Syri i Kaltër, destinacioni i 93 000 vizitorëve që nga janari

Pas përfundimit të infrastrukturës së re rrugore dhe krijimit të mjediseve më të përshtatshme për frekuentuesit e parkut natyror të Syrit të Kaltër, numri i vizitorëve për vitin 2022, ka ardhur çdo muaj duke u rritur duke arritur në 93 000 që nga janari.

Kjo shifër u bë e ditur për ATSH-në nga burime zyrtare të Administratës së Zonave të mbrojtura AdZM të qarkut Vlorë.

Sipas Gjergji Mano, menaxher i AdMZ,  biletaria elektronike nisi të funksionojë më 1 gusht 2022 dhe numri i turistëve vendas e të huaj që po e frekuentojnë parkun natyror të Syrit të Kaltër është i lartë.

“Nëse në qershor numri i turistëve arriti 3922 në korrik, ai pësoi rritje më 18 129, ndërsa më 21 gusht , numri i vizitorëve të Syrit të Kaltër arriti në 70.000”, tha Mano.

I pyetur për parkimin e automjeteve që i drejtohen këtij parku, Mano vuri në dukje se “ky parking po përfundon në fushën pranë digës së Liqenit të Syrit të Kaltër dhe ka një kapacitet deri në 300 automjete”.

Mësohet se treni ekologjik, i cili do të mundësojë lëvizjen e turistëve nga zona e hyrjes deri në afërsi të monumentit të rrallë gjeonatyror të Syrit të Kaltër pritet të realizohet pas muajit shtator.

Parku Natyror “Syri i kaltër” vazhdon të jetë një nga destinacionet më të preferuara edhe për këtë vit, ku një numër gjithnjë e më i lartë vizitorësh kanë aksesuar këtë park.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka në kuadrin e masterplanit të ri shtigjet brenda hapësirës së parkut natyror “Syri i Kaltër”, sinjalistikën e munguar prej shume vitesh dhe disa pika vëzhgimi për turistët e interesit të veçantë.

Ndërkohë rritje e panjohur më parë është shënuar edhe në drejtim të të ardhurave që sigurohen nga frekuentuesit e këtij parku.

“Nëse gjatë muajit qershor, të ardhurat arritën në 2 milionë lekë, në korrik u rritën me 11, ndërsa deri më 23 gusht arritën në 31 milionë lekë”, tha Mano për ATSH-në.

Syri i Kaltër i konsideruar si një parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë, si dhe perlë të turizmit veror gjendet pranë fshatit Muzinë, pranë Rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda. Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore.

Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, me harmonizimin midis pyllit të dendur dhe gjelbërimit gjithëvjetor, burimeve ujore të Syrit të Kaltër me ujërat e kthjellëta dhe të ftohta, ky park nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare.

“Syri i Kaltër” tërheq shumë vizitorë nga mbarë bota./ atsh / KultPlus.com

“Syri i kaltër” parajsa natyrore në zemër të Shqipërisë, destinacioni i 7700 turistëve vendas e të huaj në qershor-korrik

“Syri i Kaltër” në Sarandë, i cilësuar si parajsa natyrore në zemër të Shqipërisë, si dhe perla e turizmit veror ka tërhequr një numë të lartë turistësh gjatë muajve qershor dhe korrik.

Burimi karstik vetëm 22 kilometra në lindje të Sarandës edhe pse është një vend ku nuk mund të bësh plazh për shkak të temperaturave të ulëta të ujit, është sidoqoftë një vend ku mund të freskohesh gjatë ditëve të gjata nën diellin e nxehtë.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Nexhip Hysolakoj tha për ATSH-në se “Syri i kaltër” është një mrekulli natyrore befason turistët vendas e të huaj, të cilët edhe këtë vit, pavarësisht situatës nga koronavirusi kanë qenë të shumtë. Konkretisht gjatë muajve qershor-korrik këtë burim e kanë vizituar  kanë qenë 7700 turistë, ku shumica kanë qenë vendas, por nuk kanë munguar edhe të huajt si polakë, gjermanë, çekë, francezë, etj”.

