratizimin e vendit përmes fuqisë së muzikës, kulturës dhe artit.
Misioni ynë është të evoluojmë më tej festivalin tonë, ta masivizojmë atë, në mënyrë që të bëhet simboli më i mirë përfaqësues i rinisë dhe kulturës së Kosovës, duke ri-modeluar imazhin e vendit tonë dhe vlerave që ne përfaqësojmë si shoqëri, dhe duke e bërë Prishtinën dhe Kosovën një ndër destinacionet kryesore në Evropë për muzikën moderne.
Qëllimi ynë është që të krijojmë një efekt pozitiv në shoqëri, duke shtuar vlerë të shumëfishtë përmes numrit të madh të vizitorëve, të rrisim të ardhurat në ekonominë e vendit si dhe aktivitetet turistike, nga të cilat shteti ynë, shoqëria jonë dhe bizneset vendase përfitojnë drejtpërdrejt.
Si platformë e madhe, e me ngritje të jashtëzakonshme, ne besojmë fuqishëm se misioni ynë është në përputhje të plotë me objektivat e institucioneve që ju drejtoni, prandaj kërkojmë mbështetjen e të gjitha institucioneve relevante të Republikës së Kosovës për finalizimin sa më të shpejtë të procesit të dhënies së hapësirës në shfrytëzim, në mënyrë që Sunny Hill Festival 2023 në vitin e ardhshëm të vazhdojë të mbahet edhe në Prishtinë, qytet të cilit edhe i takon.
Si ngjarje e veçantë, Sunny Hill Festival i sjell Kosovës më tepër vëmendje, publicitet masiv dhe vlerë të matshme pozitive nga të gjitha anët e botës se sa çdo projekt tjetër privat apo shtetëror që ndodh në Kosovë. Në këtë mes, nuk po llogaris aspak angazhimet e mia dhe të familjes sime për promovimin e shtetit, udhëheqësve të shtetit dhe rinisë dhe vlerave që i kemi.
Mbesim me shpresë që përgjigja jonë merr vëmendjen tuaj, në mënyrë që kredibiliteti i Festivalit dhe kredibiliteti im personal dhe i familjes sime të mos mbes në duart e asamblistëve që për betejat e tyre politike na vendosin në situata të këtilla jashtë çdo logjike te shëndoshë, dhe na sjellin deri tek humbja e mundësisë më të mirë të promovimit, diplomacisë dhe turizmit kulturor që e ka dhe mund ta kishte Kosova për një kohë shumë të gjatë.
Me nderime Dukagjin Lipa themelues dhe organizator i Sunny Hill Festival / KultPlus.com
Sunny Hill nuk do të mbahet në Prishtinë, dhe për këtë, organizatorët i kanë njoftuar krerët e shtetit. Festivali do të mbahet në Tiranë.
Festivali “Sunny Hill”, që ishte planifikuar të mbahet në Prishtinë, ka dështuar. Kjo ka ndodhur pasi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk i ka kthyer përgjigje definitive organizatorëve.
Për shkak të vonesave në përgjigje për një vendim përfundimtar për dhënien e tokës në shfrytëzim, themeluesi Dukagjin Lipa i ka njoftuar krerët e shtetit se Festivalin “Sunny Hill” për vendimin e tërheqjes së festivalit nga Prishtina.
Gazeta Express mëson se festivali pritet tash të mbahet në Tiranë.
Në adresimin e organizatorëve thuhet se në vend të përkrahjes, kërkesa për t’i siguruar një vend festivalit “është politizuar”.
Festivali ishte paraparë të mbahet në dalje të Prishtinës prej 4 deri më 7 gusht të këtij viti.
Deri më tash, organizatorët kanë zbuluar emra të artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë që pritej të performonin në Prishtinë. / KultPlus.com
Festivali më i madh që u organizua disa herë në Kosovë, “Sunny Hill”, sivjet nuk do të mbahet në Kosovë. Organizatorët janë tërhequr.
Gazeta Express merr vesh se ky vendim erdhi si pasojë e zvarritjes së procedurave nga ana e Qeverisë për ta bërë të mundur mbajtjen e festivalit. Organizatorët i kanë njoftuar krerët e shtetit dhe ministrat se nuk do ta mbajnë festivalin në Prishtinë.
Komuna e Prishtinës ishte pajtuar që t’ia japë “Sunny Hill Festival” 17 hektarë tokë në shfrytëzim për 99 vjet në mënyrë që ta mbajë këtë ngjarje në Kosovë.
