Ca pëlqejnë poezinë

Wisława Szymborska

Ca –
që domethënë jo të gjithë.
Madje as shumica e atyre të gjithëve, veç pakica.
Pa përfshirë këtu shkollat, se aty duhet,
si dhe poetët dora vetë,
në tërësi mbeten nja dy në njëmijë vetë.

Pëlqejnë –
por dikujt i pëlqen makar dhe supa e pulës,
dikujt i pëlqejnë përgëzimet dhe ngjyra blu,
dikujt i pëlqen një shall i vjetër,
dikujt i pëlqen të ketë në dorë dikë tjetër,
dikujt i pëlqen të kujdeset për një qen.

Poezinë –
ore, po ç’na është vallë kjo poezia?
Më tepër se një përgjigje tërthorazi
ka marrë një pyetje e tillë.
Por s’e di që s’e di dhe mbahem fort pas saj
si pas një parmaku.

(shqip – e.q.)

Jam ilaç qetësues

Poezi nga Wislawa Szymborska, fituese e çmimit “Nobel”. Me gjithë popullaritetin e saj, Szymborska u largua nga sytë e publikut, u shpreh për “Gardian”-in në vitin 2000: “ka thjesht shumë vëmendje rreth meje”.

Jam ilaç qetësues.
Veproj në shtëpi,
funksionoj në zyrë,
përballoj provime,
prezantohem në procese gjyqësore,
ngjis me kujdes filxhanët e thyer.
Duhet vetëm të më pishë,
të më shkrish poshtë gjuhës,
pastaj të më dërgosh poshtë
me një gllënjkë ujë.

Di si të sillem me trishtimin,
si përballohet një lajm i keq,
tkurr padrejtësitë,
zbardh mosegzistencën e Zotit,
di të zgjedh një kapele të bukur për varrim.
Çfarë pret?
Ki besim te mëshira kimike!

Je burrë (apo grua) akoma i ri?
Duhet të sistemohesh në një farë mënyre?
Kush ka thënë se jeta përballohet me kurajë?

Dorëzomë thellësitë e tua.
Do t’i ngjesh me gjumë.
Ke për të më falënderuar,
kur të biesh në këmbë pas rrëzimit.

Shitma shpirtin.
Blerës tjetër nuk do të gjesh.

Një djall tjetër nuk egziston./KultPlus.com