“Ndërsa vetëm gjatë kësaj fundjave pati një fluks të shtuar të turistëve ku të shtunën ishin 352 dhe të dielën 640 turistë”, – tha Hysolokaj.

Turistët ndalen në këtë pikë turistike, fotografojnë, shijojnë ujin e burimeve që rrjedhin, si dhe gatimet në dy lokalet turistike që ndodhen në park. Nuk mungojnë edhe të rinjtë guximtarë që hidhen në ujin e ftohtë të burimit për t’u larë.

Turistët vendas e të huaj nuk harrojnë të blejnë edhe ndonjë suvenir në dy dyqanet që ndodhen në zonë, të cilat tregtojnë bluza me shqiponjën dykrenare, flamura, qilima, punime balte, etj.

Valbona, një 33 vjeçare nga Tirana shprehet për ATSH-në se “e vizitoj shpesh “Syrin e Kaltër”, sa herë që shkoj në Sarandë për pushime. Është një vend shumë i bukur që të ofron qetësi dhe të mahnit me bukurinë e tij sa herë e viziton”.

Ndërsa Mirsadi, një i ri nga Kosova, i cili nuk nguroi të zhytet në ujin e ftohtë të burimit u shpreh se “është hera e parë që e vizitoj “Syrin e Kaltër”. Kisha dëgjuar shumë nga shokët e mi që e kishin vizituar dhe nuk mund të ikja nga Saranda pa e parë nga afër. Uji ishte shumë i ftohtë, por ishte bukur të zhyteshe në kaltërsinë e tij”.

“Kur të vij vitin tjetër për pushime do të kthehem sërish”, – shprehet Mirsadi.

Syri i Kaltër është burimi më i madh dhe më i bukur i Shqipërisë, që gëzon statusin e monumentit të natyrës. Thellësia e tij arrin deri në 45 metra.

Syri i Kaltër është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm. Burimi i lumit të Bistricës, që përshkon një pjesë të jugut të Shqipërisë, i shëmbëllen vërtet një syri të madh rrumbullak me diametër afro dhjetë metra. Bebja e syrit, një gropë e thellë pus, nga ku uji ngjitet lart si në një kazan që sapo ka filluar të vlojë ka një ngjyrë blu në të zezë. Ajo vjen e rrethohet pastaj nga pjesa e kaltërt e syrit që bëhet e tillë ngaqë thellësia e burimit aty është më e pakët.

Sipas legjendës në këtë zonë jetonte një kuçedër, një krijesë madhështore dhe e frikshme që rrëmbente vajzat, dhe ndalte ujin duke ua bërë tejet të vështirë jetën banorëve. Askush nuk po mund ta vriste këtë përbindësh derisa një ditë një plak i mençur thonë se ngarkoi gomarin e tij me ashkë të ndezur, të cilin kuçedra e gëlltiti me një frymë por ashka e dogji përbrenda dhe nuk mundi të mbijetonte. Por legjenda thotë se nga syri i këtij dragoi buroi ky ujë i kulluar që vazhdon të rrjedhë sot e kësaj dite dhe mban emrin Syri i Kaltër./atsh/ KultPlus.com

Syri i Kaltër, një nga pasuritë më të vizituara, tani me një plan menaxhimi

Komiteti i Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura në Qarkun Vlorë, në drejtimin e kryetarit Flamur Mamaj, njëherësh edhe prefekt i këtij Qarku, miratoi në mbledhjen e fundit që u zhvillua Sarandë, Planin e Menaxhimit për Zonën e Mbrojtur të Parkut Natyror “Syri i Kaltër “.

