Suada Qorraj
Rrugëtimi i shfaqjes së artisteve shqiptare ndër vite, por dhe artit si njëra nga pikat ky kufijtë e dy vendeve shkrihen si një tersi e vetme, karakteri i së cilës ndërthuret me mendimin feminist, duke sjellë gruan si frymëzim artistik, por dhe një krijuese të artit, është pikërisht një nga themelet mbi të cilat ngritet ekspozita ‘Synime’, shkruan KultPlus.
Udhëtimit ndër vite të këtij arti që fillimisht u shfaq para publikut në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, sot i hapi dyert edhe Galeria Kombëtare e Kosovës, duke sjellë kështu një udhëtim në kohë, të veprave që kishin mbetur në harresë, por dhe të veprave që përfaqësojnë brezin bashkëkohor të artistëve.
Iniciativa e galerive të dy vendeve Shqipëri e Kosovë, si pjesë e kalendarit të tyre të përbashkëta iu besua dy kuratoreve, Adela Demetja dhe Erëmirë Krasniqi, të cilat deri në fillimin e këtij bashkëpunimi që zgjati më shumë se një vit, nuk e njihnin njëra tjetrën.
Teksa qëndronte përballë punës së gjatë dhe njëkohësisht po aq mahnitëse të cilën e kishte realizuar së bashku me Erëmirë Krasniqin, Adela Demetja rrëfeu për KultPlus se fillimet e gjithë këtij procesi kanë nisur nga shikimet e koleksioneve të dy galerive.
“Për këtë projekt kemi filluar punën rreth një vit më parë, sigurisht duke ditur që do të jetë mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe dy galerive, kemi filluar punën me koleksionet dhe veprat që kanë qenë në koleksion. Kjo iniciativë ka ardhur sepse duket nga koleksioni që veprat e artisteve femra janë shumë më të pakta në numër sesa ato të artistëve meshkuj”, ka pohuar ajo.
Pandemia sikurse në çdo fushë tjetër të jetës, kishte ndikuar edhe në punën e dy kuratoreve Demetja e Krasniqi të cilat pjesën më të madhe të procesit dhe hulumtimeve e kishin realizuar në formën online, duke zhvilluar biseda me artistet të cilat synonin ti bënin pjesë të ekspozitës. Tutje ajo ka shtuar se pavarësisht që ekspozita titullohet ‘Synime’, në fillimet e punës nuk kishin një synim të qartë për ekspozitën me qëllim që të mos ndikojnë në diktimin e saj.
“Ka qenë koha e pandemisë dhe i gjithë procesi është bërë online, pra me zoom jemi munduar të flasim me to, ti pyesim se çfarë mendojnë për një ekspozitë të tillë dhe të shikojmë edhe krijimtarinë e tyre. Pra në fillim nuk është se kemi pasur një synim më të qartë pavarësisht se ekspozita quhet synime me idenë që mos të jemi ne ato që e diktojmë ekspozitën por të shohim se çfarë ka, çfarë temash trajtohen dhe nga pak të ngrihet koncepti kuratorial”, ka treguar Adela Demetja.
Por, krahas takimeve të shumta në platformat online, Demetja tregon se janë takuar fizikisht edhe me artiste e familjarë të atyre që nuk jetojnë, që ju ka ndihmuar edhe më shumë në kuptimin e tematikave të krijimtarisë së artisteve dhe ndërtimin e katër koncepteve kuatoriale.
“Nga fillimet e punës tonë kuptuam edhe disa prej tematikave që vetë krijimtaritë e artisteve lëvronin dhe ndërtuam katër koncepte kuratoriale të cilat janë ‘Arkivat e trupit’, ‘Gramatika e kujtesës’, ‘Anakronizma të vullnetshëm’ dhe ‘Përmbledhje poetike’. Me anë të këtyre katër koncepteve bëmë si përfundim përzgjedhjen për ekspozitën’, shtoi tutje kuratorja.
Demetja ka theksuar se gjatë procesit të punës për realizimin e kësaj ekspozite është marrë parasysh edhe hapësira në Galerinë e Arteve në Tiranë dhe Galerinë Kombëtare në Prishtinë, por njëkohësisht dhe rëndësinë që ka në vete ‘Synime’ ngase një ekspozitë e tillë realizohet për herë të parë, nga dy vende me pothuajse 40 artiste dhe një shtrirje kohore 70 vjeçare.
Kuartorja Adela Demetja teksa ka treguar se nuk kanë hasur në refuzime nga ana e artisteve për të marrë pjesë në një ekspozitë të tillë, kanë hasur në pyetje të atilla që të bënë të kuptosh se shumica e artisteve tashmë kanë përvetësuar narrativen patriarkale.
“Nuk ka pasur artiste që kanë refuzuar, por ka pasur artiste që sigurisht kanë ngritur pyetje përse kjo ekspozitë, përse vetëm me artiste femra dhe këtu e kemi kuptuar që sigurisht duhet bërë ende shumë në këtë drejtim, pra në përfshirjen dhe në fizibilitetin e artisteve gra sepse vetë fakti që disa prej tyre mendojnë që nuk është e nevojshme që artistet gra të mbështeten në mënyrë të veçantë tregon që ka një problematikë brenda vetë sistemit ku ato e kanë përvetësuar narrativen patriarkale”, ka përfunduar kuartorja.
Gratë artiste veprat e të cilave pas Tiranës tashmë kanë pushtuar edhe muret e hapësirën së Galerisë Kombëtare, përfshijnë artistet e para të artit figurativ e deri tek emrat e njohur te ditëve të sotme si; Silva Agostini, Brigita Antoni, Alma Bakiaj, Lumturi Blloshmi, Lirije Buliqi, Liljana Çefa, Donika Çina, Flaka Haliti, Blerta Hoçia, Majlinda Hoxha, Shpresa Faqi, Fitore Isufi – Koja, Ledia Kostandini, Edona Kryeziu, Hyrije Krypa, Iva Lulashi, Diana Miziri, Silvi Naçi, Matilda Odobashi, Greta Pllana, Edit Pula, Nurhan Qehaja, Alketa Ramaj, Miradije Ramiqi, Anila Rubiku, Merita Selimi, Marina Sula, Eli Xoxa, Alije Vokshi, Alketa Xhafa Mripa, Rudina Xhaferi, Violeta Xhaferi, Sofia Zengo Papadhimitri, Androniqi Zengo Antoniu dhe Valbona Zherka.
Ekspozita ‘Synime’ do të qëndrojë e hapur deri më 30 qershor, 2021 duke ofruar kështu mundësinë për diskutimin e veprave të prodhuara nga gratë dhe duke marrë në konsideratë trajektore të ndryshme artistike që ato kanë thurur në kontekstin e pas Luftës së Dytë Botërore deri më sot./ KultPlus.com