Dyshja fantastike “SYTË”, me bazë në New York e përbërë nga Nita Kaja (këngëtare) dhe Drin Tashi (producent/inxhinier), do të publikojë këngën e tyre të re, “Beat Goes On” më 26 qershor.
Kënga prek tema të ndryshme të rëndësishme si shëndeti mendor, motivimi dhe shpresa, duke eksploruar udhëtimin e rilidhjes me veten pas përballjes me zhgënjim, stagnim dhe mospërmbushje.
Kënga paraqet ndjenjat e rënda, shpesh dëshpëruese që mund të sjellë jeta, dhe thekson rëndësinë e momenteve të bukura ku ndihemi të lirë, pastrojmë mendjet tona dhe rikthehemi tek qëllimet tona personale.
Duke shpjeguar pse tani është koha e perfekte për të publikuar një këngë me një mesazh të tillë, SYTË thojnë: “Të gjithë duket se janë të etur për të jetuar një jetë të përbashkët në harmoni pa asnjë barrierë, dhe kjo është pikërisht ajo që ne synojmë të japim.”
SYTË do të shfaqin premierën e këngës më 26 qershor me një performancë live në “Good Day New York” programin e mëngjesit me të njohur dhe me të shikuar në Nju Jork. “Beat Goes On” është lansimi i tyre i parë i vitit 2024, i cili premton të magjeps të gjithë dëgjuesit me tingujt e bukur veror dhe të parezistueshëm indie pop./KultPlus.com
Grupi nga Kosova “Sytë” ka publikuar këngën e tyre të re, shkruan KultPlus.
Kënga e tyre e re titullohet “Sirenë” dhe ka një videoklip të veçantë.
Grupi ‘Sytë’ debtoi në vitin 2018, ata janë të njohur për këngët ‘Pink roses’, ‘Crying in the club’, ‘Nostalgia rocket’, ‘Feel it all’, ‘Tail Light’, ‘Where did the love go’, shumë të tjera. /KultPlus.com
Mbrëmë, festivali më i madh në vend, “Sunny Hill” ka futur rrënjët në qytetin e Prishtinës. Më shumë se 25 mijë pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës kanë pushtuar ambientin në Parkun Gërmia. E krejt kjo për të dëgjuar, shikuar e admiruar secilin artist që ka shkelur skenën me një qëllim të vetëm, e ajo është rrëmbimi i zemrave të gjithsecilit në publik, shkruan KultPlus.
Nuk është dashur shumë kohë që mesdita të jetë koha kur publiku të krijojë radhë të gjata për të hyrë brenda. E as për të zënë vendin e tyre aty mu afër skenës, në një pozicion të favorshëm për të qenë sa më afër këngëtarëve të tyre të preferuar. Një rrugë e gjatë dhe e ngushtë është shndërruar mbrëmë në një “oqean” që e kanë parë veç artistët mbi skenë, e kjo si pasojë e një tubimi që fundi nuk i shihej aspak.
Ylli i botës, Dua Lipa, ishte artistja që ka kryesuar natën e parë të festivalit. Me një veshje elegante, sharmi i saj u dallua qysh kur këmba e saj preki skenën. Ndërsa, brohoritjet lakoheshin në vazhdimësi pa ndalë, ajo nisi interpretimin me këngën “Physical”, një performancë që i la pa fjalë të gjithë. E njashtu ishin edhe gjithë interpretimet e tjera që kanë dalë përtej imagjinatës të çdo kujt.
Duke nisur qysh nga skena që këtë vit është në një avancim të shtuar, reflektorët që posaçëm kanë ndërruar formë e ngjyrë sipas agjendës, koreografia e suksesshme e Lipës në përputhje me valltarët e tjerë si dhe prezenca e saj skenike, ka bërë që pritshmëritë e audiencës të tejkalohen krejt lehtazi.
Nga kënga në këngë e nga çasti në çast, performanca e saj magjike ka krijuar një atmosferë që ka ndezur shpirtrat e pranishëm. Kjo dallohej më së miri edhe atëherë kur ndërveprimet e Lipës me publikun mirëkuptoheshin në sekondë.
