Nesër në mbrëmje shikoni qiellin, fenomeni ‘Superhëna blu’ po vjen! Do të jetë më e madhja e vitit

Superhëna e dytë e muajit, e cila gjithashtu ndodh të jetë hëna e plotë më e afërt dhe më e ndritshme e vitit 2023, do të shfaqet mbrëmjen e së mërkurës.

Hëna do të jetë më afër se zakonisht, vetëm 222,043 milje larg, natën e 30 gushtit 2023, duke e bërë atë të duket më e ndritshme dhe më e madhe se normalja dhe duke i dhënë titullin e “superhëna”.

Por kjo nuk është e vetmja veçori  për këtë hënë të plotë. Për shkak se është hëna e dytë e plotë në të njëjtin muaj, ajo quhet “superhëna blu”.

Hera e fundit që dy superhëna të plota zbukuruan qiellin në të njëjtin muaj, ishte në vitin 2018. Nuk do të ndodhë më deri në vitin 2037, sipas astronomit italian Gianluca Masi, themelues i Projektit Virtual Telescope.

Superhëna e parë e këtij viti ishte në korrik. E katërta dhe e fundit do të jetë në shtator.

Kur do ndodhë “superhëna blu”?

Sipas NASA-s, hëna e plotë do të jetë natën e së mërkurës, 30 gusht 2023, duke u shfaqur përballë Diellit në orën 21:36 EDT.

Çfarë është një hënë blu?

Përkundër asaj që mund të sugjerojë emri, një hënë blu nuk ka të bëjë fare me ngjyrën e hënës, kështu që hëna nuk do të duket blu në mbrëmjen e së mërkurës. Megjithatë, disa herë shpërthimet e vullkaneve e kanë bënë hënën të dukej blu.

Sipas NASA-s, përkufizimi më i ri për një hënë blu u prezantua nga revista Sky & Telescope në vitin 1946 dhe merr këtë emërim kur ka dy hëna të plota brenda një muaji.

Çfarë është një superhënë?

Orbita e hënës rreth tokës është një elips, jo një rreth i përsosur. Një hënë e plotë konsiderohet një superhënë kur ajo vjen brenda 90% të perigjeut, pika e saj më e afërt me Tokën.

Sipas NASA-s, superhënat më të afërta duken rreth 17 për qind më të mëdha dhe 30 për qind më të ndritshme se hëna më e largët dhe më e zbehtë e vitit. Kjo 17% nuk është në fakt e mjaftueshme për ta bërë hënën më të dukshme, por NASA thotë se superhënat janë më të ndritshme se hënat e tjera të plota.

Ndërsa përdoret gjerësisht për të përshkruar hënat e plota më të afërta, “superhëna” nuk është një term zyrtar astronomik. Në fakt, ajo u krijua nga një astrolog në vitin 1979./tch/KultPlus.com