Ky plan u diskutua gjerësisht nga anëtarët e këtij komiteti, ekspertë të mjedisit dhe specialistë nga rajoni i këtij Qarku.

Flamur Mamaj, prefekt i qarkut Vlorë, me cilësinë e kryetarit të Komiteti të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura të këtij qarku, vuri në dukje se ”Prezantimi i draftit të Planit të menaxhimit “Syrit te Kalter” përbën një event të rëndësishëm jo vetëm se realizohet për herë të parë një produkt  i tillë me një vizion bashkëkohor dhe një standard të ri të shërbimeve por edhe se adreson objektiva të qarta të menaxhimit  të qëndrueshëm.“

Nexhip Husolakoj, drejtor i Administrates se Zonave të Mbrojtura të qarkut Vlorë tha për ATSH-në se “anëtarët e Komitetit me diskutimet, vërejtjet dhe adresimet konkrete, sollën një pasurim të dobishëm të draftit për menaxhimin e Zonës së mbrojtur “Syri i Kaltër”, një nga pasuritë më të vizituara gjeonatyrore të vendit, nga mijëra shtetas vendas e të huaj. Husolakoj, vuri në dukje se në këtë park është planifikuar funksionimi i biletarisë elektronike si në Butrint dhe përmirësime të disa shërbimeve sot me mangësi si nyje hidrosanitare, tualete, pika informacioni, shtigje me sinjalistikë në natyre, etj.

Parku natyror i Syrit të Kaltër përfshihet në territorin administrativ të Bashkisë Finiq në qarkun Vlorë. Ky park mori statusin Zonë e Mbrojtur në vitin 2002.

Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore. Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, me  harmonizimin midis pyllit të dendur dhe gjelbërimit gjithëvjetor, burimeve ujore të Syrit të Kaltër me ujërat e kthjellta dhe të ftohta, ky park nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare./ atsh/ KultPlus.com

Beautiful turquoise spring Blue Eye (Syri i Kalter) near a town of Muzine, Albania. The spring is very powerful, cold and deep and is a source of a river Bistrice

Rihapet “Syri i Kaltër”

“Syri i Kaltër” në Sarandë, një mrekulli natyrore që të befason, disa ditë pas incidentit të ndodhur rreth një javë më parë, rihapet për vizitorët.

Lajmi u konfirmua për ATSH- në nga prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, i cili së bashku me drejtorin e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Nexhip Hysolakoj dhe ekspertë të jashtëm, inspektuan këtë pikë turistike.

“Gjatë inspektimit të zonës dolëm në konkluzionin se është kjo pikë turistike është e parrezikshme për vizitorët”, – tha Mamaj.

Prefekti Mamaj bëri të ditur se u vërejtën disa mangësi, të cilat do t’i korrigjojë Administrata e Zonave të Mbrojtura, Vlorë, si rrethimi i gjithë zonës së Syrit të Kaltër dhe ballkoni panoramik që shërben për të fotografuar burimin”.

“Ballkonin panoramik do ta mbajmë të bllokuar për shkak të dëmtimit nga rënia e gurëve dhe pasi të përfundojë restaurimi do të hapet”, – tha ai.

Mamaj shtoi se bashkë me ADZM do t’i mbyllin sa më shpejt të jetë e mundur punimet.

Monumenti do të jetë i aksesueshëm per vizitorët prej ditës së enjte, duke respektuar këto masa sigurie: lëvizje e orientuar e vizitorëve me asistencën e rojeve mjedisore dhe guidave.

ADZM Vlorë kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e vizitorëve dhe të agjencive turistike për respektimin e masave të sigurisë dhe konsultimin e rojeve mjedisore në terren për çdo problematikë.

Rreth një javë më parë si pasojë e rrëshqitjes së gurëve në Syrin e Kaltër u plagosën 2 turistë, një prej të cilëve grekë dhe tjetri izraelit.

