Figura historike e Tafil Buzit, “Nder i Kombit”, që ka kontribuar dhe ka dhënë jetën për lirinë e vendit, do të përjetësohet në një monument në qytetin Memaliaj.
Kreu i bashkisë Memaliaj Gjolek Guci, zhvilloi një takim në zyrën e tij, me skulptorin e mirënjohur Mumtaz Dhrami, si dhe një pjesë të kryesisë së shoqatës “Tafil Buzi”, me të cilët diskutoi mbi realizim e veprës artistike .
Fokus i takimit ishte vendosja e monumentit të “Nderit të Kombit” Tafil Buzi në rrugën nacionale, në zonën e njohur si “Ura e Parë” në hyrje të qytetit.
Guci u shpreh se kjo iniciativë e bashkisë Memaliaj përbën prioritet dhe kërkon përkrahje për të vijuar më tej projektin.
Ndërsa shtoi se është e rëndësishme që figurat historike të nderohen, për kontributin që kanë dhënë për lirinë e vendit.
Tafil Buzi ishte udhëheqës i kryengritjeve antiosmane të viteve ’30 të shek.XIX në Shqipëri.
Në vitin 1828 mori pjesë në Kuvendin e Beratit. U kthye nga Greqia, ku kishte ikur për të shpëtuar nga ndjekjet e osmanëve, në gusht 1834 dhe zbarkoi në Pashaliman.
Me ftesë të kryengritësve të Beratit mori detyrën e udhëheqësit ushtarak dhe të ndërlidhësit të kryengritësve me Mehmet Aliun e Misirit.
Në ditët e para të vitit 1835 kryengritësit u shkëputën autoriteteve lokale osmane disa të drejta vetëqeverisëse, që nuk u njohën nga Stambolli. Tafil Buzi nisi një kryengritje të re, por nuk gjeti përkrahje te paria e Beratit.
Më 1836 u orvat edhe një herë të organizonte kryengritjen në krahinën e Vlorës, Ndërsa mori pjesë në kryengritjen e vitit 1847. /atsh/ KultPlus.com