“Është një ëndërr shumë e madhe për mua për të qenë këtu sonte e për tu munduar që të krijoj një festival kështu me familjen time, me shokët e mi dhe krejt këta njerëz që janë këtu në skenë me mua. Faleminderit shumë që e bëtë këtë natë kaq speciale për mua. Faleminderit edhe gjithë atyre që kanë ardhur në Prishtinën e bukur, për të përjetuar artin, muzikën, kulturën, kreativitetin, energjinë. Kjo do të thotë bota për mua”, ka thënë Lipa pak para se kënga “Be the one” të gjente fillimin.
Në këtë natë nuk kanë munguar as disa nga hitet më të njohura të Lipës, përfshirë këtu edhe disa nga këngët e albumit të saj të fundit “Future Nostalgia”, album ky që mbrëmë ka shfaqur sensualitetin, bukurinë dhe veçantinë e Lipës. Ajo kokë e këmbë ka dhënë shpirtin e saj, ndërsa publiku ia kthyer me të njëjtën mënyrë.
Nata e parë e “Sunny Hill” ka sjellë edhe artistë të tjerë që publiku shqiptar, dhe jo vetëm, i do aq shumë. Ishin: Galoski, Sahati, Art Lokaj&Eros, Jimpong&Friends, Sancet, grupi kosovar “SYTË”, Kida, Yll Limani si dhe Elvana Gjata.
Secili nga këta artistë ka krijuar mbrëmë një atmosferë që jehoi përtej Parku Gërmia. Zërat e tyre diversiv, stili i tyre aq unik si dhe ngrohtësia që përçuan ata në publik është thjesht “jashtë” kësaj bote. Në qoftë se shikoje lart atëherë do të vërehej dukshëm mungesa e prezencës së yjeve, kjo për shkak se “yjet” e vërtetë kishin zbritur mbrëmë mbi skenë.
Ndërkaq, sonte duke filluar nga ora 14:00 në skenë do të ngjitën artistët si: Jimpong&Friends, Edon, Yon Idy, “ZWADA”, La Fazani, Emir Taha, Onat, Cozman, Ghetto Geasy, Azet & Zuna, Dhurata Dora, Mahmood dhe J Balvin është këngëtari që do kryesojë natën e dytë të “Sunny Hill Festival”. / KultPlus.com
“KREJT SUPER!”, titullohet koncerti i përbashkët mes artistëve: “SYTË”, La Fazani, “ZWADA”, Sahati dhe ODA Haliti, përcjell KultPlus.
“KREJT SUPER!” është iniciativë për të promovuar një sub-kulturë të skenës së pavarur të muzikës në Prishtinë. Sipas njoftimit, Prishtina gjithmonë ka qenë e pasurar me muzikë alternative, dhe ky koncert pritet të shfaq lulëzimin e ri të kësaj skene.
Më në fund, pas pandemisë, kjo konsiderohet të jetë mundësia për t’i mbështetur disa prej artistëve të cilët e kultivojnë këtë kulturë.
“Nuk jemi bash rock, as pop, as elektronikë apo hip-hop, por jemi krejt ka pak dhe KREJT SUPER!”, thuhet tutje në njoftim.
“KREJT SUPER!” do të mbahet me datë 25 qershor (e shtunë), në Teatrin ‘Oda’, duke filluar nga ora 19:00. Ndërsa, biletat me çmim 5€ shiten në Dit’ e Nat’.
Koncerti është mbështetur nga HAPU festival, Let’s CML, dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com
Pasi debutuan në korrik të këtij viti në skenë, anëtarët e rok-grupit “Sytë”, po vazhdojnë me publikimin e projekteve muzikore.
Ky grup tashmë ka bërë publike videoklipin e këngës “Crying in the club”, këngë kjo e dyta e lansuar nga ky grup pjesë e albumit të tyre debutues. Kënga është e tëra në gjuhën angleze veçanti e këtij grupi./ KultPlus.com