Por procedurat më tej janë zvarritur në Qeveri, gjë që ka bërë që organizatorët e kësaj ngjarjeje të tërhiqen përfundimisht.
Organizatorët ndjehen të dëshpëruar me vonesat e shumta të shkaktuara nga mungesa e një përgjigjeje nga Ekzekutivi.
Ky festival ishte paraparë të mbahej nga 4 deri më 7 gusht. / KultPlus.com
Emra të njohur të industrisë së muzikës botërore do të mblidhen së bashku për të performuar në Festivalin “SunnyHill”, shkruan KultPlus.
Skepta, AJ Tracey, Diplo dhe Elvana Gjata, Burak Yeter, Mahmood, Regard, Kida, Ghetto Geasy, Onat, Cozman dhe Kamal janë konfirmuar deri më tani si artistët pjesëmarrës në këtë festival, i cili do të mbahet më 4, 5, 6 dhe 7 gusht në Prishtinë.
Ndërkaq së fundi, përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetin social Instagram, SunnyHill ka konfirmuar se Romeo Blanco është artisti i radhës që do të jetë pjesë e këtij festivali.
SunnyHill ka njoftuar gjithashtu se do të ketë edhe aristë të tjerë, emrat e të cilëve do t’i mësojmë më vonë./ KultPlus.com
‘Sunny Hill Festival’, festivali i organizuar nga këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, do të rikthehet sivjet në Prishtinë, pas dy viteve pushim për shkak të pandemisë, përcjell KultPlus.
Përmes një njoftimi në Instagram, faqja zyrtare e festivalit, ka njoftuar se kjo ngjarje e madhe sivjet do të mbahet në datat 4-7 gusht.
“Rezervoni datat
4 – 7 gushti është gati të mbahet mend sepse Sunny Hill Festival rikthehet në vitin 2022 me një edicion më të gjatë dhe formacionin më të lezetshëm në Evropë.” – thuhet në njoftim./ KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka dhënë një lajm të rëndësishëm për Sunny Hill Festival, shkruan KultPlus.
Ky festival që nuk është mbajt viteve të fundit si pasojë e pandemisë, këtë vit do të rikthehet në Prishtinë.
Dukagjin Lipa, babai i Dua Lipës ka njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale se Sunny Hill Festival po rikthehet në Kosovë, duke iu referuar një interviste të Dua Lipës për medie të huaja, ku ka dhënë detaje për këtë festival.
Përmes një postimi në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, Lipa ka postuar disa foto me mbishkrimin “Ndjenja e veçantë e festivalit. A jeni gati?” /KultPlus.com
Epitetin e refugjatit e kishte përjetuar qysh i vogël, i cili bashkë me familjen e tij kishin shkuar për Suedi, por ky rrugëtim për Gëzim Gashin ka shërbyer në anën e duhur të medaljes, pasi që, përvojat e tij, sukseset dhe realizimi i ëndrrave mes Suedisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë përmbledhë me një libër, libër ky që po konsiderohet si një ndër librat më të shitur në Amazon.
Ardianë Pajaziti
”Unlocked: the power of you” është libri debutues i Gashit që është botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, libër që futet në grupin e librave inspirues. Sipas tij, edhe pse i botuar pothuajse në pjesën e fundit të vitit që po lëmë pas, doli të jetë si libri që po zgjon interesim te lexuesit.
Jeta prej refugjati, shkollimi i tij në Suedi, lëvizja e tij e më vonshme prej Suedisë drejt SHBA-ve, masterclass të ndryshëm nëpër institucione të rëndësishme, duke përfshirë edhe Harvard, udhëheqja e Fondacionit të Mbretëreshës Silvia të Suedisë, themelimi i Institutit të Inovacionit dhe Arteve, me qendër në Los Angeles, urë lidhëse mes producentëve të famshëm në nivel botërorë dhe Festivalit „Sunny Hill“ në Kosovë, janë copëza inspiruese që kanë ndikuar te Gëzim Gashi, që në një periudhë relativisht të gjatë, ti shkruaj në letër, e krejt këto letra të rrumbullakojnë librin, libër që tashmë ka përmbushë ëndrrën e vetë Gezim Gashit.
