Festivali i RTK-së apo Kështjella e Rozafës, Boshnjaku: Gjenerata e sakrificës është në zhdukje e sipër, të rinjtë nuk do të kenë durim

Ardianë Pajaziti

Festivali i Radio Televizionit të Kosovës të ngjason si me legjendën e Kështjellës së Rozafës, përderisa kështjella ndërtohej ditën e shembej natën, skeleti i kësaj hapësire shndërrohej prej një parkingu në një festival, për tu rikthyer në gjendjen e mëparshme posa binin perdet.

Dy edicione tashmë kanë lënë shkëlqimin në njërën prej garazheve të Prishtinës, dhe edicioni i radhës ka mbet edhe pa këtë hapësirë, pasi që, tashmë është dhënë një sinjal. Ky lokacion do ti nënshtrohet renovimit.

Dhe për dy edicione të ringritjes së këtij festivali me një pauzë super të madhe në mes, prej kohës së Akordeve të Kosovës, iu ra hise dy personave, njërit nga Shqipëria e tjetrit nga Kosova, Adi Krastës e Florent Boshnjakut, të cilët, me shumë peripeci, që i tejkalonte edhe kërkesat për çka ishin të thirrur, bën të pamundurën dhe sollën këtë festival për dy edicione.

Të dy ngritën një festival pa shtëpi, një festival pa infrastrukturë, një festival nga hiqi. Mungesa e një salle koncertale vazhdon të jetë problemi më i madh i komunitetit artistik, që shpeshherë drejtorët e festivaleve i shndërron edhe në punëtorë teknik, pastrues, e gjithçka tjetër, sepse, vetëm në këto festivale di të ndodhë gjithçka e pa paparashikuar.

Megjithatë, fillimi i Festivalit të RTK-së padyshim do të mbetet i ngjitur me emrin e Boshnjakut, i cili krejt këtë proces edhe pse tejet të lodhshëm, e vlerëson si shumë të vonuar, dhe krejt këtë vonesë e adreson te përbërjet e Ministrisë së Kulturës nëpër vite, që sipas tij,  nuk i dhanë një shtysë për realizimin e tij, për të ndodhë më në fund në vitin 2023, vit që shënon rrugëtimin e kësaj nisme deri në kurorëzimin e rrugëtimit për Eurosong.

“Janë gjetë shumë arsyetime nëpër vite, prej një ministri në ministrin tjetër. U desh të vinte një Adi Krasta në Kosovë dhe të lëvizte motorët, edhe përkundër shumë sfidave që na kanë përcjellë për këto dy edicione”, thotë Boshnjaku i cili neglizhencën për themelimin e këtij festivali e adreson edhe te mendësia e personave kompetent nëpër vite, duke u arsyetuar me faktin se Kosova nuk është e pranuar në Eurosong, dhe se ka kohë për themelimin e një festivali të tillë.

“Kosova do të shkojë një ditë në Eurosong, por kur të vjen ajo ditë ne duhet të jemi të përgatitur. Duhet të kemi një përvojë në raport me festivalet”, thotë Boshnjaku.

Dhe fillimi i një festivali nga zeroja, fillimi i një festivali pa sallë koncertale duket se e ka shteruar Boshnjakun dhe nuk është i sigurt nëse do të pranojë edhe udhëheqjen e edicionit të tretë. Ai është skeptik duke iu referuar përvojave në këto dy edicione.

“Për edicionin e parë kam qenë edhe unë i përgatitur se kam me pas të vështirë, po për edicionin e dytë kam menduar se do ta kemi më të lehtë, duke u bazuar në atë se tashmë e kemi ndërtuar një bazë, dhe punën e kemi të njohur. Por kurrë nuk ma ka marr mendja se edicioni i dytë do të jetë shumë më i vështirë”, thotë Boshnjaku, që shpjegon se edhe edicionin e dytë e kishte pranuar në partnerit me Adin, por, sipas tij me këto mundësi dhe këtë kapacitet, ai nuk duket shumë entuziast se do ti përvjelë mëngët edhe për edicionin e tretë. 

