Poezia e Lulzim Tafës magjeps artdashësit në KultPlus Caffe Gallery, kolegët e cilësojnë si vazhdues të ideve poetike të Ali Podrimjes

Vjollca Duraku

Personalitete të jetës kulturore dhe akademike, poetë, aktorë, miq e familjarë u mblodhën sonte, në këtë mbrëmje të bukur dhjetori, në ambientin e ngrohtë të KultPlus Caffe Gallery për të shijuar ‘Mbrëmjen Letrare’ dedikuar poetit të njohur Lulzim Tafa, i cili ndër vite me krijimtarinë e tij ka pasuruar botën e adhuruesve të letërsisë dhe të poezisë.

Kjo mbrëmje e mbajtur sonte nën organizimin e KultPlus Caffe Gallery në shenjë të kremtimit të festave të fundvitit ka dhuruar emocione të shumta përmes vargjeve të poetit Tafa, që u interpretuan nga artistët, kolegët e tij poetë si dhe vetë ai, nën tingujt e bukur të kitarës së Riad Ramadanit.

Me poezi dhe vargje të përzgjedhura në këtë mbrëmje poetike u paraqitën aktorët Albana Gashi me poezitë “Si toka” & “Tue kërkue veten” si dhe Valmir Kraniqi me “Vasha e Dukagjinit” & “Të dielave mos më thirr më”.

Ndërsa me interpretimin e tyre kolegun poet e nderuan: Sali Bashota me poezinë “Këshillë për poetët e rinjë”, Naime Beqiraj me “Bisedë me hijet”, Rrahman Paçarrizi me “Paketimi i mërzisë”, Vlora Konushevci me “Nuk më luftohet, më flihet”, Arbër Selmani me “Pas pandemisë” dhe “Dritaren e ke të lejuar” dhe Jeton Kelmendi me një poezi kushtuar poetit Tafa. Më video poezi interpretuan vetë poeti Lulzim Tafa, Labinot Laçi dhe Vedat Haxhislami.

Drejtoresha e Mediumit KultPlus, njëherit edhe organizatore e mbrëmjes poetike, Ardianë Pajaziti ka thënë se është kënaqësi për të që mbrëmjen e fundit letrare për vitin 2024 ta përmbyllë me poetin Lulzim Tafa.

Faleminderit që jeni pjesë e kësaj mbrëmje poetike të poetit dhe mikut tonë Lulzim Tafa. Kjo është mbrëmja e fundit që organizohet në KultPlus Caffe Gallery për këtë vit. Jo rastësisht po mbahet kjo mbrëmje me përzgjedhje të poezive me kaq përmbajtje dhe kaq të thella, të cilat prezantohen prej miqve të tij. Luli vazhdon me qenë mik i KultPlus-it. Kjo mbrëmje i dedikohet pikërisht për miqësinë poetike që e ka krijuar ndër vite me ne. Lulin e njohim të gjithë ai nuk rekomandon që t’i drejtohemi me tituj të tjerë, gjithmonë e thekson që titulli që i fle më së shumti është ai i poetit” ka thënë drejtoresha Pajaziti.

Ndërsa, poeti Sali Bashota i cili edhe e ka udhëhequr mbrëmjen artistike për poetin Tafa ka thënë se ai është vazhdues i ideve të Ali Podrimjes.

“Është një poet i veçantë që jeton me poezinë. Është një vazhdues i ideve të Ali Podrimjes. I njoh vetëm dy poetë që jetojnë vetëm me poezinë. Luli është i tillë, i thjeshtë, modest, një poet që po ngjitet majave të poezisë shqipe me veprat e tij poetike. Deri tani ai i ka botuar 300 poezi. 300 të tjera i janë djegur në luftë”, ka thënë poeti Bashota duke potencuar se Tafa është një poet që po ngjitet shkallëve të poezisë shqipe me talentin e tij të rrallë.