Gëzim Gashi shprehet të jetë i befasuar me këtë sukses të madh, ku sipas tij, mbi të gjitha nuk e priste gjithë këtë sukses. „Mbi një vit e gjysmë isha i thelluar në guacën e këtij libri, deri sa e kam përfunduar“, kujton Gashi përkushtimin mbi këtë libër, por, sipas tij, gjithçka mori tjetër dimension, pas suksesit të madh në Amazon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ranguar si libri më i shitur. „Ishte një moment kaq i veçantë për mua dhe familjen time, një ditë që nuk do ta harroj kurrë“, ka thënë Gashi.
Suksesi i këtij libri të Gashit është inspirim i jetës së tij prej refugjati, ku lëvizjet e tij prej Kosovës në Suedi, më pas në SHBA, ishin shtysë që përvojën e tij jetësore ta ndajë edhe me të tjerët, me qëllim që të inspirojë dhe të ndihmojë edhe të tjerët.
„Duke qenë një refugjat nga Kosova, dhe i rritur në Suedi, e më pas edhe zhvendosja drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më bëri që këtë përvojë dhe këtë njohuri ta ndaja me gjithë të tjerët“, tregon Gëzim Gashi, i cili shpjegon më titje se libri ”Unlocked: the power of you” është një libër për të ndihmuar vetveten, për gjetjen e qëllimeve, që sipas Gashit, kur njeriu gjen qëllimin e tij, atëherë edhe suksesi është më i madh.
Libri i referohet 12 hapave për gjetjen e çelësit për vetveten, dhe se si të nxirret potenciali më i madh, e që libri padyshim është bazuar në sukseset e mëhershme të Gëzim Gashit edhe në fusha të tjera, suksese që më pas kanë reflektuar në këtë libër.
Si themelues i Institutit të Inovacionit dhe Arteve OSC, që është i vendosur në Los Angeles, për Gëzim Gashin ishte baza kryesore në këtë libër, e që vetë Gëzimi këtë arritje e vlerëson si arritjen më të madhe të deritanishme. “U emocionova shumë kur e mësova një fakt, sepse isha shqiptaro-suedezi i parë që bëja një gjë të tillë në SHBA. Jam krenar për këtë, sepse dua ti dëshmoj brezit të ri, se kur kemi ëndrra, mund të shkojmë aq larg sa edhe duam”, ka thënë Gashi.
Libri ”Unlocked: the power of you” është libër që nuk i dedikohet moshave, por të gjithë atyre që duan të provojnë ëndrrën e tyre, e sidomos për ata që e ndjenjë se nuk janë duke e bërë punën e duhur, sipas Gashit mund të jetë një libër orientues që mund të ndezë shkëndija të së ardhmes.
Libri i Gëzim Gashit së shpejti do të ofrohet për shitje edhe në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, por fillimisht do të ofrohet në treg vetëm në gjuhën angleze. Kurse sipas autorit, ky libër pritet të vjen edhe në gjuhën shqipe, përgjatë vitit 2022.
Duke përfshirë jetën e Gëzim Gashit dhe familjes së tij, se si përfunduan si refugjat nga Kosova në Suedi, dhe se krejt kjo histori ka bërë që Gëzim Gashi të jetë ai që është sot, ai tregon edhe për rolin tjetër që së fundi i është besuar, drejtimi i Fondacionit të Mbretëreshës Silvia nga Suedia, fondacion që e udhëheqë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe Gashi tregon se një besim i tillë është nder për të, pasi që me punëtoritë e tij që i zhvillon me të rinjtë në SHBA, bën aktivitete të ndryshme për ti parandaluar të rinjtë nga droga dhe përfundimi i tyre në rrugë.
Gëzim Gashi ka edhe një sukses tjetër, atë të paraqitjes para studentëve të Harvard, i cili me një masterclass, ai ka folur për rrugëtimin e tij si sipërmarrës. “Ishte Erza Muqolli që është bashkëngjitë në këtë paraqitje, e cila është paraqitur me zoom. Ishte një arritje e madhe të prezantojë Erza Muqollin, si një prurje të madhe për tregun muzikor amerikan”, ka shpjeguar Gëzim Gashi, i cili ka treguar se pas këtij prezantimi në Harvard, ai është duke bashkëpunuar ngushtë me Erzën dhe babin e saj, punë që ka për synim përfshirjen e Erzës në tregun amerikan. “Por nuk mund të them asgjë për momentin, për shkak të kontratave ligjore, por premtoj se KultPlus, do të jetë mediumi i parë që do të ketë ekskluzivitetin e këtij bashkëpunimi”, ka thënë më tej Gashi.