“Dëshira dhe vullneti ka ekzistuar që festivali me arritë aty ku duhet me arritë, jam mundu me mish e me shpirt, duke përdorë edhe lidhjet e mia që kam krijuar për një jetë të tërë. Krejt kemi qenë të angazhuar, mirëpo nuk po shoh vullnet për ndryshimin e kushteve, dhe vështirë është të punohet në këto kushte”, thotë Boshnjaku, i cili uron, shumë uron që në vitet në vijim çmimi i parë i Eurosong të vijë në Shqipëri, por edhe në Kosovë kur ti vijë momenti, sepse, sipas tij një fitore e tillë do të thotë shumë për industrinë e muzikës.

Ai tërheqë disa paralele që në këtë vend nuk respektohet artisti, nuk shpërblehet për mundin e bërë, nuk i krijohet infrastrukturë, edhe nëse flitet për infrastrukturë, sipas tij fokus i jepet muzikës klasike, duke harruar që muzikën e këtij vendi e bën edhe muzika pop, jazz dhe zhanre të ndryshme që do të duhej të vlerësoheshin.

“Pandemia na ka dëshmuar se sa na respektojnë, duke pas reagime të shumta se pse artistët duhet të mbështeten në kohë të pandemisë. Po ata njerëz që dëgjojnë muzikën tonë në shtëpi, në lokale, në makina pa e paguar asnjë cent të vetëm”, shprehet Boshnjaku.

“Mentaliteti jonë vazhdon mos me e pa muzicientin si profesion, ndoshta edhe me këtë mendësi fusha jonë nuk është pa paralel me fushat tjera. Nëse ka qenë prioritet rregullimi i një rruge, po me atë rëndësi është dashtë të ndërtohej edhe një sallë. Franca dhe Gjermania janë shtete që në një periudhë nuk kanë pas as kanalizim, por kanë vepra muzikore që ende njerëzimi i shijon”, thotë Boshnjaku.

Ai përpos Festivalit të RTK-së që ka nisë rrugëtimin pa shtëpi, përmend edhe institucionin e Operës së Kosovës që ka nisë po të njëjtin rrugëtim. Këtë shkëndije muzikore ai e sheh vetëm si vullnet të artistëve, e që nuk pengohen shumë nga infrastruktura, por ai edhe në këtë mes e sheh një problem. Sepse, sipas tij, gjenerata e sakrificës është në zhdukje e sipër, të rinjtë nuk do të kenë durimin deri në ndërtimin e sallave që të bëjnë karrierë.

“Kam frikë që një ditë do të ndërtohen edhe këto salla, po kur të ndërtohen, shtrohet pyetja për kë do të ndërtohen. Po shoh shumë të rijnë që po e provojnë vetën në fushën e muzikës në rajon dhe në shtete të Evropës, ata po duan që të prekin suksesin, dhe jo përmirësimin e kushteve”, thotë Boshnjaku.

Festivali i RTSH-së ka ec shpejtë drejt një rruge kualitative

Florent Boshnjaku që për krejt jetën e tij nuk ka punuar asnjë punë tjetër përpos muzikës, ka provuar edhe shijen e Festivalit të RTSH-së në shumë dimensione. Ai ka punuar në këtë festival edhe si organizator, edhe si kompozitor, edhe si juri, por suksesi më i madh i Boshnjakut vazhdon të mos tejkalohet edhe sot.

Kompozimi i këngës “Suus” interpretuar nga Rona Nishliu, këngë që edhe sot nuk është tejkaluar nga asnjë këngëtar i Shqipërisë sa i përket radhitjes në Eurosong, është një prej sukseseve më të mëdha të Boshnjakut.

“Shumicën e krijimtarisë jam munduar me pas të tillë, krijimtari të qëndrueshme. Natyrisht se punoj edhe në pjesën komerciale, por jam mundu që të realizoj një punë cilësore, e që nuk është e lehtë të mbahet niveli në këto rrethana” thotë Boshnjaku.

Por, përpos suksesit që pat shënuar në Eurosong, Boshnjakun më të lumtur e bën fakti që kënga Suus edhe sot vazhdon të jetë target i garave të ndryshme ndërkombëtare, sikurse që kjo këngë dëgjohet edhe në festivale të ndryshme të muzikës.

Kurse për edicionin e fundit të RTSH, ku Boshnjaku ishte në cilësinë e jurisë ka vlerësuar se ky festival ka qenë një ndër festivalet me solide të RTSH, ku i ka vlerësuar edhe prurjet artistike.

