Piktura e Tahir Emrës – art substancial

Mehmet Kraja

Ikja në amshim e Tahir Emrës është një lajm i trishtë, jo vetëm për anëtarët e Akademisë, për kolegët e tij, por për të gjithë komunitetin artistik të Kosovës. Si pjesëtar nga më të denjët e këtij komuniteti, bashkë me gjeneratën e krijuesve më të spikatur të këtij vendi, Tahir Emra, me shumë kurajë dhe dinjitet, të thuash në një qetësi solemne, ishte kontribues i shquar i asaj gjenerate, e cila, para se Republika e Kosovës të merrte atribute politike, arritën të ndërtonin “republikën e artit”: ta bënin Kosovën me identitet artistik!

Në suaza të kësaj tradite, Tahir Emra u identifikua pikërisht si zë identitar, që me heshtjen e tij të mençur e racionalizon retorikën dhe euforinë, në një kohë që ekspresivitetit ia gjen vendin në pikturën e tij substanciale, të sendërgjuar me një abstraksion të thuash gjenetik, primordial.

Piktura e Tahir Emrës ka qenë dhe vazhdon të mbetet e vështirë për interpretim, për kritikë dhe analizë, jo vetëm pse i përket artit abstrakt dhe hermetik, por më shumë për faktin se piktura e tij e tejkalon “lehtësinë e papërballueshme” të interpretimit të mesazheve të drejtpërdrejta. Ajo nuk manifeston, ajo nuk mban etiketa njohëse dhe as shpjeguese, ajo thjeshtë nxit për meditim për kuptime të thella ekzistenciale, ndonjëherë më të afërta, ndonjëherë krejt të largëta.

Koha kur u realizua opusi artistik i Emrës, kur panë dritë pikturat e tij më të rëndësishme dhe kryesore, ishte kohë e vështirë, kohë kur, njësoj si në letërsinë tonë të atëhershme, veçmas në poezinë, të shprehurit artistik duhej ta mënjanonte narracionin e drejtpërdrejtë dhe duhej të kalonte përmes mesazheve të koduara dhe konteksteve universale.

Piktura e Tahir Emrës e gjeti rrugën e saj konsekuente dhe krejt të veçantë, për të mbijetuar të gjitha kufizimet dhe sfidat, për të ardhur deri në ditët e sotme si një pasuri artistike që i ka qëndruar kohës dhe, jemi të bindur, do t’i qëndrojë edhe për një kohë të gjatë.

Për veprën e Tahir Emrës do të shkruhet edhe në të ardhmen, sepse secila kohë do të gjejë kontekstin e saj në këto abstragime pikturave.

Piktura e Tahir Emrës është art i Kosovës dhe për Kosovën!/ KultPlus.com

Homazhe dhe akademi përkujtimore në nder të akademikut Tahir Emra

Sot në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u mbajtën homazhe dhe akademi përkujtimore për nder të akademikut Tahir Emra, një prej figurave që dha kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillim e artit pamor në Kosovë, bëhet e ditur nga MKRS.

Pjesëmarrësit kujtuan jetën dhe veprimtarinë e tij, trashëgiminë e pasur artistike që la pas.

Homazhe në nderim të tij bënë kryeministri Albin Kurti, ministri Çeku, ministrja Nagavci, ambsadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja, familjarë e miq të të ndjerit.

Tahir Emra ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e artit. Me angazhimin e tij si profesor në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës, Emra ka dhënë kontribut të madh në edukimin e brezave të rinj në fushën e arteve pamore ndërsa veprat e tij që gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private janë pasuri e jashtëzakonshme.

E gjithë kultura kosovare dhe i gjithë populli i Kosovës e çmon dhe nderon punën e figurën e tij./ KultPlus.com

Sot, mbledhje komemorative për akademik Tahir Emra

Dje, më 7 tetor 2024, në moshën 86-vjeçare ndërroi jetë piktori i shquar, ndër më të shquarit e artit shqiptar, akademik Tahir Emra.

Në respekt të jetës dhe veprës së akademik Tahir Emrës, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sot, më 8 tetor 2024, në orën 11:00, mbahet mbledhja komemorative dhe më pas, deri në orën 12:30 bëhen homazhe. Varrimi i të ndjerit do të bëhet më 8 tetor, në varrezat e qytetit të Gjakovës. Nga ora 15:00 deri në orën 16:00, do të bëhen homazhe, në varrezat e qytetit të Gjakovës.

Akademik Emra u lind në Gjakovë më 1938. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen të artit më 1959 në Pejë. Në vitet 1959-1961 punoi mësues vizatimit në vendlindje, më pas studioi në Akademinë e Arteve Figurative në Beograd. Diplomoi më 1966 për pikturë, teksa një vit më vonë u zgjodh ligjërues e pastaj profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, në Degën e Arteve Figurative. Më pas vijoi studimet pasuniversitare, magjistroi më 1970 dhe më 1974 u zgjodh docent për vizatim dhe pikturë në Akademinë e posathemeluar të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe më 1982 profesor ordinar. Ka qenë docenti dhe prodekani i parë shqiptar i Akademisë së Arteve, pastaj shef katedre në dy mandate. Gjatë viteve ’90, për disa vite ka mbajtur mësim me studentët në atelienë e shtëpisë së tij. Për dhjetë vjet (1994-2004) ka mbajtur mësim në lëndët vizatim dhe pikturë edhe në Akademinë e Arteve të Universitetit të Tetovës. Ishte njëri nga themeluesit e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës dhe pjesëmarrës i rregullt në aktivitetet e saj.

Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur në vitin 2000, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2008. Për një mandat ka qenë sekretar i Seksionit të Arteve të ASHAK-ut.

Ka hapur disa ekspozita të pavarura dhe ka marrë pjesë në ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit. Veprat e tij gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private.