Dhe, jo vetëm Erza Muqolli po përgatitet për bashkëpunime të mëdha. Po nëpërmjet Gëzim Gashit dhe Sunny Hill Festival, festival ky i Dua Lipës në Kosovë, tashmë janë përzgjedhë disa talentë nga Kosova, që do të shkojnë për shkollim në Institutin e Inovacionit dhe Arteve në Los Angeles. “Mezi po pres që të sjellim këta talentë në Los Angeles, situata pandemike ka ndikuar që të vonohemi”, ka thënë ai, i cili për fund ka treguar se në vitin 2022 do të fokusohet te libri i tij, ku tashmë ka vazhduar takimet me lexuesit nëpërmjet turneve nëpër Amerikë, kurse ai bashkë me ekipin e tij, po planifikojnë që të vijnë edhe në Kosovë e Shqipëri./ KultPlus.com
Pasditen e së premtes, këngëtarja Dua Lipa ka mbajtur edhe një bashkëbisedim për mediat në Tiranë duke pasur si shkas vizitën e saj. Në prezantimin e bërë para gazetarëve, kryebashkiaku Veliaj ka thënë se Dua në kryeqytetin shqiptar nuk ishte vetëm si muzikante e yll, por edhe si “brigadiere” me jelekun e gjelbër.
“Mbi të gjitha besoj, përveç të qenët artist i mirë duhet të jesh edhe njeri i mirë. Ka njerëz që flasin dhe të tjerë që bëjnë e kur ishte situata me tërmetin kishte njerëz që luteshin e të tjerë që u përpoqën të bëjnë diçka konkrete”, ka thënë Veliaj për idenë e rindërtimit të kopshtit në qendër të Tiranës.
Në emër të fondacionit “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, duke folur për konceptin e projektit për kopshtin në Tiranë, ka thënë se prej 2016-s ka filluar rrugëtimi për bamirësi.
“Tash jemi në proces të hapjes së një objekti në Prishtinë, që do të jetë si një hapësirë ku artistët e rinj do të kenë mundësi të eksplorojnë talentin e ri”, ka thënë Dukagjini për projektin “Sunny Hill Academy”, ndërkaq ka shfaqur shpresën që fondacioni në të ardhmen të shtrihet edhe në Tiranë.
Në fjalën e saj, këngëtarja Dua Lipa ka ritheksuar kënaqësinë e saj që po mund të ndihmojë jo vetëm për projektin e kopshtit në Tiranë, por edhe më shumë se kaq.
“Kjo është një ëndërr e madhe për mua, veçmas për një komunitet që më ka dhënë shumë, për të gjithë shqiptarët që më mbështetën dhe kjo është veç një mënyrë e vogël se çfarë mund të bëj unë”, ka thënë ajo.
Duke iu përgjigjur interesimit dhe pyetjeve të gazetarëve për edicionin e ardhshëm të “Sunny Hill Festival”, ajo ka paralajmëruar se do të ketë prani të artistëve të njohur ndërkombëtarë, por nuk ka dhënë ndonjë informacion se cilët do të jenë ata.
“Kemi qejf t’i ruajmë befasitë deri në momentin e fundit”, ka thënë Lipa për edicionin e vitit të ardhshëm që do të ketë për herë të parë kohëzgjatje prej katër ditësh.
Ndërkaq Dukagjin Lipa ka folur për arsyet që “Sunny Hill Festival” nuk u mbajt sivjet, duke e përmendur pandeminë si shkakun kryesor.
“Por po kaq hendikep ishte edhe çështja e hapësirës që nuk u akordua deri para disa javësh”, ka shtuar ai.
Edicioni i dytë “Sunny Hill Festival” u mbajt në vitin 2019 në Prishtinë. Me tre net me afro 50 mijë të pranishëm në fundjavën e parë gushtit të atij viti, “Sunny Hill Festival” solli në Kosovë emra të përveçëm të muzikës botërore, përderisa mediat ndërkombëtare do të raportonin në vazhdimësi për të. Në skenën gjigante në parkun e Gërmisë kishin performuar yje botërorë, si Miley Cyrus e Gashi përderisa DJ i njohur Calvin Harris do ta elektrizonte natën finale.
