Veprimtaria e Ambasadorit dhe Liderit për Paqen Botërore, Tahir Shabani prezantohet në një dokumentar

Radio Televizioni Shqiptar transmetoi në kanalin e parë RTSH1 dokumentarin “Diplomaci për Kombin”, realizuar nga një ekip profesionistësh me përvojë të gjatë krijuese me producent gazetarin e njohur Tom Therçaj.

Dokumentari pati jehonë dhe shikueshmëri të lartë, pasi në produksionin prej 55 minuta ishin gërshetuar histori, fakte dhe ngjarje interesante.

Jeta dhe veprimtaria 40 vjeçare e misionarit nga Kosova Tahir Shabani, tashme President i Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim me qendër në Francë, ishte ilustruar me dokumente origjinale, fotografi dhe sekuenca filmike ku mbresëlënëse ishin ngjarjet e luftës në Kosovë dhe veprimtaria diplomatike e këtij intelektuali të përkushtuar për çështjen kombëtare.

Ashtu siç me të drejtë thuhet, lufta nuk kërkon vetëm ushtarë, armë dhe municione,lirisë së Kosovës martire i kanë shërbyer edhe qindra vetë në Evropë, SHBA dhe vende të tjera duke lobuar e sensibilizuar përfaqësuesit e lartë të diplomacisë e politikës dhe institucionet vendim-marrëse. Njëri prej tyre është edhe Tahir Shabani. Siç thuhet në dokumentar, ai mori vendimin për t’u larguar nga Kosova kur ishte 19 vjeç, aq sa bashkëmoshatarët e tij që u vranë në lule të rinisë vetëm se kërkonin të drejta të barabarta, mbrojtjen e flamurit, njohjen e republikës, simboleve dhe gjuhës amtare.

Tahiri ishte i skeduar nga regjimi i kohës, pasi familja Shabani njihej për qëndrimin disident. Janë disa ngjarje e rrethana historike që përcaktojnë jetën e individit, por edhe fatin e shteteve. Të tilla janë ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë. Përcaktuese për regjimin që shkaktoi dhunën, diskriminimin e raprezaljet, por edhe për ata që e pësuan, shqiptarët, e sidomos studentët e paraverës së përgjakshme në Prishtinë, ku u vranë dhjetëra të rinj protestues dhe qindra të tjerë u plagosen. Si shumë bashkëmoshatarë të tij, Tahir Shabani zgjodhi Evropën e vlerave të lirisë. Fillimisht në Zvicër e me pas në France si azilant politik. Që nga dita e parë do të aktivizohej në lëvizjet politike të shqiptarëve dhe do të merrte pjesë në tubimet masive të shqiptarëve në diasporë në përkrahje dhe mbështetje të të drejtave të shqiptarëve që jetonin në ish-Jugosllavi dhe që shkeleshin barbarisht nga regjimi serb. Fundi i vitit 1989 dhe viti 1990 shënojnë dy ngjarje të mëdha: themelimi i LDK-së në Kosovë, forca e parë politike e organizuar dhe legale, përfaqësuese e interesave të shqiptarëve. Një vit më vonë edhe në Shqipëri triumfon pluralizmi politik. Këto dy ngjarje ndryshuan rrënjësisht filozofinë dhe organizimin politik të shqiptarëve. Tahir Shabani do t’i përjetonte ato si një rilindje. Agjenda e re do të ishte instalimi i raporteve me institucionet e OKB- dhe parlamentin europian.

Gjatë vizitës së parë në Shqipëri, në vitin 19991, Tahiri vëren varfërinë e thellë të bashkëkombësve të tij dhe vendos t’i përkushtohet aktiviteteve humanitare. Për ketë qellim në vitet 1991-1992 Tahir Shabani atashohet pranë organizatës Farmacistët pa Kufinj, të cilëve u shërben si përkthyes dhe udhërrëfyes për ti orientuar ndihmat drejt Shqipërisë. Nëpërmjet diplomacisë humanitare arrin të sensibilizojë individë, shoqata dhe institucione që e mbështeten në misionin fisnik për furnizimin e vendit me medikamente të rëndësisë së parë. Shtëpia e tij u shndërrua në një institucion lobimi e veprimtarie diplomatike, ku pulson zemra për çështjen kombëtare dhe qëndron ndezur zjarri i atdhedashurisë. Nuk mjaftonte vetëm vullneti i mirë i Tahirit dhe miqve të tij për të lobuar e mbledhur fonde ndaj veprimtaria u legalizua duke i dhënë formë juridike Shoqatës “Nëne Tereza” në Gjenevë, në vitin 1992 Tahir Shabani organizon në Francë dhe në Zvicër aksione humanitare për mbledhje ndihmash në fushën e mjekësisë duke arritur të sjellë në vitin 1993 në veri të Shqipërisë, në Tropojë një kamion me aparatura, paisje dhe ilaçe mjekësore të domosdoshme. Fale interesimit të tij, shumë mjekë dhe infermierë do të (trajnoheshin) specializoheshin në Francë dhe Gjenevë, kontribut që do të vijonte me mbështetjen për administratën publike, binjakëzimet dhe specializimin në europë të juristëve e diplomatëve të rinj. Në vitin 1994, Këshilli Bashkiak në Bajram Curri e shpall Tahir Shabanin – Qytetar Nderi, të Tropojës.