Për vendin e parë të Shkodrës Elektronike ai e ka vlerësuar si një këngë të arrirë  dhe se pikërisht ajo këngë e ka merituar vendin e parë. “Juria e ndau edhe çmimin e kritikës, dhe po ky çmim shkoi për Shkodrën Elektronike, e kur juria jep çmimin e kritikës kuptohet që analizohen krejt detajet”, ka thënë Boshnjaku, edhe pse, sipas tij si kompozitor është shumë e vështirë pjesëmarrja nëpër juri, pasi që me shumicën e artistëve punon, dhe e njeh kapacitetin e tyre.

“Jo gjithmonë artistët e kanë ditën më të mirë në paraqitje, dhe ti si kompozitor ia njeh kapacitetet në vazhdimësi, dhe pastaj krejt ky proces di të jetë shumë i vështirë”, thotë Boshnjaku.

“Unë e RTSH jam i lidhur shumë ngushtë për shumë vite. E njoh shumë mirë përbrenda, ia njoh problemet, ia njoh zhvillimet, dhe mund të them se kanë ec shumë shpejt me kualitet. Kushtet që i ka ofruar RTSH për organizatorët kanë qenë kushte kualitative”, vazhdon Boshnjaku, i cili organizimin  me Festivalin e RTK-së dhe atij të RTSH nuk guxon as ti krahasojë, gjithnjë sa i përket infrastrukturës dhe kushteve.

Influencohen nga jeta e këngëtarëve në instagram, e fatkeqësisht nuk është reale

Se në çfarë pike është muzika sot, nëse e krahasojmë me të kaluarën, Boshnjaku thotë se nuk ka mes, një grup i këngëtarëve është lart, kurse pjesa tjetër është poshtë. Më herët më shumë kemi pas mes, që do të thotë kemi pas më shumë cilësi. Poashtu një pjesë e zhanreve është duke u tkurrë, e kemi pas muzikën pop shumë të zhvilluar, kurse tani kemi një zhanër të ri, rep, hip hop e të përzier edhe me muzikë popullore” thotë Boshnjaku.

Ndërkohë, se pse të rinjtë e Kosovës janë kaq shumë të interesuar për muzikën, Boshnjaku thotë se ndoshta pse jemi popull i hareshëm, por më shumë edhe ajo e përfitimit material.  “E shohin jetën e disa këngëtareve në instagarm, dhe fatkeqësisht nuk është reale, një grusht njerëz a e kanë apo nuk e kanë atë jetë, dhe figurat e instagramit po bëhen model dhe ndoshta po i hyjnë rrugës për të bërë muzikë. Edhe pse disa fillojnë për arsye komerciale, që nuk i lë në faj, secili ka zgjedhjen e tyre”, thotë Boshjnaku.

Florent Boshjnaku që krejt jetën e ka të lidhur me muzikën, krejt ditët e vitit i ka të lidhura ngushtë me këtë profesion. Ai realizon brenda vitit disa produksuone, dhe shumë projekte të tjera muzikore.

Ai së shpejti do të lansojë një projekt muzikor, talent show, e që fituesit e kësaj gare do ti përcjellë në zhvillimin e tyre muzikor, ku tre fituesit do të dërgohen me bursë për studime.

Boshnjaku kep detaje që projekti “Rockeeet Music” është përkrahur nga fondacioni ‘Siana’, përkatësisht nga kompania ‘Speeex’, e që pritet të jetë një garë e jashtëzakonshme.

“Ka, edhe disa projekte që do ti realizojë jashtë Kosovës me të rinj, sikurse kam një projekt që e kam dërguar në Komunë të Prishtinës, por që nuk kam marr asnjë përgjigje, Kam kërkuar që të rinjtë e fushës së muzikës të kenë mundësi të realizojnë incizime të punës së tyre, në mënyrë që ti kenë të arkivuara për aplikime të mëtutjeshme. Studentët e muzikës nuk kanë asnjë incizim profesional, e po me ato incizime ata prezantohen pastaj në komisione ndërkombëtare. Po ky projekt kaq i rëndësishëm nuk u realizua, nuk mora përgjigje”, thotë Florent Boshnjaku, i cili ka punuar edhe me fonacionin e Dua Lipës ku kanë trajnuar disa të rinj e që janë dërguar pastaj për një punëtori në Suedi.