Bashota më tej ka thënë që poeti Tafa në dy vitet e fundit ka pasur shumë suksese edhe në prezantimin dhe promovimin e disa prej vlerave të tij intelektuale në akademi të ndryshme, duke përfshirë edhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

“Luli i prezantohet edhe publikut në Shqipëri si një poet me vlera të arrira letrare. Sonte të gjithë miqtë e tij do të jemi bashkë me poezinë e Lulzim Tafës, e cila në çdo mënyrë na mbledh që të jemi sa më afër njëri tjetrit, ta duam poezinë, t’i duam vlerat e letërsisë shqipe. Do të ishte kënaqësi që çdo javë të kemi nga një takim të tillë me poetë të Kosovës që promovojnë vlerat tona sepse askush më shumë se poezia nuk mund ta paraqes atë ndjenjë dhe përjetimin e botës sonë shpirtërore, dashurinë në radhë të parë. Luli është poet edhe i ëndrrave por edhe poet  dashurisë”, ka thënë poeti Bashota.

Poeti Lulzim Tafa është shprehur tejet falënderues për këtë mbrëmje dedikuar poezisë së tij, e cila përkon edhe me ditën e poetit të tij të preferuar, “Rumit”.

“Të nderuar miq, faleminderit që jeni sonte këtu, në këtë përjetim poetik të cilin e shijova shumë. Kjo mbrëmje është organizuar për mua. Nata e mbrëmshme ka shënuar ditën e vdekjes së Rumit, një ndër poetët më të mëdhenj që kishte njerëzmi, që kishte linjda e perëndimi. Edhe pse ai vetë thoshte që nuk i takonte as lindjes, e as perëndimit sepse ai nuk kishte kufinj. Ai thoshte se unë i takoj dashurisë, ashtu siç është e pakufishme edhe dashuria. Ju e dini lidhjen time me Rumin, me mistikun e hatashëm. Mund ta merrni me mend që kjo koincidencë pas natës së Rumit të mbahet në Prishtinë, një mbrëmje poetike me mua, më mrekullon”, ka thënë Tafa duke potencuar që poezia është jeta e tij.

Kurse, shkrimtari dhe profesori universitar Rrahman Paçarrizi ka thënë që poezia e Tafës vazhdon ta mrekulloj çdo herë e më shumë.

“Mendoj që jam ndër ata të cilët i lexoj poezitë e tij ende pa u botuar. Në njëfarë mënyre jam një lloj konsulenti për Lulin, sepse pasi ai shkruan poezinë iu lexon disa miqve të tij. Në këtë kuptim, siç u tha sonte ai i ngjason poetit Ali Podrimja nga mënyra e funksionimit, mënyra e të shkruarit të poezisë, por edhe nga mënyra e të jetuarit me poezinë. Për mua ka qenë një moment i veçantë. Në asnjë rast dhe për asnjë tjetër nuk do të lexoja poezi të huaja, por poezitë e Lulit i ndiej goxha sikurse të mijat e sidomos poezinë që e lexova sonte”, ka thënë Paçarrizi.

Ndërkaq, poetja tjetër Vlora Konushevci ka thënë se Tafa me krijimtarinë e tij i ka kontribuar letërsisë shqipe, shpesh herë duke dalë edhe jashtë kornizave të brezit të tij.

“Poezinë e tij e kam lexuar qysh moti. Fillimsht më duhet ta them që Luli është njeri shumë i mirë, pasi kjo është shumë e rëndësishme për të qenë pastaj edhe poet i mirë, sepse nëse je njeri i mirë e ke edhe empatinë e zhvilluar, ku pastaj në shkrim del i jashtëzakonshëm, ashtu siç del edhe Luli. Mendoj që letërsisë i ka dhënë shumë në veçanti me lirikat e dashurisë, por ka edhe poezi që janë më urbane. Nuk është që ka mbetur në ciklin e brezit të vet. Ka dal edhe jashtë kornizave duke sjellë edhe risi dhe gjëra të bukura e interesante për letërsinë tonë”, ka thënë Konushevci, duke e komentuar edhe poezinë me të cilën u prezantua para miqve të mbrëmjes.