Më 14 qershor të këtij viti, Kuvendi Komunal i Prishtinës miratoi vendimin për ndarjen e hapësirës për “Sunny Hill Festival”. Me 32 vota për, asamblistët miratuan propozim-vendimin që këtij organizimi t’i ndahet prona komunale në Bërnicë të Poshtme afër Qendrës së panaireve në Shkabaj. Siç është projektuar, aty do të ketë kapacitet për 100 mijë veta. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka dhënë një lajm të rëndësishëm për Sunny Hill Festival, shkruan KultPlus.
Ajo dhe babai i saj Dukagjin Lipa kanë organizuar tash e dy vite ‘Sunny Hill Festival’ i cili është një festival ndërkombëtar i muzikës në Kosovë që u zhvillua në Gusht 2018 dhe 2019 në kryeqytetin Prishtinë.
Dua dhe Dukagjin Lipa sot dhanë lajmin se ‘Sunny Hill Festival’ tashmë ka një adresë të përhershme në qytetin e Prishtinës.
Dua ndau një Instastory ku tha se ajo është aq krenare për atë që kanë arritur deri tani.
“Festivali ynë Sunny Hill Festival tashmë ka një adresë të përhershme në Prishtinë, Kosovë. Jemi kaq krenarë me arritjen e këtij rrugëtimi deri tani dhe mezi presim që të rritemi më shumë dhe të bëhemi edhe me një lokacion të ri! Ju faleminderit për të gjithë dashurinë dhe përkrahjen. Do të shihemi së shpejti”, shkroi Dua në fotografinë të cilën e postoi në Instastory./KultPlus.com
Shumica e festivaleve botërore të artit janë anuluar për shkak të Covid-19 vitin e kaluar, teksa ende po diskutohet nëse do të ketë organizime në vitin 2021, shkruan KultPlus.
Një festival tejet i njohur që ka nam edhe përtej kufinjve shqiptarë është Festivali “Sunny Hill” për të cilën organizatori, Dukagjin Lipa ka jepur detaje për organizimin e tij në këtë vit.
I ftuar së fundmi në emisionin e mëngjesit “Ora shtatë” në Klan Kosova, Dukagjin Lipa tregoi se planet për realizimin e festivalit do të plotësohen në varësi të situatës së pandemisë.
“Planet e saj varen shumë prej situatës me pandeminë. Ne mezi presim të fillojë përsëri Festivali Sunny Hill. Shpresojmë shumë që pandemia të qetësohet sepse duhet ta dimë që duhet të jemi të kujdesshëm me festivale. Duhet t’iu përmbahemi rregullave të COVID”, shprehet ai.
Më tej shton se i gjithë ekipi është i gatshëm për organizimin e edicionit të sivjetshëm dhe po presin për dritën jeshile nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Jemi të gatshëm për festivalin por jemi duke e prit vendimin e Kryetarit të Komunës, Shpend Ahmetit, për hapësirën e re të këtij festivali. Do të kemi një lajm të ri për 3-4 ditë për sajtin e festivalit. Veç pandemia mundet me na ndalë, asgjë tjetër”, tha Dukagjin Lipa.
Festivali “Sunny Hill”, festival ky disa ditorë, ka sjellë në Kosovë disa nga emrat më të shquar të muzikës si Miley Cyrus dhe Gashi. / KultPlus.com
Biletat për Dua Lipa Studio 2054 tashmë janë në shitje në Festtix, platformën më të re ndërkombëtare për menaxhimin e eventeve, bazuar në Prishtinë
Performanca unike e pop yllit botëror Dua Lipa, Studio 2054 do të transmetohet live dhe online edhe në vendin tonë këtë të premte, më 27 nëntor 2020, me fillim prej ora 21:30, në LIVENow.
Sipas konfirmimit të bërë nga vetë Dua Lipa, mysafirë të spektaklit që pritet t’i thyejë të gjitha rekordet e shikueshmërisë në botë, do të jenë edhe yjet e mëdhenj të muzikës botërore, sikurse Kylie Miogue, Miley Cyrus, J Balvin dhe shumë emra të tjerë të famshëm.
Dhe pikërisht për këtë performancë spektakolare, Sunny Hill Festival dhe platforma ekskluzive e biletave dhe promovimit të Studio 2054, Festtix, kanë njoftuar se do t’i shpërblejë të gjithë pjesëmarrësit e edicioneve të kaluara të festivalit me 50% zbritje në biletën e Studio 2054. Linku unik me çmim të zbritur do tu shkojë pjesëmarrësve të festivalit Sunny Hill në email.
