Botohen dy përzgjedhje nga krijimtaria e Ragip Sylajt

Janë botuar dy përzgjedhje nga krijimtaria e Ragip Sylajt dhe një libër me shkrime të pabotuara.

Botuesi nga Prishtina “Jakup Ceraja” i ka botuar dy përzgjedhje nga krijimtaria letrare e shkrimtarit të ndjerë, Ragip Sylaj: vëllimin e parë që përfshinë përzgjedhjen me poezi “Shakullinë përpëlitjesh” (përgatiti Anton Nikë Berisha) dhe vëllimin e dytë që përfshinë prozën, “Rrëfime për kohën e vdekur” (përgatiti Arben Veselaj).

Këtyre dy përzgjedhjeve botuesi ia ka bashkëngjitur edhe vëllimin e tretë, “Me Anton Nikë Berishën”, ku përfshihen shkrime të pabotuara të autorit të ndjerë, si vështrime librash, biseda, letërkëmbime etj.

Në parathënien e vëllimit të parë, “Shakullinë përpëlitjesh”, Anton Nikë Berisha shkruan se përpëlitjet dhe tundimet shpirtërore, dhuna e jetës, rrënjët kulturore dhe etnike, poezia si art i fjalës, dashuria etj., janë tema që bëhen objekt në poezinë e Ragip Sylajt.

“Ragip Sylaj, ashtu si ishte në jetë, skajshmërisht i sinqertë dhe fisnik, ashtu është edhe në poezi: e thotë atë që e ndien dhe e mendon. Përmes poezisë ai përballet, para së gjithash, me vetveten, me shqetësimet, me brengat, me mirësinë e me fisnikërinë e tij. Poezia e Ragip Sylajt është zëri i shpirtit dhe i ndërgjegjes së tij; fryt i mendjes dhe i dijes”, ka shkruar Berisha.

Ndërkaq, në tekstin hyrës të përzgjedhjes me prozë, “Rrëfime për kohën e vdekur”, Arben Veselaj shkruan se proza e Ragip Sylajt është kryesisht eseistike, prozë ku shkrihen shumë gjini letrare, si eseja, tregimi, shkrimi publicistik, dijet filozofike etj.

“Në prozën e Ragip Sylajt lexuesi nuk do të gjejë aspak ngjarje e histori, por vetëm ndjenjësime dhe përjetime që kanë shkaktuar ngjarjet dhe historitë. Monopatit narrativ të prozës së Sylajt prin një personazh që ironizon me vetë autorin – personazhi vetëironik”, shkruan Veselaj.

Vëllimi i tretë, me titull “Me Anton Nikë Berishën”, i përgatitur nga Labinot Berisha dhe Arben Veselaj, ndërkaq, synon për ta bërë sa më të njohur krijimtarinë e Ragip Sylajt si shkrimtar e gazetar; për ta ndriçuar atë që nuk është botuar më parë nga ky autor. Ky vëllim përfshinë tetë vështrimet e Ragip Sylajt kushtuar disa veprave të Anton Nikë Berishës, me të cilin ai ka qenë shumë i afërt dhe ka bashkëpunuar vite me radhë, pastaj tekstin e tri bisedave me Antonin të bëra nga ai dhe të botuara në kohë të ndryshme si dhe 11 letra të Ragipit dërguar Antonit dhe dy letra të Antonit dërguar Ragipit./rtk/ KultPlus.com

‘Festari’ i Therandës përkujton shkrimtarin Ragip Sylaj

Të martën në Therandë (ish-Suharekë), në kuadër të manifestimit kulturor “Festari” do të mbahet një orë akademike e letrare kushtuar veprës së shkrimtarit dhe gazetarit të ndjerë, Ragip Sylaj.

Në këtë akademi për veprën letrare të Ragip Syljat pritet të flasin kritikë dhe studiues të letërsisë, si dhe do të jepet shfaqja “Kopshti i Edenit”, sipas tekstit të Ragip Sylaj, e vënë në skenë nga regjisori, Naser Shatrolli. 
Ragip Sylaj ndërroi jetë pesë vjet më parë, pas një sëmundje të rëndë. Ai qe gazetar, poet, prozator, dramaturg, kritik dhe eseist. Botimet letrare të Ragip Sylajt janë vlerësuar gjithmonë lart nga kritika, ndërsa emri i tij radhitet ndër shkrimtarët më produktivë dhe më dinamikë të letërsisë bashkëkohore shqipe. Për krijimtarinë letrare ai ka marrë shumë çmime. Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë të botës, si: në anglisht, gjermanisht, pastaj sllovenisht, italisht, kurse në gjuhën rumune është botuar një përmbledhje që përfshinë krijimtarinë më të mirë poetike të tij./rtk/KultPlus.com