Për fund, ai kujton se lidhja me yjet tona që i kemi nëpër botë do të shërbente shumë për mbështetjen e të rinjve tanë, sepse një referencë e tyre është shumë domethënëse për karrierën e tyre. / KultPlus.com

‘Suus’ kënga që e radhiti Shqipërinë në vendin e pestë në Festivalin Evropian të Këngës 2012 (Video)

Rona Nishliu është këngëtare është një këngëtare mjaft e sukseshme, e cila ka përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Evropian të Këngës 2012.

Nishliu ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2012 në Baku, Azerbajxhan pasi fitoi përzgjedhjen kombëtare më 29 dhjetor 2011 me këngën “Suus”. Ajo në Azerbajxhan fitoi vendin e pestë në finale me 146 pikë – rezultat i cili është më i miri i Shqipërisë deri më sot.

Ajo ka lindur më 25 gusht 1986 në Mitrovicë./KultPlus.com

Dhjetë vjet nga kënga ‘Suus’, Rona Nishliu shpalos arsyen e pjesëmarrjes

Në 10-vjetorin e krijimit të këngës ‘Suus’, Rona Nishliu ka ndarë me publikun arsyen e pjesëmarrjes në edicionin e 50-të të Festivalit të Këngës në RTSH, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, Nishliu thotë se ajo që e bëri të marrë pjesë në këtë festival ishte kthimi i Orkestrës së plotë pas më shumë se dy dekadash.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të saj:

Shpesh më keni pyetur “pse konkurrove në FiK 50”?

Dihet se çdo festival fton në sesione informative muzikantët në lidhje me zhvillimet që sjell çdo edicion i ri. Prof Shpetim Saraci, Drejtor Artistik i Festivalit, na mblodhi në Prishtinë për të rejat e edicionit 50. Ajo që më bëri të marr pjesë ishte kthimi i Orkestrës së plotë pas më shumë se dy dekadash! E mendova si privilegj pjesëmarrjen dhe mundësinë për t’u prezantuar në një format të tillë. Rreth 10 ditë prova për “Suus” me Orkestrën e mrekullueshme nën dirigjimin e prof. Alfred Kacinari dhe në piano me profën tim Shpetim Saraci ishin ditë magjike me plot emocione pozitive, dhe s’kishte ku të shkonte më mirë se kaq. E pa ngarkuar totalisht nga ambicia për garë (këtë e dijnë më së miri miqtë e mi backvokalë me të cilët zbardhëm shumë mëngjese bashkë El-Tina Minarolli dhe Armando Likaj) konsiderova këtë prezantim si një pikë të një koncerti solistik që e ëndërroja, aq më tepër që në prova e në çdo ambient përfliteshin emra të tjerë për triumf si Elton Deda, Elhaida Dani, Frederik Ndoci, Kamela Islamaj, etj. Gjithsesi unë e shijova në maksimum këtë eksperiencë dhe në këtë 10 vjetor vendosa të ndaj me ju këtë kujtim të bukur për pyetjen tuaj të shpeshtë. Ju dua./KultPlus.com

Florent Boshnjaku sjell remixin e këngës “Suus” të Rona Nishliut (VIDEO)

Në Dhjetor të vitit 2011, Rona Nishliu mori pjesë në Festivalin e 50-të të RTSH-së me këngën “Suus” ku edhe doli fituese e përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision në vitin 2012, shkruan KultPlus.

Florent Boshnjaku është kompozitor i këngës “Suus”, e cila deri sot mban pozitën më të mirë të shqiptarëve që kanë marrë pjesë në Festivalin Evropian të Këngës – Eurovizion.

Por, Boshnjaku ka vendosur që në këto ditë izolimi ta sjell remixin e këngës “Suus”. Kënga në këtë formë që ka marrë të bën edhe njëherë më shumë për vete.

Florenti është shprehur i lumtur që ka sjell këtë remix.

“Shoke dhe Shoqe ju ftoj ta degjoni remixin e ‘Suus’ .Se bashku me Ronen jemy happy me ju disponu ne keto dite te karantines .Enjoy & Share”, ka shkruar ai në Facebook ku edhe ka shpërndarë linkun e këngës. / KultPlus.com

“Suus” e Rona Nishliut këndohet edhe në Bullgari (VIDEO)

Kënga “Suus” e Rona Nishliut është kënduar në shumë vende të botës, kurse këngëtarja Tamara Angelovska së fundmi e ka interpretuar atë edhe në Bullgari, shkruan KultPlus.


