Vdes Sylejman Shaqiri, ish-drejtor i përgjithshëm i RTK-së

Ka ndërruar jetë ish-drejtorit i përgjithshëm i RTK-së, Sylejman Shaqiri. Lajmin e ka bërë të ditur vajza e të ndjerit përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook.

I lindur në Ferizaj, Sylejman Shaqiri filloi rrugëtimin e tij profesional në gazetari në fillim të viteve ’80, duke lënë gjurmë në secilin institucion ku punoi. Karrierën e nisi në “Radio Ferizaj”, ku për dy dekada u dallua si gazetar, kryeredaktor dhe më pas drejtor.

Në vitin 1988, u bë pjesë e Radiotelevizionit të Prishtinës, ku shërbeu si gazetar dhe redaktor përgjegjës i Programit Informativ Politik, deri në mbylljen e dhunshme të këtij institucioni nga regjimi serb.

Pas kësaj periudhe sfiduese, kontributin e tij e vazhdoi në Radio Kroacia në Zagreb dhe më pas në Radio Tiranë.

Pas çlirimit të vendit, Shaqiri u rikthye në Ferizaj, për të dhënë kontributin e tij në rindërtimin e mediave lokale.

Në vitin 2000, u bë pjesë e Radiotelevizionit të Kosovës. Fillimisht si autor dhe redaktor i emisioneve informative dhe debatuese, më pas si drejtor i Radio Kosovës dhe radios Blue Sky, kryeredaktor në RTK, dhe producent ekzekutiv për programet e minoriteteve dhe transmetimet ndërkombëtare të RTK-së.

Në vitin 2010, arriti në kulmin e karrierës së tij, duke u emëruar drejtor i përgjithshëm i RTK-së.

Me rastin e ndarjes nga jeta të gazetarit të mirënjohur ferizajas, ish drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës, Sylejman Shaqiri, familja e të ndjerit në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt dhe Klubin e Gazetarëve “Haki Braha” në Ferizaj orën 14:00 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, organizojnë mbledhje komemorative, në kujtim të jetës dhe veprës së tij./rtk/ KultPlus.com

Rama nderon kameramanin Kllokoqi: Pamjet e tij zbardhën të vërtetën e Masakrës së Reçakut

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka ndarë mirënjohje për kameramanin, Sylejman Kllokoqi, i cili më 15 janar 1999, ka xhiruar dhe pasqyruar të vërtetën e Masakrës së Reçakut, në të cilën mbetën të vrarë 45 civil.

Përmes një postimi në facbook kryetari Rama tha se pamjet e Kllokoqit u  bënë dëshmi për zbardhjen e të vërtetës para botës.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të kryetarit Rama në facebook:

PËR GUXIMIN, TRIMËRINË, PROFESIONALIZMIN NË PASQYRIMIN E SË VËRTETËS, MIRËNJOHJE PËR KAMERAMANIN SYLEJMAN KLLOKOQI

Më 15 janar 1999, Sylejman Kllokoqi me guxim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm xhiroi pamjet tronditëse të Masakrës në Reçak të Shtimes, ku 45 civilë u vranë në mënyrë brutale nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe.

Ky akt barbar u dënua ndërkombëtarisht, dhe pamjet e tij u bënë dëshmi e pakundërshtueshme që zbardhi të vërtetën përpara botës.

Realitetin e ashpër në Kosovë, horrorin e krimit mbi njerëzit tanë të pafajshëm e pa me sytë e vetë, ambasadori i OSBE-së, William Walker, i cili përmes pamjeve të xhiruara nga Sylejman Kllokoqi e të transmetuara nga agjencia botërore e lajmeve, Associated Press, i tregoi botës për krimet e rënda ndaj civilëve në Kosovë. Zëri i z.Walker dhe e vërteta e masakrës së Reçakut patën ndikimin e duhur për të ndalur spastrimin etnik që ishte duke iu bërë popullit tonë.

Sylejman Kllokoqi , me punën dhe guximin tënd, ke shkruar një faqe të rëndësishme në historinë tonë./KultPlus.com