“Duke qenë se këtë vit pandemia na ka pamundësuar mbajtjen e Sunny Hill 2020, bashkë me Festtix, kemi vendosur që ta subvencionojmë çmimin e biletës për performancën globale Dua Lipa Studio 2054, e cila për pjesëmarrësit e festivalit tonë do të kushtojë 50% më lirë, ose vetëm 3.5 euro. Ky është çmimi më i lirë që ofrohet momentalisht kudo në botë për performancën e jashtëzakonshme e cila, përveç Duës, do të sjell edhe emra tjerë të mëdhenj të muzikës botërore, duke përfshirë edhe Kylie Minogue, J Balvin, Tainy, Angele, Miley Cyrus, FKA Twigs dhe emra të tjerë të muzikës”.
Biletat për Dua Lipa Studio 2054 tashmë janë në shitje në Festtix, platformën më të re ndërkombëtare për menaxhimin e eventeve, bazuar në Prishtinë.
Për shtetet e rajonit, përfshirë vendin tonë, biletat mund të blihen këtu https://festtix.co.uk/
Vetëm një vit më parë, në këtë kohë, festivali ‘Sunny Hill’ zbarkoi në parkun e bukur të Gërmisë, duke u bërë kështu edhe për një vit tjetër, ndër festivalet më të zëshme të organizuara në Kosovë, shkruan KultPlus.
Sikur situata pandemike të mos ishte e pranishme, sot do të fillonte edhe edicioni i sivjetshëm i këtij festivali.
Në faqen zyrtare të festivalit në Facebook, janë postuar disa fotografi nga performancat e vitit të kaluar. Ku në disa prej tyre shfaqet edhe Miley Cyrus.
Kjo e fundit, ka shpërndarë një fotografi në rrjetin social Instagram, e cila daton një vit më parë, pikërisht nga performanca e saj në ‘Sunny Hill’
Kujtojmë se Miley Cyrus dhe Dua Lipa nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një dueti, madje së fundi janë fotografuar bashkë në studio muzikore. / KultPlus.com
Festivali “Sunny Hill” që gjallëron jetën kulturore shqiptare nuk do të mbahet në muajin gusht si pasojë e pandemisë së koronavirusit, shkruan KultPlus.
Në rrjetin social Facebook, organizatorët në faqen zyrtare e festivalit kanë publikuar një shkrim në të cilin theksohet se festivali nuk do të mbahet.
Ja postimi i plotë:
Të dashur miq, me zemër të thyer na duhet të konfirmojmë se festivali “Sunny Hill 2020” nuk do të mbahet në gusht për shkak të krizës nga pandemia covid-19. Shëndeti dhe siguria e pjesëmarrësve të festivalit, stafit, partnerëve, artistëve e miqve tanë është më me rëndësi për të gjithë neve.
Mezi presim të takohemi përsëri në gusht të vitit 2021 me shumë gjëra të reja që na presin. Lokacioni i ri, formimi më i mirë i artistëve, fushat, amfiteatri natyror etj.
Jemi të trishtuar që nuk do ta festojmë së bashku këtë verë, mezi presim të takohemi prapë vitin tjetër.
Deri atëherë, ju lusim që të kujdeseni për veten dhe njëri-tjetrin si dhe t’i ndiqni këshillat e autoriteteve shëndetësore gjatë gjithë kohës.
Organizatorët e festivalit “Sunny Hill” kanë njoftuar se po e monitorojnë situatën me koronavirusin në Kosovë, përderisa po përgatiten për edicionin e sivjetmë.
Festivali zakonisht mbahet në fillim të muajit gusht. Për këtë organizatorët kanë thënë se shpresojnë që deri në atë kohë pandemia të kalojë dhe gjithçka të shkojë në rregull.
“Të dashur, ne po vazhdojmë me planin dhe përgatitjet për ‘Sunny Hill Festival 2020’, përderisa në të njëjtën kohë po monitorojmë nga afër zhvillimet me situatën rreth COVID-19. ‘Sunny Hill Festival’ zakonisht mbahet në fillim të gushtit, dhe mbesim me shpresë që pandemia do të kalojë e do të takohemi shpejt. Në ndërkohë, kujdesuni për veten e të tjerët”, thuhet në një njoftim të “Sunny Hillit”.