“Poezia që e lexova sonte, më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Ka qenë në një periudhë kur flitej për luftë gjatë gjithë kohës. Në kohën e luftës kam qenë mjaftueshëm e madhe dhe e di çka është lufta. Më ka pëlqyer që Luli nuk e ka romantizuar, nuk e ka mitizuar luftën por ka dalë me një poezi antiluftë siç kanë bërë edhe shumë poet të tjerë para tij. Ka pasur edhe lëvizje të tëra kundër luftës ku janë përfshirë edhe shkrimtarë të ndryshëm si në Amerikë e Evropë. E shoh sikurse copë të atij mozaiku që e ka plotësuar këtë pjesë të letërsisë edhe me rrëfimin e Kosovës, prandaj edhe e kam përkthyer edhe në gjuhën angleze”, ka përfunduar poetja Konushvci.

Mbrëmja mes adhuruesve të poezisë vazhdoi me shijimin e verës dhe tingujve të bukur të kitarës edhe për disa orë./ KultPlus.com

Vdekja e të paqenës

Lulzim Tafa

Gjërat që kurrë nuk kanë ekzistuar
Papritmas nisin
Të zhduken

Dhimbjet
Të ndjejnë vetë dhimbje

Ikën të gjitha mungesat
Ka filluar të digjet shkrumbi
Të vdesin varret

Një i verbër më në fund
Shikon errësirën

Të gjithë të ngrirët u shndërruan në gurë
Andrra tani e sheh në andërr
Veten

O Zot
Po si më rrëshqiti kështu nga duart
Vetja
Një gjë s’e kam kuptuar kurrë
Qysh mundet me e marrë ujin
Etja./ KultPlus.com

Dialog dhe protestë poetike për kohë tonë

Nga: Mustafë Xhemaili

NJË HYRJE PËR POEZINË E LULZIM TAFËS

Poezia e poetit Lulzim Tafa, nuk ka dal krejt befasisht. Ajo e ka pasur një zhvillim të saj që nga botimi i librit të parë me poezi me titull “Gjaku nuk bëhet ujë”, të botuar nga Rilindja në vitin 1993 duke botuar edhe tri libra të tjerë me poezi deri në vitin 1998, (madje njëra prej tyre me poezi të dramatizuara). Poeti Lulzim Tafa, përnjëherë “heshti”, për 14 vjetë, për t’u rishfaqur në vitin 2012 me librin poetik “I kam dy fjalë”, pastaj edhe me librin “Shtini n’dhé këto fjalë” (2015) dhe me  librin tjetër  “Flirt” (2019). Këtu nuk do të shfletojmë këta libra që përmenda, por dua të theksoj vetëm një mendim të poetit dhe studjuesit të letërsisë, Agim Vinca, kur, duke i krahasur tre libra të poetit Tafa, në hyrjen me rastin e botimit të librit “Shtini n’dhé këto fjalë” thotë: “Nuk është vështirë të vërehet se ky libër, jo vetëm si frymëzim poetik dhe si koncept, por edhe me titullin është në koherencë me dy librat e tij të mëparshëm: Vdekja çon fjalë, (1998) dhe I kam edhe dy fjalë (2012). Në qoftë se titulli i librit, sipas Shopenhauerit, është (duhet të jetë) monogram i përmbajtjes së tij, atëhere mund të thuhet se në këta tre libra të Lulzim Tafës shpaloset që në titull raporti i subjektit lirik me fjalën.”

Poeti Lulzim Tafa, që mund të them se është një koprrac në botimin e librave poetik sepse vetëm pas 5 vitesh sërish i dha në dorë lexuesit një libër të ri me titull RIVALI I ADAMIT, të botuar në këtë vit. Në këtë botim Lulzim Tafa, del me ndryshe para lexuesit dhe kritikës, por ai nuk del nga idea e tij bazike për krijimin e poezisë në traditën dhe vazhdën e librave të tij të botuar deri tash. Them se me RIVALIN E ADAMIT, del më ndryshe sepse këtu del më guximshëm me hapur me poezi që në thelb kanë përmbysjen në mënyrë poetike të miteve dhe zanafillës. Në anën tjetër për t’u shprehur sa më komunikueshëm për lexuesin poeti Tafa, nuk shket asnjëhere nga idea e tij bazike që atij (lexuesit), t’ia përcjellë vazhdën dhe frymën e traditës së pasur që ka përçuar në botimet e mëparshme.