“Syri i Kaltër” konsiderohet gjerësisht si një thesar kombëtar. Ai është i klasifikuar si një fenomen i befasues i natyrës, një vend i bukurisë natyrore që ndodhet në rrugën midis qyteteve të Sarandës dhe Gjirokastrës. Është një burim 45 metra i thellë me ujë të kthjellët në mes të një pylli me lajthi, arra, qershi, pisha dhe drurë të tjerë gjelbërues./atsh /KultPlus.com

Rruga e prishur pakëson numrin e turistëve në Syrin e Kaltër

Me rreth 1500 vizitorë në ditë Syri i Kaltër monumenti natyror më i rëndësishëm në aksin nacional Gjirokastër – Sarandë ka një rënie të numrit të turistëve krahasuar me një vit më parë.

Burimi në formë ovale i rrethuar nga një kurorë e dendur bimësie dhe pemë qindravjeçare rrapi është më i madhi mes 18 burimeve që burojnë prej rrëzës së malit të Gjerë.

Suada Basho menaxhere e zyrës së informacionit turistik të zonës së mbrojtur thotë se vizitoret kanë nevojë për aktivitete në natyrë. Megjithëse ngritja e çadrave është i lejuar, mungojnë të gjitha shërbimet e tjera që nga tualetet, dushet apo ushqimi.

Svenja dhe i dashuri i saj nga Polonia janë duke ju shkruar kartolina miqve në një kënd brenda parkut.Ata duken të kënaqur me vizitën dhe me Shqipërinë por tërheqin vëmendjen për shërbimet që mungojnë.

“Jemi duke i shkruar familjes dhe miqve.Është shumë bukur. E gjithë vizita në Shqipëri ishte një zbulim i këndshëm, por vende si ky mund të plotësohen me shërbime. Rruga ishte gjithë pluhur dhe këtu vetëm mund të shëtisësh për pak minuta. Ka vetëm për të parë, nuk ka shumë për të bërë.”, shprehen ata.

Të njëjtin shqetësim për mungesën e shërbimeve dhe rrugën e shkatërruar ngre edhe një familje shqiptarësh që viziton parkun natyror për herë të parë.

Megjithë bukurinë e rrallë natyrore që ofron parku, përballja e parë me të është problematike. Era e keqe dhe ndotja e akumuluar prej vitesh në liqen ne hyrje të parkut është duke u kryesuar listën e ankesave të vizitorëve.

Ndryshimet që erdhën pas riorganizimit të administrimit dhe vendosjen e parkut nën varësinë e Agjensisë së Zonave të Mbrojtura diktuan rregullore të re për parkun përfshirë këtu edhe ndalimin e zhytjeve në burim çka duket gati e pamundur megjithë sinjalistikën që e ndalon notin dhe patrullimin disa herë në ditë të specialistëve.

Duket se gjysma e vizitorëve vijnë në Syrin e Kaltër për tu zhytur në ujërat e burimeve të tij.

SiViaggia: Syri i Kaltër, burimi në zemër të Shqipërisë që të mahnit

“Syri i kaltër”, një fenomen natyror që nuk ka gjetur ende një shpjegim të vërtetë, mund të admirohet në mes të pyllit vetëm disa kilometra larg Sarandës, shkruan SiViaggia.it.

I kaltër si ngjyra e burimit natyral që gjendet në Shqipëri.

Një fenomen që mund të admirohet në Muzinë, një fshat në qarkun malor të Vlorës. Një vend shumë popullor në mesin e shqiptarëve, por pothuajse i panjohur për turistët, të cilët gjithnjë e më shumë e vizitojnë çdo vit vendin.

Ujërat transparente të lumit – meritë edhe e gurëve të bardhë gëlqerorë – burojnë nga një thellësi prej më shumë se 50 metra. Zhytësit rregullisht zhyten në thellësi të tilla, por askush nuk ka qenë kurrë në gjendje të shpjegojë fenomenin e as çfarë qëndron në fund të rrjedhës së lumit.