Në vitin 2013 Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës botoi monografinë e piktorit Tahir Emra me riprodhimet e veprave më të njohura dhe me studimin e piktorit Kujtim Buza./ KultPlus.com

Nesër, mbledhje komemorative për akademik Tahir Emra

Sot, më 7 tetor 2024, në moshën 86-vjeçare ndërroi jetë piktori i shquar, ndër më të shquarit e artit shqiptar, akademik Tahir Emra.

Në respekt të jetës dhe veprës së akademik Tahir Emrës, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës më 8 tetor 2024, në orën 11:00, mbahet mbledhja komemorative dhe më pas, deri në orën 12:30 bëhen homazhe. Varrimi i të ndjerit do të bëhet më 8 tetor, në varrezat e qytetit të Gjakovës. Nga ora 15:00 deri në orën 16:00, do të bëhen homazhe, në varrezat e qytetit të Gjakovës.

Akademik Emra u lind në Gjakovë më 1938. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen të artit më 1959 në Pejë. Në vitet 1959-1961 punoi mësues vizatimit në vendlindje, më pas studioi në Akademinë e Arteve Figurative në Beograd. Diplomoi më 1966 për pikturë, teksa një vit më vonë u zgjodh ligjërues e pastaj profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, në Degën e Arteve Figurative. Më pas vijoi studimet pasuniversitare, magjistroi më 1970 dhe më 1974 u zgjodh docent për vizatim dhe pikturë në Akademinë e posathemeluar të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe më 1982 profesor ordinar. Ka qenë docenti dhe prodekani i parë shqiptar i Akademisë së Arteve, pastaj shef katedre në dy mandate. Gjatë viteve ’90, për disa vite ka mbajtur mësim me studentët në atelienë e shtëpisë së tij. Për dhjetë vjet (1994-2004) ka mbajtur mësim në lëndët vizatim dhe pikturë edhe në Akademinë e Arteve të Universitetit të Tetovës. Ishte njëri nga themeluesit e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës dhe pjesëmarrës i rregullt në aktivitetet e saj.

Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur në vitin 2000, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2008. Për një mandat ka qenë sekretar i Seksionit të Arteve të ASHAK-ut.

Ka hapur disa ekspozita të pavarura dhe ka marrë pjesë në ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit. Veprat e tij gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private.

Në vitin 2013 Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës botoi monografinë e piktorit Tahir Emra me riprodhimet e veprave më të njohura dhe me studimin e piktorit Kujtim Buza./ KultPlus.com

Tahir Emra merr Çmimin për vepër jetësore “Muslim Mulliqi”

Në kabinetin e Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshit, u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve vjetore në fushën e arteve pamore, shkruan KultPlus.

Juria profesionale ka vendos që për kontributin e tyre në artin pamor, Çmimi për vepër jetësor “Muslim Mulliqi” t’i ndahet Tahir Emrës, teksa me çmim vjetor u shpërblye Hysni Krasniqi.

Juria profesionale përbëhej nga: Zeni Ballazhi, Dhurata Ramosaj Shala dhe Mirsad Lushtaku. Kryetari i jurisë Zeni Ballazhi përgjatë fjalës së tij është shprehur se krijimtaria e Tahir Emrës është për t’u çmuar dhe se ndoshta ky çmim do të duhej t’iu jepej më parë.

“Veprat e tij kanë lënë gjurmë jo vetëm në artin e Kosovës por poashtu edhe në artin kombëtar shqiptar dhe është pjesë e historisë së arteve pamore tanimë”, u shpreh Ballazhi për fituesin e çmimit “Muslim Mulliqi”.

Ballazhi ka vazhduar të flas edhe për Hysni Krasniqin teksa ka vlerësuar se ai është dëshmuar nëpërmjet grafikës së tij moderne dhe ekspozitave të ndryshme me përfaqësim vendor e nacional.

“Ne kemi vlerësuar që grafika e tij bashkëkohore moderne ka ndikuar dukshëm në rrugëtimin qoftë edhe të gjeneratave të reja të Fakultetit të Arteve që sot gjeneratat e reja ndjekin këtë rrugëtim, apo gjurmë të këtyre artistëve të mëdhenj”, ka thënë Ballazhi.

Ministrja Dumoshi pas dhënies së çmimeve për këta kontribuues të arteve pamore është shprehur se ndjehet e vogël karshi veprës së tyre ndër dekada.

“Përmes pikturës ju na keni bërë që të jemi edhe më të fuqishëm dhe të hyjmë në botën e juaj”, theksoj Dumoshi.

Tahir Emra ka shprehur mirënjohjet dhe falënderimet e tij për Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport se i përcjellin artistët ashtu siç duhet.

“Akademitë të cilat i kemi kryer ne kanë qenë shumë prestigjioze, të njohura në botë. Ne mburremi me atë periudhë. Jemi popull i vogël por shumë i talentuar, këtë e thonë edhe të tjerët”, theksoj fitues i çmimit jetësor “Muslim Mulliqi”.

Në anën tjetër fituesi i çmimit vjetor, Hysni Krasniqi ka vlerësuar se arti pamor në Kosovë mund të krahasohet edhe me BE-në, teksa ka thënë se është pak vonë për ndarjen e këtyre çmimeve.

Si në pikturë, skulpturë, grafikë e vizatim, ne jemi të njohur shumë por momentalisht po e shihni edhe vet si është situata. Është pak vonë por për krijuesin s’është vonë asnjëherë. Ne do të japim kontributin tonë aq sa kemi mundësi. Ne i kemi dhënë mjaft Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Tahir Emra dhe Hysni Krasniqi do të mbeten emra të njohur në fushën e arteve pamore për kontributin e tyre shumëvjecare. /KultPlus.com