Në edicionet e shkuara të festivalit kanë performuar yje të mëdha botërore përfshirë Miley Cyrus, Dua Lipa, Martin Garrix, Action Bronson e Calvin Harris. /koha.net/ KultPlus.com
Organizatori i festivalit “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, ka mohuar se agjencia franceze për marrëdhënie me publikun, Majorelle PR ka ndihmuar festivalin.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se kjo agjenci nuk ka bërë absolutisht asgjë, në asnjë rast të dhënë.
“Agjencia franceze e marrëdhënieve me publikun, Majorelle PR në raportin e saj për arsyetimin e faturës mujore ndaj Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Integrimeve (28,000 euro në muaj, sipas raportit të Buletinit Ekonomik) e paska përmend edhe lobimin që e ka bërë në mediat franceze rreth festivalit Sunny Hill. Duam ta sqarojmë se kjo agjenci nuk ka bërë absolutisht asnjë punë për Sunny Hill Festival. Asgjë. Në asnjë rast të dhënë”, ka shkruar ai.
Ai thotë se e kishin refuzuar bashkëpunimin me këtë agjenci meqë e njëjta e kishte kushtëzuar ardhjen eventuale të gazetarëve francez në Kosovë me kërkesa jo-profesionale ndaj festivalit si dhe ndaj pjesëmarrësve dhe përkrahësve të festivalit të nivelit më të lartë botërorë.
“Dhe natyrisht se ne e kemi refuzuar menjëherë një mundësi të tillë të bashkëpunimit..dhe për këtë tentim dhe qasje joprofesionale është njoftuar edhe Ambasada e Kosovës ne Francë. Prandaj kjo agjenci nuk mund ta përmend festivalin Sunny Hill në raportin e saj të punës, në të cilin mundohet ta arsyetojë shumën e parave të cilën e paska marrë prej Qeverisë së Kosovës”, ka shkruar Lipa.
Ai ka thënë se suksesin e festivalit e kanë arritur vetë pa ndihmën e institucioneve të vendit.
“Për Sunny Hill Festival është folur e shkruar në gjitha kontinentet dhe nga qindra media botërore, duke përfshirë mediat më të mëdha botërore (BBC, New York Times, The Guardian, Vogue dhe shumë media tjera të mëdha), mirëpo këtë sukses e kemi arritur me shumë punë dhe përpjekje kryekëput vetanake, vazhdimisht të pa ndihmuar nga institucionet qendrore të vendit tonë”, ka thënë tutje ai.
Lipa ka thënë se shteti nuk ka nevojë të paguaj agjenci të tilla jashtë vendit, derisa shton se në vend ka kompani shumë më të dëshmuara.
“Shpresojmë se me ndërrimin e Qeverisë do të ndërrojë edhe sentimenti ndaj promovimit kulturor të Kosovës, dhe se ndihma institucionale ndaj Festivalit do t’i afrohet mbështetjes të cilën qeveritë e shteteve fqinje ia bëjnë ngjarjeve të ngjashme në vendet e tyre, si psh Exit (Serbi), Ultra (Kroaci) apo Sziget (Hungari). Përfundimisht mendojmë se shteti ynë nuk ka nevojë të paguajë agjenci të tilla nga jashtë, përderisa ne kemi profesionistë brenda dhe jashtë vendit tonë, të cilët janë dëshmuar definitivisht si shumëfish më të suksesshëm se çfarëdo agjencie e huaj që as për afër nuk e ka vendin tonë për zemër, siç e kemi ne”, ka përfunduar ai. /KultPlus.com
Pas hapjes së thirrjes për aplikim nga të rinjtë e talentuar në muzikë (të moshës 13 deri në 17 vjeç), Fondacioni Sunny Hill ka pranuar qindra aplikacione, derisa tre emrat e fituesve do të njoftohen sipas përzgjedhjes direkte të jurisë me bazë në Los Angeles.
Muajin e ardhshëm, tre të përzgjedhurit nga Kosova të cilët shkruajnë këngë origjinale, i performojnë si dhe i krijojnë ato, do ta kanë mundësinë të jenë në Los Angeles. Aplikimi është bërë online në faqen e Fondacionit Sunny Hill.
“Fondacioni Sunny Hill do të dërgojë tre performues dhe/apo producentë të rinj dhe të talentuar nga Kosova në Los Angeles – USA, për t’ua mundësuar këtyre talentëve të rinj që të kalojnë viziten shkollore për një muaj (4 javë) në një nga institucionet më prestigjioze të muzikës botërore, përkatësisht Institutin për Art dhe Inovacion (OCS Institute of Art and Innovation.) të Los Angeles-it”, thuhej në kumtesën e parë për media të lëshuar nga Fondacioni Sunny Hill, i themeluar nga artistja me famë botërore dhe fituesja e dyfishtë e çmimeve Grammy, Dua Lipa.
