Një grup turistësh nga Tajvani vizitojnë Korçën

Traditat kulturore, klima, bukuritë natyrore dhe fshatrat turistikë të Korçës vijojnë të tërheqin gjithnjë e më shumë turistët e huaj.

Ditët e fundit një grup turistësh nga Tajvani, që ka eksploruar Korçën u ndalën të vizitonin edhe Qendrën e Kulturës dhe Inovacionit për të mësuar vallet e bukura tradicionale.

Kryetari bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo ndau në rrjetet sociale momente nga vizita e turistëve nga Taiwani në këtë qendër.

“Vizitorët e huaj shprehin përshtypjet më të mira për qytetin, fshatrat përreth, gastronominë, mikpritjen por një kuriozitet të madh kanë edhe për të zbuluar pak nga tradita e bukur korçare”, tha Filo.

Turistët e huaj që vizitojnë Korçën kanë mundësi të orientohen lehtësisht në muzeumet, institucionet publike, parqet dhe vendet e tjera të vizitueshme në qytet.

Në çdo kohë, turistët mund të vizitojnë të gjitha atraksionet turistike, të përfshira në turin e qytetit për të cilat orientohen lehtësisht, pasi janë vendosur tabela informuese.

Një interes të lartë ata shprehin edhe për fshatrat turistikë si Dardha, Voskpoja, Vithkuqi etj, si dhe monumentet e kulturës që janë të shumta në këtë qytet./atsh/KultPlus.com

Këto janë shtetet më të mira për të punuar jashtë vendit në vitin 2022

Pandemia ka ndikuar në jetën tonë, por a keni menduar ndonjëherë të punoni në një vend tjetër? Me kaq shumë punë që po zhvendosen në internet, puna në distancë është tani më e lehtë se kurrë.

Stili i jetesës dixhitale është rritur vitet e fundit dhe shumë vende priren të tërheqin punonjës të huaj. Expat Insider ka renditur vendet më të mira për të punuar, bazuar në sondazhet e kryera me emingratët që tashmë jetojnë atje.

Tajvani

Në vitin 2021 Tajvani zuri vendin e parë në Indeksin e Punës jashtë vendit. Të anketuarit ishin të kënaqur me sigurinë në punë – me 83 për qind të kënaqur përgjithësisht, në kontrast me 61 për qind ndërkombëtarisht.

Shumica e të anketuarve ishin të kënaqur me orët e tyre të punës (74 përqind) ndërsa dy në pesë nuk mund të ishin më të lumtur me punën e tyre – që është gati dyfishi i mesatares ndërkombëtare.

Zelanda e Re dhe Republika Çeke

Zelanda e Re doli në vendin e dytë, ndërsa Republika Çeke u rendit e treta. Vendi i Evropës Lindore ka qenë vazhdimisht në tre vendet e para dhe merr vlerësimin më të fortë në kategorinë e punës dhe kohës së lirë. Më shumë se katër në pesë persona (82 për qind) janë përgjithësisht të kënaqur me orët e tyre të punës dhe 80 për qind janë të kënaqur me jetesën atje. /abcnews.al / KultPlus.com