“Syri i kaltër” është pjesa fillestare e burimit të lumit Bistricë, një lumë i gjatë prej 25 kilometrash që rrjedh në detin Jon në jug të Sarandës.

Zona e pushtuar zë më pak se dy kilometra katrorë, kështu që është mjaft i vogël dhe pothuajse nuk gjendet, i fshehur në mes të pyllit të dendur të lisave dhe fiqve.

Mund të arrihet vetëm në këmbë pasi keni ecur për rreth 2 km. Nga Saranda është një udhëtim ditor i bukur për të bërë. Autobusët gjithashtu mbërrijnë atje. Vlen të vizitosh këtë cep të pacënuar dhe bukurinë hipnotike të Shqipërisë.

Meqenëse ai është një kandidat për Trashëgiminë e UNESKO-s, nëse do të bëhet një vend i mbrojtur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, do të jetë e vështirë ta gjesh ende të paprekur dhe pa turma njerëzish./k.s/ KultPlus.com

Mediat italiane: ‘Syri i Kaltër’ parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë (VIDEO)

“Syrin e Kaltër”, ky vend i cili tërheq shumë vizitorë nga mbarë bota, mediat italiane e kanë quajtur si një parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë, si dhe perlë të turizmit veror.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, për të iu uruar një ditë të mbarë ndjekësve të tij në Facebook ka zgjedhur një mënyrë më të veçantë. Ai ka shpërndarë një artikull për atraksionin turistik në Shqipëri, “Syrin e Kaltër” i publikuar në mediat italiane.

Një pjesë nga reportazhi mund ta lexoni më poshtë:

“Burimi i Syrit të Kaltër”, një parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë. Duket tamam si një sy i bukur ngjyrë blu. Quhet “Burimi i Syrit të Kaltër” falë ngjyrës së kristaltë të ujërave të tij dhe formës e cila ngjan tamam si një sy të madh. Syri i Kaltër, në gjuhë origjinale, është një burim natyror në zemër të Shqipërisë, një perlë e re e turizmit veror Mesdhetar e cila të surprizon vazhdimisht. Bëhet fjalë për një burim karstik vetëm njëzet e dy kilometra në lindje të Sarandës, vendpushimi bregdetar më i famshëm dhe i gjallëruar përgjatë “Rivierës Shqiptare” në shpatet perëndimore të Malit të Gjerë. Temperatura e ujërave të këtij burimi është rreth 12°C, por thellësia e tij ende nuk dihet.

Shkëmbi i bardhë gëlqeror që i bën sfond këtij burimi, e ngjyros atë me ngjyra të mrekullueshme dhe, sipas legjendave, ai mund të vizitohej vetëm nga anëtarët e partisë gjatë periudhës komuniste. Ndërsa pjesa e brendshme e burimit ka një ngjyrë blu të errët, të ngjashme me beben e një syri, pjesa e jashtme ka tonalitete më të hapura, njësoj si një iridë. Për të mbërritur aty mjafton një shëtitje në këmbë prej rreth dy kilometrash prej udhëkryqit në rrugën kryesore që lidh Sarandën dhe Gjirokastrën dhe, edhe pse është një vend ku nuk mund të bësh plazh për shkak të temperaturave të ulëta, është sidoqoftë një vend ku mund të freskohesh gjatë ditëve të gjata nën diellin e nxehtë, tipike të Shqipërisë.

Gjelbërimi i dendur i lisave që rrethojnë burimin, ku fluturojnë të lira qindra flutura dhe pilivesa, edhe ato me një ngjyrë blu elektrike, e bën atë vendin ideal për të organizuar një piknik, ose për të konsumuar diçka në barin dhe restorantin e zonës ku gatuhen pjata tipike dhe të shijshme, ndërsa nga tarraca mund të sodisni pamjen e burimit./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=NwVe803_a78