Fituesit do të përzgjidhen dhe trajnohen nga Alyssa Lein Smith nga Quincy Jones Productions, Ulla Sjöström nga Musikmakarna dhe Mary Kay Altizer nga OCS Institute of Art and Innovation.
Gjatë qëndrimit të tyre në LA përpos trajnimit shkollor, ata do të vizitojnë selinë e Quincy Jones Production dhe të marrin klasë të specializuara (masterclasses) për tu njohur për së afërmi me rrjedhën e industrisë botërore të muzikes, si dhe vizita të shumta interesante sikurse në Disney dhe Universal Studios në Los Angeles./telegrafi/ KultPlus.com
Ministri i Tregtisë dhe Idustrisë, Endrit Shala, sot së bashku me Dukagjin Lipen, kanë nënshkruar një marrëveshjen, për të cilën është diskutuar muaj më parë.
Marrëveshja ka bërë të mundur që edicionet e ardhshme të Sunny Hill Festival të realizohen në Qendrën e Panaireve në Bernicë, shkruan KultPlus. Lajmin e bëri të ditur Ministri Shala përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook. Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë.
”Sot, kam nënshkruar marrëveshje me “Sunny Hill Festival”, duke bërë realitet premtimin e dhënë muaj më parë dhe duke dëshmuar që promovimi i turizmit kulturor vazhdon të mbetet njëri ndër prioritet e mia.
Përmes kësaj marrëveshje, nga sot e tutje, organizimi i festivalit më të madh rajonal dhe me bujë ndërkombëtare, do të bëhet në Qendrën e Panaireve në Bernicë.
Kjo qendër është njëra ndër investimet e Shtetit tonë, që është shfrytëzuar minimalisht deri më tani, por kjo po ndryshon.
Të gjitha investimet e vendit tonë duhet të shfrytëzohen nga qytetarët për qytetarët dhe në të mirë të vendit. Ne duhet të jemi Bashkë për Shtetin tonë! E.SH” /KultPlus.com
Reperi shqiptar i cili jeton dhe vepron në Amerikë, G4shi, qëndroi pak ditë në Kosovë, për shkak se performoi në “Sunny Hill”.
Kjo është hera e dytë që reperi këndon në festivalin e lartpërmendur, derisa mahniti publikun me performancën e tij.
Pas mbarimit të koncertit, ai bashkë me stafin është nisur drejt Amerikës, për të vazhduar me angazhimet.
Megjithatë, me anë të një postimi të publikuar në Instagram, këngëtari nga Drenica tregon se do vijë në Kosovë në vitin 2024.
“Jam kthyer në Los Anxhelos, Do të më mungoj Kosova, shihemi në vitin 2024”, ka shkruar ndër të tjerash ai.
Ndërkaq, Labinoti ka performuar në natën e dytë të festivalit “Sunny Hill”, i cili organizohet nga babai i Dua Lipës, Dukagjini./Telegrafi/KultPlus.com
Mbrëmë është mbajtur nata e parë e festivalit “Sunny Hill 2019”.
Shumë artistë të njohur u ngjitën në skenën e madhe të festivalit, gjersa e fundit që u prezantua ishte ylli me famë botërore, Miley Cyrus.
Ndërkohë, artistja shqiptare me renome ndërkombëtare, Dua Lipa, ishte gjithashtu prezente në tribunën VIP, nga ku ka ndjekur bashkë me familjarët performancat e kolegëve të saj.
Ajo ka pasur rastin që edhe të takohet me disa prej tyre, e një ndër ta ka qenë edhe këngëtari i njohur kosovar, Yll Limani.
Ky i fundit ka realizuar fotografi me Duan, të cilën më pas e ka publikuar në InstaStory, ndërsa duket mjaft i buzëqeshur teksa ka pasur fatin të takohet me të.
“Kohë e gjatë pa u parë”, ka shkruar ai në mbishkrimin e kësaj fotografie, me çka ka lënë të kuptohet se vite më parë është takuar edhe herë të tjera me këngëtaren e njohur.
Dua përndryshe do të qëndrojë në Kosovë edhe për dy netët e tjera të festivalit. /Telegrafi/KultPlus.com