Mbahet mbledhja komemorative për Sulejman Gashin, të pranishëm udhëheqësit e lartë të shtetit

Sulejman Gashi ishte prezent në sallën 1 tetori. Mirëpo, kësaj radhe jo fizikisht. Arkivoli i tij ishte i rrethuar me lule, qetë i qëndronte fotografia e tij dhe peshonin fjalët përkujtuese e mallëngjyese për të nga familjarë, miq, kolegë e krerë të institucioneve në mbledhjen komemorative, shkruan KultPlus.

Në mes të sallës qëndronte arkivoli i tij, ndërkaq përreth tij në njërën anë kishin marrë vendin familjarët e të afërmit e tij, ndërkaq në anën tjetër krerët e institucioneve shtetërore e fetare, kolegë të profesionit të gazetarisë.

Ai kishte punuar në Televizionin e Prishtinës në gazetën “Iliria”, ishte korrespodent në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Radio Televizionin Shqiptar dhe në Radio Televizionin e Kosovës.

Mbledhja komemorative e organizuar nën patronatin e shtetit të Kosovës, nisi nën moderimin e gazetarit Kushtrim Sadikut. Të gjithë u ngritën në këmbë me një minutë heshtje për atë i cili u ngrit për raportim të drejtë gazetaresk dikur.

Avdullah Hoti, Vjosa Osmani, Albin Kurti, Jakup Krasniqi, Don Lush Gjergji, Avni Spahiu, familjarë dhe disa folës të tjerë kishin përzgjedhur fjalët më delikate për të përkujtuar gazetarin i cili hyri në historinë e gazetarisë shqiptare nëpërmjet raportimit të tij si nga Kosova ashtu edhe jashtë vendit, në kohën kur populli po përjetonte situatë të vështirë.

Presidenca e vendit kishte dërguar telegram ngushëllimi për të shprehur mirënjohje për veprimtarinë e bujshme të gazetarit Sulejman Gashi. Folësi i parë i cili e nderoj jetën dhe veprën e Gashit u bë vëllai i tij Selajdini. Atë e pasoj kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

“Në këtë udhëkryq shoqëror, në këtë kohë përplasjesh ai tregoj që ekziston vetëm një e vërtetë për të cilën ai jo vetëm që luftoj por edhe plasoj para publikut dhe para syve të gjithë botës dhe në veçanti para simbolit të demokracisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Osmani.

Fjalë të veçanta kishte zgjedhur edhe kryeministri Hoti për Gashin, duke thënë se disa njerëz janë të paracaktuar të krijojnë vepra mbresëlënëse dhe kujtime të mira për të gjithë.

“Ai në fakt i takonte atij brezi të gazetarëve, publicistëve dhe intelektualëve të një kohe specifike për Kosovën, të cilët e morën mbi vete barrën e rrugëtimit për krijimin e shtetit të pavarur”, vlerësoj Avdullah Hoti. Mikrofoni vazhdoj të qëndroj ndezur për një bashkëpunëtor të afërt të tij, ishte Jakup Krasniqi ai i cili theksoj se Sulejman Gashi e përdori profesionalizmin e tij në kohërat e vështira të atdheut.

“E pata rastin ta takoj edhe në Rambuje, aty ku bisedohej e vendosej për të ardhmen e kombit. Aty Syla ishte në cilësinë e gazetarit për t’i dhënë publikut informimet se çka zhvillohej në sallat e konferencës, pastaj Sylën e takova disa herë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kongresin Amerikan dhe në Selinë e OKB-së”, kujtoj Jakup Krasniqi.

Albin Kurti kur kishte shkuar për herë të parë në Amerikë, shqiptari i parë i cili e kishte takuar kishte qenë Sulejman Gashi.

“Sulejman Gashi, Syla, Sallë Gashi – i kishte tre emra sepse bënte njëkohësisht tri punë. Atë të profesionistit cilësor e korrekt, të shokut dashamirës e të devotshëm dhe të patriotit shqiptaro-amerikan”, tha ish-kryeministri Kurti.

Pas politikanëve ishin krerët e institucioneve fetare ata të cilët morën fjalët. Kujtime për të shprehur patën edhe kolegët e tij, të cilët kishin ndarë kohën më të mirë të tyre me të ndjerin Sulejman Gashin nëpër raportime gazetareske.

 I fundit i cili e morri fjalën në mbledhjen komemorative u bë djali i Sulejmanit, ai i cili është duke ndjekur rrugën e babait, Drilon Gashi.

“I dashur babë, sot të pikëlluar shumë shprehim lamtumirën tonë nga Kosova e lirë, për të cilën ke dhënë aq shumë dhe liria e së cilës të ka ngazëllyer aq shumë”, u shpreh Driloni për babain teksa ia dha lamtumirën e fundit. Shkuarja e Gashit në amshim më 11 shtator 2020 nënkupton humbjen e një gazetari, publicisti e profesionisti të madh të historisë shqiptare. /KultPlus.com

Ndërron jetë gazetari i shquar Sylejman Gashi

Ka ndërruar jetë sot gazetari i njohur Sulejman Gashi.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët përmes rrjetit social Facebook.

 ‘Me pikëllim të thellë ju njoftojmë që sot, më 11 shtator 2020, ndërroi jetë më i dashuri ynë z. Sulejman Gashi. Ai po luftonte shumë që të rikthehej nga gjendja e rëndë që kishte pësuar katër vite më parë”, thuhet në njoftim.

Në njoftim poashtu thuhej se varrimi i të ndjerit do të bëhet në vendlindjen e tij në Kosovë, në vendin që ai e deshi aq shumë.

”Në ditët në vijim do të ju japim informata të mëtutjeshme. Ne jemi mirënjohës për respektin dhe dashurinë që njerëzit e kanë për më të dashurin tonë, Sulejmanin, por ju lusim që bashkërisht të respektojmë masat e shëndetit publik në këtë kohë pandemie”, vazhdon tutje njoftimi. / KultPlus.com