NË LUFTË POETIKE ME GËNJESHTRËN E GJENEZËS

OSE: Rivali i botës së vjetër – dashnori i botës së re

Në librin më të ri poetik, poeti është është përleshur me mitet kryesore që edhe sot e përthekojnë botën, krijimin e njeriut të parë, Adamit (Ademit) që mund të jetë i bardhë apo zi, që Eva (Hava), si dy njerëzit e parë, por i treti është poeti, të cilin “Eva më donte shumë”, sepse “Eh/Miliarda vjeç/I moçëm jam/ – Moc i Adamit/. Duke shprehur se, megjithatë, poeti mbetet i përjetshënm rival i Adamit /Sa për ta bërë xheloiz/Adamin muskuloz/, ani se ai (poeti) ka frikë vetëm nga Zoti i gjithmëshirshëm i cili falë mëkatet: /Se njëherë në Andërr/ e kam dushë /Hazreti Havën/. Dhe pastaj poeti “konstaton” se: /Sot e asaj dite/ Besoj që molla/Ishte pretekst/ Për të na përzënë/ Nga Kopshti/- nga Kopshti i Edenit, pra. Vargjet e cituara janë nga cikli i parë “Zanafillë”.

Poezitë vazhdojnë të shtrihen në mënyrë konceptuale dhe të organizuara, edhe në 7 cikle të tjera. Gjithësej në 8 cikle! Po pse jo në nëntë cikle ose në shtatë cikle, këta numra mitikë nga lashtësia dhe mitologjia jonë?! Unë e shoh këtë mospërfillje të poetit në planin e tij poetik për përmbysjen e miteve. Kjo për mua është në rregull. Kështu mund të veproj vetëm poeti. Dhe vetëm ai mund t’i përmbysë mitet. Në ndonjë analizë tjetër mund të flitet vetëm për titujt e këtyre cikleve pra që fillojnë me Zanafillën, e deri te cikli i fundit “Lisat flejnë në këmbë”. Të gjitha lidhen mjaft mirë mes veti duke krijuar një, ndoshta, ciklin e nëntë, pra duke krijuar një numër modern mitik të kohës sonë.

Sigurisht që poezia nuk mund të ngarkohet me detyra të angazhuara më shumë se sa që duron ajo, ndaj dhe përballë problemeve të shoqërive nëpër botë dhe as të shoqërisë sonë në ditët e sotme, as luftërat aktuale në botë, megjithatë poeti konstaton se “Pushkini ishte më i fortë se Putini” pra historia do të klithë nëpër kohë: Ku Pushkini e ku Putini!

TIPARE TË TJERA TË POEZISË SË LULZIM TAFËS

Këtu dua t’i përmend edhe disa tipare të thekësuara të poezisë së librit RIVALI I ADAMIT.

Befasia e fjalës së gjetur nga poeti Lulzim Tafa, në këtë botim të ri merr një shkëlqim edhe më të ndritshëm se në librat e tjerë. Te ky libër shfaqen mjaft të tilla, si “vorri duhet me pas dritare” edhe titull poezie, ose te poezia “Sa shpejt më harroi nana” një poezi antologjike, një nga më të bukurat që është shkruar për nënën në poezinë shqipe /Nana sot ka ditlindjen/ u bë katër vjeçe/Sa ngadal u rritkan të vdekurit //Ajo tash atje është fëmijë/Prindërit e mbajnë përdore/ Edhe andej si dikur/Këndej./

Ndërsa bukuria e vargut te poeti Lulzim Tafa, shpërfaqet në të shumtën e poezive të këtij vëllimi poetik: /N’lëkurën teme/Ranë//Ranë n’lëkurën teme// Kurrë s’du me t’pa/Ty që t’du/, poezia “Urtë”.