Veprimtaria e tij do të pasqyrohej në mediat e shumta kombëtare e ndërkombëtare, në shtypin e shkruar dhe median televizive. Periudha që ka shënjuar kursin e jetës se Tahir Shabanit ka qenë periudha e luftës së Kosovës. Në vitet 1998 – 1999 ai angazhohet në aktivitetet humanitare dhe diplomatike, duke siguruar ndihma, dërgesa humanitare me avion ushtarak në mbështetje të popullsisë së zhvendosur, me mbështetjen e shtetit të Francës dhe të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit, të mediave dhe diplomatëve të huaj, duke i shërbyer me përkushtim çështjes shqiptare. Gjatë asaj periudhe të vështirë organizon disa takime e konferenca shtypi me përfaqësuesit politik dhe ushtarakë të shtetit shqiptar në të cilat i bëhej jehonë luftës së drejtë që shqiptarët u detyruan ta bënin për të mbrojtur jetën dhe vendin e tyre. Fusha ishte e gjerë: diplomacia kulturore, ekonomike dhe parlamentare. Sytë dhe vëmendja drejtoheshin drejt personaliteteve të shquar në europë, me ndikim në politikë, shkencë, kulturë dhe ekonomi.

Pas çlirimit të Kosovës, aktivitetit i Tahir Shabanit përqendrohet në përpjekjet për rindërtimin e vendit, në ndihmat për spitalet, shkollat dhe institucionet e reja. E vështirë të përshkruash kontributin e tij në trekëndëshin diplomatik: Gjenevë, Prishtinë –Tiranë. Siç do të shprehej presidenti i parlamentit të Gjenevës Eric Leyvraz, gjatë vizitës të organizuar nga miku i tij Shabani në Tiranë, Tahiri është një ambasador i palodhur i çështjes kombëtare, pasionant dhe i përkushtuar. Falë ndihmës dhe bashkëpunimit të tij janë organizuar veprimtari të larmishme kulturore, artistike, shkencore, ekonomike, e diplomatike. Ai ka dhënë përkrahje të vazhdueshme për delegacionet pranë organizatave të OBSH, OBP, OBT, OKB-së dhe agjensive të specializuara të OKB-së. Vend të rëndësishëm zë bashkëpunimi në fushën akademike. Tahir Shabani ka mundësuar instalimin e raporteve të universiteteve publike e private, me institucionet arsimore europiane. Në këtë veprimtari diplomatike dhe humanitare ka gjetur mbështetjen, bashkëpunimin dhe përkrahjen e parlamentit, Senatit dhe Qeverisë së Francës, të Komunave dhe Asociacionit të tyre në Annecy – HauteSavoie – Francë dhe nga autoriteteve e Institucioneve në Gjenevë dhe Zvicër.

Ky misionar i përkushtuar i shqiptarizmes, lirisë dhe të drejtave kombëtare, asnjëherë nuk ka menduar për shpërblime apo vlerësime. Por, mediat dhe institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare kanë pasur vëmendjen e duhur, duke e konsideruar si një faktor dhe model të qytetarit që nuk vë asgjë para interesave kombëtare. Është mjaft e gjatë lista e shoqatave, organizatave dhe institucione që kanë certifikuar me mirënjohje veprimtarinë e misionarit Tahir Shabani-Ambasador i Paqes. Një vlerësim i lartë me Dekoratë Presidenciale nga Ilir Meta, Presidenti i Republikës së Shqipërisë. “Për merita të veçanta civile”. Për shërbimin e çmuar në promovimin e faktorit shqiptar në botë dhe rrjetin e bashkëpunimit të organizatave dhe institucioneve shqiptare me homologët ndërkombëtarë, veçanërisht për njohjen edhe zgjerimin e kontakteve të lëvizjes sindikaliste shqiptare me partnerët evropianë. Dekorata e Pavarësisë së Kosovës, nga kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti, për veprimtarin e çështjes kombëtare në Mërgatë nga Kosova. Lider i Paqes Botërore nga Komiteti Botëror i Paqes i 202 vendeve të Botës, Institucion i Bashkësisë Ndërkombëtare. Vizioni dhe misioni për të bashkëpunuar në ndërtimin e paqes, vëllazërimit dhe modesti si një familje e Tokës. Ambasador për Paqe nga Federata e Paqes Universale dhe Federata e Grave për Paqen Botërore në Gjenevë. Universiteti Hasan Prishtina – Certifikatë e Mirënjohjes – Për një kontribut të jashtëzakonshëm në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në veçanti në drejtim çështjeve ndërkombëtare, për 50 vjetorin e Universitetit. Diplomacia Kulturore dhe Universiteti – Shkëmbimet e Arsimit në Evropë. / KultPlus.com