‘Suus’ ishte përfaqësimi i Shqipërisë në festivalin “Eurovision” të vitit 2012 ndërsa duket sikur kjo këngë është akoma e freskët tek ata që e kanë dëgjuar. Tekstin e këngës e kishte shkruar vetë Rona, kurse muzika është komponim i kompozitorit Florent Boshnjaku.


Në këtë video mund ta dëgjoni interpretimin e Tamara Angelovska në Bullgari, ndërsa kjo nuk është hera e parë që ajo e këndon këtë këngë.
Rikujtojmë se Rona Nishliu me këtë këngë kishte arritur suksesin më të madh të shqiptarëve në festivalin evropian të muzikës, ku zuri vendin e pestë në vitin 2012. / KultPlus.com

Jeasmine, vajza nga Rumania e cila këndon fuqishëm ‘Suus’ të Rona Nishliut (VIDEO)

Jeasmine, një vajzë e re nga Rumania, ka zgjedhur një këngë shqipe për ta performuar para publikut në qytetin Navodari.

Kënga “Suus” nga Rona Nishliu, një këngë e njohur në mbarë Evropën falë pjesëmarrjes në Eurovizionin e vitit 2012-të ku edhe u pozicionua në vendin e pestë në finale, ka ardhur kësisoj nga vajza rumune, shkruan KultPlus.

Jeasmine Socaci, pos këngës së Ronës, në kanalin e saj në Youtube ka incizuar versionet e saj të këngëve të ndryshme rumune por edhe këngëve të njohura ndërkombëtarisht.

https://www.youtube.com/watch?v=cRNCu0ZgA7k

Kjo nuk është hera e parë që dikush performon këngën e Rona Nishliut në Rumani, pasi kjo këngë dukshëm është e pëlqyer në këtë shtet.

Navodari është qytet në Rumani, me rreth 32 mijë banorë. / KultPlus.com

Cila këngë e Rona Nishliut ju pëlqen më shumë? (VIDEO)

Nuk do ndoshta shumë koment interpretimi i saj në skenën e Eurovizionit. Krahash një tragjedie që ndodhi atyre ditëve, në majin e vitit 2012-të, Rona Nishliu ia doli të ngjitej në skenë.

Për shqiptarët ishin ditë të kobshme, njëjtë si për shpirtin e Ronës, megjithatë ajo doli në skenën e Eurovizionit dhe u pozicionua në vendin e pestë. Një performancë e rrëqethshme mbetet ajo e këngës “Suus”, edhe kaq vite pas krijimit të saj.

Sonte, po sjellim disa këngë të Ronës, por duke pyetur edhe lexuesin se çka pëlqen ai e ajo më shumë. “Suus” nuk mund ta largojmë nga lista, pasi mbetet nga ato këngë që nuk vdesin, në esencën e tyre kanë thirrje për mirësi por edhe për një vajtim të vetmuar.

Rona ka edhe këngë të tjera të fuqishme, të cilat e kanë pozicionuar në zërat të cilët nuk janë të shpeshtë, por janë të veçantë dhe të formuar. Kënga “Zonja Vdekje” u këndua para disa vitesh në Festivalin Kënga Magjike, dhe e vërtetoi magjinë e brishtë që ka brenda saj. Rona, si gjithmonë e veçantë në muzikë e në paraqitje, e solli një melodi të fuqishme e cila mund ta prekë secilin prej nesh, thellë thellë, nëse lidhet diçka e jona me këtë këngë, shkruan KultPlus.

Balada kalon në fund në një zhanër tjetër, por vetëm sepse revolta e saj duhet të ndalet dikur ose të ndërrojë frekuencë. Sonte po e sjellim edhe këtë këngë të Ronës – “Shko pastro pas saj”, sikur për të kërkuar një projekt të ri të Ronës. Kënga ka një videoklip simpatik, një tregim interesant paraqitur në moment që shihen, me Ronën që dëshiron të heq dorë nga një lidhje e cila e ka dërrmuar, e ku ka hyrë një person i tretë. Cila këngë e Rona Nishliut ju pëlqen më shumë juve, na tregoni në komente. / KultPlus.com