Një tjetër tipar i theksuar, jo vetëm në këtë botim të ri të poetit Tafa, është ironia dhe sarkazma. Ai është mjaft aktiv me poezi që dialogojnë me lexuesin, që është një poezi e protestës në mënyrë poetike në, dhe ndaj kohës sonë. Reagimi poetik është i theksuar madje edhe për problemet e thjeshta ditore që poeti i ngrit në nivel poetik me një lehtësi të çuditshme: /Në rast se shpërthen Virusi i Poetit/ Që hëngri kokën e vet/ Si një Kinez lakuriqin// Atëhere qeveria do të urdhërojë/ që njëshi ta lidh dyshin/ Dyshi ta lidh treshin/ Treshi ta lidhë katërshin./ E kështu me radhë/ Vetëm se këtë herë në bazë/ Të numrit të parë/ Të letërnjoftimit./, nga poezia “Pesimizëm” me motive nga pandemia e CoronaVirusit. Ose /Unë nuk luftoj/ Unë shkruaj/ Poezi antiplumb/, poezia “Lufta”. Apo kur ironizon te poezia “Purgatori”: /Ferrin deri më tani e ka të sigurt/ Vetëm zjarri/ Parajsën vetëm lulet/ Kaq di unë për këtë punë/ Ujë, flakë e shkumë/.

Lulzim Tafa është mjaft “i angazhur” të shapullisë dhe ta godisë me dackë të fortë poetike, ta quajmë kështu, deheroizmin në ditët tona, zbërdhyljes së figurës së luftëtarit për liri, zvenistjes së atdheut. Ciklin e pestë të kësaj përmbledhjeje poetike,  “Tjetër kashelash për Atdheun”, e ka ndër tufën më të sukseshme të poezive te RIVALI I ADAMIT. Me gjuhë të thjesht, varg të shkurtër e konçizë, dhe me një mllef poetik, me ironi e akuzë të goditur, ai arrinë të thotë dhe komunikoj drejpërdejt me të gjithë shtresat e lexuesit. /Pak dallojnë nga heronjtë/ Njëjtë/ N’tela t’sharkisë/ Shpallen// Janë a s’janë/ C’lidhje ka// Burra e gra/ kurrë s’i kisha vra/, poezia “Tradhëtarët”.

Apo poezia “Dita e Pavarësisë”: /Sot është dita/ Kur edhe hajnat/ Dalin nëpër vorre/ Të veshur bukur/ Në erën e parfumit të shenjtë/ Dah atdheu./ Lavdi u qoftë/ heronjve/.

Poezia “Atdheu jem”, shpërfaq më së miri dhembjen e poetit për gjendjen në të cilën e sheh vendin e tij: /Duket si një fëmijë që beson/ Atdheu im naiv./ Tu’ e bë bé rrejshëm/ Shih/ Sa zaif/ Po rri. //Atdheu jem/ Dhembja jem/ Asht e l’kurë/.

Në parathënien e librit RIVALI I ADAMIT, të poetit Lulzim Tafa, kritiku letrar dhe profesori universitar, Rrahman Paçarizi, e fillon duke e zbërthyer poezinë  “Bisedë me hije”, që e përmbyllë këtë vepër poetike, duke e përkufizuar thotë me të drejtë: “Kjo poezi nuk është në fillim të përmbledhjes. Programi filozofik personal i autorit Lulzim Tafa që përmblidhet në këtë poezi, më detyroi ta nxjerr në fillim, për ta nisur me këto vargje e për ta përmbyllur me një poezi tjetër të fuqishme, me një lirikë (Lirika për Lulin është gjithçka, gjithçka.)”.

E pra, poeti Lulzim Tafa, nuk e ka një poezi të zakonshme, as të komplikuar, as të rimuar, as të pispillosur, as të përjargur, as vajtuese, as të shplarë, as të largët për lexuesin, por e ka një poezi që tashmë e ka edhe vokacion e tij, të gjetur dhe zhvilluar nga talenti poetik me përkushtim të sinçertë për vargun dhe mbretëreshën poezi.

Në anën tjetër, kam përshtypjen se kritika jonë letrare i ka mbetur borxh poetit Lulzim Tafa dhe se, duket që nuk ka guximin e vullnetin e duhur për t’u rrekur me poezinë e këtij autori të përveçëm që ka çelë rrugë dhe shteg të ri të poezisë bashkëhore shqiptare.

Lulzim Tafa, tashmë është bërë njëri ndër emrat më të përfolur e të përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë të botës. Ai është i nderuar e i respektuar anekënd  botes letrare.

