A dhemb?

Poezi nga Entela Tabaku

A e ke provu me e tundë dorën në lamtumirë

 me i zgjatë gishtat në ajër ngadalë

 me e mbushë pëllambën me erë

 mandej me e lanë me të përshku

 dhe me ia ndi zhuritjen lëkurës që flladitet

 mallin mishit që bjen për thonjsh

 të fikunin gjakut që ik teposhtë

 me ia ndi dobësinë

 kocit që mpaket deri në palcë

 a e ke provu?

a dhemb?

‘Unë jetoj nalt mbi tokë; si rê e verdhë’

Poezi nga Xhabir Tabaku

Kopshtijeve të vendit t’em
luleshega

netëve të valta, m’ nji dritare
‘i grua njéh yjet
parvazit mbjellë,
e lirë – luleshpirta

thotë në heshtje:
unë jetoj nalt mbi tokë;
si rê e verdhë

ngjyron natën me penel
dhe lind një yll
-yll’ i mesnatës

me ngjyrë dielli do t’i lyej buzët
o yll i krisur!

një natë e shkurtë rrin var’
m’nji puthje t’vál’
dy t’huaj – e ‘j heshtje e gjatë mâ par’

-nën hije t’plepit, bie nata. / KultPlus.com