Parku në Tajlandë me mbi 1 mijë statuja të Budës nga ari

Një tempull budist në Tajlandë ofron për vizitorët një pamje spektakulare. Ai është strehë e mbi një mijë statujave të budës, që të gjitha nga ari. Tempulli quhet Phuttha Utthayan Makha Bucha Anusorn, apo në shqip “Parku memorial dedikuar Budizmit”.

Në total atje janë 1 mijë e 250 statuja religjioze, gjatësia e të cilave arrin së paku një metër.

Statujat nga ari në këtë park janë pjesë e provincës e cila quhet Nakhon Nayok.

Në video shohim skulptura në fushë të gjerë. të paraqitura duke iu lutur figurës së madhe, Budës, e cila është e gjatë mbi 12 metra.

Parku Memorial dedikuar Budës në Tajlandë u ndërtua në vitin 2012. Ai rrethohet nga lisa, male dhe ujëvara e cila quhet Sarika. Ai është i hapur për vizitorët filluar nga ora tetë në mëngjes e deri në orën 18.

Me fjalë të tjera, ky park është ndër më të famshmit për turistë në provincën Nakhon Nayok./21Media/KultPlus.com

Në Tajlandë organizohet festivali i muzikës rok me “Zoom”

Adhuruesit e muzikës rok në Tajlandë kanë shikuar grupet e tyre të preferuara duke përformuar nëpërmjet platformës Zoom të dielën, ndërsa festivali i muzikës ka kaluar online shkaku i pandemisë COVID-19, shkruan agjencia Reuters. 

Tubimet publike janë ndaluar në Tajlandë që nga mesi i marsit si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Por, të dielën spektakli gjashtëorësh i ka dhënë njerëz ve mundësi për të parë dhe bashkëvepruar me këngëtarët nga larg. 

“Bendi im i preferuar nuk ka pasur ndonjë përformancë live që nga masat kufizuese, kështu që kam qenë shumë i lumtur që i kam parë sot duke përformuar”, ka thënë 21-vjeçarja Siriyagorn Aimchomchid. 

Disa tifozë të muzikës ishin mbledhur në grupe të vogla – të lejuara me masat kufizuese të Qeverisë – për të shikuar ngjarjen, ku janë shitur rreth 3000 bileta me çmim rreth 16 dollarë. 

“Muzika virtuale lejon audiencën dhe këngëtarët të bashkëveprojnë, dhe mund të këndojnë e flasin mes vete”, ka thënë Samkwan Tonsompong, drejtori menaxhues i organizatorit të festivalit “What The Duck Music”. 

Por, 15-vjeçarja Sirinapa Darathum, që po e shikonte së bashku me tri shoqe, ka thënë se emocionet e formatit online nuk krahasohen me ato të qenit në ngjarje.
“Ndonëse po i shikoj këngëtarët më afër nëpërmjet monitorit, prapë jam larg tyre pasi jemi në lokacione të ndryshme”, ka thënë ajo. /KultPlus.com

Shpella në Tajlandë do të kthehet në muze

Kompleksi i shpellave në Tajlandën veriore, ku 12 djemtë dhe trajneri i tyre i futbollit mbetën të bllokuar për më shumë se dy javë, do të shndërrohet në një muze.

Zyrtarët e skuadrave të shpëtimit thanë se muzeu do të tregojë se si u zhvilluan operacionet, duke shtuar se ai do të jetë një atraksion i madh për Tajlandën.

Fëmijët e shpëtuar janë në spital dhe po e marrin veten shpejt. Pamje video janë shfaqur që i tregojnë ata në formë të mirë edhe pse do të qëndrojnë në karantinë edhe për një javë. Marinsat tajlandezë po ashtu kanë publikuar pamje dramatike të vetë operacionit, që tregojnë se si zhytësit ekspertë kishin nxjerrë pjesëtarët e ekipit të futbollit Wild Boar, në sipërfaqe.

Shpella Tham Luang, është një nga sistemet më të mëdha në Tajlandë. Ajo është e vendosur nën malet përreth qytetit të vogël Mae Sai, në provincën veriore Chiang Rai në kufirin me Mianmarin.

Zona është kryesisht e pazhvilluar, me kapacitete të kufizuara për turistët. Nuk është e qartë nëse muzeu do të jetë operacional brenda këtij viti, edhe për faktin se Tajlanda është e ekspozuar ndaj përmbytjeve gjatë sezonit të shirave që zgjat nga qershori deri në tetor.

Ishte pikërisht fillimi i papritur i sezonit të shirave që bllokoi djemtë nën tokë ndërsa ata po eksploronin shpellën.

Të paktën dy kompani, po kërkojnë ndërkohë të bëjnë një film për të treguar historinë e shpëtimit. Edhe para se 13 të bllokuarit të nxirreshin, studio amerikane Pure Flic, që bën filma frymëzues me tema kristiane, njoftoi se producentët e saj ishin në terren duke folur me punonjësit e skuadrave të shpëtimit, për një film të mundshëm.

Por, sipas studios me bazë në Los Angeles, Ivanhoe Pictures, ajo është zgjedhur zyrtarisht nga qeveria tajlandeze dhe marina për të bërë një film./ KultPlus.com