Urime dhe suksese, miku im poet, Lulzim Tafa, rival i botës së vjetër – dashnor i botës së re.

(Shkrimi im kritik vlerësues që lexova në promovimin e librit RIVALI I ADAMIT të poetit Lulzim Tafa, (botoi Kolegji AAB- Prishtinë 2024), të organizuar nga Klubi Letrar “De Rada” në Edicion e VI-të të Panairit të Librit në Ferizaj.)/ KultPlus.com

Poeti Lulzim Tafa nderohet në Ditën Ndërkombëtare të Frymëzimit në Tel Aviv të Izraelit

Në Ditën Ndërkombëtare të Frymëzimit të mbajtur në Tel Aviv të Izraelit, poeti kosovar me famë botërore, Lulzim Tafa, u nderua për kontributin e tij të rëndësishëm për paqen dhe humanizmin përmes veprës së tij letrare.

Kjo ngjarje, e cila mblodhi së bashku figura të shquara nga komuniteti botëror i artit dhe kulturës, vlerësoi ndikimin e thellë të Tafës në botën e poezisë dhe përkushtimin e tij për kauzat humanitare.

Njëri nga organizatorët e Ditës Ndërkombëtare të Frymëzimit në Tel Aviv, në fjalën e tij e çmoi punën e poetit Lulzim Tafa, duke vënë në dukje lidhjet e thella që ai ka krijuar me poetët izraelitë.

“I nderuar profesor Lulzim Tafa, sot po zhvillojmë një aktivitet të rëndësishëm të poezisë nën titullin Dita Ndërkombëtare e Frymëzimit dhe kemi nderin të përfshijmë poezinë tuaj në të, pas lidhjeve që janë krijuar mes jush dhe poetëve izraelitë që vlerësojnë shumë poezinë e juaj dhe aktivitetet tuaja humanitare”, tha në fjalën e tij njëri ndër organizatorët e kësaj ngjarjeje.

Ai përmendi rolin e dyfishtë të Tafës si një poet i dalluar dhe një humanist të përkushtuar.

Në fjalën e tij, para të pranishmëve në këtë ngjarje, ai lexoi edhe një nga poezitë e Lulzim Tafës, “I fuqishmi”, të përkthyer në hebraisht.

Lidhur me këtë ngjarje, poeti Lulzim Tafa, shprehu mirënjohjen dhe krenarinë për nderin që iu bë nga komuniteti i artit dhe kulturës në Tel Aviv.

Ai, përmes një postimi në facebook, tha se u ndje i nderuar që në sallën e mbushur përplot me figura eminente botërore të artit dhe kulturës, emri i tij dhe i Kosovës u lartësua në këtë nivel.

“Një nderim i madh qenka bërë për mua dhe poezinë time, në ditën ndërkombëtare të inspirimit, në Tel Aviv. U ndjeva i nderuar që në sallën e mbushur përplot me figura eminente botërore të artit dhe kulturës, emri im dhe i Kosovës u lartësua në këtë nivel”, shkroi poeti Tafa.

Lulzim Tafa është njëri ndër poetët e spikatur jo vetëm në Kosovë por edhe në skenën ndërkombëtare. Ai është ka shërbyer për vite si profesor në fushën e drejtësise dhe si rektor në Kolegjin AAB, një nga institucionet më të mëdha arsimore jo publike në rajon.

Arritjet letrare të Tafës janë të njohura në mbarë botën. Në fund të vitit 2023, Lulzim Tafa është nderuar me titullin “Oficer i Urdhrit Kombëtar të Letrave dhe Arteve” nga shteti francez, çmimi më i lartë në fushën e artit dhe letërsisë, i dhënë nga Franca. Këtë titull prestigjioz ia ka dhënë ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guérot, në emër të presidentit Emmanuel Macron.

Poezia e Tafës, e njohur për temat e saj të thella dhe rrezonimin emocional, është përkthyer në shumë gjuhë, duke përfshirë frëngjishten, anglishten, gjermanishten, hebraishten, italishten, serbishten, kroatishten, malazezishten, boshnjakishten, rumanishten, arabishten, greqishten, turqishten dhe suedishten. /atvlive.tv/ KultPlus.com